KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

U mbajt Bench Bar i radhës me pjesëmarrës nga sistemi i drejtësisë në Regjionin e Mitrovicës

27 January 2022

ekipi

Mitrovicë, 27.01.2022 – Dega Regjionale e Odës së Avokatëve të Kosovës, në Mitrovicë, në bashkëpunim me EULEX-në në Kosovë, organizoj Bench Barin e radhës, me akterët e sistemit të drejtësisë në Regjionin e Mitrovicës, takimi u mbajt në “Emerald” Prishtinë.

Tema e diskutimit në këtë tryezë ishte: “Sistemi i Drejtësisë ne Regjionin e Mitrovicës të arriturat dhe sfidat”.

Takimin e kryesoi Kryetari i kësaj Dege, z. Vehbi Beqiri, ndërsa pjesëmarrës ishin  Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z. Ismet Ujkani, gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës nga stacionet në Jug dhe Veri të Mitrovicës, Udhëheqësi i Zyrës së mbrojtësit të viktimave z. Burhan Maxhuni dhe përfaqësuesi i EULEX-it, Meda Petronela Grama.

Qëllimi i këtij takimi të përbashkët, ishte vazhdimi dhe thellimi i më tejmë i bashkëpunimit në mes të akterëve të sistemit të drejtësisë, në mënyrë që të fuqizohet drejtësia në Kosovë, me theks të veçantë në Regjionin e Mitrovicës.

Në këtë takim të përbashkët u diskutuan të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet e drejtësisë në Regjionin e Mitrovicës. Këto takime të përbashkëta planifikohet të jenë jo formale. Të gjitha çështjet do të jenë specifike dhe të fokusuara. Këto zgjidhje mandej do të ndahen me autoritetet Regjionale dhe ato të nivelit Qendror.

Pikat në fokus:

1.Trajtimi i lëndëve të vjetra- prioritet;

2. Përkthimi-sfidat;

3. Transparenca, incizimi i intervistave për të mitur dhe seancave gjyqësore;

4. Ngritja e aktakuzës dhe njoftimi i palëve në procedurë.

 

Përmbledhje e të gjeturave dhe rekomandimeve nga takimi:

  • Përkundër integrimit të sistemit gjyqësor në Regjionin e Mitrovicës, u konfirmua numri i madh i lëndëve të cilat akoma nuk trajtohen edhe përkundër faktit se janë lëndë të vjetra, nuk trajtohen me prioritet edhe pse sipas njoftimit pritet të përfundohet rregullorja e cila parasheh trajtimin e lëndëve me prioritet dhe atyre në rigjykim;
  • Nuk duhet trajtuar lëndët e reja pa u trajtuar lëndët që kanë mbetur pa u trajtuar;
  • Është në proces nxjerrja e Rregullores për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve varësisht nga lëndët që trajtojnë.
  • Përkthyesit dhe përkthimi janë ndër çështjet kryesore që ndikon në azhurnimin e lëndëve të cilat janë në pritje, prej një kohe të gjatë në përkthim. Sipas kësaj dinamike edhe pse përkthyesit aktual në numër të vogël, me ngarkesë të madhe në punë, për shkak të numrit të madh të lëndëve dhe kërkesat e mëdha për përkthim të drejtpërdrejt, nuk po arrijnë t’a përballojnë nevojën e madhe për të pasur përkthimin në afat të arsyeshëm.
  • Kualiteti i përkthimit lë shumë për të dëshiruar!
  • KGJK, duhet ndërmarr hapa urgjent në këtë drejtim, duke shtuar numrin e përkthyesve apo shfrytëzuar përkthyesit nga gjykatat tjera në Kosovë, duke ua përmirësuar kushtet e punës, pagën marrë parasysh edhe kriteret për rekrutimin e stafit, për një përkthim me kohë dhe kualitet të duhur.
  • U njoftuan per ekzistimin e dy sallave te cilat janë në dispozicion për të zhvilluar intervistimet duke përdorur metodën e incizimit të të njëjtave në përputhje me dispozitat e KPPRK-së dhe Kodit për të Mitur, të cilat duhet të jenë funksionale;
  • Transparenca rrite besimin në sistemin e drejtësisë së regjionit.
  • U shqyrtuan rastet kur ngritet aktakuza dhe palët nuk njoftohen me kohë siç parashihet me dispozitat e KPPRK-së, pra mungon pajisja e menjëhershme me aktakuzë dhe shkresa të lëndës por se duhet ndërprerë praktika që kjo të bëhet vetëm pasi të caktohet seanca fillestare. Ne këtë drejtim prokuroria do të bënë përpjekje që palët të pajisen me kopje të mjaftueshme të aktakuzave dhe shkresat e lëndës.

Në takim u shtruan dhe çështje tjera, të cilat do të jenë në fokus, në takimet e radhës si:

  • Flete thirrjet nuk dorëzohen me kohë palëve;
  • Mitrovica duhet të jetë në vëmendje më të madhe nga KGJK dhe KPK, sidomos në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët janë në mungesë një kohë të gjatë.

Takimi u përmbyll me këto të gjetura duke u theksuar se duhet të ketë vazhdimësi të këtyre takimeve, me qëllim që të shihet se sa po realizohen të gjeturat e këtij Bench Bar-i ashtu që për organizimin dhe pjesëmarrjen në këtë tryezë u falënderuan pjesëmarrësit, për kontributin e tyre dhe pjesëmarrjen e rregullt në këto takime tani më tradicionale e qe pritet te mbahen edhe tri takime tjera  gjate këtij viti me pika te cilat trajtohen si prioritare.