KËRKO AVOKAT

VEGËZAT

KALENDARI

Reagim i OAK lidhur me deklarimet e Ministres së Drejtësisë dhe Zëvendës Kryesuesit të KGJK-së

27 September 2022

ekipi

Prishtinë, 27.09.2022 – Ministrja e Drejtësisë në deklarimin e saj lidhur me Odën e Avokatëve të Kosovës, në aktivitetin për të përmbyllur javën e ndërmjetësimit,  ka deklaruar se Oda e Avokatëve të Kosovës, është institucioni i vetëm me të cilin nuk po mundemi me gjetë bashkëpunim dhe se Odës së Avokatëve të Kosovës, po i mungon vullneti për të bashkëpunuar lidhur me raportin me rekomandimet që dalin nga Strategjia për Sundimin e Ligjit.

Ministrja, deklaron se i është shkruar disa herë Odës së Avokatëve të Kosovës, në raport me këto rekomandime por se të njëjtit nuk kanë vepruar dhe nuk kanë shprehur interes për bashkëpunim.

Në të njëjtin aktivitet, qenka prononcuar edhe zëvendës kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Qerim Ademaj, i cili ka deklaruar gjithashtu se OAK, nuk qenka bashkëpunuese lidhur me e-mailat zyrtar, duke kritikuar faktin se nuk është askush pjesëmarrës nga Oda e Avokatëve të Kosovës në këtë aktivitet.

Sido që të jetë, për hir të sqarimit të opinionit, OAK sqaron se ka qenë nga 14 shkurti në komunikim të drejtpërdrejt me zyrtarët nga Rishikimi funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit, dhe nga ta është kërkuar që Oda e Avokatëve të njoftohet lidhur me mënyrën se si është aprovuar fillimisht Strategjia, pastaj pse OAK si komponent shumë i rëndësishëm e Sistemit të Drejtësisë  nuk ka qenë pjesë e ekipit qëndror punues, për hartimin e projekt strategjisë së sundimit të ligjit?, si dhe pse OAK nuk është pjesë e Komitetit Drejtues dhe as e organit koordinues ndërinstitucional.

Lidhur me konstatimet e Ministres se OAK nuk është bashkëpunuese ne përkujtojmë se me datë 21 korrik 2022, OAK, së bashku me Ministrinë e Drejtësisë kanë pasur tryezën e përbashkët për finalizimin e Draft Raportit përfundimtar për vlerësimin ex post të Ligjit për Avokatinë, i cili aktivitet ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm dhe që dëshmon se komunikimi i mirëfilltë nuk mungon nga ana e OAK-së.

Përveç kësaj, Oda e Avokatëve të Kosovës sa i përket obligimeve të saj që dalin nga Strategjia për Sundimin e Ligjit, ka treguar bashkëpunim të lartë duke mbështetur projektin që lidhet me ndërmjetësimin si procedurë alternative për zgjidhje të kontesteve/konflikteve në Kosovë, duke zhvilluar takime me shefin e INL, z. Shawn Waddoups, me datë 16.03.2022, pastaj OAK ka marr pjesë në Tryezën e rrumbullakët për Koordinimin Ndërinstitucional për Ndërmjetësimin Penal, të organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht Zyra për çështjet ndërkombëtare si dhe zbatim të ligjit/shërbimi federal i ndërmjetësimit dhe pajtimit të SHBA, në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë, me datë 22.09.2022. Gjithashtu Oda e Avokatëve të Kosovës, lidhur me strategjinë, ka bërë njoftimin përmes ueb faqes së saj zyrtare me datë 22.09.2022.

Duke pasur të gjitha këto paqartësi, duke mos qenë e kyqur në fillet e projektit si tërësi, OAK nuk ka pasur mundësi të raportoj për detyrimet qe i janë caktuar nga të tjerët pa u pyetur ajo fare por që me parë me datë 22.09.2022, OAK ka pasur takimin e parë me zyrtaret e  Rishikimit funksional të Sektorit të sundimit të Ligjit, ku pas sqarimeve detale që ka marr është dakorduar mënyra dhe forma e raportimit të OAK-së, por që kjo nuk ka interferuar te Ministrja e Drejtësisë pasi nuk ka pasur rëndësi për Strategjinë që ka Ministrja në raport me përpjekjen e saj për dëmtimin e imazhit  të OAK-së.

OAK, është e befasuar me deklaratën e zëvendës kryesuesit të KGJK marr parasysh bashkëpunimin e vazhdueshëm që kemi pasur në raport me KGJK dhe se deri më tani, OAK, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë bisedim me KGJK lidhur me e-mailat zyrtar.

Krejt në fund, Oda e Avokatëve të Kosovës, siguron anëtarësinë e vet dhe opinionin e gjerë se asnjëherë nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë jo bashkëpunuese me institucionet relevante, sidomos jo kur bëhet fjalë për strategjitë që përgatitin sistemin e drejtësisë që të jetë efektiv dhe transparent, në raport me ata që kanë nevojë për sistemin e drejtësisë, por nuk është dhe nuk do të pranoj që profesioni i Avokatisë të nëpërkëmbet deri në masën sa tu përcaktohen detyra pa u konsultuar fare, derisa ne përsërisim kërkesën tonë konsekuente, se do të këmbëngulim në rritjen e tarifës për angazhimet e avokatëve në rastet sipas detyrës zyrtare, pasi që është dhe mbetet e domosdoshme për avokatët.