Persekutuar Apo Jo Krejt Naiv ?

Prishtinë, 12.08.2013 - Ai erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe filloi të punojë si këshilltar i shefit të shtetit, si profesor në fakultetin juridik dhe si avokat. Por, tani atij i pamundësohet mësimdhënia në universitetin publik.

Korab Sejdiu, 35, kishte shkuar në shtetet e bashkuara si gjashtëmbëdhjetë vjeçar për t’iu shmangur shërbimit ushtarak të ish-Jugosllavisë. Atje kreu studimet bachelor në drejtimin biznes ndërkombëtar, bëri studime shtesë që i dhanë titullin Juris Doctor dhe qëndroi rreth trembëdhjetë vjet. Sejdiu u kthye në Kosovë më 2007 që kur ka mbajtur pozita të rëndësishme - si këshilltar i Presidentit, profesor asistent në fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës, avokat dhe anëtar i këshillit të përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Jam kthyer nga Amerika për t’i ndihmuar këtij vendi”, thotë ai.

Do të shihej shpeshherë në media përkrah presidentit Fatmir Sejdiu, të cilin e këshilloi për tri vjet që nga 2008-ta si pjesë e projekteve ndërkombëtare për asistim të institucioneve publike. Me ish-presidentin nuk ka lidhje familjare.
Në fakultetin juridik për katër vjet, shkurt 2010 deri në qershor të këtij viti, ligjëroi në studimet bachelor dhe master lëndë nga e drejta tregtare. Fakulteti juridik pranon rreth njëmijë studentë çdo vit.

Si avokat ka përfaqësuar ndër të tjera ish-presidentin Fatmir Sejdiu në Gjykatën Kushtetuese kur u akuzua se po bënte shkelje të Kushtetutës duke mbajtur pozitën e shefit të shtetit dhe të kryetarit të partisë, ish kryetarin e Ferizajt Bajrush Xhemajli që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës në rastin e aksidentit në komunikacion ku mbeti i vdekur një i ri, dhe tash mbron kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku që vjen po ashtu nga PDK-ja në një rast ku dyshohet se ka kryer krime lufte.

Por i riu që i hyri furishëm skenës publike, këtë qershor nuk aplikoi për t’u rizgjedhur profesor asistent në UP. Po atë muaj, Ministria e Arsimit ia llogariti gradën që ka fituar gjatë studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si “jurist i diplomuar” dhe jo si “doktor i jurispundencës”.

Grada doktor shkence ishte kriter ligjor për të ushtruar profesionin e profesorit dhe të avokatit në rastin e Sejdiut. Korab Sejdiu thotë se e tërë fushata kundër tij ka prapavijë politike.

MASHT dhe Fakulteti: Juris Doctor ekuivalent me Jurist i Diplomuar
 
Korab Sejdiu ka nostrifikuar diplomën amerikane më 6 qershor 2013 ani pse kishte aplikuar nëntë muaj më parë, më 19 tetor 2012. Nostrifikimi i diplomës së tij është dashur të përfundonte më së largu në muajin shkurt të këtij viti.
“Procedura për shqyrtimin e kërkesës për njohje ose vlerësim të diplomave të fituara jashtë vendit në asnjë rast nuk do të zgjasë më shumë se katër muaj…”, thuhet në paragrafin 1 të nenit 10 të udhëzimit administrativ për njohjen e diplomave.

Vlerësimi dhe njohja e diplomave të fituara jashtë vendit bëhet nga Këshilli Kombëtar për Njohje që vepron në kuadër të Ministrisë së Arsimit.

“Z.Korab Sejdiu i njihet grada profesionale ‘Juris Doctor’, studime trevjeçare fituar në Widener University”, thuhet në vendimin e këtij këshilli.

Mirëpo, sipas arsyetimit në këtë vendim, Këshilli Kombëtar për Njohje ka vendosur që kjo gradë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk vlerësohet si studime të doktoraturës.

“Programi i studimeve është trevjeçar dhe shkalla e doktorit të jurispundencës në Shtetet e Bashkuara nuk është konsideruar si një shkallë e doktoraturës profesionale por më tepër si një shkallë e parë profesionale”.

“Shkalla e doktorit të jurispundencës në ShBA nuk është konsideruar si një shkallë e doktoraturës profesional" MASHT.

Vendimi i nënshkruar nga kryetari i Këshillit Kombëtar për Njohje Bekim Samadraxha dhe sekretari i MASHT-it Xhavit Dakaj është nxjerrë pasi Sejdiu i kishte drejtuar një letër Dakajt më 5 qershor duke i kërkuar që lënda e tij të procedohej urgjentisht meqenëse kishte kaluar afati ligjor.

Përpara se të marrë vendim, Këshilli për Njohje bazohet në mendimin që ofron komisioni i ekspertëve që përbëhet nga tre anëtarë të cilët janë përfaqësues akademikë dhe një përfaqësues i Naric-ut.

Qendra Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik e Njohur si Naric formon komisionin e ekspertëve dhe sigurohet që aplikantët të dorëzojnë dokumentacionin e duhur.

Zyrtarë të kësaj qendre kanë përgjegjësinë që të verifikojnë diplomat duke kontaktuar me universitetet jashtë vendit dhe gjithashtu konsultohen me anëtarë të rrjetit të Naric jashtë Kosovës lidhur me vlerësimin e diplomave.

Rrjeti Naric që vepron në Europë është themeluar nga Komisioni Europian më 1984. Më 2008 me vendim të ministrit të arsimit Enver Hoxhaj është hapur një zyre e saj edhe në Kosovë. Naric bashkëvepron me rrjetin Enic që po ashtu bën vlerësimin e diplomave.
 
Gjithashtu komisioni i ekspertëve i përbërë nga profesorët e fakultetit juridik Abdulla Aliu dhe Mejdi Bektashi dhe përfaqësueses së ministrisë së arsimit Gjylbehari Llapi, një ditë para këtij vendimi, i kishte rekomanduar Këshillit për Njohje që Sejdiut t’i njihej grada “Jurist i Diplomuar”.

“I propozohet Këshillit Kombëtar për Njohje që kandidatit t’i njihet grada si e barasvlershme me gradën ‘jurist i diplomuar’ e cila fitohet në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’”, shkruan në vendimin e komisionit të ekspertëve që mban datën 5 qershor.

I pakënaqur me vendimin, Sejdiu ka ushtruar ankesë në komisionin e ankesave të MASHT-it kundër vendimit që gradën Doctor Juris e llogarit si Jurist i Diplomuar.
Në ankesën e bërë rreth dy javë pas vendimit të Këshillit për Njohje, Korab Sejdiu ankohet për “konstatim të gabuar të gjendjes faktike” dhe “trajtim të pabarabartë para ligjit”.

Sejdiu ankohet se Këshilli me arsyetimin e vendimit se “shkalla e doktorit të jurispundencës në Shtetet e Bashkuara nuk është konsideruar si një shkallë e “doktoraturës profesionale” bën “tentativë për të degraduar këtë shkallë”.
“Shihet qartë që Këshilli nuk është bazuar në të dhënat e dërguara nga unë dhe organi kompetent në SHBA”.

Juris Doctor: Interpretime të universiteteve
Zyrtarët e Naric-ut para se të marrin vendim rreth njohjes së gradës kontaktojnë me universitetin që ka lëshuar diplomën. Zyrtarja Tamara L. Graham nga Widener University, ku është shkolluar Sejdiu, i ka drejtuar Qamile Sinanajt, i ka shkruar kryesueses së qendrës Naric për Kosovë në lidhje me rastin.

Letra e dërguar më 15 nëntor 2012, rreth një muaj pasi Sejdiu kishte aplikuar për nostrifikim, konfirmon se Sejdiu ka diplomuar në Widener University dhe mban titullin Juris Doctor.

Mirëpo, universiteti në këtë letër ka ofruar edhe një shpjegim për titullin. Atë e konsideron si gradë “profesionale”.

“Grada Juris Doctor konsiderohet si gradë profesionale nga American Bar Association dhe do të klasifikohej si grada e tetë e Kornizës Evropiane për Kualifikim”, thuhet në letrën e Widener University.

American Bar Association është organizatë vullnetare amerikane e themeluar më 1878 me rreth 400 mijë anëtarë e cila merret me akreditimin e shkollave juridike, krijon modele të kodit të etikës dhe mbështet anëtarët e saj në zhvillimin e profesionit ligjor të tyre.

Sipas Kornizës Evropiane për Kualifikim, që është sistemi referues evropiane i cili ndërlidh sistemet kualifikuese të arsimit në shtetet të ndryshme, grada tetë është grada me e lartë.
 
Korniza, sidoqoftë, nuk përmend grada si bachelor, magjistraturë ose doktoraturë por jep sqarim të përgjithshëm për njohuritë, aftësitë dhe kompetencat që mund të fitohen gjatë edukimit arsimor.

Ministria e Arsimit qëndron prapa vendim të saj.
“Sipas informatave të marra nga ShBA-të, vlerësimit të Komisionit të Ekspertëve dhe vendimit të Këshillit Shtetëror për Njohje, grada Juris Doctor është gradë e parë profesionale në drejtësi, pra nuk është gradë shkencore ose doktoratë shkencore”, thotë këshilltari politik i ministrit, Arbër Morina. Gazeta ka kontaktuar me disa qendra të Naric-ut jashtë Kosovës dhe fakultete juridike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bazuar në të dhënat e mbledhura nuk ekziston një standard i njëjtë për vlerësimin e gradës Juris Doctor. Në Evropë dhe SHBA kjo gradë konsiderohet si gradë bachelor, master, gradë profesionale por edhe doktoraturë profesionale.
Për Yale University dikush që mban gradën Juris Doctor mund të ligjërojë në universitetet e SHBA-së
Asnjë nga institucionet nuk shprehet se Juris Doctor është doktoraturë shkencore.

Në Finlandë, bazuar në të dhënat e ofruara nga Bordi Kombëtar për Edukim i Finlandës, Juris Doctor konsiderohet si bachelor ose gradë e parë e studimeve. Këshilltarja e lartë e këtij bordi, Saara Louko, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se “sipas informatave që kemi pranuar nga autoritetet amerikane rreth gradës Juris Doctor, kjo është gradë e shkallës së parë (nivel i bachelorit) e cila ofron qasje në studime të magjistraturës”. Por, shton Louko, aplikacionet për njohjen e kualifikime të huaja janë personale dhe ato vlerësohen individualisht, rast për rast.

Në Kroaci, grada Juris Doctor konsiderohet si studime magjistrature ose “niveli i dytë” në arsimin e lartë.
Enic/Naric i Kroacisë konsideron se Juris Doctor i lëshuar nga Widener University School of Law është ekuivalent me nivelin e dytë të arsimit të lartë në Kroaci pasi që kërkesë për t’u regjistruar në këtë shkollë është grada e bachelorit, thotë Lida Lamza nga Agjensioni Kroat për Shkencë dhe Arsim të Lartë.

Sipas standardeve të Georgetown Law University, universitet në SHBA, Juris Doctor është doktoraturë profesionale.
“Juris Doctor është doktoraturë profesionale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo gradë u lejon juristëve që të aplikojnë në provimin e jurispundencës”, thotë Alison M. Spada, drejtoreshë e departamentit për pranimin e studentëve në programin Juris Doctur në Georgetown Law University.

Ajo shpjegon për gazetën se PhD, apo S.J.D siç njihet në SHBA, është gradë më e lartë, e cila zakonisht ndiqet nga ata që planifikojnë të ligjërojnë lëndë juridike në shkolla juridike.
 
Ndërsa për Yale University dikush që mban gradën Juris Doctor mund të ligjërojë në universitetet e SHBA-së.
“J.D është dikush që ka përfunduar studimet bachelor. Është program studimi trevjeçar”, thotë Kaitlin Thomas Orfitelli nga zyra për informim e Yale University.

Sipas zyrtares Ofritellit, shumica e profesorëve në Shtetet e Bashkuara kanë J.D dhe nuk kanë gradë tjetër. “Me gradën J.D personi është i kualifikuar të ligjërojë në shkollat amerikane juridike”.  
Edhe në universitetin Harward ka mësimdhënës me kualifikim J.D.

Në Columbia University që po ashtu ofron studime juridike, në një shpjegim ne faqen në internet, thuhet se Juris Doctor “është grada e parë post universitare që ofrohet në SHBA. Pas përfundimit të provimit të jurispundencës, personat që mbajnë J.D kanë të drejtë të ushtrojnë profesionin e avokatit”.

Titulli “Profesor Asistent” e liroi nga provimi i jurispundencës
2010 është licencuar si avokat nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Kontrata prej profesori Sejdiut i ka skaduar në qershor të këtij viti.

“Nuk jam tërhequr por kur ka ardhur koha për rizgjedhje unë nuk kam aplikuar”, thotë Sejdiu. “Shkaku është se është rritur puna në kompani [firmën juridike]”. 

Mirëpo në letrën drejtuar sekretarit të MASHT-it Xhevat Dakaj, më 5 qershor, shihet se Sejdiu planifikonte të aplikonte përsëri për pozitën e profesor asistentit.

Sejdiu, përmes letrës, kërkonte urgjentisht nga MASHT-i që të bëhej nostrifkimi i diplomës pasi që mungesa e saj i rrezikonte “humbjen e vendit të punës” në kohën kur sapo ishte shpallur konkurs për rizgjedhjen e tij në fakultet.
Konkursi ishte i hapur deri më 11 qershor 2013, bazuar në këtë letër.

“Ky mosveprim… ka potencial që brenda shumë pak ditëve të më shkaktojë dëm jashtëzakonisht të madh”, shkruan Sejdiu.
Por si u emërua Korab Sejdiu profesor asistent?
Sejdiu thotë se në vitin 2008, një vit pasi ishte kthyer nga SHBA, ka pranuar një ftesë nga Enver Hasani për të ligjëruar në UP.

“Në këtë kohë fillova të njoftohem me njerëz dhe në një rast u afrua Enver Hasani e më ftoi që të jap mësim në UP. Ai më pyeti nëse jam i interesuar që të ligjëroj të drejtën ekonomike”.

Enver Hasani, që tash është kryetar i Gjykatës Kushtetuese, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës rreth angazhimit të Sjediut si profesor asistent. Në atë kohë, Hasani ishte rektor i Universitetit të Prishtinës.

“Më tha vetëm ma sjell diplomën dhe disa dokumente, si certifikata e lindjes dhe unë ia kam dhënë” tregon Sejdiu.
Rreth një vit më pas, më 21 maj 2009, vetë Hasani kishte nënshkruar vendimin që punësonte Korab Sejdiun si profesor asistent. Sejdiu mbajti këtë pozitë për rreth katër vjet.

Në pjesën e arsyetimit thuhet se UP-ja ka shpallur konkurs për zgjedhjen e një mësimdhënësi për lëndët e drejta ekonomike dhe e drejta ndërkombëtare ekonomike në Fakultetin Juridik.

Sejdiu nuk ka qenë i informuar për këtë konkurs. “Unë nuk e di a ka pasur konkurs dhe ndoshta edhe ka pasur konkurs, por nuk e di”.

“Thjesht unë kam marrë ftesë dhe nuk kam aplikuar në ndonjë konkurs që e kam parë personalisht. Personalisht ia kam dorëzuar dokumentet e mija në dorë Enver Hasanit në 2008”, shtoi ai.

Statuti i Universitetit të Prishtinës, që gjendet në faqen zyrtare të tij, në paragrafin e parë të nenit 177, thotë se profesor asistent kualifikohet personi që ka gradën e doktorit të shkencës.

“Nuk është PhD. Kurrë s’kam thënë që është PhD. Kudo që nënshkruhem ose e qes ‘J.D’ ose ‘Dr.Jur’”. Korab Sejdiu
“Nuk është PhD. Kurrë s’kam thënë që është PhD. Kudo që nënshkruhem ose e vendos ‘J.D’ ose ‘Dr.Jur’”.
Në vendimin për zgjedhjen e Sejdiut si profesor asistent të nënshkruar nga Hasani shkruan: “Dr. Korab Sejdiu zgjidhët profesor asistent…”.

Dr. është parashtesë që përdoret për personat që kanë përfunduar doktoraturë shkencore - PhD.

“Vendimin që jam emëruar profesor asistent e kam marr tash në qershor, pasi që u bë e madhe kjo puna ime. As që e kam ditur që ata [Universiteti] në 2009-ën e paskan pas marr këtë vendim”, thotë Sejdiu.
Neni 173 i Statutit të Universitetit të Prishtinës parasheh se emërimet e stafit akademik bëhen në “mënyrë transparente me shpalljen e konkursit publik”. 

Vendimi i Hasanit për të punësuar Sejdiun si profesor asistent në fakt ishte vendosur një vit më parë nga senati, përkatësisht më 22 korrik 2008. Aty nuk jepet ndonjë sqarim pse vendimi është nënshkruar nga Hasani rreth një vit pas vendimit të Senatit.

I pyetur nga gazeta pse nuk është siguruar që të zbatojë procedurën e rregullt të aplikimit në UP, Sejdiu thotë: “Në rastin tim, mendoj që më shumë është punë naiviteti. Është naivitet që nuk i kam këqyr këto sene qysh në fillim”.
“Unë i kam dhënë dokumentet për një vend pune dhe përgjegjës nuk jam unë që po aplikoj”, shtoi ai.
 
Korab Sejdiu nuk e ka të kryer provimin e jurispundencës, por megjithatë që nga maji i viti 2010 ka licencë avokati.
Një vit pasi kishte filluar të jepte mësim, Sejdiu kishte aplikuar për licencën e avokatit e cila merret në Odën e Avokatëve të Kosovës.

“Jam nis prej dy aspekteve, një që kam provuar diçka që ligji ma ka lejuar dhe dy fakti që kam ligjëruar në atë kohë nuk më ka bërë të dyshoj nëse Oda do të ma pranoj përgatitjen time”, thotë Sejdiu.
Oda e Avokatëve thotë se Korab Sejdiu është avokat i regjistruar në OAK me vendimin e Bordit Drejtues të datës 4 maj 2010.

Ligji për avokatinë kërkon që kandidatët për t’u regjistruar si avokat duhet të ketë të kryer provimin e jurispundencës.
"Pas daljes në publik të kontestimit të gradës së studimeve Oda e Avokatëve do ta diskutojë licencën e Sejdiut në mbledhjen e bordit në shtator" Yll Zeka. Ndërsa, ligji për jurispundencën që ishte në fuqi në kohën e emërimit të Sejdiut licenconte kandidatët që me sukses kishin kryer provimin që përfshin rreth 15 lëndë.

Ky ligj parashihte një përjashtim
Provimi i jurispundencës iu pranohej të gjithë atyre juristëve që kanë arritur gradën “magjistër apo doktor shkence nga lëmi i drejtësisë” pa pasur nevojë t’i studiojnë rreth 15 lëndë juridike. Në versionin anglisht të këtij ligji nuk përmendet doktor shkence por vetëm doktor.

Gazeta ka gjetur se ekzistojnë dy versione të këtij ligji edhe në gjuhën shqipe. Në Kuvendin e Kosovës figuron ligji me nenin që lejon provimin e jurispundencës për personat që kanë arritur gradën magjistër apo doktor shkence. Mirëpo, në gazetën zyrtare të Kosovës i njëjti ligj që mban numër dhe datë të njëjtë të hyrjes në fuqi nuk e ka paragrafin 4 të nenit 3 që mundëson të drejtën e avokatit nëse personi ka titullin magjistër ose doktor shkence.

Oda e Avokatëve nuk e kishte parë të arsyeshme të verifikonte doktoraturën e Sejdiut pasi që ishte bazuar në faktin që ai tashmë punonte si profesor asistent për të cilën pozitë nevojitej titulli doktor shkence.

“Përgatitja ‘Juris Doctor’ dhe fakti që ai ka ligjëruar në UP nuk e ka bërë bordin të dyshojnë që grada e tij mund të jetë e kontestueshme”, thotë Ylli Zeka drejtor i Odës së Avokatëve.
Fillimisht Zeka gjatë intervistës u shpreh: “Më duket se ai [Korab Sejdiu] ka PhD…”.
Por tash pas daljes në publik të kontestimit të gradës së studimeve Oda e Avokatëve do ta diskutojë licencën e Sejdiut në mbledhjen e bordit në shtator, shtoi ai.
 
“Kam aplikuar dhe mendoja me hy në provim të jurispundencës. Por pasi provova mos po pranohet J.D-ja dhe u pranua [nuk pata nevojë me hy në provim]”, thotë Sejdiu.

“Javën e kaluar kam njoftuar Odën e Avokatëve për vendimin e MASHT-it dhe u kam treguar që jam në procedurë të ankesës”, shtoi ai.
Sejdiu në Amerikë i është nënshtruar me sukses tri herë provimit të jurispundencës dhe ka fituar të drejtën të ushtrojë profesionin e avokatit në New York, New Jersey dhe Pennsylvania.

Fajëson “veglat e PDK-së”
Ish-profesori i Fakultetit Juridik të UP-së pretendon se e “tërë fushata” kundër tij është bërë nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Këtë ma kanë bërë veglat e PDK-së”, thotë Sejdiu. Kështu ai kishte deklaruar edhe për gazetën “Zëri” më 3 gusht në shkrimin me titull “Sejdiu ia ‘sheh sherrin’ Isës”.

Ai beson se lidhja me LDK-në dhe kritikat që i ka bërë menaxhmentit të UP-së janë dy arsyet kryesore pse nuk e duan në fakultet.

Korab Sejdiu është anëtar i Këshillit Drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, organi i cili në hierarkinë e kësaj partie vije menjëherë pas Kryesisë.
Në fillim të këtij viti emri i tij është lakuar edhe si kandidat i mundshëm i kësaj partie për Kryetar të Prishtinës, pozitë që ushtrohet që dy mandate nga kryetari aktual i LDK-së Isa Mustafa.

Sejdiu thotë që ai vetë nuk ka qenë në dijeni për propozimin për të parin e kryeqytetit kosovar.

Në “Facebook” ende ekziston faqja me emrin “Korab Sejdiu për Kryetar të Prishtinës” e hapur më 14 prill 2013 dhe ka mbi 3400 ndjekës.

“Nuk ma marrë mendja që të kandidohem për kryetar të Prishtinës. Nuk mund të jetoj me 800-900 euro sa paguhet kryetari i komunës”, thotë Sejdiu. Ai thotë se ende paguan kredinë e shkollimit në Amerikë.

Një arsye tjetër është momenti kur Sejdiu kishte kritikuar menaxhmentin e Fakultetit Juridik për mosofrimin e kushteve për mësim në një konferencë të organizuar nga studentë të Fakultetit Juridik në fillim të këtij viti.
“Unë aty e kam bërë ‘gabimin’ dhe e kam fajësuar menaxhmentin e universitetit për mungesë të kushteve elementare për punë studimore...përfshirë mungesën e nxehjeve dhe kabineteve për profesorë”, thotë Sejdiu.
Për deklaratat e tij në këtë konferencë është kritikuar nga prodekani i fakultetit juridik Mejdi Bekteshi.
 
“Kur shkova në dekanat për t’i dorëzuar disa lista me emra të studentëve Mejdi Bektashi më tha që ‘s’është mirë me sha shtëpinë tënde’ dhe unë i thashë që ‘nuk e kam sharë por vetëm kam treguar atë që është’”, thotë Sejdiu.
“Nuk ma marrë mendja që kandidohem për kryetar të Prishtinës. Nuk mund të jetoj me 800-900 euro sa paguhet kryetari i komunës” Korab Sejdiu

Bektashi ka konfirmuar për gazetën se kjo bisedë ka ndodhur në dekanat. “Të gjithëve u them të mos e kritikojnë shtëpinë ku hanë, por le të bëjnë diçka për të ndryshuar gjendjen”.

Prodekani Bektashi thotë se ky moment nuk ishte përplasje me Sejdiun.

Mejdi Bektashi është një ndër personat që Sejdiu e sheh si “vegël” të PDK-së në Fakultetin Juridik.
Bektashi pranon të ketë qenë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës deri sa është zgjedhur kryetar i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. http://www.bqk-kos.org/?cid=1,20&offset=0 

Por ai nuk ka pranuar të komentojë akuzat e Sejdiut.

Sejdiu akuzon edhe profesorin Abdulla Aliu, i cili ligjëron lëndën e së drejtës civile në Fakultetin Juridik, si “vegël” e PDK-së.

Aliu nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës drejtuar në e-mailin e tij zyrtar që figuron në faqen e Universitetit të Prishtinës.

Aliu është anëtar i komisionit të eksperteve të MASHT-it që udhëhiqet nga Ramë Buja nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Ata [Bektashi dhe Aliu] i zbatojnë krejt urdhrat që lypen prej tyre të zbatohen në favor të PDK-së në pozitat ku janë në Fakultetin Juridik dhe përfitojnë nga PDK-ja”, thotë Sejdiu.

Zëdhënësi i PDK-së Blerand Stavileci nuk është përgjigjur i pyetur në lidhje me këtë koment të Sejdiut.

Gradat “shoshiten” vetëm nga 2012-ta
Kur Sejdiu kishte filluar të ligjëronte, fakulteti juridik e as Mnistria e Arsimit nuk kërkonin nga stafi akademik dëshmi që tregojnë se çfarë vlere kishin diplomat e fituara jashtë vendit.

“Në kohën përkatëse (vitet 2009-2010 kur u pranua në punë Korab Sejdiu), universiteti nuk ka kërkuar ofrimin e dëshmive për njohjen e barasvlerës së diplomave të fituara jashtë”, thuhet në përgjigjet e Fakultetit Juridik të UP-së.
Sipas tyre, kjo kërkesë është arritur vetëm në momentin kur Ministria e Arsimit dhe më pas organet drejtuese të Universitetit u kanë kërkuar të gjithë anëtarëve të personelit akademik që posedojnë diploma të fituara në universitetet jashtë Kosovës, që të ofrojnë dëshmi të barasvlerës së atyre diplomave me diplomat e kërkuara për pozicionet përkatëse.

Edhe në Ministrinë e Arsimit nuk kërkohej njohja e diplomës. “Vlerësimin dhe pranimin e gradave apo të stafit mësimdhënës e ka bërë vetë stafi udhëheqës i universitetit”, thotë Arbër Morina, shef i kabinetit të ministrit.
“Vetëm në vitet e fundit, me kërkesë të MAShT-it, çdo i punësuar apo kandidat për punësim në institucionet publike të Republikës së Kosovës duhet ta ketë vendimin për njohjen e diplomës...”.

Në Kosovë vlerësohet në vazhdimësi se institucionet arsimore kanë nevojë për kuadro dhe ministria paguan për një program të “kthimit të trurit”.

Dhjetëra juristë e individë tjerë të shkolluar jashtë vendit kanë refuzuar të flasin për rastin e Sejdiut.
Një avokat i mirë mund të jetë persekutuar dhe studentët të jenë privuar nga përvoja e tij (me këtë titull ka mësimdhënës që ligjërojnë në Yale dhe Harward, ndër universitetet më të njohura), por Sejdiu gjithashtu do të duhej të shikonte procedurat - së paku po punësohej në një fakultet ku procedurat mësohen. /gazetajnk/


Dik Marti si dëshmitar në rastin “Medicus” ?!

Prishtinë, 23.03.2012 - Prokurori special i Bashkimit Evropian, Xhonatan Ratel, në seancën  e së premtes të procesit gjyqësor për trafikim organesh që po mbahet në Prishtinë, i njohur si rasti “Medicus”, ka kërkuar që në cilësinë e dëshmitarit, të thirret Dik Marti, raportues i Këshillit të Evropës.

​​“Unë i kam të gjitha arsyet të besoj se ai (Dik Marti) mban në posedim evidencën për këtë rast”, ka thënë prokurori Ratel.

Ndaj propozimit të prokurorit Ratel, ka reaguar mbrojtja, e cila e ka kundërshtuar atë, duke thënë se nëse Dik Marti ftohet të dëshmojë lidhur me këtë rast penal, atëherë gjykimi do ta humbë esencën e penales dhe do të shndërrohet në politike.
Ky propozim nga prokurori Ratel është bërë në fund të seancës të së premtes, e 25-ta me radhë, për rastin “Medicus”.

Kryesuesi i panelit, Arkadius Sedek, ka konkluduar se gjykata do t’i marrë në konsideratë opinionet e të dyja palëve përpara se të përcaktohet rreth këtij propozimi të prokurorit Ratel.
Ndryshe, seanca e së premtes, kryesisht ka kaluar me dëshminë, që lidhur me rastin, përmes video-lidhjes, e ka dhënë Rauf Feinth, 66 vjeç, nga Kanadaja. Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ratel, ai ka thënë se ka bërë transplantimin e veshkës në Kosovë, në klinikën “Medicus”, në korrik të vitit 2008.

Feinth ka shpjeguar se për të arritur deri tek operimi për transplantim të veshkës, fillimisht ka rënë në kontakt me një person nga Izraeli, i quajtur Moshe Harel, të cilin më pas e kishte takuar në Turqi. Këtij të fundit ai ia kishte dhënë 80 mijë euro. Nga Turqia për në Kosovë, sipas rrëfimit të tij, kanë udhëtuar 8 persona dhe në këtë mes ka qenë një çift gjerman -Volter Jugmen me bashkëshorten, si dhe dy femra që kanë folur rusisht. Në Kosovë ata kanë arritur më 23 ose 24 korrik të vitit 2008.

Feinth ka theksuar se në klinikë e ka takuar mjekun Jusuf Sonmez, i cili e ka operuar dhe ia ka transplantuar veshkën, më 25 korrik të atij viti. E njëjta gjë, sipas tij, ka ndodhur edhe me Jugmenin.
Në pyetjen e prokurorit Ratel, nëse këto dy femra që flisnin rusisht kanë qenë dhuruese të veshkave, Feith është përgjigjur se një gjë e tillë është e besueshme.

Ndërkaq, në dokumentin, të cilin prokurori Ratel e ka prezantuar si fletë-lëshim nga klinika, dhe në të cilin, sipas tij, qëndron nënshkrimi i kirurgut Lutfi Dërvishi, thuhet se dhuruesit e organeve, gjegjësisht veshkave, dhurimin e kanë bërë për qëllime altruiste.
Avokati mbrojtës i kirurgut Dërvishi ka thënë se nënshkrimi në këtë dokument nuk është origjinal, por faksimile.
 
Ndryshe, që nga hapja e rastit “Medicus”, prokurori special i BE-së i ka akuzuar 7 persona për pjesëmarrje në zinxhirin ndërkombëtar të tregtisë me organe.
Në mesin e të akuzuarve, lidhur me rastin Medikus, janë Lutfi Dervishi, Driton Jilta, Sokol Hajdini, dhe Ilir Rrecaj, të cilët janë akuzuar për kryerje të veprës mjekësore të jashtëligjshme, si dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve. /www.evropaelire.org/


Lumezi e Maloku, favoritë për kryeprokuror të Shtetit

Prishtinë, 05.07.2013 - Zëvendëskryeprokurorja e Prokurorisë Speciale dhe njëherësh numri dy i KPK-së, Sevdije Morina, prokurorët nga Prokuroria Speciale, Besim Kelmendi e Ali Rexha, kryeprokurori i Apelit, Aleksandër Lumezi, si dhe kryeprokurori I Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, janë pesë kandidatët që e synojnë pozicionin e kryeprokurorit të Shtetit. Fushata nga këta kandidatë, që sipas burimeve të gazetës “Kosova Sot”, ka nisur dhe po zhvillohet heshtur.
 
Në sistemin prokurorial, emrat e kandidatëve të cilët pretendojnë ta zënë vendin e Ismet Kabashit po përmenden nëpër të gjitha prokuroritë. Gjithçka po ndodh kur duhet edhe një vit që të skadojë për shkak të pensionimit mandati i kryeprokurorit të Shtetit.
 
'Mandati i kryeprokurorit sipas fuqisë ligjore është shtatë vjet dhe i njëjti skadon në vitin 2016, duke pasur parasysh se i njëjti është emëruar në këtë pozitë në vitin 2010. Mandati i kryeprokurorit pushon në gusht të vitit 2014, për arsye se i njëjti e mbush moshën e pensionimit", ka thënë më herët zyrtari prokurorial, Ehat Miftaraj.
 
Zëvendëskryeprokurorja e Prokurorisë Speciale dhe njëherësh numri dy i KPK-së, Sevdije Morina, prokurorët nga Prokuroria Speciale, Besim Kelmendi e Ali Rexha, kryeprokurori i Apelit, Aleksandër Lumezi, si dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, janë pesë kandidatët që e synojnë pozicionin e kryeprokurorit të Shtetit.  /gazetatrubuna/


Kërkohet nga Zvicra, “Amnistohet” në Gjilan

Prishtinë, 01.04.2012 - Ministria e Drejtësisë së Kosovës kishte nisur procedurat e ekstradimit nga Zvicra për të dënuarin Sh. O., i dënuar me 3 vjet burgim. Por kur autoritetet zvicerane e kanë ndaluar, kosovari ka treguar një certifikatë se nuk është nën hetime, të lëshuar nga Gjykata në Gjilan. Këshilli Gjyqësor ka nisur hetimet.

Kosovari Sh. O. kërkohej me fletarrest ndërkombëtar, pasi ishte dënuar me tri vjet burgim, por ai ka arritur të marrë nga Gjykata
  Foto ilustrim
Komunale në Gjilan dy certifikata, përmes së cilave “vërtetohej” se nuk ishte nën hetime, e as i dënuar për vepër penale.

Gazeta Jeta në Kosovë ka mësuar se për këtë të dënuar ishte lëshuar fletarrest ndërkombëtar, por kur ishte hasur nga autoritetet zvicerane, ai u kishte paraqitur atyre dy dokumente që “dëshmonin” se ishte krejtësisht i pastër.

Në fakt, vetë Gjykata Komunale në Gjilan kishte kërkuar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës nisjen e procedurave të ekstradimit nga Zvicra për të dënuarin Sh. O., i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, qysh në vitin 2005.

Fletarresti ndërkombëtar ishte lëshuar më 26 nëntor 2010. Por, çuditërisht në momentin kur autoritetet zvicerane e kishin takuar të dënuarin ai u kishte paraqitur dy certifikata të lëshuara, që mbanin datat 14 maj 2010 dhe 5 janar 2012, me përmbajtje të njëjtë.
Të habitura, autoritetet zvicerane me një shkresë të veçantë kishin kërkuar nga Ministria e Drejtësisë (MD) e Kosovës sqarimin e situatës.

Arbër Gegaj, shef i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, konfirmon se kanë pranuar një shkresë nga autoritetet zvicerane për këtë çështje. “Pasi kemi pranuar një shkresë nga autoritetet zvicerane, kemi kërkuar nga zyrtarët e Gjykatës Komunale të Gjilanit verifikimin e këtyre të dhënave”.

Për “moskuptimin” ndërmjet gjykatave, MD e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor.
Kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci, ka konfirmuar se ka ardhur një informacion nga MD-ja se një person i dënuar ka nxjerr certifikatën se nuk është nën hetime dhe nuk është i dënuar. “Kjo certifikatë është lëshuar pa kurrfarë vërejtjeje, ndërkohë është vërtetuar se personi në fjalë ka qenë i dënuar dhe është pritur ekzekutimi i dënimit”, thotë Peci.
Edhe zyrtarët e Gjykatës Komunale të Gjilanit kanë pranuar se megjithëse vetë kishin lëshuar flearrestin ndërkombëtar për këtë të dënuar, atij i kanë lëshuar edhe certifikata se nuk është nën hetime.

Përveç kësaj, hulumtimi i gazetës ka gjetur se Gjykata në Gjilan edhe kishte mbajtur seancë gjyqësore për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për këtë të dënuar.
Këtë veprim, zyrtarja e shkrimores së gjykatës, Valbona Dulahu, e arsyeton me mungesën e të dhënave në gjykatë. Sipas saj, në momentin kur Gjykata e Qarkut në Prishtinë e ka dërguar lëndën në ekzekutim në Gjykatën Komunale të Gjilanit, është dashur ta njoftojë këtë të fundit me një shkresë të veçantë.

“Gjykata e Qarkut e ka qu vetëm lëndën, po jo edhe njoftimin që personi është i dënuar me kaq vite. Nëse ne e kishim marrë një njoftim të tillë, atëherë do ta kishim regjistruar këtë person në regjistrat tanë elektronikë dhe ai nuk do kishte arritur të marrë certifikatë që nuk është nën hetime”, thotë Dulahu.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë thotë se njoftime të tilla, në bazë të ligjit, nuk janë të nevojshme, pasi që gjykata në momentin kur e dërgon lëndën në ekzekutim, e dërgon tërë aktgjykimin, së bashku me një njoftim. “Me këtë e kryen obligimin e vet ligjor”.

 Fakti se Gjykata Komunale ka lëshuar dy certifikata të tilla nuk do kalojë pa hetime.
 Kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci, tashmë i ka njoftuar prokurorinë për këtë rast. “Do të fillojmë
  Valbona Dulahu
fillimisht nga zyrtarët të cilët i kanë lëshuar certifikatat dhe do shohim se nëse ka pasur të dhëna, dhe këto dokumentacione janë lëshuar, atëherë këtu ka vepër penale”, tha Peci.
Edhe kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, Aleksandër Lumezi, sqaron se nëse vërtetohet se dokumentacioni i tillë është lëshuar dhe se gjykata ka pasur të dhëna të kundërta, atëherë në këtë rast ka vepër penale.

“Nëse punëtorët administrativë të gjykatës, të cilët e kanë lëshuar aktvendimin se personi nuk ndiqet penalisht, ndërsa në të kundërtën e kanë pasur atë të evidentuar në regjistrat e tyre, atëherë kjo paraqet vepër penale të legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë”, thotë Lumnezi.
Policia i arreston, gjykata ua parashkruan dënimet
Hulumtimi i Gazetës JnK ka nxjerrë në pah edhe një problem tjetër sa i përket sistemit të të dhënave në gjyqësorin kosovar.

Jo rrallëherë, gjykatat “harrojnë” se e kanë urdhëruar Policinë e Kosovës që të arrestojë persona që kanë kryer delikte të ndryshme, dhe në momentin kur policia i arreston këta të dënuar, atëherë gjykata i njofton ata se ky dënim është parashkruar. Kjo dukuri është më e shprehur në rajonin e Prishtinës, ku sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës, Gjykata e Kundërvajtjes nuk është duke i njoftuar ata në momentin kur lënda është parashkruar.
Togeri Alban Ramushi, i cili drejton Task Forcën e zbatimit të urdhëresave në Policinë e Kosovës, thotë se janë të shpeshta rastet kur policia arreston kundërvajtës, të cilët pasi që dërgohen në gjykatë, e kuptojnë se dënimi i tyre është i parashkruar.

Nga ana tjetër, kryetari i Gjykatës Komunale të Kundërvajtjes në Prishtinë, Mustafë Selimi, përgjigjet me kundërakuza për policinë. “Madje na kanë mbetur më shumës e 5 mijë lëndë të paekzekutuara, për shkak se policia nuk po i ekzekuton me kohë dënimet”, thotë Selimi.
Një moskoordinim i tillë i organeve të ndjekjes ka ardhur si pasojë e mungesës së komunikimit si dhe mungesës së të dhënave digjitale.

Një program i konceptuar në vitin 2004, i njohur me emrin SMIL, për menaxhimin elektronik të të dhënave të gjyqësorit, e për të cilin janë harxhuar shumë para, tashmë mund të quhet i dështuar.

Si rezultat i dështimit të këtij projekti, KGJK-ja tashmë ka nisur një projekt të ri për menaxhimin e të dhënave, mirëpo ky projekt do të marrë edhe të paktën 3 vite kohë për t’u realizuar.
Kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci, ka shprehur bindjen e tij se në momentin kur projekti i ri i Teknologjisë Informative (TIK) të jetë implementuar, atëherë problemet e komunikimit dhe të dhënave në gjyqësorë do të zgjidhen. /www.gazetajnk.com/


Mbi 200 mijë lëndë gjyqësore, të papërfunduara

Prishtinë, 8.05.2013 Çështja e numrit të lëndëve të papërfunduara vazhdon të shkaktojë probleme të mëdha për sistemin e drejtësisë në vend, thonë përfaqësuesit e Gjykatës Supreme të Kosovës. Sipas tyre, ngadalësimit të zgjidhjes së lëndëve i ka kontribuuar deri me tash edhe mungesa e gjyqtarëve.
 
Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, thotë se më shumë se 200 mijë lëndë të pazgjidhura janë në gjykatat e Kosovës, raporton “Evropa e Lirë”.
 
“Janë diku mbi 200 mijë lëndë - apo 222 mijë - çështje të papërfunduara, çështje që presin për t\'u zgjidhur. Janë edhe ato që ne u themi përmbarimore, do të thotë gjykata ka marrë vendim për to, por problemi qëndron te pamundësia e ekzekutimit”, tha Hasani për Radion Evropa e Lirë.
 
Vonesat në zgjidhjen e lëndëve i kanë përmendur më herët edhe drejtuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke thënë se kjo situatë vjen si pasojë e mungesës së kuadrove.
 
Kryetari i Gjykatës Supremet të Kosovës, zoti Hasani, deklaron se në ketë drejtim ndihma e EULEX-it është e madhe, megjithëse në këtë çështje gjykatësit e këtij misioni merren më shumë me rastet e krimeve të rënda.
 
“EULEX-i e ka atë pjesën e vet. Sa i takon çështjes se numrit, EULEX-i i ka këto krimet e renda, kështu që numerikisht ata zgjedhin çështje shumë më pak se gjyqtarët vendor. Kompetencat janë të ndara dhe atë i kanë ato kompetencat ekskluzive, se cilat çështje i zgjidhin gjyqtarët e EULEX-it, gjë që është e rregulluar me ligj”, tha Hasani.
 
Sipas ligjit mbi Kompetencat, Përzgjedhjen e Lëndëve dhe Caktimin e Lëndëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në Kosovë, gjyqtarët kanë kompetencë dhe përgjegjësi që të ushtrojnë funksionet për lëndët që janë në kuadër të juridiksionit të gjykatave ku ata janë caktuar nga Kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it.
 
Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it, njoftoi se misioni deri më tani përmes gjykatësve të vet ka shpallur 336 aktgjykime.
 
“Këto akt- gjykime bëhen kryesisht në kolegje apo trupa gjykues të përbashkët me gjykatësit vendorë. Pak a shumë, ky është kontributi i EULEX-it në gjyqësorin e Kosovës”, tha Krasniqi.
 
Po ashtu sipas ligjit, prokurorët e EULEX-it, kanë kompetenca dhe përgjegjësi që të ushtrojnë funksionet e tyre, përfshirë kompetencat për të kryer hetime penale dhe për të marrë përgjegjësi për hetimet penale apo procedurat e lëndëve të reja dhe atyre të pazgjidhura në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
 
Që kur ka nisur punën misioni i EULEX-it, në Kosovë prokurorët sipas zëdhënësit Krasniqi kanë qenë të përfshirë në 2.342 raste, kurse aktualisht ata janë të përfshirë në 359 raste.
 
“Shumë nga rastet kanë qenë raste ekskluzive, apo raste ku vetëm prokurorët e EULEX-it, janë marrë me rastin. Mirëpo, synimi i misionit është që sa më shumë prokurorë të EULEX-it të punojnë në ekipe të përbashkëta ose në partneritet me prokurorët vendorë, në mënyrë që në të ardhmen, prokurorët vendorë të jenë më të aftësuar për t’u marrë me raste të profilit të lartë”, tha Krasniqi.
 
Sipas drejtuesve të Gjykatës Supreme të Kosovës, në vitin 2012, janë zgjidhur 4,036 lëndë.
Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë i kanë inkurajuar organet gjegjëse të ndërtojnë një sistem të pavarur e të pa ndikuar të drejtësisë, i cili do të ishte më efikas dhe më efektiv. /Telegrafi/


Reformimi i sistemit gjyqësor, pa asnjë cent !

Prishtinë, 10.02.2013 - Shprehja “Nuk hyhet në mal pa sëpatë”, do të mund të vlente për reformimin e përfolur të sistemit gjyqësor në Kosovë. Kjo pasi, për një gjë të tillë, është folur e premtuar përderisa nuk janë bërë planet për koston e saj dhe as që janë siguruar mjetet për të.

Sipas ligjit, për zbatimin e plotë të reformës, Qeveria e Kosovës siguron fonde të nevojshme nga Buxheti i Republikës së Kosovës, por kjo e fundit, për këtë qëllim nuk ka ndarë asnjë cent. Madje zyrtarë të saj, e deklarojnë hapur se mungesa e buxhetit nuk duhet përdorur si arsyetim për mosveprim në aspektin e reformës.
 
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Enver Peci, ka thënë se dispozita e nenit 41 ka paraparë që qeveria duhet t’i sigurojë mjetet e mjaftueshme për reformën e sistemit gjyqësor, duke shtuar se kërkesat buxhetore të Këshillit Gjyqësor nuk janë plotësuar, edhe pse nuk e thotë prerazi se qeveria ka shkelur ligjin.
 
“Po tash, vetë Kuvendi kur e ka pru ligjin, ka thënë dhe e ka paraparë se çdo ligj e ka koston buxhetore të veten dhe unë po shpresoj se në këtë drejtim nuk janë përmbushur ato obligimet ligjore që vetë Kuvendi i ka pru në ligj. Është dashur ndoshta ta obligojë edhe qeverinë dhe Ministria e Financave, para aprovimit të ligjit duhet ta shikojë koston buxhetore të çdo ligji dhe të lejojë që ka mundësi mu përmbush ato dispozita që i ka edhe ligji”, është shprehur ai, transmeton Kosovapress.
 
Peci ka shtuar se për tri vjet kanë kërkuar mbi 70 praktikantë, në mënyrë që ata studentë që e kanë kryer fakultetin ta kryejnë praktikën në gjyq dhe ta fillojnë karrierën dhe për të përgatitur kuadro të reja, por, sipas tij, nuk u është lejuar asnjë pozitë.
 
Kurse për Betim Musliun nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), është tepër absurde se si ka filluar të zbatohet kjo reformë pa pasur mjete financiare. Ai ka shtuar se janë diku pesë gjykata themelore që duhet të ndërtohen sipas parashikimit të ligjit, por shtron pyetjen se si mund të bëhet kjo kur nuk ka para.
 
“Procesi i reformës në Kosovë është i pashpjegueshëm se si ka nisur. Mungesa e përkrahjes financiare ka munguar qysh nga fillimi. Është e pashpjegueshme se si hyhet në një proces kaq të rëndësishëm, kaq të nevojshëm dhe të kohës dhe nuk ka përkrahje të duhur financiare. Po e marrim tani ligjin për gjykatat, një ligj i cili parasheh ndryshime të reja dhe parasheh zbatim më të efektshëm të të gjitha lëndëve të cilat mbërrijnë në gjykata dhe për krijimin e këtyre kushteve nevojitet edhe ndërtimi i hapësirave të reja të gjykatave për të cilat mungon buxheti. Pra, janë diku pesë gjykata themelore të cilat duhet të ndërtohen prej fillimit në mënyrë që të kemi zbatim të efektshëm për gjykata”, ka thënë ai.
 
Ai ka pohuar se mungesa e buxhetit për zbatim të reformës po shkakton dhe do të shkaktojë probleme gjatë gjithë vitit.
 
Lidhur me ndarjen e buxhetit për reformë, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se nuk di se çfarë parash duhet të ndahen për reformë. Ai shton se mungesa e buxhetit nuk duhet të përdoret si justifikim për mosveprim.
 
“Nuk e di çfarë parash duhet me nda për reformën gjyqësore. Nuk e di... Që po ta japë unë arsyetimin. Nuk duhet ta kemi në këtë vend justifikim për mosveprim për shkak të buxhetit. Buxheti është i përafërt, qysh e kanë segmentet tjera... Nëse kërkojnë kushte ekstra, ne punojmë në Kosovë, nëse kërkojnë vetura ekstra e këto të tjerat, ne duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë ai.
 
Ai nuk ka harruar ta lavdërojë punën e tij prej ministri, duke thënë se që nga koha që është ministër, gjyqtarët dhe prokurorët i kanë kushtet më të mira në historinë e tyre, bile thotë se as në kohën e komunizmit s’i kanë pasur më të mira.
 
Përderisa kreu i KGjK-së, Peci, thotë se qeveria nuk ka ndarë mjete për reformë, ministri Kuçi, i cili është edhe zëvendëskryeministër, thotë se në tavolinën e tij nuk kam asnjë kërkesë nga KGjK-ja që nuk e ka proceduar, sikurse që nuk ka asnjë kërkesë që e ka në qeveri dhe që nuk ia kanë miratuar.
Ministri Kuçi e pranon se objektet e gjykatave në Prizren e Gjakovë duhet të ndërtohet, por Betim Musliu nga IKD shpreh pikëpyetjen e tij që ato do të mund të realizohen pa ndarë mjete financiare për to.
 
Për më tepër, janari i vitit 2013 është planifikuar që ta gjejë Republikën e Kosovës me gjithsej shtatë gjykata themelore, një Gjykatë të Apelit, si dhe Gjykata Supreme, e cila nuk do të pësojë ndryshim nga kjo e tanishmja.
 
Deri më tani lëndët për kundërvajtje në trafik, për kontestet pronësore dhe për veprat e tjera penale me dënim deri në 5 vite, për vepra si shkurorëzime, tortura, rrëmbime, dhunime, krime të organizuara e deri te veprat penale të vrasjeve të rënda dënueshmëria e të cilave arrin deri në 40 vjet burgim kanë qenë të shpërndara nëpër gjykatat përkatëse. Kurse me reformimin e sistemit gjyqësor, me të gjitha këto lëndë do të merren gjykatat themelore, të cilat llogariten si gjykata të shkallës së parë.
 
Shtatë Gjykatat Themelore në Republikën e Kosovës do të jenë në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan, të cilat do ta përfshijnë territorin e tyre, kurse Gjykata e Apelit do të jetë e shkallës së dytë që do ta përfshijë gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ndërkaq, Gjykata Supreme e Kosovës, që është edhe shkalla më e lartë gjyqësore në vend, po ashtu do të jetë me seli në Prishtinë, e cila nuk do të preket nga ky reformim i sistemit gjyqësor. /Telegrafi/


Reforma “Bllokon” Gjyqësorin

Prishtinë, 28.01.2013 - Shumë nga gjykatësit nuk e kishin parë asnjëherë kodin e ri të procedurës penale që filloi të zbatohej më 1 janar ndërsa trajnimet përkatëse organizohen vetëm në shkurt. Ky fakt dhe riorganizimi i gjykatave e prokurorive ka bërë që shumë gjykime të shtyhen.
 
Reforma në sistemin gjyqësor - përmes riorganizimit të gjykatave e prokurorive si dhe hyrjes në fuqi të kodit të ri penal dhe atij të procedurës penale - ka shtyrë një numër gjykimesh.
 
Ekipi i monitoruesve të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) ka regjistruar mbi njëzetë shtyrje seancash gjatë janarit në qytetet kryesore Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë e Gjilan.
 
“Sistemi i ri, i reformimit të gjyqësorit, t’ju them të drejtën, na ka befasuar pak, meqenëse ka ndodhë shumë shpejt”, thotë Elmaze Syka, kryetare e gjykatës themelore në Pejë.
                 
“Pengesa kryesore është aprovimi në kuvend i kodit të procedurës penale, të cilin, deri pas Vitit të Ri, mund të them se asnjëri prej gjykatësve nuk e ka pasur në dorë”, shtoi Syka.
 
Kështu, gjykatësit janë përballur me dilema dhe paqartësi në lidhje me procedimet penale.
 
Në gjykatën themelore të Pejës ndërkohë janë paraqitur probleme edhe rreth sistemimit të punëtorëve. Ka punëtorë që nuk e dinë as ku duhet të ulen.
 
Administratori i gjykatës, Muhamet Asanaj, thotë se beson se kjo gjendje do të përmirësohet shpejt, por se stafi pret të zhvillojë disa trajnime në lidhje me zbatimin e reformës.
 
Edhe në Gjykatën Themelore të Prizrenit janë shtyrë seanca gjyqësore për arsye të njëjta.
 
Ymer Hoxha, kryetar i gjykatës, thotë se gjendja është e pritshme.
 
“Është e vërtetë që një pjesë e stafit po sillet nëpër korridore, mirëpo duke marrë parasysh që është një reformë rrënjësore, është e pritshme edhe kjo gjendje”, tha Hoxha.
 
“Ka vështirësi, ka paqartësi në dispozitat kalimtare të kodit të procedurës penale. Por, edhe pse po shtyhen disa gjykime, besoj që do t’ia dalim”, shtoi ai.
                 
Përkundër këtyre problemeve, Fejzullah Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, thotë se të gjitha gjykatat duhet të zbatojnë kodin e ri të procedurës penale. Për këtë, tha ai, një ekip i kësaj gjykate edhe do të dalë në terren këtë javë për të njoftuar gjykatësit.
 
Bllokimet po hasen edhe nëpër prokurori.
 
Kryeprokurori i prokurorisë themelore në Prizren, Sylë Hoxha, thotë se kodi i procedurës hyri në fuqi pa bërë trajnime dhe përgatitje të duhur.
 
“Secilin mëngjes ne si prokurori takohemi me kolegët tanë dhe diskutojmë rreth dilemave dhe paqartësive që i kemi me kod”, tha ai. “Shtyrja e seancave gjyqësore nga ana e gjykatës ka bërë që të ndikojë edhe në punën tonë. Gjendja duket se do të vazhdojë të mbetet kështu deri në muajin e ardhshëm”.
 
Në gjykatën më të madhe themelore, në Prishtinë, thonë se problemin më të madh e kanë me objektin. “Jemi të shpërndarë në tri objekte, këtu është problem”, tha Ibrahimi.
                 
Gjendje të ngjashme ka edhe gjykata e Mitrovicës e cila, që nga 20 shkurti i vitit 2008, është e vendosur në gjykatën e Vushtrisë. Në një hapësirë prej më pakë se 500 metrash katrorë, aty punojnë mbi 150 punëtorë, përfshirë tani gjykatën dhe prokurorinë e Mitrovicës, si dhe gjykatën e prokurorinë e Vushtrisë.
 
Kryetarja Kada Bunjuku Përquku thotë se tre-katër gjykatës punojnë në një zyrë dhe kur njëri mban seancë, të tjetër duhet të dalin jashtë.
 
Qytetarët ankohen
 
Shtyrja dhe tejzgjatja e gjykimeve, ka prekur drejtpërdrejtë qytetarët dhe të drejtat e të pandehurve për gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.
 
Shukri Krasniqi nga Prizreni, njëri nga shtatë të akuzuarit në një lëndë për “rrëmbim”, thotë se dy herë Brenda janarit i është shtyrë seanca gjyqësore.
 
“Dy ditë radhazi kemi pasur të caktuara seanca gjyqësore, mirëpo po shtyhen, po thonë se janë ndryshuar kodet, ndërsa neve kjo po na shkakton probleme, sepse kemi familje dhe po mbahemi peng”, tha Krasniqi.
 
Hajrie Zujovic në Mitrovicë është ankuar për shtyrje të gjykimit të djalit të saj. “Vij secilën javë, djali po më mbahet në paraburgim e gjykata është blloku, nuk po punon”.
                 
Ankesa rreth ngecjeve në gjyqësor, kanë edhe avokatët lëndët e të cilëve nuk po arrijnë të kryhen. Avokati Pjetër Përgjikaj thotë se shumë seanca të caktuara për këtë muaj shtyhen e nuk mbahen.
 
“Kemi shumë raste të rënda të cilat po shtyhen pa nevojë. Madje gjykatësit nuk po marrin mundin të na vijnë as deri në sallë të gjykimit, për të na treguar arsyen e shtyrjes”.
 
Avokati Xhafer Maliqi tha se kodi i ri ka hyrë në fuqi shumë shpejt. “Si duket këtë kod na e solli babadimri në natën e Vitit të Ri, mirëpo jo vetëm tek gjykatat vendore, ky kod ka shkaktuar telashe edhe te gjykatësit e Eulex-it, tek të cilët kam pasur disa lëndë të cilat shtyhen pa nevojë”.
                 
EULEX-i ka konfirmuar këto telashe.
 
Zëdhënësi Blerim Krasniqi thotë se ka ndryshime fundamentale me kodin e procedurës penale dhe misioni po punon në analizimin e dispozitave të tij si dhe do të dalë me interpretim të tyre.
 
Të reja në kodin penal
 
Me ndryshimet e kodit penal të Kosovës, ndërkohë, kanë ndryshuar edhe dënimet për disa vepra penale. Po ashtu, deri më tash, dënimi maksimal ishte 40 vjet burgim kurse me ndryshimet e reja është futur edhe dënimi më i rëndë, ai i burgut të përjetshëm.
 
Kodi i ri penal përmban risi në përfshirjen e disa veprave të reja penale si ato kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, veprat penale kundër të drejtave të votimit, veprat penale kundër të drejtave në marrëdhëniet e punës, veprat penale kundër integritetit seksual, ato të narkotikëve, kundër pasurisë dhe të tjera.
 
Për trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, për zbatimin e kodit penal dhe atij të procedurës penale të Kosovës, kompetent është Instituti Gjyqësor i Kosovës (IGjK).
                 
Drejtori i këtij instituti, Lavdim Krasniqi, thotë se sa i përket kodit penal, janë kryer trajnimet, ndërsa për shkak të periudhës shumë të shkurtër të hyrjes në fuqi të kodit të procedurës penale, nuk kanë mundur të fillojnë trajnimet përkatëse, për faktin se fillimisht është dashtë të bëhet përgatitja e vetë trajnuesve të institutit.
 
Ai shtoi se nga fillimi i shkurtit do të fillojnë trajnimet, nëpër të gjitha gjykatat. /gazetajnk/


Reforma e Gjyqësorit me Sfida dhe Pasiguri

Prishtinë, 24.12.2012 Sistemi gjyqësor po përgatitet t’ia nis punës në vitin e ri me një organizim krejt tjetër, sfidat e zbatimit të së cilit pritet ta çojnë KGjK-në edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kryetari tetë-ditor i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albert Zogaj, thotë se do ta dërgojë rastin në kushtetuese sapo të marrë vendimin. Me këtë reformë, shuhen gjyqtarët porotë ndërsa forcohet gjykata supreme. Gjyqtarët shprehen se po hyhet në një reformë për të cilën nuk janë të sigurtë se si do të rrjedh.

Fillimi i janarit të vitit 2013 do të shënojë fillimin e reformimit të sistemit gjyqësor në Kosovë. 

Ligji për gjykatat, që është botuar në gazetën zyrtare më 24 gusht 2010, ka paraparë ndryshime të strukturës organizative të gjykatave. Me të parashihet që disa nga nenet që kanë të bëjnë me ristrukturim, të hyjnë në fuqi më 1 janar 2013.

Të gjitha gjykatat për kundërvajtje, ato komunale dhe të qarkut do të bashkohen në një të vetme - në gjykatën themelore. Do të ketë vetëm një gjykatë të Apelit dhe një gjykatë Supreme, që të dyja me seli në Prishtinë.

Deri më tash për kundërvajtje në trafik ka qenë kompetente gjykata komunale për kundërvajtje, për kontestet pronësore dhe për veprat tjera penale dënueshmëria e të cilave arrin deri në pesë vite burgim kompetente ka qenë gjykata komunale, ndërsa për shkurorëzime dhe vepra të rënda si tortura, rrëmbimi, dhunimi, krimi i organizuar e deri te veprat penale të vrasjeve të rënda, dënueshmëria e të cilave arrin deri në 40 vite burgim, kompetente ka qenë gjykata e qarkut. 

Tani e tutje, për të gjitha këto lëndë kompetente do të jetë gjykata themelore, njëherit si gjykatë e shkallës së parë.

Do të jenë gjithsej 7 gjykata themelore. Gjykata Themlore në Prishtinë, që do të përfshijë territorin e komunës së Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës, Gllogovcit dhe Graçanicës. Gjykata Themelore e Prizrenit, përfshinë territorin e komunës së Prizrenit, Dragashit, Suharekës dhe Mamushës. Gjykata Themelore e Pejës, përfshin Pejën, Deçanin, Junikun, Istogun dhe Klinën. Gjykata Themelore e Gjilanit, territorin e komunës së Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit, Vitisë, Kllokotit dhe Vërbocit. Gjykata Themelore e Mitrovicës, territorin e komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skënderajit dhe Vushtrrisë.

Do të ketë edhe dy gjykata tjera themelore - ajo e Gjakovës që do të përfshijë territorin e komunës së Gjakovës, Malishevës dhe Rahovecit, si dhe gjykata themelore e Ferizajit, për territorin e komunës së Ferizajit, Kaçanikut, Shtimes, Shtërpcës dhe Hanit të Elezit.

Të gjitha këto gjykata themelore, do të kenë nga tri departamente: Departamentin e krimeve të rënda, departamentin e përgjithshëm dhe departamentin për të mitur. Përjashtim bën gjykata themelore e Prishtinës, e cila përveç këtyre tri departamenteve, do të ketë edhe departamentet për çështje administrative dhe atë për çështje ekonomike, që do të jenë kompetencë ekskluzive vetëm e saj. Deri më tash rastet e këtyre fushave janë gjykuar në gjykatën supreme të Kosovës.

Gjykata e Apelit, do të jetë gjykatë e shkallës së dytë, me jurisdiksion territorial në gjithë Republikën e Kosovës. Selia e Gjykatës së Apelit do të jetë në Prishtinë.

Ndërsa Gjykata Supreme, që njëherësh është instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë dhe ka jurisdikcion në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, do të jetë po ashtu me seli në Prishtinë.

Sfidat e reformimit të sistemit gjyqësor

Sfidë kryesore e këtij reformimi pritet të jetë mungesa e objekteve adekuate për gjykata. 

Hulumtimi ynë tregon se në Kosovë janë 33 objekte të gjykatave nga të cilat tri janë me qira. Ndërsa hapësira e tërësishme e të gjitha gjykatave në vend është 31,500 metra katrorë.

Deri më tash gjykatat janë përballur me mungesë të sallave të gjykimit, mungesë të zyrave për gjykatës dhe personelin tjetër të gjykatës, mungesë të dhomave të veçanta për dëshmitarë të mbrojtur, mungesë të hapësirave për publik, mungesë të hapësirave për qëndrimin e të burgosurve, mungesë të hapësirës në zyrat për menaxhimin e lëndëve e shumë të tjera. 

Drejtuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thotë se këto mungesa krijojnë vështirësi duke nisur që nga Prishtina. “Mirëpo nga fundi i vitit 2013, shpresojmë që do të rregullohet kjo gjendje, ngase atëherë do të ndërtohet pallati i drejtësisë”.
 
Enver Peci, KGjK   
 
Sfidë tjetër do të jetë edhe transferi i gjykatësve, regjistrat e rinj, si dhe themelimi i degëve të reja të gjykatave themelore, siç është ajo në Gjakovë dhe Ferizaj.

Peci tha se në disa gjykata është dashur të bëhet edhe transferi i gjykatësve nga një gjykatë në tjetër. “Kjo është bërë për shkak se kemi mungesë të kuadrove profesionale, për departamentet e specializuara, sidomos në atë të krimeve të rënda”. 

“Problemet më të mëdha kanë qenë me gjykatat e reja të Gjakovës dhe Ferizajt”, shtoi ai.
 
Largohen porotët 

Risi e këtij reformimi të sistemit gjyqësor do të jetë largimi i gjyqtarëve laikë, që ndryshe quhen porotë. 

Kjo, sipas Pecit të KGjK-së, është bërë për shkak të gjykimeve më profesionale dhe po ashtu për faktin se “dobia e këtyre gjyqtarëve ka qenë shumë e vogël”.

Njëra nga gjetjet e raporteve të BIRN-it, pothuajse në çdo vit, ka qenë edhe mosangazhimi dhe pasiviteti i  porotëve. 

Nuk kanë qenë të rralla rastet, kur këta porotë, shumica prej tyre në moshë tejet të shtyrë, përveç që kanë qenë shumë pasivë, madje edhe kanë fjetur gjatë shqyrtimeve gjyqësore. 

Kjo siç duket ka bërë që për të njëjtit mos të ketë vend në sistemin gjyqësor që nga janari i vitit 2013.

Supremja më e fortë

Reformimi i sistemit gjyqësor ka lënë vend të veçantë për gjykatën supreme. 

Kryetari i kësaj gjykate, Fejzullah Hasani, tha se supremja nga q janari, do të jetë tamam e tillw. 

“Gjykata Supreme do ta luaj tamam rolin e gjykatës supreme, ashtu siç e kanë të gjitha vendet e botës, sepse ne deri tani kemi qenë një lloj përzierje - kemi pas jurisdikcion fillestar, sepse kemi qenë edhe si gjykatë komunale, sepse kemi gjykuar edhe çështjet administrative, kemi qenë gjykatë e apelit në raport me gjykatat e qarkut edhe kemi qenë gjykatë supreme në raport me mjetet e jashtëzakonshme juridike”, tha Hasani.

Fejzullah Hasani, Gjykata Supreme
 
“Mirëpo, po hyjmë në një reformë që nuk jemi shumë të sigurt se si do të rrjedhë”, tërhoqi vërejtjen ai. 
Nga 1 janari, gjykata supreme do të ketë rolin e gjykatës për kontrollimin e mjeteve të jashtëzakonshme juridike, do të bëjë monitorimin e gjykatave, marrjen qëndrimeve dhe mendimeve juridike dhe më së tepërmi rolin e monitorimit të punës së gjykatave të nivelit të instancave më të ulëta.

Për herë të parë në Kosovë

Gjykata e Apelit do të jetë gjykatë e shkallës së dytë dhe si e tillë do të mbikëqyrë punën e gjykatave themelore. 

Po ashtu ajo do të vendosë edhe në shkallë të tretë, sipas ankesës që është e lejuar me ligj dhe për konfliktin e jurisdiksionit ndërmjet gjykatave themelore. 

Kryetar i kësaj gjykate është emëruar z.Sali Mekaj, kryetari aktual i gjykatës së Qarkut në Pejë.

“Gjykata e apelit, është një institucion i ri në Kosovë, e themeluar në bazë të ligjit mbi gjykatat. Është themeluar si gjykatë e shkallës së dytë dhe do të vendosë për të gjitha ankesat e shkallës së parë, që në këtë rast janë gjykatat themelore”, tha z.Mekaj.
 
Sali Mekaj, Gjykata e Apelit 

Ndërsa për sa i përket kompetencës së kësaj gjykate që të vendosë edhe në shkallë të tretë, z.Mekaj thotë se kjo do të ndryshohet me ligj, ngase mund të ketë konflikt. “Kjo duhet të ndryshohet me ligj dhe për shkallë të tretë do të vendosë gjykata supreme, ngase nuk është në rregull që për të njëjtën çështje të vendosë e njëjta gjykatë në dy shkallë. Ndoshta është një dispozitë kalimtare që së shpejti do të ndryshohet”.

KGjK do të përballet me Kushtetuesen

Parregullsi u hasen qysh në fillim të këtij reformimi.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar kundër vendimit për emërimin e kryetarit të gjykatës themelore në Prishtinë.

“Shkeljet ligjore janë bërë dhe ne kemi reaguar për to, për shkak se është zgjedhur kryetar i gjykatës më të madhe në vend një kandidat i cili akoma ka mandatin fillestar”, thotë Betim Musliu, i IKD-së. 

“Kandidati aktual i ka përmbushur vetëm dy vite përvojë pune dhe tek pas dy viteve do të vlerësohet mandati i tij - nëse do të emërohet me mandat të përhershëm”, tha ai.                                     Betim Musliu, IKD

Albert Zogaj u emërua kryetar i gjykatës themelore të Prishtinës më 22 nëntor, mirëpo kësaj pozite pati fatin t’i gëzohej vetëm tetë ditë, pasi që më 30 nëntor KGjK revokoi vendimin e emërimit të Albert Zogaj, për kryetar të gjykatës themelore në Prishtinë.
 
Madje, dy ditë pas emërimit të tij, në konferencën e dytë vjetore për gjyqësorin, ku të pranishëm ishin të gjithë gjykatësit e gjykatave të Kosovës, Albert Zogaj, mbajti fjalim në emër të kryetarit të gjykatës themelore të Prishtinës.
                                                                                                                                     
Revokimi i vendimit për emërimin e gjykatësit Albert Zogaj, për kryetar të gjykatës themelore në Prishtinë, ndodhi për shkak të kundërshtimit që bëri në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kundërkandidati i tij, Hamdi Ibrahimi, aktualisht kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.
 
Ndër të tjera, në kundërshtimin katër faqesh të Ibrahimit, thuhet: “KGjK nuk ka pasur të drejtë fare ta marrë në konsideratë për votim kandidaturën e një gjyqtari të propozuar për kryetar, kur ai nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara me aktin më të lartë juridik të vendit- Kushtetutën, nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara me ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara me ligjin për gjykatat e Kosovës dhe nuk i plotësonte kushtet sipas udhëzimit të aprovuar nga KGjK, për emërimin e kryetarëve të gjykatave në Kosovë”.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, më 30 nëntor, revokoi vendimin për emërimin e kryetarit të gjykatës themelore në Prishtinë, ndërsa për kandidatin e ardhshëm e la të vendoset më 10 dhjetor.
 
Albert Zoga
Albert Zogaj thotë se KGjK ka bërë shkelje duke e revokuar vendimin të cilin vetë e ka nxjerrë më parë. “Akoma nuk e kam marrë vendimin për revokimin tim, nga pozita e kryetarit të gjykatës themelore në Prishtinë. Me të marrë këtë vendim, rastin do ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese”,  tha gjykatësi Albert Zogaj.
 
Reformimet edhe në sistemin prokurorial

Përveç gjykatave, ky reformim do të ndodhë edhe në Prokuroritë e Kosovës.
Deri më tash, ekzistonin prokuroria komunale, e qarkut, prokuroria speciale dhe prokuroria e shtetit.

Nga një janari prokuroritë do të kenë këtë strukturë organizative: Zyra e Prokurorit të shtetit, e cila është instanca më e lartë e prokurorive, pastaj do të jenë degët e prokurorisë special të Kosovës dhe prokurorisë së Apelit. Në kuadër të kësaj të fundit do të jenë edhe dy departamente, ai për krime të rënda dhe departamenti për krime të përgjithshme.
 
Do të ketë shtatë prokurori Themelore: në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj, secila nga këto prokurori, do të ketë nga tri departamente: Departamentin për 
krime të rënda, ai për krime të përgjithshme dhe departamenti për të mitur.
 
Shkelzen Maliqi, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, thotë se prokuroritë do të jenë të gatshme në fillim të janarit që të fillojnë me këtë reformim. “Përveç mungesës së stafit, nuk konsideroj që kemi sfidë tjetër të madhe. Jemi duke bërë të gjitha përgatitjet për të filluar në janar me strukturë të re organizative dhe kjo është e mirëseardhur për ne”. /gazetajnk/
 


Emërohen Kryeprokurorët e Katër Prokurorive Themelore

Prishtinë, 21.12.2012 - Këshilli Prokurorial i Kosovës ka zgjedhur kryeprokurorët në katër prokurori themelore, në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Gjakovë. Themelimi i këtyre prokurorive është paraparë me Ligjin për Prokurorin e Shtetit, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2013.
 
Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë u emërua Imer Beka, aktualisht prokuror në Prokurorinë Komunale në Prishtinë; në Prizren - Sylë Hoxha, i cili është ushtrues detyre si kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prizren; në Ferizaj u zgjodh Agron Qalaj, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, kurse për komunën e Gjakovës është zgjedhur Shpresa Bakija, aktualisht kryeprokurore e Prokurorisë Komunale në Gjakovë.
 
Prokuroritë Themelore kanë juridiksion mbi të gjitha lëndët e shkallës së parë, përveç nëse është paraparë ndryshe me ligj. /gazetajnk/


Suspendohet Gjyqtari që u “Lajthit”

Prishtinë, 21.03.2012 -  Sejdi Blakaj, gjyqtar penalist në Gjykatën Komunale në Pejë, kishte konfirmuar një aktakuzë ndaj Muhamet Ahmetit për veprën penale “falsifikim i dokumentit”, edhe pse ai gjendej në SHBA.

Sejdi Blakaj, gjyqtar penalist në Gjykatën Komunale në Pejë, është suspenduar javën e kaluar, për shkak se ndaj tij është ngritur një aktakuzë për “nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”.
  Foto arkiv

Kjo vepër penale është e dënueshme me burgim prej gjashtë muajsh, deri në pesë vjet.

Vendimin për suspendim e ka marrë komisioni disiplinor i Këshillit Gjyqësor të Kosovë (KGJK), ndërsa lënda tashmë është deleguar në Gjykatë Komunale të Prishtinës.

Vetë gjyqtari Blakaj ka konfirmuar për Gazetën JnK se bëhet fjalë për një rast kur ai është vënë në “lajthim” nga një person, që është paraqiture në vend të një të akuzuari tjetër, gjatë një seance për konfirmimin e aktakuzës. 

Muhamet Ahmeti, i akuzuar për veprën penale të “falsifikimit të dokumentit”, gjendej në Shtetet e Bashkuara, kurse lënda ndaj tij është konfirmuar në Gjykatën Komunale të Pejës.

“Si i pandehur në seancë ka qenë një person tjetër në vend të personit që e ka kryer veprën penale. I pandehuri i vërtetë ka qenë në Amerikë, e seanca është mbajtur me një person tjetër që është paraqitur në emër të tij”, ka shpjeguar Blakaj.

Lënda ka qenë e vitit 2001. Gjyqtari tha se kjo lëndë i ka pasur vetëm edhe dy muaj kohë për t’u parashkruar, në momentin kur është konfirmuar aktakuza.

Ai e konsideron këtë vepër të “një rëndësie të vogël”, ndërsa arsyetohet se i ka ikur si gabim. /gazetajnk.com /
 


Kur Udhëheqësit Shpërfillin Drejtësinë

 





Shkruan: Genc Nimoni (BIRN)
 
Prishtinë, 20.12.2012 - Xhabir Zharku nuk është çdo i arratisur për t’iu shmangur vuajtjes me burg. Ai është politikan, i zgjedhur në pozitë të lartë udhëheqëse, i cili i ikë drejtësisë së vendit. Ky është rrëfimi i vërtetë për të. Dhe ndoshta i qasjes së pushtetit aktual karshi sundimit të ligjit.
 
Mosrespektimet e fundit të vendimeve të gjykatës janë pasqyra më e mirë e funksionimit jo të duhur të drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe sidomos e qasjes që kanë udhëheqësit politikë për sundimin e ligjit.
 
EULEX-i, misioni më i madh i ligjit i angazhuar ndonjëherë nga Bashkimi Europian, ka ndjekur dhe gjykuar gjithsej 377 raste që nga viti 2008, nga të cilat 306 janë penale dhe vetëm 71 civile. Shumë prej tyre janë lëndë të profilit të lartë, përfshirë ato për kryetarët komunalë Xhabir Zharku e Sami Lushtaku.
 
Ka shumë arsye pse gjyqësori kosovar është aq i kritikuar dhe pa kredibilitet.
 
Fillimisht, vetë fakti që EULEX-i i merr gjithmonë rastet e kësaj natyre më shumë reflekton hezitimin e gjyqësorit vendës dhe pavendosmërinë e tij.
 
Por ky trend arriti kulmin me shpërfilljen e vendimeve të gjykatave në rastet Zharku dhe “Bllaca II” - brenda një jave. Këto raste mund të krijojnë precedente të rrezikshme në shoqërinë kosovare.
 
I akuzuar dhe shpallur fajtor me tri vjet burg dhe 1500 euro gjobë për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, vazhdon të qëndrojë në arrati, duke mos përfillur vendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë që Zharkun e kishte shpallur fajtor, dhe atë të Gjykatës Supreme që e kishte vërtetuar në shkallë të dytë dënimin ndaj tij. Zharku ishte zgjedhur dy herë nga qytetarët e Kaçanikut për kryetar.
 
Me rastin e paraqitjes së akuzave ndaj tij, para 6 vitesh ai ishte treguar i gatshëm për bashkëpunim me organet e drejtësisë për zbardhjen e së vërtetës. Në shenjë bashkëpunimi, fillimisht Zharku ishte detyruar që të paraqitej në stacionin policor në shenjë sigurie për praninë e tij në procesin gjyqësor që do të zhvillohej ndaj tij. Pas vendimit ai ishte ankuar disa herë. Në fund, ai u arratis.
 
Kjo ngjarje ngrehë tri çështje kryesore.
 
E para, politikanët e zgjedhur në pozita udhëheqëse, si Zharku, të cilëve u jepet besim që të drejtojnë qytetarët dhe të nxjerrin legjislacion për të mirën e tyre, në fakt nuk i besojnë vetë atij sistemi. Meqë ai vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në pushtet, ky është tregim edhe për këtë parti dhe për qasjen e saj ndaj sundimit të ligjit.
 
Së dyti, kjo tregon nuhatjen e dobët të gjyqtarëve - me dashje a padashje - në lidhje me rrezikun e arratisjes ose pamundësimit të ekzekutimit të vendimit.
 
Së treti, fakti që gjykata komunale e Kaçanikut ka lëshuar një urdhër arrestim kundër tij e që vlente vetëm për territorin e asaj komunë, për tri ditë më radhë, tregon qasjen sa joserioze aq edhe të ngushtë të gjykatësve të vendit. I binte se Zharku mund të ikte nga të donte pa frikë se dikush do ta ndalonte diku tjetër pos në Kaçanik. 
 
Ndërkohë, ai paralajmëron se do të publikojë dëshmi diskredituese ndaj EULEX-it në rast se nuk ndalë përndjekjen ndaj tij dhe në rast se nuk merr parasysh prova dhe fakte të reja për të dëshmuar pafajësinë e tij.
 
Por, përveç se është obligim i çdo qytetari të thjeshtë, aq më shumë është detyrim i personave publikë që dëshmitë e tilla në çfarëdo rasti t’ia deponojnë organeve të drejtësisë. Përkundrazi, gjestet e tij janë sa shantazhim aq edhe rrethana rënduese për gjendjen e tij.
 
Kur ngjarja u përsërit edhe me rastin tjetër “Bllaca II”, në fillim të kësaj jave”, ku tre të akuzuar nuk u paraqitën në gjykatë, u bë e qartë se shembulli i Zharkut tashmë ka filluar tu shërbejë si udhërrëfyes njerëzve tjerë.
 
Gjyqësori dhe politika duhet të bëjnë diçka për të rifituar besim. Fatkeqësisht, në vendin tonë pak gjëra ngjajnë me njëra-tjetrën sa gjyqësori dhe politika kosovare mes vete. Është shpesh politikë që nuk beson në sundimin e ligjit, dhe është një gjyqësor që e ndihmon pikërisht këtë gjendje. /gazetajnk/


50 Punëtorëve në Gjykata s’u Vazhdohen Kontratat

Prishtinë, 20.12.2012 - Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) nuk ua ka vazhduar kontratat rreth 50 punëtorëve të administratës në gjykatat e vendit. KGjK-ja dhe sindikalistët e Judikaturës sqarojnë se të gjithë këta punëtorë kanë më pak se dy vjet përvojë pune, dhe ishin punësuar me afat të caktuar. Mosvazhdimi i kontratave nuk lidhet me akt-emërimet që iu dhanë 1800 punëtorëve të administratës, në fillim të vitit.
 
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) nuk ua ka vazhduar kontratat rreth 50 punëtorëve të administratës në gjykatat e vendit. Të gjithë këta, të cilët tashmë kanë marrë njoftimin se pas 31 dhjetorit 2012 nuk janë më punëtorë të gjykatave, kanë qenë të punësuar për një afat të caktuar, një apo dyvjeçar.
 
KGjK-ja dhe sindikalistët e Judikaturës sqarojnë se mosvazhdimi i kontratave nuk lidhet me akt-emërimet që iu dhanë 1800 punëtorëve të administratës, në fillim të vitit, ku mes tjerash thuhej: “Emërimet me afat të caktuar nuk krijojnë asnjë detyrim ligjor për vazhdimin e marrëdhënies së punës”.
 
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, i tha Gazetën Jeta në Kosovë, se ka pasur disa keqkuptime në media për mosvazhdimin e kontratave. “Nuk është larguar asnjë punëtor i rregullt, këto janë spekulime”, tha ai.
 
“Janë larguar rreth 50 punëtorë, të cilët kanë pasur kontrata të përkohshme, e të cilat iu kanë skaduar. Po ashtu, janë ndërprerë kontratat për disa të punësuar në bazë të disa projekteve, siç është ai i USAID-it. Të gjithë këta punëtorë kanë qenë në dijeni qysh në fillim të punës, se do të punojnë përkohësisht, tani nuk kemi bazë ligjore për t’i mbajtur më tutje”, ka shpjeguar Peci.
 
Më tutje, kryesuesi i KGjK-së tha se nëqoftëse  në të ardhmen se do të ketë nevojë për punëtorë të rinj, do të hapen konkurse dhe këta punëtorë do të kenë përparësi.
 
Sindikata e Pavarur e Judikaturës e Kosovës (SPJK), në fillim të këtij viti, kishte reaguar pas një vendimi të Sekretariatit të KGjK-së për lëshimin e akt-emërimeve me afate të caktuara, për të gjithë punëtorët e administratës së gjykatave.
 
Sindikalistët kishin theksuar se kjo është në kundërshtim me Ligjin e Punës dhe kishin shprehur frikën se nga ky “kurth” do të pësojnë shumë punëtorë, në atë mënyrë që fillimi i vitit 2013 do ta gjejë një pjesë të stafit jashtë dyerve të gjykatave.
 
Tani, sindikata nuk e kundërshton vendimin e KGjK-së. Ismet Mehmeti, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Judikaturës së Kosovës, tha se nuk ka asgjë kundër vendimit të KGjK-së.
 
“Ajo çfarë ne kemi kërkuar të mos ndodhë, na u realizua. Asnjë punëtor që ka më shumë se dy vjet përvojë punë, nuk është larguar nga puna”, i tha ai, Gazetës Jeta në Kosovë.
“Ndërsa ata që kanë më pak se dy vjet përvojë pune, edhe kur janë punësuar, me konkurs ka qenë e paraparë që punësohen me afat të caktuar, një apo dyvjeçar dhe janë pajtuar me këtë qysh atëherë. Ne si sindikatë nuk mund të japim vërejtje në këtë drejtim”, shtoi Mehmeti.
 
Gazeta Jeta në Kosovë, në shkurt të këtij viti, kishte raportuar për pakënaqësitë që kishin shprehur sindikatat për lëshimin e akt-emërimeve ndaj punëtorëve të administratës në gjykata.
 
Frika dhe pasiguria e punëtorëve në lidhje me marrjen e këtyre akt-emërimeve të lëshuara nga Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës vinte nga shkaku i një përvoje të hidhur. Në vitin 2006, Qeveria kishte propozuar reduktimin e punëtorëve administrativë për 146 pozita.
 
SPJK, me presion të vazhdueshëm sindikal, kishte arritur që ta zvogëlojnë këtë numër duke bërë që nga puna të largohen 86 punëtorë. Mirëpo, në fillim të vitit 2007, në pozita të njëjta ishin pranuar më shumë se 100 punëtorë të rinj.
 
Milaim Bislimi, nënkryetar i degës së sindikatës, kishte shprehur frikë se e njëjta gjë do të përsëritej.
 
Në akt-emërimet e lëshuara nga Sekretariati, në paragrafin e gjashtë thuhet: “Emërimet me afat të caktuar nuk krijojnë asnjë detyrim ligjor për vazhdimin e marrëdhënies së punës”.
 
Shërbyesit civilë druheshin se me këtë pikë do të manipuloheshin dhe në janar do të hidheshin jashtë dyerve të gjykatave.
 
Përveç Sindikatës së Pavarur të Judikaturës së Kosovës, pakënaqësi me akt-emërimet e lëshuara nga Sekretariati i KGjK-së kishin shprehur edhe degët sindikale nëpër komuna.
 
Asllan Nimani, kryetar i degës sindikale në Gjakovë, kishte thënë se me këto akt-emërime janë rrezikuar 1 800 punëtorë të cilët shërbejnë në gjykatat e Kosovës.
 
“Kjo çfarë ka ndodhur me ne është e pakuptueshme. Pasi ne po quhemi shërbyes civilë, pse atëherë vetëm ne shërbyesit civilë të gjykatave morëm akt-emërime me afat të caktuar, ndërsa të gjithë shërbyesit e tjerë të qeverisë kanë marrë kontrata të përhershme. Këtu siç duket është duke u përgatitur diçka”, kishte thënë Nimani.
 
Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka reaguar ndaj akt-emërimeve të lëshuara nga SKGJK-ja duke thënë se me to janë shkelur dy ligje.
 
“Është shkelur Ligji i Punës dhe Ligji për Shërbyesit Civilë”, ka thënë kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi.
 
“Në asnjërin nga këto ligje të lartcekura nuk thuhet se mund t’u lëshohen shërbyesve civilë akt-emërime me afat të caktuar. Në ligjin mbi shërbyesit civilë thuhet: ‘Nëse punëtori ka përvojë pune mbi 10 vjet, atëherë duhet të marrë kontrata të përhershme’. Në këtë rast kemi punëtorë që kanë më shumë se 30- 40 vjet përvojë pune”.
 
BSPK-ja i kishte bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të tërhiqte këto akt-emërime, në të kundërtën kishte paralajmëruar se do t’i përkrahte vendimet e degëve sindikale, në çfarëdo forme që të jenë ato.
 
Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Avdiu, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se lëshimi i këtyre akt-emërimeve me afat të caktuar ka ndodhur për shkak se në vitin 2013 do të bëhet riorganizimi i gjykatave. “Nuk mund ta dimë se kush ku do të mbetet, mirëpo ju jap fjalën se asnjë punëtor nuk do të mbetet jashtë dyerve të gjykatave, sikur më 2006”, ishte zotuar ai. /gazetajnk/


Paralajmërohen Padi për Gjyqtarët nga Testi i Noterisë

Prishtinë, 09.12.2012 - Për trajnimin e një kandidati për gjyqtar ose prokuror harxhon rreth 15 mijë euro, por rezultatet e provimit të noterisë tregojnë se kishin aplikuar edhe gjyqtarë të sapo dekretuar nga Presidentja e vendit.
 

Disa gjyqtarë të cilët para disa muajsh janë dekretuar nga ana e Presidentes mund të largohen nga sistemi gjyqësor. Kjo pasi ata kanë aplikuar dhe janë duke iu nënshtruar testimeve për t’u bërë noter.
 

Dekretimi i fundit i gjyqtarëve nga Presidentja ishte bërë 31 korrik 2012
 
Rezultatet për provimin e noterisë kanë dalë më 12 nëntor.
 
Në mesin e kandidatëve, janë të paktën edhe dy gjyqtarë, njëri nga Vushtrria dhe tjetri nga Prishtina. Pas dhënies së testit me shkrim, ata duhet të paraqiten për test me gojë nëse duhen të certifikohen.
 
Gjyqtarët në fjalë, para se të dekretoheshin nga Presidentja, kishin ndjekur trajnimin në Institutin Gjyqësor të Kosovës.
 
Ky institut për trajnimin e një kandidati për gjyqtar apo prokuror harxhon rreth 15 mijë euro, prej të cilave 9 mijë shkojnë si paga për kandidatët të cilët ndjekin trajnimin prej 18 muajsh.
 
Kryesuesi i KGjK-së, Enver Peci, thotë se KGJK nuk ka mundësi ta parandalojë largimin e gjyqtarëve të cilët kanë shprehur interesimin për tu bërë noterë.
 
Sipas Pecit, këto kushtëzime duhet t’i zbatojë Instituti Gjyqësor i cili edhe i ka trajnuar këta gjyqtarë.
 
Lavdim Krasniqi, drejtor i Institutit Gjyqësor, thotë se do t’i padisin kandidatët të cilët do largohen në këtë mënyrë nga organet e drejtësisë.
 
Sipas tij, para se të nisin trajnimin kandidatët nënshkruajnë një kontratë me të cilën garantojnë se do të punojnë në gjyqësor së paku për tri vite. “Ne do kërkojmë të na i kthejnë mjetet të cilat i kemi investuar në trajnimin e tyre”, thotë Lavdim Krasniqi. /gazetajnk/


Krasniqi: Paraburgimi i Limajt, masakër e drejtësisë

Prishtinë, 25.11.2012 - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke komentuar vendimin për mbajtjen në paraburgim të ish-komandantit të UÇK-së, Fatmir Limajt, lidhur me rastin Kleçka, ka deklaruar se ky është një vendim i padrejtë dhe i motivuar politikisht.
Ai madje - në një deklaratë për televizionin publik të Kosovës (RTK) - e ka cilësuar këtë vendim si “masakër e drejtësisë” në Kosovë.
 
Zyrtarë të EULEX-it kanë zgjedhur që për rastin Kleçka dhe vendimet e fundit të mos deklarohen përmes kamerës. Përmes një përgjigje me shkrim për RTK-në, ky mision ka mohuar që vendimet e komponentes së drejtësisë të ndikohen nga politika apo kushdo tjetër.
 
“Absolutisht jo. Ky ishte një vendim gjyqësor dhe siç kemi theksuar më parë, gjyqtarët dhe prokurorët janë plotësisht të pavarur në veprimet e tyre ndjekëse dhe gjykimet e bazuara në ligj. Ata veprojnë në parimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe gjyqësori nuk është i ndikuar nga ndonjë aktor politik lokal apo ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
 
Sipas tyre, në vendimin e fundit kanë ndikuar rrethanat e reja pas rikthimit të rastit Kleçka në rigjykim. Tani që dëshmitë e dëshmitarit X janë marrë si të pranueshme, gjykata konsideron rrezikun e ndikimit të të pandehurve në prova si dhe rrezikun që ata të largohen.
 
Vendimin e drejtësisë, avokatët mbrojtës e kanë cilësuar si një vendim që rrezikon pavarësinë e gjyqësorit dhe vetë sigurinë e qytetarëve. Shkalla e parë kishte vendosur pafajësinë e të gjithë të pandehurve në rastin Kleçka në marsin e këtij viti. Pas kthimit të rastit në rigjykim, procesi gjyqësor për këtë rast penal pritet të fillojë vitin e ardhshëm.
 
Kundër paraburgimit të Limajt dhe tre të tjerëve kanë reaguar edhe shoqatat e veteranëve të luftës së UÇK-së. /Telegrafi/
 
Limaj në Qendër Paraburgimi
 
Deputetit Fatmir Limaj dhe tre personave të arrestuar gjatë ditës u është caktuar një muaj paraburgim.
 
Fatmir Limaj dhe të tjerët do të kalojnë një muaj në paraburgim.
 
Kështu ka vendosur kryetari i trupit gjykues të Misionit Europian për Sundimin e Ligjit në gjykatën e Qarkut, të shtunën.
 
“Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka shqiptuar masën e paraburgimit për Limajn dhe të tjerët e cila duhet të zbatohet menjëherë”, tha zyra për komunkimim me media brenda EULEX-it.
 
Limaj ndodhet në objektin e gjykatës supreme dhe është në pritje të transferimit të tij në njërën ndër qendrat e paraburgimit, tha avokati mbrojtës i Limajt, Tahir Rrecaj.
 
"Ne do të paraqesim ankesë brenda 24 orësh", ka thënë Rrecaj për Gazetën Jeta në Kosovë.
 
24.11.2012 17:13:00
 
Fatmir Limaj ftohet në EULEX
 
Deputeti Fatmir Limaj kthehet nga Vlora për tu paraqitur në EULEX. Tre persona tjerë janë arrestuar të shtunën.
 
Fatmir Limaj pritet të paraqitet në ora 17.30 në ndërtesën e EULEX e cila ndodhet afër tregut të gjelbërt.
 
Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se të shtunën ka marrë ftesë që klienti i tij të paraqitet në ndërtesën e EULEX-it.
 
“Në 17.30 Limaj do të paraqitet në EULEX. Ai është rrugës duke u kthyer nga Vlora.”
 
“Nuk jemi të informuar nëse Fatmir Limaj duhet të paraqitet në prokurori, polici apo gjykatë të EULEX-it dhe këtë po presim ta mësojmë me të arritur në ndërtesën e tyre” tha Rrecaj.
 
Në ndërkohë, janë arrestuar edhe tre persona të tjerë pasi që dyshohen për krime lufte.
 
Zëdhënesi i EULEX-it ka konfirmuar për Gazeta Jeta në Kosovë se EULEX ka arrestuar këtë pasdite tre persona.
 
"Mund të konfirmoj se kemi arrestuar tre persona të cilët janë të dyshuar për krime lufte.”
 
Javën e kaluar, Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim rastin Kleçka. /gazetajnk/


Shefi i Misionit të EULEX-it, Xavier de Marnhac u takua me Kryeprokurorin e Shtetit si dhe vizitoi Këshillin Prokurorial

Prishtinë, 20.03.2012 - Kryeprokurori i Shtetit dhe njëherësh kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ismet Kabashi, priti sot në një takim pune shefin e Misionit të EULEX-it, z. Xavier de Marnhac.

Në këtë takim u diskutua për fazën nëpër të cilën është duke kaluar sistemi prokurorial i Kosovës, me theks të veçantë për strukturën e re organizative të Prokurorit të Shtetit, e cila strukturë do të filloj së funksionuari nga data 1 janar 2013. 

Në këtë takim po ashtu u diskutua lidhur me strategjinë për ri-strukturimin e misionit të EULEX-it në Kosovë, ku ndër të tjera preken edhe prokuroritë e Republikës së Kosovës dhe kalimi i kompetencave shtese nga fusha e përgjegjësive ekzekutive nga misioni i EULEX-it në prokuroritë e vendit.

Shefi i EULEX-it, De Marnhac ofroi mbështetjen dhe përkrahjen e misionit të EULEX-it për hapat që po ndërmerr Këshilli Prokurorial i Kosovës që nga themelimi i tij.

Z. De Marnhac, gjithashtu ofroi mbështetjen e tij dhe të misionit të EULEX-it lidhur me fazën e plotësimit dhe ndryshimit të ligjeve bazë që ndërlidhen me sistemin gjyqësor dhe prokurorial në vendin tonë e posaçërisht lidhur me kompetencat dhe përgjegjësitë e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Po sot, shefi i Misionit të EULEX-it, z. Xavier de Marnhac mori pjesë edhe në takimin e shtatëmbëdhjetë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në të cilin takim u morën vendime të rëndësishme, që ndërlidhen me punën e prokurorive të Republikës së Kosovës.

Në këtë takim u miratua Rregullorja për caktimin dhe transferimin e prokurorëve, siç parashihet me nenet 28 dhe 29 të Ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe Planin e Implementimit të këtij ligji. Po ashtu u aprovua edhe plani vjetor i punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Në takimin e sotëm, Këshilli Prokurorial të Kosovës, ndër të tjera, mori vendim për nënshkrimin e memorandumit për bashkëpunimi në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese “BIRN”.

Burimi:  http://www.psh-ks.net/?page=1,8,200
 


Rasti "Kleçka" në rigjykim, refuzohet paraburgosja e të akuzuarëve

Prishtinë, 20.11.2012 – Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur ta kthejë në rigjykim rastin “Kleçka”. Kolegji, i përbërë nga tre gjykatës ndërkombëtarë dhe dy vendës, kanë hedhur poshtë aktgjykimin e Shkallës së Parë.
 
Në rigjykim kthehen Fatmir Limaj, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala. Supremja e ka pranuar edhe ankesën tjetër të prokurorit italian, Mauritzo Salustro, duke i shpallur si të pranueshme provat e Agim Zogajt, i cili njihej si dëshmitari “X”.
 
Ndërkaq, kryetari i këtij kolegji ka hedhur poshtë kërkesën që katër të pandehurve t’u shqiptohet masa e paraburgimit, meqenëse, kjo nuk është në kompetencë të kësaj shkalle të gjykatës, raporton KTV. Pas seancës, deputeti Fatmir Limaj nuk ka dashur të flasë për media, ndërkaq avokati i tij mbrojtës e ka cilësuar si të gabuar vendimin e Gjykatës Supreme.
 
Tahir Rrecaj ka thënë se shqyrtimi në kohë rekorde i kësaj ankese lë vend për dyshime se këtu është përfshirë politika. Ai ka shtuar se tani është çështje teknike se kur do të rinisë nga fillimi rasti “Kleçka”. Më 2 maj të këtij viti, një kolegj i gjykatësve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë e shpalli Fatmir Limajn dhe bashkëluftëtarët e tij të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.
 
Sot në Gjykatën Supreme,  Limaj ka thënë se ai është shembull për të tjerët dhe se nuk ka pse t’i ikë drejtësisë duke shtuar se ai shpesh është ballafaquar me drejtësinë.
 
“Dua të mbështes fuqishëm aktgjykimin nga një trup gjykues i respektueshëm. Nuk kam çka t'i shtoj atij aktgjykimi. Ka ardhur koha të na gjykoni në bazë të fakteve e jo në bazë të paragjykimeve dhe spekulimeve. Nuk jemi fajtor për të kaluarën tonë se nuk zbatuar standarde evropiane por duhet ta respektoni përpjekjen tonë të tanishme për të ndërtuar një shtet ligjor”, ka theksuar Lima. /koha.net/


Kleçka dhe Dëshmitë e X-it Para Gjykatës Supreme

Prishtinë, 20.11.2012 - Gjykata Supreme pritet që gjatë ditës, pasi të dëgjojë palët, të marrë një vendim lidhur me ankesën e prokurorit për lirimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve në rastin Kleçka nga kolegji gjykues si dhe shpalljen si të papranueshme të deklaratave dhe ditarit të dëshmitarit X. Por cilat ishin argumentet e mbrojtjes dhe mbi çfarë baze ishin nxjerrë këto vendime nga gjykata?
 
Ishte fundi i gushtit të 2011-ës kur Fatmir Limaj dhe 9 bashkëluftëtarët e tij për disa ditë me radhë u paraqitën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për seancat e konfirmimit të aktakuzës për rastin e njohur si Kleçka, një nga gjykimet më të njohura për krime të luftës në vend.
 
Më 26 shtator Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar se gjykata, edhe pse kishte kaluar më shumë se një muaj nga konfirmimi i aktakuzës, nuk e kishte caktuar fillimin e seancave gjyqësore ashtu siç e kërkon edhe Kodi i Procedurës Penale.
 
Në mbrëmjen e 27 shtatorit, në një park të qytetit Duisburg në Gjermani, ishte gjetur i vdekur dëshmitari kryesor në rastin Kleçka, dëshmitari Agim Zogaj i mbrojtur me emrin dëshmitari X. Në kohën e vdekjes EULEX-i thoshte se Zogaj nuk ishte nën mbrojtjen e tyre. Në anën tjetër familja e akuzonte EULEX-in për dështim në ofrimin e mbrojtjes.
 
Pas këtij rasti, e gjithë çka i kishte mbetur prokurorit për të vazhduar me çështjen ishin deklaratat e dëshmitarit X dhe ditari i tij, i cili pretendohej se ishte shkruar gjatë luftës.
 
Edhe tetori kaloi pa u caktuar seancat nga gjykata.
 
Gjykimi filloi me të nisur nëntori 2011. Limaj dhe të pandehurit të tjerë akuzoheshin për krime të luftës kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës. Dhjetë bashkëluftëtarët ngarkoheshin se në periudha të ndryshme të vitit 1999, përkatësit në kohën e luftës në Kosovë, në zonën e Kleçkës, në cilësinë e anëtarëve të UÇK-së, kanë vrarë dhe kanë marrë pjesë në vrasje si dhe kanë paraburgosur ushtarakë serbë, civilë serbë dhe civilë shqiptarë të cilët pastaj nuk i kanë trajtuar sipas konventave dhe ligjeve të luftës.
 
Por, vdekja e dëshmitarit X e kishte bërë më të vështirë për prokurorin që të mbronte pretendimet e tij në aktakuzë.
 
Mbrojtja e Limajt dhe të pandehurve të tjerë që në fillim kërkuan që seancat të shtyhen për shkurtin e 2012-së, me arsyetimin kryesor se ata kishin nevojë që të përgatiteshin. Pas disa seancave, kolegji miratoi një shtyrje por nuk e dha aftin e kërkuar nga mbrojtja - ajo e kufizoi mbrojtjen që të përgatitet më shpejtë e në kohë të arsyeshme.
 
Në mes shumë kërkesash për shtyrje dhe kërkesave të tjera për prova nga dëshmitë dhe vdekja e dëshmitarit X si dhe ditarët e tij, gjykata e ndërpreu seancën për ta vazhduar atë në fund të janarit 2012-së.
 
Fillimisht, me rikthimin e seancave në vitin 2012, mbrojtja e Limajt, në kërkesën e saj, listoi një sërë arsyesh pse ajo konsideronte se prokurori duhet të largohej nga çështja. E kërkesa e tillë erdhi pasi që në ditarin e dëshmitarit X është akuzuar edhe prokurori, se në seanca të marrjes në pyetje, e ka shtyrë që të nënshkruajë procesverbalin pa iu përkthyer. Mbrojtja kërkoi nga kolegji që të ftohet si dëshmitar vetë prokurori Maurizio Salustro, që të dëshmojë nën betim për çështjet që kishte ndërmarrë gjatë hetimeve. 
 
Prokurori Salustro i përgjigjej mbrojtjes se nuk e ka ndërmend që të paraqitet si dëshmitar pasi që kishte imunitet në këtë çështje. Më tutje mbrojtja bëri një kërkesë tek kryeprokurorja që të sqarojë çështjen.
 
Kryeprokurorja speciale e Kosovës nga EULEX-i, pas shqyrtimit të kërkesës së mbrojtësve nuk e miratoi atë duke ja besuar udhëheqjen e lëndës përsëri Maurizio Salustros.
 
Sërish, në vazhdimin e seancave, në fillim të shkurtit, mbrojtja e Limajt erdhi me një risi në gjykim. Para kolegjit ajo prezantoi një raport të grafologjisë të ditarit të dëshmitarit X. Sipas përfundimeve që sillte raporti, mbrojtja tha se ditari është shkruar nga katër (4) persona.
 
Mbrojtja për disa seanca me radhë argumentoi besueshmërinë e më pas pranueshmërinë e deklaratave të dëshmitarit X. Mbrojtja kundërshtoi marrjen e këtyre deklaratave si prova të kësaj çështje për shkak se as prokurori e as gjykatësi paraprak nuk kishin vepruar sipas ligjit.
 
Avokati Khan deklaronte: “Në kohën kur e kemi marrë në pyetje dëshmitarin e mbrojtur X në prokurori, unë dhe askush nga mbrojtja nuk e ka pasur ditarin e tij dhe shumë nga provat kanë munguar”. I njëjti shtonte se ditarin e ka marrë vetëm në muajin janar të 2012-së ndërsa e ka pyetur dëshmitarin X në korrik 2011-së, pra, sipas avokatit, ai nuk kishte pasur mundësinë që ta ballafaqonte me ditarin në të cilin prokurori e ka mbështetur aktakuzën. Pas kësaj seance, mbrojtja kishte pranuar 41 deklarata të tjera dhe nga fillimi i shqyrtimit edhe 49 të tjera.
 
Prokurori Salustro, në anën tjetër, kundërshtoi mbrojtjen dhe mbrojti të gjitha deklaratat e dëshmitë e dëshmitarit X duke i quajtur ato të besueshme dhe të pranueshme. Të njëjtën e tha edhe për ditarin e X-it.
 
Më 21 mars, kolegji i gjykatësve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, shpalli të papranueshme të gjitha dëshmitë dhe ditarët e dëshmitarit X.
 
Atë ditë kryetari i kolegjit Jonathan Welford-Carroll lexoi: “Lidhur me kërkesën e mbrojtjes që të shpallen të papranueshme të gjitha deklaratat dhe ditarët e dëshmitarit bashkëpunues Agim Zogaj dhe kërkesën e prokurorisë që këto prova të shpallën të pranueshme...pas dëgjimit të argumenteve të të gjithë mbrojtjes dhe përgjigjes së prokurorit, në kuptim të nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale jep këtë aktvendim: të gjitha deklaratat dhe dëshmitë e dëshmitarit bashkëpunues Agim Zogaj shpallen të pa pranueshme”. (shih linkun).
 
Po këtë ditë Fatmir Limaj dhe të gjithë 9 bashkëluftëtarëve të tij u hoqën masat e sigurisë si ato të paraburgimit ashtu edhe arrestet shtëpiake.
 
Ky vendim çoi edhe në përfundimin më të shpejtë të rastit Kleçka.
 
Më 26 mars, prokurori Salustro dorëzoi fjalën e tij përfundimtare për rastin Kleçka, ku kërkoi një dënim maksimal për Limajn. Të nesërmen mbrojtja paraqiti fjalët e tyre dhe të gjithë kërkuan lirimin e të pandehurve nga të gjitha akuzat.
 
Më 30 mars kolegji i gjykatësve shpalli të pandehurit: Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, të pafajshëm në të gjitha pikat që ata akuzoheshin.  Në anën tjetër procedura kundër Fatmir Limajt, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit dhe Naser Shalës do të rihapet dhe kolegji do të vazhdojë me seancat.
 
Ky vendim ishte marrë me arsyen se prokurori nuk e ka arsyetuar veç e veç se për çka ata akuzohen dhe për çka ata duhet të dënohen. Kolegji në fund ka vlerësuar se ekzistojnë prova që procesi të vazhdojë dhe që për këto prova mbrojtja mund të ketë mundësi t’i ballafaqojë. (shih linkun).
 
Por edhe pse pati një vendim të tillë nga gjykata, prokuroria nuk paraqiti prova të tjera dhe i kërkoi gjykatës që seanca të përfundonte sa më shpejtë dhe vendimi të merrej edhe për të pandehurit të tjerë po ashtu.
 
Në prill 2012 përmes një letre të dërguar, zëvendësi i Salustors i kishte thënë gjykatës: “Prokuroria nuk do t’i ndryshojë kualifikimet ligjore ose veprat për të cilat i ka paditur të pandehurit për asnjë lloj përgjegjësie, përveç atyre të përmendura në aktakuzë”.
 
Më 2 maj të 2012-së, kolegji i gjykatësve, shpalli Fatmir Limajn dhe pjesën e mbetur të bashkëluftëtarëve të tij si të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.
 
Por prokurori paralajmëroi ankesë në të gjitha pikat e aktgjykimit dhe në aktvendimin për papranueshmërinë e provave.
 
Më 20 nëntor, një vit pasi ka filluar kjo çështje, Gjykata Supreme do ta marrë në shqyrtim ankesën e prokurorit Salustro, kundër vendimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për lirimin e Fatmir Limajt dhe të bashkëluftëtarëve të tij si dhe kundër aktvendimit për papranueshmërinë e provave dhe dëshmive të dëshmitarit X.
 
Gjykata Supreme pritet që gjatë ditës, pasi që të dëgjoi palët, të marrë një vendim lidhur me këtë çështje.


Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje në fushën penale

Tiranë, 6 nëntor 2012 – Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë thëlluar marrëdhëniet në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar Ky thëllim bashkëpunimi u bë gjatë një takimi të zhvilluar sot në Tiranë në mes të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Ministrit të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, Eduard Halimi, të cilët nënshkruan marrëveshje të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale - ekstradim, transferim të personave të dënuar dhe ndihmë të ndërsjellë juridike.

Pas nënshkrimit të dy ministrat thanë së këto marrëveshje pritet të fuqizojnë akoma më shumë raportin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve për të luftuar së bashku kriminalitetin ndër-shtetëror, si dhe do të lehtësojnë punën e sistemit gjyqësor.

Po ashtu, të dy ministrat u pajtuan për krijimin e grupeve punuese për përafrimin e legjislacionit, duke u bazuar në traditën kombëtare, juridike dhe aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në BE. 


Gjykata Model Ka Mungesë të Sallave

Ferizaj, 31.10.2012 - Gjykata Komunale në Ferizaj, që nga viti 2009, me anë të projektit të financuar nga USAID-i është shndërruar në një gjykatë model. Por, gjykata përballet me mungesë të sallave të gjykimeve.
 
Edhe pse kjo gjykatë, sipas formatit model, ka tri salla moderne të gjykimit, por për shkak numrit të madh të lëndëve që gjykatësit detyrohen t’i caktojnë brenda ditës, disa nga gjykimet mbahen nëpër zyra.
 
Të martën, në Gjykatën Komunale në Ferizaj ishin caktuar të mbahen më shumë se 20 seanca gjyqësore, por mbajtja e të gjitha këtyre gjykimeve nëpër salla ishte e pamundur.
 
Gjykata Komunale në Ferizaj pas procesit të emërimit numëron 11 gjykatës, dhe secili prej tyre në ditë mesatarisht cakton 3-4 seanca gjyqësore.
 
Enes Mehmeti, gjykatës civilist në këtë gjykatë, të martën kishte të caktuara 7 lëndë.
 
“Këto gjykime arrita t’i mbajë në sallë të gjykimeve, sepse kam ardhur në ora 9 të mëngjesit në sallë dhe nuk kam shkuar në zyre, duke i pritur palët një pas një”, tha Mehmeti, për Gazetën JnK.
 
Ai tregon se kur ka vetëm një palë, seancën e mban në zyre, me qëllim që gjykatësit e tjerë, që kanë më shumë palë, t’i mbajnë seancat në sallë të gjykimeve.
 
Nga ana tjetër, gjykatësi Musa Konxheli u detyrua që palët t’i dërgojë në zyrë për të mbajtur shqyrtimin gjyqësor, sepse të gjitha sallat e gjykimeve ishin të zëna. “U detyrova që të shkoj t’i marrë palët që prisnin te salla e gjykimeve dhe t’i sjell në zyrë, sepse nuk kishte salla të lira”, tha ai.
 
Në Gjykatën Komunale në Ferizaj, aktualisht presin të zgjidhen më shumë se  16 500 lëndë.
 
Gjykata Komunale në Ferizaj, që nga viti 2009, me anë të projektit të financuar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) është shndërruar në një gjykatë model. Për më tepër, kjo gjykatë nga USAID është përzgjedhur lidere dhe mentore për gjykatat e tjera që janë në proces të shndërrimit në gjykata model. /gazetajnk/


Dhjetë Vjet Burg për Ish-Gjykatësin Kolë Puka

Prishtinë, 19.10.2012 - Për lëshim të vendimit të kundërligjshëm gjyqësor, shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, pastrim të parave dhe mashtrim Kolë Puka u dënua të premten me gjithsej 10 vjet burg. Më herët këtë vit, ai ishte dënuar edhe me 5 vjet të tjera. Kolegji i gjykatësve tha se ai kishte prekur në besimin që qytetarët kanë në zyrën e gjykatës.
 
Kolegji i gjykatësve të Qarkut në Prishtinë, në përbërje të Dean Pinales kryetar, Viktor Pardal dhe Nexhmedin Sejdiu anëtarë, të premten shpalli aktgjykimin në rastin e ish-gjykatësit Kolë Puka dhe avokatëve Zef Marlekut e Lon Palushajt. 
 
Pas 25 seancave të mbajtura dhe pas dëgjimit të 60 dëshmitarëve si dhe leximit të gjitha provave materiale, gjykata shpalli fajtor dhe e dënoi ish-gjykatësin Kolë Puka për lëshim të vendimit të kundërligjshëm gjyqësor, shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, pastrim të parave dhe mashtrim - me gjithsej 10 vjet burg.
 
Ish-gjykatësin, gjykata e liroi për veprën penale të krimit të organizuar, evazionit fiskal, falsifikimit të dokumenteve dhe për rastet e veçanta të falsifikimit të dokumenteve si dhe për një vepër tjetër të pastrimit të parave.
 
Puka për veprën penale të lëshimit të vendimit të kundërligjshëm gjyqësor u dënua me 2 vjet burg. Për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit me 4, për pastrim parash me 3 vjet burg dhe për veprën penale të mashtrimit me 4 vjet të tjera burg. Në total ish gjykatësi Puka u dënua me 13 vite burg por gjykata atij i shqiptoi një dënim unik prej 10 vitesh burg. 
Më herët këtë vit, Kolë Puka ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut në Pejë me një dënim unik prej 5 vitesh burg, e po në këtë gjykatë Pukës iu konfirmua aktakuza tjetër që e akuzon atë për shpërdorimin e më shumë se 74 mijë eurove.
 
Të pandehurit Zef Marleku dhe Lon Palushaj, nga gjykata u shpallën të pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës, ashtu që të njëjtit u liruan.

Ali Rexha, prokuror i lëndës
Rexha, prokuror i lëndësli Rexha, prokuror i
Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetari kolegjit tha se “gjykata është marrë me 24 raste të veçanta dhe të ndërlikuara të cilat janë analizuar me kujdes në një shqyrtim po ashtu të ndërlikuar”.
 
“Gjatë 25 seancave të mbajtura kemi dëgjuar 60 dëshmitarë dhe kemi shikuar qindra dokumente”, vazhdoi kryetari Dean Pineles.
 
Kolegji po ashtu në arsyetim kishte shqyrtuar teorinë e prokurorisë, e cila ishte se Kolë Puka ka bashkëpunuar në mënyrë kriminale me Zef Marlekun e Lon Palushajn. Por sipas gjykatës “pas shqyrtimit të provave është parë se Kolë Puka ka futur në rrejtën e tij të merimangës edhe Zef Marlekun e Lon Palushajn, por që të njëjtit më shumë ishin viktima të krimit të tij”.
 
Sipas gjykatës, ka shumë gjasa që Hilmi Hana ka qenë bashkëkryesi kryesor i Kolë Pukës, pasi që edhe vet Puka e kishte pranuar në seancë që ai i ka bërë favore si një miku të tij. Por gjykata tha se beson që Kolë Puka ka nxjerr shuma të mëdha parash për vete dhe për Hilmi Hanën.
 
“Kolë Puka ka vepruar kështu në mënyrë të paprekshme dhe ka i ka vendosur në këtë lojë palët e dëmtuara por nuk ka pas konsideratë as për Lon Palushajn e Zef Marlekun”, shtoi kryetari i kolegjit Dean Pinales.
 
Kolegji ceku se “është keq të merret nga një kompani, por edhe më keq është të fitohet nga një e kaluar tragjike e dikujt”.
 
Në fund kryetari i kolegjit Dean Pinales, tha se “Kolë Puka preku zyrën e gjykatës, zyre e cila ku qytetarët duhet të besojë”.
 
Në këtë aktgjykim mbrojtësi i Kolë Pukës, avokati Tahir Rrecaj paralajmëroi ankesë në të gjithë bazën e aktgjykim. Ndërsa prokurori Ali Rexha, tha se do të lajmëroi gjykatën në afat ligjor nëse do ta paraqes ankesën.
 
Mbas seancës, prokurori Ali Rexha, i cili kishte drejtuar hetimet kundër Pukës, deklaroi se pas këtij vendimi do të vazhdojë gjykimi tjetër në Gjykatën e Qarkut në Pejë kundër të njëjtit të pandehur si dhe pritet një aktakuzë e re në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për keqpërdorim milionësh.
 
“Vendimi i sotëm është i drejtë. Do të konsultohemi me kryeprokuroren nëse do të paraqesim ankesë”, tha Rexha. /gazetajnk/


Ish-gjyqtari Puka ndihet “viktimë”

Prishtinë, 18.10.2012 - Procesi gjyqësor ndaj ish-gjyqtarit Kolë Puka, si dhe dy avokatëve Zef Marleku e Lon Palushaj, ka përfunduar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, për t’u dhënë vendimi përfundimtar të premten. Puka ka kërkuar nga trupi gjykues që ta shpallin të pafajshëm me arsyetimin se ka qenë viktimë dhe pre e mashtrimit të të ndjerit Hilmi Hana që ishte drejtor financiar në Fondin e garancisë (CIU). Duke mos mohuar se ka bërë falsifikim dokumentesh ai i ka kërkuar falje gjykatës për një veprim të tillë.

Kolë Puka, i akuzuar për krim të organizuar, dhjetëra falsifikime të dokumenteve, përpilim e ekzekutim të marrëveshjeve gjyqësore dhe jashtëgjyqësore e përpilim aktgjykimesh të falsifikuara si dhe për keqpërdorim të mbi 1 milion eurove që u përkisnin si kompensim 24 qytetarëve të dëmtuar në komunikacion, në emër të të cilëve kishte zhvilluar procese gjyqësore dhe kishte marrë këto të holla nga Bashkësia e Sigurimeve “Kosova në likuidim”, ka kërkuar nga gjykata që gjithashtu t’i lirohen edhe automjetet e konfiskuara. Tri veturat e tij, njëra xhip e tipit “Range Rover”, tjetra “Audi A6” ishin të blera, sipas Pukës, me anë të kredive bankare.

“Si prova për këtë i kam dorëzuar edhe dokumentet e kredisë dhe lus të m’i ktheni”, ka thënë Puka. Ndërkaq, për veturën e tipit “VW Lupo”, Puka ka thënë se atë e kishte blerë para vitit 2004. ”E kam blerë në vitin 2003, para fillimit të këtyre veprimeve të dyshimta”, ka shtuar ai.

Ndërkaq gjatë kësaj seance, fjalën përfundimtare e ka dhënë mbrojtja e të akuzuarit Zef Marleku, i cili dyshohet së bashku me Pukën dhe avokatin tjetër Lon Palushaj se ka kryer veprat penale që lidhen me nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve, mashtrim dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, falsifikim i dokumenteve, lidhje e kontratës së dëmshme, keqpërdorim i besimit, dhënie e kundërligjshme e ndihmës juridike, të gjitha në bashkëkryerje. Tomë Gashi, avokati i Markelut, ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga këto akuza ngase ka qenë viktimë e punës kriminale të ish-gjyqtarit Puka.

“Asnjë provë konkrete nuk e vërteton se Zef Marleku ka qenë bashkëpunëtor në aktivitetin kriminal të Pukës. Marleku veproi krejtësisht në të kundërtën e bashkëpunimit me Kolë Pukën, ai menjëherë posa u lirua nga paraburgimi në vitin 2009 paraqiti kallëzim penal kundër Pukës duke i dërguar njoftim Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale për aktivitetin kriminal të gjyqtari Puka, dhe duke i dhëne shënimet e sakta të numrit të llogarisë rrjedhëse në ProCredit Bank që përfundon me numrin 105, me të cilin llogari Puka kishte realizuar një pjesë të skenarit të tij kriminal të keqpërdorimit mbi 1 milion e 257 eurove”, ka thënë Gashi.

I mbrojturi i tij, Zef Marleku, nuk e ka mohuar, sipas Gashit, asnjëherë faktin që me kërkesë të ish-gjyqtarit Puka, i ka dhënë autorizim atij për shfrytëzimin e llogarisë bankare me të cilën Puka, më pas kishte zhvilluar aktivitete kriminale, për të cilat Gashi ka thënë se klienti i tij nuk ka qenë në dijeni.

“Zef Marleku i besoi Pukës, ngase atë e njihte me viteve të tëra, dhe me të kishte lidhje familjare të krijuara me martesa të anëtarëve të familjes së tij’, ka thënë Gashi, raporton koha.

Sipas avokatit Gashi, ekspertizat grafologjike kanë vërtetuar se Zef Marleku nuk ka nënshkruar asnjë autorizim dhe asnjë ujdi jashtëgjyqësore, të cilat si të falsifikuara i ka përpiluar dhe i ka përdorur sipas tij, Kolë Puka. Ndërsa, sa i përket fletëpagesave që janë gjetur në lëndët në zyrën e Marlekut, Gashi ka thënë se ai i ka sqaruar gjykatës pse janë gjetur ato fletëpagesa tek ai, duke dhënë shpjegime të sinqerta dhe logjike, “pa pasur asnjë arsyeje për të fshehur këtë fakt”.

Gashi ka potencuar se personi i vetëm që kishte krijuar pasuri marramendëse në biznesin kriminal është ish-gjyqtari Puka, që sipas akuzës me para të keqpërdoruara kishte blerë disa shtëpi, troje, lokale, banesa në vlera me qindra e mijëra euro dhe vetura luksoze dhe shumë të shtrenjta.

“Është e qartë se Puka për periudhën kohore nga vitit 2000 prej kur është emëruar si gjyqtar e deri në vitin 2009 kur është shkarkuar ka pasur rrogën prej 450 euro, besoj se duket qartë se kush në këtë rast është keqpërdoruesi dhe kush viktima dhe besoj që nuk ka dhe nuk mund të ketë shpjegim më të qartë”, ka shtuar Gashi.

Ndërkaq, Zef Marleku, ka thënë se një gjë të tillë nuk e ka imagjinuar asnjëherë se do t’i ndodhte nga gjyqtari Puka.

“Kurrë në jetën time s’kisha mundur me e marr me mend një aventurë të një personi që e kam pas koleg. Katastrofa më e madhe është që ai tash nuk e pranon. Më ka mbështet për muri e nuk e pranon. Unë jam njeri familjar dhe kurrë në jetë nuk e kisha lëshuar veten në këso veprimesh me dije”, ka thënë Marleku.
Kurse i akuzuari tjetër, avokati Lon Palushaj, me lot në sy ka thënë fjalët e tij të fundit para trupit gjykues dhe është betuar para tyre se kurrë në jetën e tij nuk kishte bërë vepër penale. Ai ka kërkuar që të lirohet nga pikat e aktakuzës që e rëndojnë atë.

”Kurrë në jetën time nuk e kam kryer dhe nuk kam dashtë e as nuk dua të kryej vepër penale. Nëse duhet të dënohet një njeri që i beson tjetrit atëherë duhet të dënohen 80 përqindëshi i Kosovës dhe i vendeve të tjera”, ka thënë Palushaj.

Ndërkohë, për Kolë Pukën, Prokuroria e EULEX- it, tashmë ka konfirmuar edhe një akuzë tjetër që ka të bëjë me shpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa është dyshuar edhe për një sërë veprash penale. Për përgjegjësinë e tij kriminale, Kolë Puka është shpallur fajtor në maj të këtij viti për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autoritetit dhe është dënuar me pesë vjet burgim. Puka supozohet se ka kryer rreth 260 veprime kriminale për gati një dekadë sa ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Komunale të Klinës. Aktualisht Puka gjendet në paraburgim./Indeksonline/


Marleku Nuk Dinte për Qarkullimin në Llogari

Prishtinë, 10.10.2012 - Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, të mërkurën ka vazhduar gjykimi i ish-gjykatësit Kolë Puka dhe ish-avokatit Zef Marleku, të cilët sipas aktakuzës së prokurorit special Ali Rexha, akuzohen edhe për bashkëpunim në kryerjen e shumë veprave penale, në mesin e të cilave edhe për nxjerrje të kundërligjshme të një vendimi gjyqësor. 
 
Zef Marleku akuzohet se i ka ofruar ndihmë Kolë Pukës duke i hapur këtij të fundit një llogari në Pro Credit Bank, dhe duke autorizuar atë që të ketë qasjen në atë llogari. Këtë llogari, Marleku tha se ia dhënë Pukës që t’i përfundonte disa raste të tij gjyqësore, që i kishin mbetur Pukës nga paralufta.
 
Marleku asnjëherë nuk kishte kërkuar që kartela e bankës të rigjenerohet, po ashtu asnjëherë nuk kishte kërkuar raport për qarkullimin bankar, e as që kishte pasur transaksione përmes kësaj llogarie.
 
Kolegji i gjykatësve dëgjoi nga vetë i pandehuri se një ditë marsi në vitin 2003, derisa ishin në Prishtinë së bashku me Pukën, atëbotë gjykatës i Gjykatës Komunale në Klinë, ky e kishte lutur që t’ia hapte një llogari dhe ta autorizonte që të ketë qasje të plotë në të.
 
Pasi e kishte hapur llogarinë, Marleku tha se asnjëherë nuk ishte interesuar të dinte se çfarë kishte qarkulluar Kolë Puka në këtë llogari.
 
Sipas raporteve që kishte nxjerrë prokurori, del se vetëm për lëndët e keqpërdoruara, e që po gjykohen në këtë gjykim, shuma e keqpërdorimeve kalon 700 mijë euro.
 
I pandehuri Marleku tregoi se si ai në vitin 2005 kishte blerë një dyqan për zyrën e tij në vlerë prej 24 mijë eurosh, të cilin dyqan e kishte në emër të vajzës së tij dhe atë e kishte blerë pas shitjes një pjese të tokës në vlerë prej 40 mijë euro.
 
Marleku i tregoi kolegjit se asnjëherë nuk e kishte takuar Hilmi Hanën dhe as që e njihte atë person. Ai po ashtu tha se nuk e kishte qenë asnjëherë në kompaninë e sigurimeve Kosova, dhe se aty nuk njihte askënd. Marleku shtoi se ai nuk merrej me raste të kompensimit të dëmeve.
 
Por prokurori i përkujtoi Marlekut dy lëndë dhe atë të Hanife Racit dhe Fran Musollajt. E për këto dy lëndë, i pandehuri tha se ka qenë në dijeni të tyre dhe se autorizimet dhe çdo gjë ka qenë në rregull.
 
Ai shpjegoi se si parat për këto dy raste janë derdhur në konton e tij që e posedonte Kolë Puka, e paratë, edhe për këto raste i kishte tërhequr vetë Puka dhe ia kishte sjell Marlekut në zyrë, që t’ua dorëzonte palëve.
 
E në fillim të kësaj seance, kolegji i gjykatësve e ballafaqoi Kolë Pukën me autorizimet që ishin gjetur si të falsifikuara. Kolegji kërkonte të dinte se kush i kishte vulosur dhe kush kishte nënshkruar te vula. I pandehuri Puka nuk e pranoi ta ketë bërë një veprim të tillë.
 
Gjatë kësaj seance, avokati Tomë Gashi u dënua me 150 euro gjobë, pasi që u vonua 30 minuta nga koha kur kolegji kishte vendosur të fillonte seanca. Gashi u mundua të arsyetohej, por kolegji nuk i mori për bazë.
 
Seanca e radhës vazhdon nesër me fjalën përfundimtare të prokurorit.
 


Puka Pranon Falsifikimet e Bëra Nga “Naiviteti”

Prishtinë, 05.10.2012 - Ish-gjyqtari Kolë Puka tha se ujditë me kompaninë “Kosova” në likudim, i nënshkruante në letër të bardhë, duke mos ditur sa janë shumat. Ai e quajti veten “naiv” që i kishte besuar Hilmi Hanës. Nga kontoja e Zef Marlekut, Puka kishte tërhequr 714 675 euro. Ai pretendon se këto para i ka tërhequr për llogari të Hanës. “Nuk kam pasur kurrfarë fitimi, vetëm i kam marrë parat për t’i mbuluar shpenzimet procedurale”.

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, të enjten para kolegjit të gjykatësve u dëgjua mbrojtja e të pandehurit Kolë Puka. 

Para se të fillonte me mbrojtjen, Kolë Puka prezantoi edhe disa prova para gjykatës në mesin e të cilave ishin edhe dy kontrata për marrjen e kredive nga Raiffeisen Bank në Klinë, vlera e të cilave ishte rreth 100 mijë euro. 

I pandehuri Puka mbrojtjen e tij e filloi duke treguar se ka qenë pa punë nga viti 1990 deri në 1992, pastaj nga 1992 deri në 1999 kishte punuar si avokat. Në vitin 2000 tha se është emëruar gjykatës në Gjykatën Komunale në Klinë, ku ka punuar deri në shtator të 2009, kur edhe kishte dhënë dorëheqje nga pozita e gjykatësit. 

Prokurori e pyeti për fillimin e veprimeve kriminale, që i kishte filluar nga data 18 nëntor 2002, kur edhe kishte tërhequr para kesh pa përdorur llogaritë bankare. Puka tha se në atë kohë i ka pasur disa raste të tij të para luftës e në të cilat raste, palët ia kishin ofruar autorizimin edhe pas luftës për t’i përfaqësuar. 

Edhe pse gjykatës, ai tha se e ka shkruar kërkesën dhe ka përfaqësuar ata në kompaninë e sigurimeve “Kosova” në likuidim. Për këto lëndë, ai me kompaninë kishte arritur marrëveshje jashtëgjyqësore dhe për parat e tërhequra kishte marrë përqindjen që ishte marrë vesh me palët, por pjesën tjetër tha se ua ka dhënë palëve. 

Puka tregoi se të gjitha përqindjet kanë qenë 20 % dhe se në disa raste palëve të kompensuara ua kishte marrë edhe shpenzimet që ai i kishte pasur gjatë procedurës për ekspertizë ose udhëtime. 

Prokurori Rexha i përmendi të pandehurit Puka rastin e D. H., të cilin Puka e pranoi dhe tha se pala i kishte siguruar provat dhe ai ia kishte nxjerrë paratë nga kompania e sigurimeve. Parat ishin marrë, pasi që lënda ishte shqyrtuar, ndërsa shuma kishte qenë më shumë se 12 mijë euro. 

Prokurori e pyeti edhe për rastin B. B. të cilin i pandehuri Puka i pranoi se për këtë rast kishte tërhequr më shumë se 30 mijë euro, ndërsa nga ato i kishte marrë 20 për qind, porse një pjesë të parave, rreth 4 mijë euro i ishte dhënë edhe prindit të viktimës A. Z.. Por për të gjitha këto lëndë Puka tha se nuk i ka nënshkruar Hilmi Hana. 

Më pas, prokurori e pyeti edhe një herë për rastin e D. H. kur Kolë Pukës i ishin lëshuar edhe 71 363 euro në emër të palës së dëmtuar D. H. nga i ndjeri Hilmi Hana. Puka e pranoi se i ka kryer disa lëndë Hilmi Hanës, por tha se nuk i ka ditur se kush ishin palët në këto lëndë. 

Atij i kujtohej se nga 6 raste që parat ishin derdhur në llogarinë e tij, i ndjeri Hana i kishte kompensuar dy familje dhe atë të Cukajt dhe Ali Lajqin.

Puka po ashtu deklaroi se për këto raste dhe raste të tjera, Hilmi Hana ia kishte sjellë autorizimin të shtypur, ndërsa ky e kishte shkruar atë. Po ashtu, i ndjeri Hana tha se ia kishte diktuar emrat e të dëmtuarve, ndërsa nuk i kujtohej mirë në ishte ky që i kishte shkruar ata emra. 

I pandehuri Puka po ashtu deklaroi se autorizimet ai nuk i kishte vulosur dhe nënshkruar në vendin ku ishte vula. Ai po ashtu deklaroi se Hilmi Hana e ka kryer këtë punë, ndërsa personalisht nuk kishte dijeni se si. 

Prokurori u interesua të dinte nga i pandehuri se çfarë ishte funksioni i Hanës dhe se ku gjendej ai sot. Puka tha se Hana kishte qenë drejtor i kompanisë së sigurimeve Kosova e vjetër dhe se nga prokuroria ka marrë vesh se ka vdekur në mars të 2008-së. Por që më vonë gjatë dëshmisë së tij, Puka ra në kontradiktë me këtë që e deklaroi. Ai tha “kur ka vdekur Hilmi Hana, unë e kam diskutuar këtë me Zef Marlekun”. 

Për të gjitha rastet e Hilmi Hanës, Kolë Puka tha se i ka marrë vetëm shpenzimet e procedurës, por jo edhe ndonjë fitim. Ai tha se të gjitha parat ia jepte Hilmi Hanës, pasi i tërhiqte nga kontoja e Zef Marlekut, në restorant Pisha në Klinë.
 
Për të gjitha rastet dhe për të gjitha autorizimet si dhe marrëveshjet jashtë gjyqësore që kishte nënshkruar Puka për Hanën tha se e ka kuptuar vetëm pasi që kishte marrë provat nga prokurori. Këtu, Puka e quajti veten “naiv” ngaqë i kishte besuar Hanës. 

Të gjithë të dëmtuarit, Puka tha se nuk i njihte e as që dinte ndonjë gjë për ta. Lëndët në këto raste i kishte kompletuar Hilmi Hana, ndërsa Puka tha se i ka kryer vetëm shërbimet. Ai shtoi se edhe ujditë që ishin arritur me kompaninë, ai i kishte nënshkruar në letër të bardhë, duke mos ditur se cilat janë shumat dhe për çfarë janë marrë vesh. 

Puka pranoi se nga 2005 deri në 2007 kishte nënshkruar autorizime e ujdi për Hanën, po ashtu të njëjtit paratë ia kishte dorëzuar. 

Për këto transaksione, fillimisht Puka kishte përdorur llogarinë e tij, por duke e ditur që është gjykatës ai kishte marrë autorizim në llogarinë e Zef Marlekut dhe nga aty i kishte realizuar veprimet kriminale.
 
Autorizimin në llogari të Zefit, Puka tha se e ka marrë që në ditën e hapjes dhe se atë ia ka dhënë me dëshirë i pandehuri Zef Marleku. E në këtë llogari Puka kishte tërhequr hiq më pak se 714 675 euro. “Këto para i kam tërhequr unë dhe të gjitha për llogari të Hilmi Hanës, nuk kam pasur kurrfarë fitimi, vetëm i kam marrë parat për t’i mbuluar shpenzimet procedurale”, përfundoi Puka. 

Kolë Puka, gjatë gjithë kohës deklaronte se Zef Marleku ka qenë në dijeni për të gjitha veprimet që bëheshin në llogari të tij. Pastaj më vonë ndryshoi deklaratën duke thënë se nuk e ka ditur për të gjitha, por për disa nga veprimet, pasi që ai vetë e kishte njoftuar. 

Puka pretendoi se edhe vetë banka Pro Credit Bank e kishte lajmëruar Marlekun për depozitat në llogarinë e tij. Por, kjo deklaratë nuk u duk aq kredibile pas pyetjes së avokatit Tomë Gashi lidhur me raportin e PCB-së ku tregonte se banka nuk njofton klientët për transaksionet, pos nëse janë marrë vesh ashtu. 

Kolegjit të gjykatësve iu interesoi të dinin nëse Marleku kishte qëndruar ndonjëherë për kafe me Pukën e Hanën, e i pandehuri Puka tha se Marleku nuk e ka njohur dhe as që ka qëndruar ndonjë herë me të ndjerin Hana.
 
Prokurori më pas e pyeti edhe për nxjerrjen e vendimeve të kundërligjshme nga Puka sa ishte gjykatës dhe atë në dy lëndë civile. Puka e mohoi të ketë vepruar kundërligjshëm në të dy rastet, ai tha se ka vepruar sipas kërkesave të palëve. Por, prokurori i kujtoi se parat nga realizimi i atyre dëmeve ishte tërhequr nga vetë Kolë Puka, e jo nga personat që paraqiten si të autorizuar. 

Administrata Tatimore e Kosovës, pas hetimeve e kishte ngarkuar Pukën me mospagesë të tatimeve për qarkullimin e parave në vlerën e 1 milion e 257 mijë e 987 euro, nga të gjitha llogaritë ku Puka kishte qasje. 

Por, në seancë Puka tha se tatimi i ngarkuar nga ATK-ja nuk është i vërtetë meqë ai nuk i kishte qarkulluar ato para për vete, por për Hilmi Hanën. 

Seanca e sotme në fillimin e saj u përcjell edhe me një mosmarrëveshje nëse duhet të qëndronin të pandehurit e tjerë gjatë dhënies së mbrojtjes nga Puka. Por, në fund kolegji vendosi që ata të qëndronin. 

Seanca u shty për të premten, kur i pandehuri Kolë Puka do të përgjigjet në pyetjet të tjera të prokurorit dhe mbrojtjes. /gazetajnk/
 


“Rinohet” gjyqtari Dehari

Prishtinë, 05.10.2012 -  (E plotësuar) Derisa për të tjerët pothuajse përditë ndan drejtësinë në emër të ligjit, gjykatësi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Mejdi Dehari, vetë ka vendosur të jetë tërësisht mbi ligjin. Vetëm pak kohë para se të pensionohet, ai ka “ndërruar” disa dokumente personale, të cilat më pas i ka paraqitur në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) së bashku me kërkesën që t’i ndërrohet viti i lindjes, nga 1947 në 1950.

Duke vepruar në këtë formë, Dehari ia ka mundësuar vetes që mos të pensionohet në qershor të këtij viti, por të jetë në marrëdhënie të rregullt të punës deri në qershorin e vitit 2015.

Ky gjykatës fillimisht ka kërkuar që viti i lindjes së tij të ndryshohet në Zyrën e Ofiqarisë në Komunën e Prishtinës, por meqenëse kjo zyrë nuk ia ka plotësuar “dëshirën”, atëherë ai ka gjetur mbështetje tek Agjencia e Regjistrimit Civil, që vepron në kuadër të MPB-së.

“Zëri” ka siguruar një dosje me dokumentet e Deharit. Në të gjitha dokumentet e vjetra, përkatësisht në letërnjoftimin e ish-Jugosllavisë, në letërnjoftimin e lëshuar nga UNMIK-u, i përtërirë më vonë nga institucionet e vendit dhe në certifikatën e kurorës, datëlindja e tij është më 16 qershor 1947, lindur në fshatin Llojan të Kumanovës.

Por, ndryshe figuron viti i lindjes së tij në certifikatën e re të lindjes, e cila është lëshuar në prill të këtij viti, përkatësisht pas ndryshimit të vitit të lindjes. Aty datëlindja është 16 qershor 1950.

Në fund të këtij dokumenti, të cilin gjithashtu e ka siguruar gazeta, sqarohet se Mehdi Deharit i është ndryshuar datëlindja me vendim të Agjencisë së Regjistrimit Civil, e cila e ka shfuqizuar aktvendimin e Ofiqarisë së Prishtinës me numër 01-201-5364 të datës 22.02.2012, (i cili ishte kundër ndryshimit të datëlindjes).

Shefi i Ofiqarisë në Komunë të Prishtinës, Shefqet Buçaj, thotë se Dehari ka kërkuar ndryshimin e vitit të lindjes, por një gjë e tillë i është refuzuar ngase një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin për emrin personal, i cili lejon ndryshimin e emrit dhe mbiemrit, por jo edhe të vitit dhe datës së lindjes.

Dehari: Provat e mia janë të sakta

Ndonëse është gjykatës, Mehdi Dehari gjatë një bisede për “Zëri” ka mohuar se është i vetëdijshëm që ndryshimi i datëlindjes është i pamundur, dhe se një gjë e tillë përbën vepër penale. Ai thotë se ka pasur një vëlla tre vjet më të madh, i cili ka vdekur para se të lindë ky, ndërsa vetë asnjëherë nuk është regjistruar në komunë, por ka vazhduar ta trashëgojë emrin dhe datëlindjen e vëllait të ndjerë.

Për të argumentuar këtë, disa muaj para se të pensionohet, Dehari tregon se ka shkuar në fshatin e tij të lindjes, në Llojan të Kumanovës në Maqedoni, ku ka gjetur dy persona të moshuar, të cilët me anë të një deklarate me shkrim që është dhënë tek noteri, e kanë konfirmuar se Mehdi Dehari nuk është i lindur më 1947, por më 1950.

Megjithatë, ky dokument së bashku me një deklaratë të kryetarit të Bashkësisë Lokale të Llojanit i kanë mjaftuar Ministrisë së Punëve të Brendshme që ta “përtërijnë” atë për tre vjet. Ai nuk ka treguar pse nuk e ka rregulluar çështjen e datëlindjes shumë kohë më parë, ose të paktën gjatë periudhës së pasluftës, por ka pritur që këtë ta bëjë pikërisht para se të pensionohet.

Por, njëri nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka sqaruar se si ka shkuar procesi i “rinimit” të Deharit. Ai thotë se Dehari fillimisht e ka falsifikuar një karton, i cili në kohën e ish-Jugosllavisë ka shërbyer si “bërthamë” e letërnjoftimit.

“E ka marrë këtë karton së bashku me disa dokumente nga Maqedonia. Të gjitha i ka paraqitur në Zyrën Komunale të Ofiqarisë në Prishtinë që t’ia ndërrojnë datën e lindjes. Kur kjo zyrë ka refuzuar, atëherë ai iu ka drejtuar MPB-së, ku ka gjetur mbështetje”, thotë ky burim.

Në fakt, brendapërbrenda MPB-së ekziston një komision që merret me korrigjimet e të dhënave personale, por ky komision nuk ka të drejtë ligjore që t’ia ndërrojë dikujt datën e lindjes. Këtë të drejtë ligjore e ka vetëm gjyqësori.

“Korrigjimet dhe plotësimet në dokumentet e arkivuara bëhen me vendim gjyqësor të formës së prerë apo me vendim të lëshuar nga zyra e gjendjes civile (zyra komunale)”, thuhet në pikën e parë të nenit 23 të Ligjit për gjendjen civile.

Ky zyrtar i MPB-së thotë se komisioni përpos që ka bërë vepër të rëndë penale duke ia ndërruar Deharit datëlindjen, ai gjithashtu ka bërë shkelje ngase vendimi është nënshkruar vetëm nga dy anëtarët e komisionit, përkatësisht nga kryetari Ramadan Thaçi dhe anëtari Arben Mustafa.
“Arbeni bile ka bërë shkelje të dyfishtë sepse në kohën kur e ka nënshkruar ndryshimin e datës ai ka qenë kryeinspektor për t’i hetuar shkeljet”, thotë ai.

Hetohen Dehari dhe anëtarët e komisionit

Me të marrë informacionin se gjykatësi Mehdi Dehari nuk do të shkojë në pension në qershor, kur do t’i mbushë gjashtëdhjetë e pesë vjet, por do të qëndrojë edhe tri vjet, Këshilli Gjyqësor ka filluar ta “hetojë” këtë rast. Ndërkaq Enver Peci, kryetar i këtij Këshilli, ia ka dërguar një letër ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, nga i cili ka kërkuar që të hetohet rasti i “përtëritjes” së gjykatësit Dehari.

Këtë gjë për “Zërin” e kanë konfirmuar sikurse Peci edhe vetë ministri Rexhepi. “Tash nuk dua ta komentoj a është e ligjshme apo jo për shkak se nuk jemi ne ata që e dimë se si ka shkuar procedura. Është e vërtetë që ka ndodhur ajo (ndryshimi i datëlindjes). Ne e kemi marrë një vendim nga MPJ-ja që atij i është lejuar të bëhet më i ri për tri vjet. Tash unë po shpresoj që organet e sjellin një vendim se a është i ligjshëm apo jo ky veprim. Ia kam dërguar një letër edhe ministrit edhe organeve të cilave duhet t’ua dërgojmë. Nuk mund të them më shumë për shkak se tash janë duke u bërë hetimet”, thotë Peci.

Ndërsa ministri Bajram Rexhepi thotë se brenda MPB-së ekziston një komision i cili me kërkesë të qytetarëve mund të ndërrojë emrin apo mbiemrin, siç parashihet me ligj, por jo edhe datëlindjen.

“Datëlindja nuk guxon të ndryshohet kurrë as vendi i lindjes. Këtu ka qenë një kërkesë e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, e kam parë e kam përcjellë, kemi ndërmarrë masa, iu ka përcjellë Agjencisë së Regjistrimit Civil. Pas audititimit që ia kemi bërë këtij komisioni e kemi parë që të gjitha dokumentet (dokumentet e Mehdi Deharit) nuk kanë qenë origjinale, dhe ai vendim është shfuqizuar, është kthyer në datën e mëhershme (datëlindja) dhe tash është çështje e hetimeve se a e ka bërë ai komision duke menduar se janë dokumente origjinale që janë sjellë nga Maqedonia, apo kanë pasur interes tjetër. Kjo është çështje e hetuesisë të cilën unë e kam kërkuar”, shprehet ai.

Ai thotë se ka pasur të drejtë ofiqaria që nuk ia kanë lejuar ndryshimin e vitit të lindjes, ndërsa thekson se anëtarët e komisionit që e kanë bërë këtë veprim do të largohen nga pozitat që i kanë.

Opozita: Përgjegjësit të ndëshkohen nga drejtësia

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Ahmet Isufi, thotë se ndërrimi i datëlindjes është falsifikim dhe si i tillë dënohet ashpër, ngase, siç thotë ai, vetëm Gjykata Supreme në raste të veçanta mund ta bëjë ndryshimin e datëlindjes.

“Kushdo që falsifikon dokumente, ose keqpërdor detyrën zyrtare duhet të përgjigjet para ligjit. Normalisht që sipas të dhënave që tregojnë se është shkelur ligji duhet të fillojnë procedurat për personat që e kanë shkelur ligjin”, thotë ai.

Më i ashpër është deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili thotë se duke pranuar që t’i ndryshohet datëlindja, gjykatësi Dehari ka lejuar veten që të bëhet vegël e qeverisë.

“Kjo (ndryshimi i datëlindjes) nuk është më lëndë për ta diskutuar ne, por është lëndë me të cilën duhet të merret prokuroria. Ndryshimi i datëlindjes është krim i cili do të duhej patjetër të dënohet. Është bërë një falsifikim i cili ka ndikime në punën e një gjykatësi”, thotë ai.

Selimi thotë se është shumë i sigurt që fakti që disa zyrtarë të MPB-së ia kanë ndryshuar datëlindjen një gjykatësi, përkatësisht për t’ia zgjatur mandatin në punë, kjo do të thotë se dikujt i duhet një “gjykatës i njohshëm” në gjykatë.

Vendimet e gjyqtarit “të dyshimta”

Ndërkaq, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tashmë deputet i PDK-së, Behar Selimi, thotë se ndryshimi i datëlindjes përbën dyshim për vepër serioze penale, që sipas tij është falsifikim.

“Konsideroj se sjelljet e tilla janë goditje serioze dhe ogur i zi për drejtësinë në këtë vend. Kjo na jep të kuptojmë se qytetari ka të drejtë që ka dyshime serioze në sistemin e drejtësisë. Për dokumentacionin që po e shoh (dokumentet me data të ndryshme) duhet të iniciohet procedurë penale urgjente dhe duhet të shikohet mos nuk është rast i izoluar”, nënvizon ai. /zeri/


Konfirmohet pjesërisht aktakuza për korrupsion kundër një ish-gjyqtari

Prishtinë, 25.09.2012 - Një gjyqtar konfirmues i EULEX-it e ka konfirmuar aktakuzën kundër Kolë Pukës, ish-gjyqtar dhe Avdullah Robaj, avokat, të akuzuar për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autoritetit. Po ashtu, gjyqtari konfirmues i shpalli të pranueshme të gjitha dëshmitë e përmendura në aktakuzë.
 
Sipas njoftimit të EULEX-it, Kolë Puka pretendohet ta këtë kryer veprën e tij në vitin 2005. 
 
Ai akuzohet për shpërdorim të pozitës zyrtare të tij si gjyqtar për të përfituar dobi materiale duke i manipuluar rastet e paditësve ndaj një kompanie sigurimi. 
 
Puka pretendohet se këtë e ka bërë në bashkëpunim me të pandehurin Avdullah Robaj. 
 
Gjyqtari konfirmues i EULEX-it e hodhi poshtë aktakuzën kundër Kolë Pukës për veprën penale të lëshimit të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, si dhe kundër Avdullah Robaj për veprën penale të shkeljes së besimit.
 
Rasti është duke u ndjekur penalisht nga një prokuror specia li EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës. (RTK)


Gjyqësori dhe qeveria shkelësit kryesorë të drejtave të njeriut

Prishtinë, 26.09.2012 - Avokati i Popullit, Sami Kurteshi ka thënë se shkeljet e të drejtave të njeriut, kryesisht vijën nga gjyqësori nën ndikimin e politikes, ndërsa si shkelës më të mëdhenj të të drejtave të njeriut radhiten, edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria për Mbrojtjen e Ambientit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, si dhe Ministria e Infrastrukturës.

Kurteshi ka folur edhe për kërcënimet që i vijën nga disa zyrtarë të institucioneve të Qeverisë, por përkundër këtyre kërcënimeve ai është shprehur i vendosur se nuk do të ndalet së punuari.
 
Avokati i popullit thotë shpeshherë ndodhë në disa institucione që punonjësit e Avokatit të popullit të injorohen e ky injorim, sipas tij, nuk mungon madje as nga disa ministra. Kurteshi, konsideron se është e pa kuptim, kur ne kërkojmë nga shtete tjera, që të njohin shtetin tonë, përderisa siç shprehet ai, “vetë ne nuk e njohim atë, nuk e njehim normën dhe themelimin për krijimin e shoqërisë, duke mos implementuar dhe zbatuar Kushtetutën e vendit”. Ai mendon se në vend është duke u krijuar një rend juridik dhe politik, që nuk po mundemi të bëhemi shoqëri e përgjegjshme.
 
Për të gjitha këto fajëson, legjislacionin dhe Qeverinë e Kosovës, që sipas tij, nuk po dëshmojnë se jemi një shtet, ku duhet të funksionojë ligji, implementohet dhe zbatohet Kushtetuta e vendi. Ndërsa veprimet e disa institucioneve kundër Avokatit të Popullit dhe qytetarëve të Kosovës, ai i konsideron tejet të dëmshme.
 
“Unë po e them sinqerisht, tek ne është bërë një lojë e dëmshme, jashtëzakonisht e rrezikshme me këtë parullën ‘Njohja e Kosovës’. Pse kërkon nga dikush që të njohë kur ti nuk e njeh shtetin tënd. Nuk njehë normën dhe themelimi për krijimin e shoqërisë. Nuk njeh kushtetutën, nuk e implementon dhe nuk e zbaton atë. Pse po kërkon nga dikush që të njohë, qysh me të njohë dikush, sepse këtu e shohim problemin, këtë e mora si shembull. Tregoni sa shkelje ligjore i kemi, edhe a ka ndonjë institucion përfshirë edhe Avokatin e Popullit, po e them që nuk bënë shkelje të tilla. Unë i thash arsyet objektive mentaliteti, përvoja, trashëgimia, por janë edhe arsyet subjektive dhe ne jemi duke e krijuar një rend të tillë juridik dhe politik që nuk po mundemi të bëhemi shoqëri e përgjegjshme”, tha Kurteshi, në një intervistë për Kosovapress.
 
Ai ka bërë të ditur se pas gjyqësorit, i cili është i ndikuar nga politika, si shkelës më të mëdhenj të të drejtave të njeriut radhiten, edhe disa ministri.
 
“Meqenëse natyra e problemeve janë banimi, çështjet sociale, mund të marrë me mend se është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pastaj Ministria për Mbrojtjen e Ambientit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, si dhe Ministria e Infrastrukturës. Ne marrim ankesa të ndryshme nga njerëzit, për çështje të ndryshme, asfaltimi i rrugëve, ndërtimi i autostradës, marrja e tokës , mos kompensimi i drejtë, ajo përben bazën e një ankese që drejtohet te ne”, ka thënë ai.
 
Sipas Avokatit të popullit, nuk mungoi as kërcënimet nga disa ministra, të cilët në njëfarë mënyre mundohet të pengojnë punën e Avokatit të Popullit.
 
“Po ju qes buxhetin zero-zero. Me të tregu të drejtën unë personalisht, por besoj edhe bashkëpunëtorët e mi, nuk frikësohem bash hiq. Se e dimë dhe jemi mësuar me kërcënime të tjera që na vinë, dhe nuk kanë bazë dhe nuk guxon me bë. Ne e themi, se ai nuk guxon ta bëjë këtë. Kjo është pa përgjegjësia e njerëzve kur flasin, pa e ditur çka mund të bëjnë. Ky është problemi jonë. Ne e duam një ministër që kur thotë diçka edhe e bënë, dhe nuk pyet sa i kushton, dhe nuk e kemi një të tillë”, ka thënë Kurteshi.
 
Për me tepër, Kurteshi shton se puna e institucionit të Avokatit të Popullit, vazhdimisht pengohet, dhe sipas tij, Qeveria e Kosovës këtë e ka dëshmuar hapur. /Kosovapress/


Frymëzënia e drejtësisë

Prishtinë, 23.09.2012 - Sistemi i drejtësisë në vend vazhdon të jetë sektori më i kritikuar, sa i takon mosefikasitetit në punë, mospërmbarimit të lëndëve, por edhe sa i takon çështjes së korrupsionit.
 
Së fundmi, në një raport të Avokatit të Popullit, thuhet se me gjithë përmirësimet e natyrës materiale dhe riemërimit të gjyqtarëve, situata në Gjyqësor mbetet e pandryshuar.
 
Në raport thuhet, po ashtu, se qytetarët edhe më tej ballafaqohen me problemin e zvarritjes së procedurave për shqyrtim të lëndëve, si dhe me drejtësi joefektive.
 
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, duke folur për këto çështje, thekson për Radion Evropa e Lirë se Gjyqësori vërtet përballet me problem të mëdha.
 
“Rritjet e lëndëve nëpër gjykata janë shtuar me vjet dhe në momentin kur është bërë procesi i emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve, ai proces i ka pasur anët pozitive dhe ato negative në kuptimin se janë eliminuar prej sistemit disa bartës që nuk kanë qenë të denjë. Në anën tjetër, kemi mbetur me një numër të pamjaftueshme të gjyqtarëve. Në mënyrë individuale mund të theksoj se mëa shumë se në gjyqësor nuk punohet askund”, thotë Peci.
 
Krahas shtimit të lëndëve të reja, drejtësia në Kosovë po ballafaqohet me numër të madh të lëndëve të vjetra, të cilat kanë mbetur të pazgjidhura në sirtarët e institucioneve përkatëse dhe që thuhet të jenë rreth dyqind e njëzet mijë.
Kësaj problematike i shtohen edhe lëndët e përmbarimit - pra, ato për të cilat është marrë vendimi, i cili nuk po mund të zbatohet në praktikë.
 
Por, se pse nuk ekzekutohen këto lëndë, për të cilat është marrë vendim, tregon kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzulla Hasani:
 
“Nga numri i lëndëve që janë 220 mijë që presin për t’u zgjidhur, vetëm 100 mijë janë nga sfera e përmbarimit. Ne nuk mund t’i ekzekutojmë ato vendime se ju e dini se flitet për 45, 55, 60 për qind të njerëzve të papunë”.
 
“Gjykata shkon te personi, nuk ka çka merr, nuk ka një xhirollogari, nuk ka çka t’i marrë. Edhe nga këto 100 mijë çështje, që ne i kemi, 60 mijë janë lëndë që ne u themi me dokumente autentike që i ka lënë edhe KEK-u, edhe PTK-ja, edhe kompanitë komunale që i kanë lënë të grumbullohen me vjet”, theksoi Hasani.
 
Për shkak të kësaj gjendjeje në sistemin e drejtësisë, ku numri i lëndëve të papërfunduara vazhdon të jetë shumë i madh, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në vitin 2010 kishte marrë një vendim për hartimin e një strategjie për reduktimin e lëndëve të vjetra.
 
Pavarësisht dinamikës së grumbullimit të lëndëve të pambaruara, kjo strategji, sipas KGJK-së, është në vazhdën e zbatuar.
 
Kurse, sa i takon çështjes së reformave në riorganizimin e Gjyqësorit, Enver Peci shpjegon:
 
​​“Reforma, sa i përket riorganizimit të Gjyqësorit, pritet të fillojë me një janar të vitit 2013. Jemi sipas planit të implementimit të ligjit. Janë bërë punë të mëdha në këtë drejtim dhe unë po shpresoj që edhe pjesa e reformës do të ketë sukses në kuptimin e efikasiteti të Gjyqësorit edhe besueshmërisë së qytetarëve ndaj këtij sistemi” .  
 
Korrupsioni në Kosovë thuhet se vazhdon të jetë i pranishëm në masë të madhe në të gjitha sferat e shoqërisë kosovare, duke përfshirë edhe sistemin e drejtësisë.
 
Se ka korrupsion në sektorët e drejtësisë, e ka dëshmuar së fundi edhe konfirmimi i aktakuzës nga EULEX-i, kundër ish-prokurorit special të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ish-kreut të Task-forcës antikorrupsion brenda Prokurorisë Speciale, Nazmi Mustafi.
 
Ky rast, për kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, është shqetësues.
 
“ Ka ndodhur ajo situatë ashtu siç ka ndodhur, por mund t’ju them për gjyqtarët prej vitit 2010, asnjë prej gjyqtarëve deri më tani nuk e kemi zyrtarisht të ndjekur për çështje të korrupsionit”, deklaron Peci.
 
Koordinatorja Kombëtare Kundër Korrupsionit, njëherësh prokurore e Qarkut në Prishtinë, Drita Hajdari, ka deklaruar më parë se në vend ende mungon qëllimi i drejtë e i sinqertë në luftën kundër korrupsionit. /evropaelire/


Shqipëri: Arrestohet avokati, bojkotohet puna në gjyqësor nga protestat

Elbasan, 20.09.2012 - Arrestimi i avokatit, Bujar Dyrmishi, ka bërë që avokatët e Elbasanit të bojkotojnë sot të gjitha seancat gjyqësore, ndërsa kanë paralajmëruar zhvillimin e protestave para gjykatës së rrethit dhe policisë. 

Vendimi vjen një ditë pasi policia e Elbasanit ka arrestuar avokatin, Bujar Dyrmishi, i cili gjatë ditës së djeshme goditi gjyqtarin Xheladin Karkini në zyrën e tij në ambientet e Gjykatës se Elbasanit. 

Mësohet se shkak i konfliktit është bërë një tension i momentit, në lidhje me orarin e seancës gjyqësore të radhës. 

Kjo ka çuar në një konflikt verbal me pas fizik, për të cilën është dashur ndërhyrja e policisë, e cila ka shoqëruar më pas në rajon avokatin Bujar Dyrmishi. Si pasojë e situatës së krijuar, në Gjykatën e Elbasanit u ndërprenë për 90 minuta të gjitha seancat. 

Ndërkohë në lidhje me arrestimin e avokatit Dyrmishi ka reaguar edhe dhoma e avokatisë, e cila e ka cilësuar arrestimin e avokatit një akt absurd, pasi kërkesa e avokatit ishte më se normale. /Shekulli Online /


Ish-Gjyqtari Akuzon Gazetarët

Prishtinë, 22.03.2012 - Gjykatësja Shadije Gërguri i njoftoi palët se e ka pranuar një qëndrim parimor të mbledhjes së përgjithshme të Gjykatës Supreme të Kosovës që ka të bëjë me veprat penale të shpifjes dhe fyerjes. “Shpifja”, tani duhet të paraqitet si padi civile në gjykatën komunale.

Në Gjykatën Komunale në Prishtinë, të enjten, u mbajt seanca gjyqësore, në të cilën ish-gjyqtari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Selman Bogiqi, kishte ushtruar padi private për shpifje, kundër gazetarit Kastriot Jahaj.

Sipas padisë, Bogiqi pretendon se janë bërë shpifje kundër tij, në një shkrim botuar në të përditshmen “Koha Ditore”, ku Jahaj punonte më herët. Bogiqi e ka paditur edhe gazetarin tjetër të kësaj gazete, Vehbi Kajtazin, me një padi të veçantë dhe një padi tjetër, ku akuzohen të dy gazetarët së bashku. 
Gjykatësja Shadije Gërguri i njoftoi palët se e ka pranuar një qëndrim parimor të mbledhjes së përgjithshme të Gjykatës Supreme të Kosovës që ka të bëjë me veprat penale të shpifjes dhe fyerjes. “Shpifja”, tani duhet të paraqitet si padi civile në gjykatën komunale. Prandaj, gjykatësja tha se e shtyn seancën për afat të pacaktuar, deri sa të marrë një vendim lidhur me këtë vepër penale. 

Në këtë seancë, Bogiqi e ka ofenduar disa herë Kastriot Jahajn dhe avokatin e tij, Tomë Gashi. Edhe pse gjykatësja Gërguri ia ka tërhequr vërejtjen ish-kolegut që të ketë sjellje korrekte, Bogiqi ka vazhduar ofendimet. Mes tjerash, ai e ka quajtur gazetarin “qen”, kurse avokatin “spiun të Milosheviqit”.

Pas insistimeve të Jahajt dhe avokatit të tij që të gjitha fyerjet të evidentohen, gjyqtarja ka vendosur që t’i konstatojë në procesverbal vetëm një pjesë të fyerjeve. 
Në fund, gjyqtarja Gërguri nuk ka dashur që ta nënshkruajë procesverbalin e seancës, që iu është dorëzuar palëve, për çka Jahaj ka reaguar sërish. 
“Kjo është një shkelje e rëndë procedurale që e ka bërë gjyqtarja. Unë nuk kam kërkuar letër të rrugës që veç me pasë të shkruar diçka, por kam kërkuar dokument zyrtar të seancës gjyqësore”, tha ai, pas seancës.

“Gjyqtarja është e obliguar sipas Kodit të Procedurës Penale Të Kosovës që t’i evidentojë në procesverbal të gjitha ndodhitë në seancë, të mos i fshehë sjelljet e pahijshme dhe frustruese të dikujt si dhe ta nënshkruajë dokumentin”, shtoi Jahaj. 

Në anën tjetër, Bogiqi është ankuar se avokati Tomë Gashi nuk ka paraqitur autorizim me shkrim për ta përfaqësuar Jahajn. Ky i fundit shprehimisht e njoftoi gjykatësen se e ka angazhuar avokatin Gashi për ta përfaqësuar lidhur me këtë çështje. /www.gazetajnk.com/


Kërcënimi i Shpikur i Avokatit Tmava

Prishtinë, 05.09.2012 - Nga bisedat e tij telefonike të përgjuara, shihet se Ilir Tolaj i bie pishman për pjesën e parë të letrës të cilën e ka dërguar tek shefi i EULEX-it, Xavier De Marnhac, ku flet për gjoja kërcënimin që i kishte bërë prokurorja e rastit ndaj tij dhe avokatit të tij, Bajram Tmava. Tolaj shpreh frikë se misioni europian mund ta thërras avokatin dhe se ky i fundit mund të tregojë se letra nuk ishte shkruar nga ai.

Që nga koha e arrestimit të tij në janar të këtij viti, ish-Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, kishte bërë përpjekje të vazhdueshme për të diskredituar prokuroren Maria Bamieh për rastin e tij dhe të fitojë të drejtën për ndërrimin e prokurorit, gjë të cilën e lejon edhe ligji.

Tolaj ka bërë qindra telefonata nga burgu i Dubravës duke aranzhuar familjarë dhe shokë të tij me qëllimin e dëshmimit se Bamieh kishte marrë rastin e tij në nivel personal dhe se ajo e mban atë në paraburgim në mënyrë jo-ligjore.

Ai po ashtu ka shprehur shqetësimin e tij se nëse nuk lirohet para gjashtë muajve nga paraburgimi, ai do të humb vendin e punës në Ministrinë e Shëndetësisë.

Njëra mënyrë e tij për diskreditimin e prokurores Bamieh ishte një letër e përgaditur nga Tolaj ku flitej për kërcënimin që gjoja ajo i kishte bërë atij dhe avokatit Bajram Tmava dhe që i është dërgur shefit të EULEX-it, Xavier De Marnhac, Silvio Bonfigli udhëheqës i komponentes së drejtësisë në EULEX, Anne Signe Justesen, udhëheqëse e Prokurorisë Special të Republikës së Kosovës dhe një kopje prokurores së rastit, Maria Bamieh.

Letra figuron pa datë por në fillim të saj përshkruhet qëndrimi i prokurores Bamieh e cila ka qenë agresive me Tmavan dhe Tolajn “duke përdorur gjuhë kërcënuese e cila ka shprehur zemërimin e saj se pse unë dhe klienti im ‘vepronim trimërisht’ dhe dërgonim letra për tu ankuar kundër performancës së saj”.

Po ashtu, shefi i EULEX-it ishte njoftuar se arsyet e shtyrjes së paraburgimit të Tolajt ishin bërë në mënyrë të pajustifikueshme dhe se ajo e ka marrë këtë rast personalisht. Madje, ata e kishin quajtur prokuroren Bamieh gënjeshtare e cila gjatë intervistave dhe dëgjimeve në gjykatë, ka prezantuar fakte false dhe jo të vërteta.

Në një transkript të përgjimit, Selim Tolaj i përshkruan të pandehurit takimin që kishte pasur me avokatin Tmava i cili i kishte kërkuar atij versionin shqip të letrës për të kuptuar se çfarë po nënshkruante.

Gjatë një përgjimi telefonik, të datës 1 qershor 2012, Ilir Tolaj bisedon me Selim Tolajn në lidhje me këtë letër ku përmendin avokatin i cili i kishte thënë Selimit “ju përgaditeni letrën, unë e nënshkruaj dhe e vulosi dhe mund ta dërgoni ku keni dëshirë”.

Më në fund avokati Tmava kishte nënshkruar letrën e cila ishte në gjuhën angleze pasi që Selimi i kishte thënë “se do ta sjellim edhe në gjuhën shqipe”.

Më tutje, në përgjimin e datës 5 qershor, me fillim të orës 21:38, i pandehuri Tolaj konfirmon mendimin e Selimit i cili thotë se “ky budallai nuk do ta nënshkruante asnjëherë po ta dinte se çfarë po nënshkruante”.

“Jo, nuk do ta nënshkruante kurrë po ta dinte përmbajtjen”, tha i pandehuri Ilir Tolaj.

Në anën tjetër, avokati Tmava nuk e pranon se nuk e ka ditur përmbajtjen e letrës duke thënë se ajo letër është shkruar së pari në gjuhën shqipe.

“Unë qëndroj pranë çdo akti ku gjendet nënshkrimi im”, Tmava i tha Gazetës Jeta në Kosovë, duke mos treguar se ku, kur dhe si është kërcënuar.

Tmava kundërshton se nuk e dinte përmbajtjen e letrës dërguar shefit të EULEX-it, De Marnhac. “Ndoshta edhe e kam shkruar në gjuhën angleze. A e di anglishten a jo, kjo është çështje e imja private”, tha Tmava.

Prokuroria kishte përgjuar më shumë se 380 telefonata që ka bërë dhe ka pranuar Tolaj nga burgu i Dubravës, dokumente të cilat i ka në dispozicion Gazeta Jeta në Kosovë.

Gjatë këtyre përgjimeve, Tolaj në një bisedë telefonike me bashkëshorten e tij, Jasmina thotë se nuk është dashur të përfshihet kërcënimi në letër duke shprehur shqetësimin se “ajo (Bamieh) mund të thërras Tmavën dhe të kërkoj shpjegim nga ai për kërcënimin”.

“Ajo mund ta pyes Bajramin se a të kam kërcënuar unë? Jo. Çfarë ka ndodhur atëherë? Ata e kanë shkruar letrën vetë”, thotë Tolaj duke menduar në Tmavën.

Tolaj është arrestuar më 12 janar dhe që nga atëherë mbahet në paraburgim. Prokurorja angleze Maria Bamieh ka finalizuar hetimet duke ngritur aktakuzë kundër Bujar Bukoshit, Ilir Tolajt, Arbetina Pajazitit, Nexhat Shabanit, Ismet Hysenit, Hajrullah Fejzës, Zenel Kuçit, Bekim Fushës, Alban Thaçit, Basri Asllanit dhe Imer Ajetit për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave, keqpërdorim i autorizimeve ekonomike, lidhje të kontratave të dëmshme, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore për Nexhat Shabanin dhe Ilir Tolajn, kërkim ryshfeti-përpjekje për të marrë ryshfet, evazioni fiskal dhe pengim i provave.

Tolaj është i përfshirë në shumicën prej aktakuzave.

Në seancën e datës 23 gusht, prokuorja Baria Bamieh ka thënë në gjykatë se avokati Tmava dhe klienti i tij kishin bërë një raportim të rremë kriminal në lidhje me të. “Kam marra raporte nga policia në të cilat shihet se Tolaj me qëllim bëri akuza false të përkthyera në anglisht duke e ditur se avokati i tij do ta nënshkruante”, tha Bamieh. “Nivelet e larta në EULEX janë duke e hetuar rastin”.

Avokati Tmava, në po të njëjtën seancë, kishte thënë se ishte shokuar nga fjala e prokurores. “Unë qëndroj prapa çdo dokumenti që kam dërguar në gjykatë dhe EULEX”, kishte shtuar ai.

Në aktakuzë ndërkohë, kur flitet për pengim, Tolaj ngarkohet se ishte në kontakt me zyrtarët e ministrisë për të vonuar dhënien e dokumenteve që kërkonte prokurorja si dhe për planifikim dhe pohim se kishte neutralizuar “dëshmitarë të ndryshëm”. /gazetajnk/


Ndjekja e Bukoshit Është Kundërkushtetuese

Prishtinë, 03.09.2012 - Mbrojtësi i Bujar Bukoshit, avokati Besnik Berisha, tha se sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me imunitetet funksionale, ish-ministri i Shëndetësisë ka pasur imunitet në veprimet që i ka ndërmarrë brenda orarit të punës.
 
Mbrojtja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, pretendon se çështja e ngritur ndaj tij nga Prokuroria Speciale e Kosovës është kundërkushtetuese. Kjo, meqë sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me imunitetet funksionale, del se Bukoshi në kohën sa ishte ministër i Shëndetësisë ka pasur imunitet në veprimet që i ka ndërmarrë, duke ushtruar funksionin e ministrit dhe brenda orarit të punës së tij.
 
Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, të hënën pasdite ka vazhduar seanca për konfirmimin e aktakuzës ndaj ish-ministrit Bukoshi, dhe tani së fundmi zëvendëskryeministër i Kosovës; ish-sekretarit të Përhershëm, Ilir Tolaj, dhe ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie, të cilët ngarkohen për 10 vepra penale, përfshirë shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit, kërkim të ryshfetit, evazion fiskal e deri tek pengimi të mbledhjes së provave.
 
Mbrojtësi i Bujar Bukoshit, Besnik Berisha, prezantoi argumentet e mbrojtjes në gjuhën angleze, duke i arsyetuar të gjitha veprimet e të pandehurit Bukoshi të përmendura në aktakuzë.
 
Avokati Berisha deklaroi se çështja e ngritur ndaj Bukoshit është kundërkushtetuese, meqë sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me imunitetet funksional, del se Bukoshi në kohën sa ishte ministër i Shëndetësisë ka pasur imunitet në veprimet që i ka ndërmarrë, kjo pasi që ato veprime i kishte marrë sa ishte duke ushtruar funksionin e ministrit dhe brenda orarit të punës së tij.
 
Një kopje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, avokati Berisha ia la gjykatës.
 
Sipas këtij avokati, prokuroria ka bërë gabime esenciale kur e ka akuzuar Bukoshin për veprimet që i ka ndërmarr brenda përgjegjësive që i kishte si ministër. Ai tha se nuk mund të akuzohet dikush për dyshimet që i ka pasur për keqmenaxhim në ministrinë që e drejton. Po ashtu, shtoi se nuk mund të akuzohet dikush se ka pas dyshime dhe ato i ka paraqitur në prokurori.
 
“Prokurorja në aktakuzë thotë se kallëzimet penale janë të rrejshme, edhe pse nuk ka vendim gjyqësor që e thotë këtë”.
 
Më tutje, ai tha se prokurorja në aktakuzë thotë se i mbrojturi i tij ka udhëhequr një fushatë kundër kompanisë “Jona Med”, por pa treguar kohën kur ka filluar dhe kur ka përfunduar kjo fushatë.
 
Për mbrojtjen e Bukoshit, kontrata “1 plus 1” ishte e jashtëligjshme, pasi që nuk i njihte Ligji i Prokurimit Publik dhe nëse nuk është vazhduar një kontratë e tillë, sipas tyre, nuk do të thotë që është bërë qëllimisht.
 
Vetë Bujar Bukoshi, para gjykatëses, deklaroi se dyshimi që e paraqet atë si pjesë të grupit në fushatë kundër “Jona Med”-it, nuk ekziston. Si argument, për këtë, ai tha se sa ka qenë ministër, kjo kompani ka pasur tender në Ministrinë e Shëndetësisë.
 
“Asnjëherë, me asgjë dhe për asgjë, nuk kam qenë pjesë e grupit dhe nuk kam marrë pjesë në dëmtimin e dikujt”, shtoi ai.
 
Bashkë me Bukoshin, në seancën që është mbajtur në sallën e madhe të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, kishin ardhur edhe të pandehurit e tjerë me mbrojtësit e tyre. Disa nga ta i ka sjellë policia, meqë gjenden në arrest shtëpiak, ndërsa Ilir Tolaj, i pandehuri kryesor në këtë çështje, është sjellë nga burgu i Dubravës. Afër Tolajt ishin ulur avokati Bajram Tmava dhe një i huaj që dukej të ishte jurist, pasi që gjatë gjithë seancës lexonte disa dokumente nga dosja e Tolajt.
 
Që në fillim të seancës, prokurorja deklaroi se heq dorë nga akuza për të pandehurin e 9-të në këtë akuzë, Basri Asllanin, i cili akuzohej për shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit në bashkëveprim me Bukoshin, Tolajn e të tjerët.
 
Prokurorja Maria Bamieh, po ashtu, deklaroi se ka gjetur një konflikt interesi në këtë çështje penale, kjo pasi që avokati Osman Mehmeti, avokat mbrojtës i Bekim Fushës, ka qenë prokuror në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, dhe për këtë lëndë penale ka marrë një vendim për masat e fshehta të përgjimit të telefonave. Për prokuroren, kjo pos që është shkelje e etikës, po ashtu është edhe shkelje e ligjit.
 
Vetë avokati Mehmeti e pranoi se ka qenë prokuror dhe se shkresa ka emrin e tij, por tha se nënshkrimi në fund të dokumentit nuk është i tij, pasi që atë e kishte nënshkruar prokurorja Laura Pula.
 
Ai shtoi se asnjëherë nuk ka pas qasje në këtë lëndë, e as që ka ditur që ekziston një lëndë e tillë, derisa i mbrojturi i tij i kishte dorëzuar aktakuzën dhe shkresat për ta mbrojtur.
 
Seanca vazhdoi me kundërshtimet që i bëri avokati Ramiz Krasniqi, mbrojtës i Imri Ajetit. Ai deklaroi se aktakuza ishte joprofesionale dhe kishte shumë mangësi. “Bisedat që janë përgjuar janë biseda koti, e të akuzosh dikë në bazë të bisedave për veprimet që nuk janë ndërmarrë kurrë, është kthim i veprave penale verbale”, tha Krasniqi.
 
Seanca e konfirmimit të aktakuzës kundër 10 të pandehurve të mbetur në aktakuzë do të vazhdojë të mërkurën. /gazetajnk/


Shtyhet Konfirmimi i Aktakuzës Ndaj Pukës

Prishtinë, 30.08.2012 - Në Gjykatën e Qarkut në Pejë, të enjten, ishte paraparë që të mbahet seanca për konfirmimin e aktakuzës ndaj të pandehurit Kolë Puka, ish-gjyqtar i Gjykatës Komunale në Klinë, i cili akuzohet për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”. Por, ajo është shtyrë në mungesë të njërit prej avokatëve mbrojtës.
 
Prokuroria Speciale e Kosovës e ngarkon ish-gjyqtarin Puka, i cili tashmë po vuan dënimin me burg për një vepër tjetër penale, se i ka sjellë vetes përfitim të kundërligjshëm në shumën prej 71.000 euro.
 
I pandehuri Puka është paraqitur në seancë, së bashku me mbrojtësit e tij, Bajram Tmava dhe Ali Beka, ndërsa mungonte avokati Gëzim Kollçaku, si dhe të dëmtuarit me këtë vepër penale, B. E, GJ. H, N. A. dhe Z. E.
 
Pasi gjyqtari i EULEX-it, Vladimir Nikulla, konstatoi mungesën e avokatit Gëzim Kollçaku, i pandehuri kërkoi fjalën dhe deklaroi se Kollçaku nuk është më mbrojtës i tij, sepse nuk ka mjete financiare për t’i paguar tre mbrojtës.
 
Me pajtimin e të pandehurit, Gjykata do t’i caktojë atij një avokat sipas detyrës zyrtare.
 
Prokurori i rastit nuk u pajtua, duke theksuar se i pandehuri kishte për qëllim stërzgjatjen e procedurës.  Përkundër këtij kundërshtimi, gjyqtari Nikulla mori aktvendim për shtyrjen e seancës për datën 13 shtator.
 
Sivjet në maj, në Gjykatën e Qarkut në Pejë, një kolegj gjyqësor i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe vendas, dënuan me 5 vjet burg ish-gjyqtarin Puka për keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autorizimit. Atij iu shqiptua dhe masa alternative “ndalim i ushtrimit të detyrës zyrtare” për tri vjet.
 
Ndërkohë, sipas një aktakuze tjetër nga Prokuroria Speciale, Puka po gjykohet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, nën dyshimet se ka keqpërdorur qindra mira euro përmes kompanisë së sigurimit Kosova, në likuidim.
 
Puka akuzohet se në kohën sa ishte gjykatës ka qenë i implikuar në krim të organizuar, nga neni 274, e dënueshme me gjobë prej 500.000 euro dhe burgim deri në 20 vjet; për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit nga neni 339, e dënueshme deri në 8 vite burgim; nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore nga neni 346, e dënueshme prej 6 muajve deri në 5 vjet burgim; mashtrim, nga neni 261, e dënueshme me gjobë prej 15.000 euro ose me burg prej 6 muajsh deri në 5 vjet; falsifikim të dokumenteve dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve, nga neni 332, e dënueshme me gjobë ose me burg deri në 3 vjet; shmangie nga tatimi nga neni 249, e dënueshme deri në 5 vite burgim dhe pastrim i parave sipas rregullores së UNMIK-ut 2004/02. /gazetajnk/


Hana Qarkulloi 300 Mijë € në Llogarinë Bankare

Prishtinë, 29.08.2012 - Autoriteti Bankar i Kosovës e kishte caktuar Hilmi Hanën, tani i ndjerë, si likuidator të kompanisë së sigurimeve “Kosova”. Kolegji i gjykatësve dëgjoi nga hetuesi policor, Alban Musliu, se policia kishte gjetur se në vetëm njërën nga llogaritë bankare të Hanës kishin qarkulluar 300 mijë euro. Në atë kohë, vlera e lëndëve të kompensuara ka qenë dy milionë euro.
 
Kolë Pukës, ish-gjykatës nga Klina, i akuzuar për shumë vepra penale dhe i dënuar me pesë vjet burgim, i ndihmonte dikush në realizimin e kërkesave për kompensimin e dëmeve.
 
Kur kompania e sigurimeve ishte në likuidim, asaj i ishte caktuar një likuidator i cili detyrë kryesore do të kishte pranimin e kërkesave dhe miratimin e kërkesave nga palët e treta që i kishin për kompaninë në likuidim.
 
Autoriteti Bankar i Kosovës e kishte caktuar Hilmi Hanën, tani i ndjerë, si likuidator të kompanisë së sigurimeve “Kosova”.
 
Në komision ishin dhe dy persona të tjerë, e të cilët vlerësonin se a janë të vlefshme kërkesat, por që nuk kishin autoritet që të vendosnin. Për kërkesat dhe lejimin e mjeteve vendoste vetë Hana.
 
Kolegji i gjykatësve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, gjatë paradites së të mërkurës, dëgjoi nga hetuesi policor, dëshmitar në këtë çështje, Alban Musliu, se si policia kishte gjetur se në llogarinë e Hilmi Hanës kishin qarkulluar 300 mijë euro, dhe atë vetëm në Pro Credit Bank, ndërsa në NLB Prishtina më shumë se 8 mijë euro.
 
Hanës, policia ia kishte “zbuluar” edhe një pronë në lagjen Dardania në Prishtinë, në hapësirë prej 500 metrash katrorë.
 
Sipas dëshmitarit Musliu, në kohën sa Hana ishte likuidator, vlera e lëndëve të kompensuara ka qenë më shumë se 2 milionë euro. Ndërkaq, sipas kallëzimit penal, dyshohet se janë keqpërdorur 1 milion e 300 mijë euro, në atë kohë.
 
Nga raporti financiar që policia kishte bërë, kishte dalë se Hana kishte tërhequr vetëm njëherë 1 mijë euro nga PCB, ndërsa shumica e parave në llogari ishin të deponuara kesh, e aty kishte para edhe nga rroga e tij.
 
Dëshmitari tha se policia në vitin 2009 kishte ngritur kallëzim penal kundër Hilmi Hanës, edhe pse ai kishte vdekur më 23 gusht 2008. Por, prokurori e përmirësoi dëshmitarin duke i treguar se policia ka përfshirë në kallëzim penal veprimet e Hilmi Hanës, mirëpo nuk e ka përfshirë atë si të pandehur në kallëzim penal.
 
Dëshmitari Musliu tregoi se në zyrën e të pandehurit, Zef Marleku, gjatë bastisjes i janë gjetur 5 dëftesa të tërheqjes së parave në emër të tij nga i pandehuri tjetër Kolë Puka. Këto dëftesa ishin gjetur në njërën nga dosjet e Zef Marlekut.
 
Arif Hoti ishte dëshmitari nga Banka NLB Prishtina, i cili dëshmoi për llogarinë e ngrirë të Hilmi Hanës në këtë bankë. Ai njoftoi kolegjin se cfarë veprime kishte ndërmarrë NLB Prishtina pas urdhëresave të lëshuara nga gjykata. Dëshmitari tregoi se gjendja aktuale e llogarisë së Hilmi Hanës ishte 8702 euro.
 
Avokati Tahir Rrecaj, mbrojtësi i Kolë Pukës, propozoi që si dëshmitar në këtë çështje të dëgjohen Fran Musolli, Ndue Marku, Hanife Raci, Bekim Vrella dhe Fatbardh Makolli. Arsyeja e mbrojtësit të pandehurit Puka ishte se këta dëshmitarë do të provonin bashkëpunimin që kishin pasur Puka e Marleku.
 
“Zefi e ka ndihmuar Kolën në kryerjen e mashtrimeve”, deklaroi avokati Rrecaj.
 
Kjo u kundërshtua nga avokati Tomë Gashi, mbrojtësi i të pandehurit Zef Marleku. Sipas tij, këta dëshmitarë nuk janë relevantë për këtë çështje penale, meqë janë të dëmtuar në një çështje tjetër penale.
 
Prokurori nuk i kundërshtoi asnjërin nga dëshmitarët. Sipas tij, këta dëshmitarë do ta ndihmojnë prokurorinë që ta paraqesë rastin sa më mirë.
 
Kolegji me vendim pranoi dëgjimin e këtyre dëshmitarëve, po ashtu caktoi 2 tetorin si datë për dëgjimin e tyre.
 
Avokati Gashi më pas propozoi që si dëshmitar të dëgjohen 32 dëshmitarë të mbrojtjes, të cilët do të tregojnë se çfarë ishin veprimet e Zef Marlekut në këtë çështje, dhe se nga kush i kanë marrë parat e zhdëmtimit.
 
Kolegji refuzoi një propozim të tillë, por tha se do ta konsiderojë prapë nëse është e nevojshme.
Seanca e radhës në këtë çështje do të mbahet me 1 tetor.
 
Sivjet, në maj, Gjykata e Qarkut në Pejë e dënoi ish-gjyqtarin Puka me 5 vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ose të autorizimit. Avokati Lon Palushaj u dënua me tre vjet, dhe mjeku Bedri Bakalli me 6 muaj, që të dy për mashtrim.
 
Ata akuzoheshin për kurdisje të raporteve nga ndeshjet në komunikacion duke i shkaktuar humbje kompanisë së sigurimeve “Fondi i Garancisë së Kosovës”.
 
Kurse në korrik, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të re për Pukën, për veprat penale shpërdorim i detyrës zyrtare, ose i autorizimit, dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimit gjyqësor. /gazetajnk/


Jahjaga Dekretoi 42 Gjyqtarë Komunalë

Prishtinë, 28.08.2012 - Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, dekretoi të martën 42 gjyqtarë, të cilët do të shërbejnë nëpër gjykatat komunale dhe ato për kundërvajtje të Kosovës.
 
Dekretimi u bë duke u bazuar në nenin 84 pika 16, nenin 104 pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në nenin 18 pika 1 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, si dhe duke u bazuar në vendimet e datës 16 korrik 2012 të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.
 
Betimin para Presidentes Jahjaga e dhanë këta gjyqtarë: Vjollca Limani, Salihe Berisha - Ahmetaj, Anita Nikqi - Morina, Beqir Kalludra, Latif Xhemajli, Manushe Karaqa, Blerim Igrishta, Saranda Bogaj – Sheremeti dhe Shpend Krasniqi, të cilët do të shërbejnë në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë.
 
Mehmet Emini, Elheme Paçarada dhe Xhevat Begolli do të jenë gjyqtarë në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Podujevë; Nazife Beqiri, Arben Hoti dhe Krenar Berisha, gjyqtarë në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Ferizaj; kurse Servet Morina në Shtërpcë.
 
Si gjyqtarë në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Lipjan janë dekretuar Shasivar Hoti, Rrustem Begolli dhe Besim Kaloshi; në atë të Pejës - Gjejrone Alaj dhe Bujar Hoxha; në Klinë - Bajram Dreshaj dhe Myfera Hoxha.
 
Melihate Grubi, Ilirjana Hoti, Menduhije Syla dhe Muhamet Delija do të shërbejnë gjyqtarë në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Gjakovë; Gjimshit Galushi dhe Agron Hoxhaj, në Gjykatën për Kundërvajtje në Prizren; Mizahir Shabani dhe Flamur Hasku, në Rahovec; Besim Susuri në Dragash dhe Rafet Ismajli në Skenderaj.
 
Menduhi Kastrati do të jetë gjyqtar në Gjykatën Komunale në Malishevë; Nehat Qelaj dhe Ilir Rashkaj, gjyqtarë në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Malishevë; Sabit Rama, Namon Merovci, Florije Syla dhe Sabit Pllana do të shërbejnë në Mitrovicë dhe Veli Kryeziu e Ramush Ademi në Gjilan. /gazetajnk/


Nuhi Uka të Enjten në Gjykatë

Prishtinë, 28.08.2012 - Ish kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka, do dalë të enjten para gjykatës për t’u përballur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore.
 
Seanca për konfirmim e aktakuzës është caktuar të mbahet të enjten në Gjykatën e Qarkut në Prizren, kanë konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, burime nga kjo gjykatë.
 
Në seancë pritet të marrin pjesë edhe të akuzuarit e tjerë, në mesin e të cilëve dhëndri i Nuhi Ukës, avokati Gazmend Gashi; ish-gjyqtarët e Gjykatës Komunale, Olga Janiçijeviq, Sanije Muçolli, Shemsije Sheholli dhe Jehomir Milaliq; ish-gjyqtarët e Gjykatës së Qarkut, Ekrem Agushi, Ferid Bislimi e Rrahman Retkoceri; si dhe juristja e kombinatit bujqësor “KBI Kosova Eksport”, Hasnije Balidema.
 
Mbi të gjithë këta të akuzuar rëndojnë akuzat për tjetërsim të pronës shoqërore në pronë private, veprim ky i cili ka shkaktuar një dëm prej rreth 60 milionë eurosh.
 
Tokat shoqërore të cilat me vendim të këtyre gjyqtarëve u janë kthyer në prona private ndodhen në Çagllavicë, Veternik dhe Llapnasellë dhe kryesisht i përkisnin ndërmarrjes shoqërore “Kosova Eksport”.
                                                                                  
Akuza për këtë rast është ngritur nga një prokuror i EULEX-it dhe akuza është dërguar për t’u konfirmuar në Gjykatën e Prizrenit, për shkak të mundësisë së konfliktit të interesit, pasi që shumica nga të akuzuarit kishin qenë deri para një viti, gjyqtarë në Prishtinë. /gazetajnk/


Avokati Tmava: Nuk i frikësohem askujt përveç ligjit

Prishtinë, 23.08.2012 - Seanca e sotme gjyqësore për konfirmimin e aktakuzës të rastit Bukoshi e Tolaj dhe ndaj nëntë të tjerëve, ka nisur me deklaratat e prokurores së rastrit, e cila ka reaguar ndaj deklaratave të djeshme që i ka dhënë para mediave Bajram Tmava, avokat i Ilir Tolajt, duke thënë se dje Tmava ka bërë shpifje ndaj saj.
 
Lidhur me këtë Tmava ka thënë se qëndron prapa deklaratave të tij, dhe ka shtuar se nëse prokurorja ka dëshmi, se ai i ka tejkaluar autorizimet e tij ligjore, të mos e kursejnë atë. Tmava ka pohuar se nuk i frikohet askujt, përveç ligjit.
 
“Unë derisa jam avokat mbrojtës nuk do t’ia lejoj askujt, e as prokurorëve vendorë, e as prokurorëve të EULEX-it, që të më shet dikush ‘dushk për gogla’. Prokurores sot haptas i kam dhënë përgjigje edhe qëndroj në tërësi prapa saj. Unë i kam thënë prokurores se jo nga një prokuror, por jam thirr në çështjen penale, në cilësi të dëshmitarit dhe si dëshmitarë të zotri Tolajt, ajo është diskrecioni, konfidencialitet mes avokatit dhe mbrojtësit dhe është rreptësisht e kodifikuar, dhe mund të zbulohet një konfidencialitet i tillë vetëm ateherë kur të ekzistojë çështja e rrënimit të sistemit shtetërorë, në raste të terja asesi. Unë jam i gatshëm i kam thënë sot prokurores që për çdo akuzë që pretendon prokurorja se e kam kryerë, e nëse kam dal jashtë suazave ligjore jam i gatshëm mu ballafaqu me të gjithë”, ka thënë ai.
 
Tmava gjatë seancës ka deklaruar, se deklarimet dhe qëndrimet e prokurores nuk i sheh ndryshe, po si presion ndaj tij dhe klientit të tij.
 
Kurse avokati mbrojtës i palës së dëmtuar, në këtë rast kompanisë “Jona Med”, Arianit Koci, ka thënë se procedimi i kësaj lënde, nuk ka qenë inicim ose iniciativë e “Jona Med”-it. Sipas tij, krejt kjo ka rrjedh, kur është bërë një paraqitje penale, nga ana e ish-ministrit Bujar Bukoshi, për kinse krim të organizuar dhe përvetësim të fondeve, me çka është akuzuar “Jona Med”.
 
Por sipas tij, kur është ftuar pronari i “Jona Med”, Bekim Deshishku, që të jap përgjegjësi për ato pretendime, ai në mënyrë të argumentuar ka dëshmuar, se ai është palë e dëmtuar dhe nuk është ai i cili ka kryer vepër penale.
 
“Kur është ftuar pronari i “Jona Med” që të jep përgjegjësi për ato pretendime, ai në mënyrë të argumentuar ka dëshmuar se ai është pala e dëmtuar dhe nuk është ai, i cili e ka kryer veprën penale, më pastaj kjo procedurë e ka marrë rrjedhën e vet. Fare nuk ka qenë e lidhur me “Jona Med”, ka thënë ai.
 
Në këtë seancë me deklaratat e tyre, është paraqitur edhe mbrojtja e Zenel Kuçit, ku avokati i tij, Xhevdet Shala, ka thënë se prokurorja nuk ka gjetur asnjë dokument që dëshmon për pasojat e veprimit apo mosveprimit të klientit të tij. Ai më tej ka shtuar që pretendimi se janë lidhur kontrata të dëmshme nuk qëndrojnë dhe ka kërkuar nga gjykatësja që edhe këtë pikë të aktakuzës ta hedhë poshtë. Ai po ashtu ka shtuar se klienti i tij në kohën sa ishte në krye të Departamentit të Prokurimit, ka kursyer mbi 4 milionë euro. Sipas tij, duke marrë për bazë një aktakuzë të pabazë, ka kërkuar që konformë nenit 316, pika 1, 2 dhe 4 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës të merret aktvendim, me të cilin do t’i hedhë poshtë të gjitha akuzat ndaj tij dhe të pushohet procedura ndaj klientit të tij.
 
Gjithashtu, në këtë seancë është paraqitur edhe mbrojtja e Nexhat Shabanit, ku avokatja e tij, Sabrie Jashari, e cila tha se klienti i saj akuzohet për dy akuza, përshkrimi i të cilave është pothuajse i njëjtë, ku në këtë rast, sipas saj, do të mund të ishte edhe një aktakuzë e vetme. Edhe ajo, sikurse kolegët e saj parafolës, ka kundërshtuar pikat e aktakuzës që rëndojnë mbi klientin e saj, duke thënë se prokurorja nuk ka qenë në gjendje të ofrojë asnjë fakt që e dëshmon se klienti i saj i ka kryer veprat, me të cilat akuzohet. Kurse vetë i pandehuri, Nexhat Shabani, është deklaruar se e kundërshton në tërësi aktakuzën për të cilën akuzohet.
 
Ndërsa Osman Mehmeti, avokat mbrojtës i të pandehurit Bekim Fusha, ka thënë se sa i përket aktakuzës “shpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit” që rëndon mbi klientin e tij, klienti i tij nuk e ka bërë një vepër të tillë, duke shtuar se i mbrojturi i tij ka qenë vetëm anëtar i komisionit dhe e ka kryer detyrën konformë nenit 339. Edhe ai ka ndarë mendimin e bashkë kolegëve të tij, se as ndaj klientit të tij prokurorja nuk ka arritur që të sigurojë fakte që i dëshmojnë pikat e aktakuzës. Gjithashtu, edhe ai i ka propozuar gjykatëses që t’i hedhë poshtë pretendimet që janë parashtruar në aktakuzë, t’i veçojë ato nga shkresat e lëndës dhe të pushojë çdo procedurë ndaj të mbrojturit të tij.
 
Po ashtu edhe mbrojtja e Alban Thaçit, është deklaruar se aktakuza nuk është hartuar në përputhje me dispozitat e KPPK-së. Avokati i tij, Ahmet Ahmeti i është referuar marrjes në pyetje të të mbrojturit të tij, duke thënë se ai është marrë në pyetje dy herë, ku në herën e parë është marrë si dëshmitar, kurse në herën e dytë është marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit. Avokati ka shtuar se prokurorja në të dyja rastet e marrjes në pyetje të klientit të tij e ka bërë pa praninë e mbrojtjes, që e cila, sipas tij, është në kundërshtim me ligjin dhe ka shtuar se ato deklarata duhet të shpallen si të papranueshme dhe të veçohen nga shkresat e lëndës. Ai ka kërkuar që ato deklarata të klientit të tij të hedhen poshtë në bazë të nenit 154, paragrafi 1 dhe 4. Kurse vetë i pandehuri, Alban Thaçi, ka shtuar në këtë rast se ai është në gjykatë me të vetmen arsye se e ka thënë të vërtetën dhe se nuk ka pranuar të japë deklarata që do t’i shkonin në favor të prokurores.
 
Në këtë seancë është paraqitur edhe mbrojtja e Basri Asllanit, ku avokati i tij Bajram Sherifi, po ashtu i ka kundërshtuar pretendimet e prokurores që janë paraqitur në aktakuzë ndaj klientit të tij.
 
Seanca e radhës në këtë rast do të vazhdojë me 3 shtator, prej orës 9 e 30 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku pritet të paraqitet edhe mbrojtja e Bujar Bukoshit. (Kosovapress) 


Denoncohet prokurori për uzurpim të shtatë hektar tokë

Prishtinë, 22.08.2012 - Prokurori i Qarkut të Prishtinës, Agron Calaj, dyshohet se është i përfshirë në veprën penale të pushtimit të paligjshëm të pasurisë së paluajtshme, paraparë nga neni 259 i KPK-së.
Heshtjen e kryeprokurorit Ismet Kabashi përballë fakteve, eksperti i çështjeve juridike e kushtetuese, Riza Smaka e ka quajtur papërgjegjësi juridike dhe morale, shkruan Kosova Sot.

 
Më tej ai ka shënjestruar lidhjet nepotike që kanë kapur sot sistemin e drejtësisë, ku bën pjesë edhe Prokuroria. “Duhet ndaluar zinxhiri që është formuar dhe që po vijon të shtohet me emra jo dinjitozë, për të mos u ripërsëritur këto probleme që po ndodhin sot. Dhe, kjo ndalje nis që nga propozimi i kandidatëve për prokurorë dhe gjykatës”./Kosovasot/


U lexohet aktakuza

Prishtinë, 21.08.2012 - Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë të martën është lexuar aktakuza ndaj ish-zëvendëskryeministrit dhe ish-ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, ish-sekretarit të MSH-së, Ilir Tolajt dhe nëntë të akuzuarve të tjerë. Të gjithë të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
 
Bujar Bukoshi, Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Nexhat Shabani, IsmetHyseni, Hajrullah Fejza, Zenel Kuçi, Bekim Fusha, Alban Thaçi, Basri Asllani dhe Imer Ajeti, akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave, keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.
 
Kurse, Nexhat Shabani dhe Ilir Tolaj, akuzohen edhe për lidhje të kontratave të dëmshme, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, si dhe kërkim ryshfeti - përpjekje për të marrë ryshfet, evazion fiskal dhe pengim i provave.
 
Lidhja e kontratave në fjalë, sipas aktakuzës, vlerësohet se e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës për 1.4 milionë euro.
 
Besnik Berisha, avokat mbrojtës i Bujar Bukoshit, ka thënë pas seancës se klienti i tij akuzohet për gjëra të cilat ai nuk ka të bëjë aspak me to. Ai ka shtuar se Bukoshi ka bërë veprime në kuadër të ligjit dhe kompetencave të tij, si dhe në interes të qytetarëve.
 
“Zotëri Bukoshi nuk ka të bëjë aspak me veprimet, të cilat i ka paraqitur prokuroria dhe që janë ndërlidh me grupin prej 10 vetash. Ai është konkludim i pabazuar i prokurorisë, ajo mendon se zotëri Bukoshi ka rënë në lajthitje, është keqpërdorur nga zotëri Tolaj, por e vërteta është se prokuroria i bazon në supozime, përkatësisht në konkludime të pabazuara. Zotëri Bukoshi ka bërë veprime në kuadër të ligjit dhe kompetencave të tij, në interes të qytetarëve dhe të misionit të tij si prijës i Ministrisë së Shëndetësisë dhe për këtë sigurisht se s’ka arsye as të pendohet”, ka thënë ai.
 
Kurse Ramë Gashi, avokat mbrojtës i Hajrullah Fejzës, ka thënë pas seancës se ka kërkuar nga trupi gjykues që t’i hedhë poshtë gjitha pikat e aktakuzës ndaj klientit të tij, pasi siç tha ai, i mbrojturi i tij nuk ka bërë veprime që do të cilësoheshin si vepra penale.
 
“Unë si mbrojtës i Hajrullah Fejzës, kam kundërshtuar të gjitha pikat e akuzës dhe jam munduar të japë prova dhe shënime konkrete, se aktakuza për zotëri Fejza është krejtësisht e pa themel. Ju më në fund e patë se kishte një reagim jo të bazuar në ligj të prokurores, duke kundërshtuar dorëzimin e provave, por megjithatë gjykata vendosi në mënyrë të drejtë dhe i pranojë provat që sot u dorëzuan nga ana e mbrojtjes dhe sigurisht se ato prova do të jenë pjesë e të gjitha shkresave të lëndës dhe do të jenë në shqyrtim nga ana e gjykatës”, ka thënë ai.
 
Gashi ka shtuar gjatë seancës se nuk ka prova të mjaftueshme që e vërtetojnë fajësinë e klientit të tij. Sipas avokatit Gashi, i mbrojturi i tij Hajrullah Fejza, gjatë kohës për të cilën akuzohet, ka pasur postë civil në Ministrinë e Shëndetësisë dhe se në panelin vlerësues të tenderëve kishte vetëm rol këshillues për zyrtarin e prokurimit dhe jo rol ekzekutues për asnjë rast.
 
Ndërsa vetë i pandehuri, Hajrullah Fejza, shtoi me këtë rast për pikën tetë të aktakuzës, duke thënë se më herët dëshmitari Fadil Lubeniqi kishte deklaruar se e posedon një video incizim ku flet se Hajrullah Fejza (i pandehuri) i kërkon atij mito, kurse më vonë, shton Fejza, vetë Fadil Lubeniqi deklaron se nuk posedon asnjë video incizim që e dëshmon se ai i ka kërkuar mito.
 
Gjithashtu, në këtë proces janë të përfshirë edhe palët e dëmtuara, të cilat pas seancës nuk janë deklaruar për media. /kosovapress/


Tetë ish-gjyqtarë akuzohen për korrupsion

Prishtinë, 21.08.2012 - EULEX-i ka akuzuar dhjetë vetë, ndër ta tetë gjyqtarë për korrupsion në procesin e privatizimit të një kompanie shtetërore në Kosovë, ka njoftuar të martën misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.
 
Ish-kryetari i gjykatës së Prishtinës dhe shtatë ish-gjyqtarë janë ndër personat e akuzuar për aferën e hetuar nga EULEX-i. Po ashtu akuza është ngritur edhe ndaj një avokati dhe një përfaqësuesi të kompanisë së privatizuar, thuhet në deklaratën e EULEX-it.
 
Mbi gjyqtarët rëndon akuza e “abuzimit me postin zyrtar dhe autoritetin, si edhe mbështetje në marrjen e vendimeve, që bien ndesh me ligjin”, vazhdon deklarata. Dyshohet se ata janë të përfshirë në 15 raste të lidhura me firmat publike.
 
Agjencia e lajmeve AFP, e cila ka publikuar lajmin, përmend se qeveria e Kosovës është marrëse e më shumë se 600 milionë eurove nga procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, raporton DË.
 
Mediat vendase dhe ekspertët ekonomikë, thekson AFP, ngrenë shqetësimin se procesi është kthyer në një terren të lulëzuar të korrupsionit, që mbetet edhe problemi kryesor për vendin dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe lokalë.
 
Sipas indeksit të korrupsionit të publikuar në vitin 2011 nga Transparency International, Kosova është renditur e 112-ta në radhën e 183 vendeve të marra në analizë nga organizata prestigjioze.
 
Ndërkohë në fillim të këtij muaji ishte ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi dhe 10 zyrtarë të tjerë të kosovarë, që u akuzuan për korrupsion dhe marrjen e ryshfeteve për të dhënë kontrata të rëndësishme në fushën e shëndetësisë. /Telegrafi/


Gjykata për Kundërvajtje e Istogut me vetëm një

Istog, 19.08.2012 -  Gjykata për  Kundërvajtje  në Istog  ka më shumë se dy  vjet  që ka mbetur vetëm me një gjyqtar, i cili krahas kësaj pune  kryen edhe funksionin e kryetarit të kësaj gjykate.

Kryetari i kësaj gjykate, Gani Rugova, thotë se ka bërë kërkesë edhe për 1 gjyqtar, por deri më tash nuk ka marrë ndonjë përgjigje pozitive, por shpreson se kërkesa e tij një ditë do të bëhet realitet dhe me këtë do t’ i lehtësohen sadopak puna e tij prej gjyqtari.

“ Në 6- mujorin e parë të këtij viti kanë hyrë në punë 2840  lëndë të natyrës së ndryshme gjyqësore, ndërsa janë zgjidhur 2709 prej tyre “, thuhet në raportin e punës së kësaj gjykate.

Ndërkaq, Rugova  sqaron se numri më i madh i lëndëve gjyqësore të hyra në punë në këtë gjykatë deri më tash kanë qenë nga lëmi e komunikacionit, ndërsa numri i lëndëve nga ekonomia dhe prishja e rendit dhe qetësisë publike ka qenë shumë më i vogël, por megjithatë ka pohuar se prioritet gjatë procesit gjyqësor i është dhënë atyre të prishjes së rendit dhe qetësisë publike dhe atyre nga lëmi e ekonomisë.

“  Nga lëmin e komunikacionit kanë hyrë në punë  2648 lëndë ,  janë zgjidhur 2519 prej tyre,  65 lëndë nga ekonomia  , janë zgjidhur 51, ndërsa nga 23 lëndë të prishjes së rendit dhe qetësisë publike janë zgjidhur 22 prej tyre ”,  sqaron raporti. 

Dhe për zgjidhjen e përgjithshme të lëndëve të mbetura Rugova  thotë se në këtë gjykatë ka nevojë edhe për së paku për 1 gjyqtar tjetër, ndërsa bën të ditur  për këtë ka bërë edhe kërkesë në organin përkatës, por deri më tash nuk ka marrë ndonjë përgjigje pozitive.

“ Kam bërë kërkesë edhe për një gjyqtar dhe po pres që të më aprovohet pozitivisht një kërkesë e tillë”, ka thënë ai.

Ai pohon se  kjo gjykatë para ardhjes së tij në pozitë të kryetarit ( 2010) kishte tre gjyqtarë, ndërsa tash ka mbetur i vetmuar./koha/
 


Marrëveshje bashkëpunimi mes Këshillit Prokurorial dhe Fakultetit Juridik

Prishtinë, 06.08.2012 - Në gjykatoren e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës sot u nënshkrua marrëveshje mirëkuptimi në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Ky memorandum ka për qëllim realizimin e punës praktike në prokuroritë e vendit, për studentët e vitit të fundit të studimeve në Fakultetin Juridik, për të përmirësuar dhe ngritur cilësinë e edukimit të lartë në fushën e së drejtës, si dhe të zhvillimit të aftësive dhe shkathtësive profesionale të tyre.

Kjo marrëveshje vlen tre vite nga data e hyrjes në fuqi dhe mund të vazhdohet me pëlqimin e palëve nënshkruese.

Memorandumin e nënshkruan kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi, dhe dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Bajram Ukaj.


Rriten kallëzimet penale për korrupsionin

Prishtinë, 6.08.2012 - Jo të gjithë zyrtarët e sistemit prokurorial në vend mund të kenë qasje në databazën e krijuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të cilën, sipas zyrtarëve të Prokurorisë së Shtetit, e kanë të gjitha prokuroritë e vendit. Databaza e cila thuhet se përmban informacione për proceset hetuese, të cilat zhvillohen nga prokuroritë e ndryshme, është e qasshme vetëm për zyrtarë të caktuar.
 
“Baza e shënimeve në vete mban të dhëna në të cilat mund të kenë qasje vetëm një pjesë e caktuar e zyrtarëve të autorizuar, duke pasur parasysh rëndësinë e mbrojtjes së hetimeve dhe ndjekjeve penale”, ka deklaruar për gazetën Ehat Miftari, drejtor i Njësitit për Vlerësim të Performancës në Prokurorinë e Shtetit. Ndërsa ka sqaruar se qasja në databazë është e pamundur edhe për qytetarët.
 
“Qytetarët nuk mund të kenë qasje në këtë databazë pasi kjo do të ishte në kundërshtim me Ligjin mbi mbrojtjen e të dhënave personale dhe do të dëmtonte hetimet që zhvillohen ndaj personave që hetohen”, është shprehur Miftari për “Koha Ditore”.
 
 
Ndërkohë Miftari ka bërë me dije se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti prokuroritë kanë zgjidhur gjithsej 195 kallëzime penale me 415 persona e që, siç ka thënë Miftari, “nëse prokuroritë edhe gjatë gjashtëmujorit të dytë do të zgjidhin lëndë me këtë temp, atëherë pritet që edhe këtë vit prokuroritë të jenë më efikase në zgjidhjen e lëndëve krahasuar me vitin paraprak”.
 
Ky zyrtar ka treguar edhe statistikat lidhur me rastet e pranuara për korrupsion që nga viti 2008 e tutje.
 
“Gjatë vitit 2008 janë parashtruar gjithsej 82 kallëzime penale të kësaj natyre, kundër 464 personave, në 2009 prokuroritë kanë pranuar gjithsej 239 kallëzime penale me 437 persona ose për 191.46 për qind më shumë kallëzime, krahasuar me kallëzimet e pranuara në vitin 2008, gjatë vitit 2010 janë parashtruar gjithsej 263 kallëzime penale me 634 persona, krahasuar me vitin 2009, numri i kallëzimeve të pranuara penale është rritur për 10.04 për qind. Kurse në vitin 2011 janë parashtruar gjithsej 369 kallëzime penale me 820 persona, krahasuar me vitin 2010, është regjistruar rritje e kallëzimeve të pranuara penale për 40.30 për qind”, ka deklaruar Miftari. /Koha/


Këshilli Gjyqësor i Kosovës reagon ndaj serisë së shkrimeve denigruese të gazetës “Kosova Sot”

U bënë tri vite që “Kosova Sot” insiston në fushatën e saj joparimore kundër të gjithë sistemit gjyqësor të Kosovës. Për fat të keq të opinionit publik, të etikës së gazetarisë dhe dinjitetit të sistemit gjyqësor, kjo fushatë është personalizuar në mënyrën më joprofesionale dhe joetike të mundshme, duke pasur si cak të vetin U.D. të Kryetares së Gjykatës Komunale në Prishtinë, Makifete Saliuka, si dhe individë të tjerë të sistemit gjyqësor.
 
Ndjejmë të nevojshme të ritheksojmë, për hir të informimit të saktë të publikut të gjerë, se kjo fushatë kundër gjyqtares Saliuka është kryekëput e motivuar për arsye personale të pronarëve të kompanisë Interpress, që është pronare edhe e gazetës “Kosova Sot”. Gjyqtarja Saliuka, gjatë kryerjes së detyrës së saj në këtë pozitë, ka trajtuar një lëndë civile në të cilën e paditur ka qenë kompania Interpress, pronare e gazetës “Kosova Sot”. Aktgjykimi i nxjerrë nga Gjyqtarja Saliuka, një pjesë e të cilit u konfirmua nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe nga Gjykata Supreme e Kosovës, e ka gjetur kompaninë Interpress përgjegjëse për kompensim dëmi ndaj një punëtori të kompanisë, i cili gjatë punës ka humbur një pjesë të dorës dhe ka mbetur invalid. Aktgjykimi ka caktuar edhe shumën e kompensimit në favor të punëtorit.
 
Duke marrë shkas nga ky rast, kompania Interpress ka nisur këtë sulm të papranueshëm kundër Gjyqtares Saliuka dhe drejtësisë në vend. Kështu, gazeta “Kosova Sot” është bërë zëdhënëse e interesave të ngushta personale dhe ekonomike të kompanisë dhe ka vendosur të sakrifikojë çdo parim etik e profesional të gazetarisë, madje dhe çdo parim etik njerëzor duke sulmuar në mënyrë të ulët dinjitetin personal dhe profesional të Gjyqtares Saliuka, madje duke vënë në rrezik edhe integritetin fizik të vetë gjyqtares dhe të familjarëve të saj duke publikuar në faqe të parë të gazetës foto të banesës së gjyqtares dhe adresën e saj të plotë.
 
KGJK dëshiron të ngrejë shqetësim edhe për artikujt e tjerë që vazhdon të botojë “Kosova Sot”, cak i sulmeve të të cilave janë të tjerë individë që punojnë brenda sistemit gjyqësor. Rasti i fundit është edhe seria e shkrimeve kundër gjyqtares Suzana Sejdiu, e cila ka shqyrtuar një lëndë ku prapë palë në procedurë është kompania Interpress, pronar i gazetës Kosova Sot.
 
Është për të ardhur keq që një medium lejon interesat e ngushta personale të keqinformojnë dhe të manipulojnë opinionin publik në dëm të së vërtetës, duke shkelur kështu një nga parimet bazë të punës së gazetarisë si pushtet i katërt, e madje lejon të shndërrohet në armë hakmarrjeje ndaj individëve që ndajnë drejtësi. Pavarësisht rolit të saj madhështor në funksion të mirinformimit, mediat nuk duhet abuzuar me lirinë e të shprehurit, e posaçërisht nëse ky abuzim tjetërsohet në ndikim në punën, pavarësinë dhe paanësinë e gjyqësorit.


Aktakuzë Kundër Tetë Gjyqtarëve Për Korrupsion

Prishtinë, 31.07.2012 - Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër dhjetë të pandehurve për një rast korrupsioni. Të akuzuarit përfshijnë ish-kryetarin e Gjykatës Komunale të Prishtinës, katër ish-gjyqtarë të Gjykatës Komunale të Prishtinës, tre ish-gjyqtarë të Gjykatës së Qarkut, një avokat dhe një përfaqësues të një ndërmarrjeje shoqërore (NSH).
 
Një prokuror i EULEX-it e akuzon ish-kryetarin e Gjykatës Komunale për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për ndihmë në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme.
 
“Shtatë ish-gjyqtarët akuzohen për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme. Përfaqësuesi i Ndërmarrjes Shoqërore dhe avokati akuzohen për veprat penale të ndihmës për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për ndihmë në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, konfirmon EULEX-i, nëpërmes një komunikate shtypi.
 
Të akuzuarit dyshohet se janë përfshirë në 15 lëndë civile që kanë të bëjnë me padi pronësore kundër një ndërmarrjeje shoqërore (NSH), të cilat ishin nën kompetencën e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Të akuzuarit janë përfshirë në role të ndryshme në bazë të punës dhe profesionit të tyre.
 
Rastin është duke e ndjekur penalisht një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).


Presidentja dekretoi 45 Gjyqtarë Komunalë

Prishtinë, 31.07.2012 - Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, dekretoi sot emërimin e 45 gjyqtarëve, të cilët do të shërbejnë në gjykatat komunale të Kosovës.
 
Dekretimi u bë duke u bazuar në nenin 84 pika 16, nenin 104 pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në nenin 18 pika 1 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, si dhe duke u bazuar në vendimet e datës 18 qershor 2012, të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, thuhet në një njoftim të Zyrës së Presidentes.

 
Në Gjykatën Komunale në Prishtinë janë dekretuar këta gjyqtarë: Florent Latifaj, Hunaida Pasuli, Naser Foniqi, Franciska Zhitia-Ymeri, Valbona Musliu-Selimaj, Vesel Ismajli, Isuf Makolli.
 
Në Gjykatën Komunale në Ferizaj do të shërbejnë Enes Mehmeti, Zenel Tasholli, Faton Ajvazi, Ibrahim Idrizi; në atë të Podujevës - Binak Duqi; në atë të Pejës: Ganimete Puka, Prenk Palushi, Kreshnik Radoniqi, Nushe Kukaj-Mekaj.
 
Në Gjykatën Komunale në Klinë, pas dekretimit, do të shërbejnë: Haki Gashi, Ibrahim Shala, Ibrahim Berisha; në gjykatën e Istogut - Arben Mustafai; në Gjilan: Miodrag Pavic, Aziz Shaqiri, Behar Imeri dhe Emine Salihu; kurse në Kamenicë - Valbona Dervodeli.
 
Për Gjykatën Komunale në Mitrovicë, sot dhanë betimin gjykatësit Burim Ademi, Avni Mehmeti, Faton Ademi, Pranvera Ademi dhe Bekim Veliqi; për atë të Vushtrrisë: Besnik Feka, Ferki Xhaferi, Liridon Maloku, Afet Mjeku dhe Hanefi Jashari.
 
Në Gjykatën Komunale në Skenderaj do të gjykojnë Mentor Hajra e Avdullah Mecinaj; në atë të Prizrenit: Sadije Selmani, Bejadin Ibra, Valon Kurtaj, Teuta Krusha dhe Atdhe Berisha; në Dragash: Mehmet Ndrecaj dhe Artan Sejrani; si dhe në gjykatën e Malishevës - Lutfi Shala.
 
Gjyqtarët e dekretuar dhanë betimin sot para Presidentes Jahjaga.


“Dhuratat” për Gjyqtarët Nxisin Dyshime për Mashtrime

Tiranë, 29.07.2012 - Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur një hulumtim të pasurive familjare të një gjyqtari të lartë - një nga shumë zyrtarët të cilët kanë grumbulluar pasuri marramendëse nga dhuratat zemërgjera të afërmve të tyre.
 
Fatos Lulo është njëri nga zyrtarët më së miri të sistemuar shqiptarë. Jo vetëm që është anëtar i Gjykatës së Lartë, organit më të lartë gjyqësor, por ai është edhe gjyqtari më i pasur.
 
Nga koha kur punoi si avokat në Tiranë, nga puna në Kanada, si dhe nga dhuratat nga familja e tij, ai ka grumbulluar zyra, banesa dhe kursime në vlerë prej qindra mijëra eurosh.
 
Sipas obligimit ligjor, ai ka deklaruar burimin e kësaj pasurie, një pjesë e së cilës ka ardhur nga motra e tij, Drita Lulo.
 
Megjithatë, aktet zemërgjera të motrës së tij nuk e kanë bindur Inspektoratin e Lartë për Deklarimin dhe Kontrollimin e Pasurive, ILDKP, se çdo gjë ka shkuar sipas rregullit.
 
ILDKP-ja ka vërejtur se qindra zyrtarë të lartë kanë pranuar dhurata, dhe kredi pa kamatë në vlerë prej dhjetëra miliona euro, çdo vit, nga të afërmit dhe miqtë e tyre.
 
Agjencia beson se një pjesë e konsiderueshme e këtyre dhuratave, përveç që janë vepra të zemërgjerësisë, janë mënyrë përmes së cilës zyrtarët vendas bartin pasuri pa vëmendjen e autoriteteve.
 
Agjencia ka lobuar me sukses në parlament për të ndryshuar Kodin Penal, duke shtrirë kontrollin ndaj individëve të cilët bëjnë dhurata apo japin kredi për zyrtarët publikë.
 
Të armatosur me kompetenca të reja, agjencia ka thënë se kohëve të fundit ka nisur një kontroll, mes tjerëve, edhe ndaj pasurisë së familjes së gjyqtarit të Gjykatës Supreme.
 
I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Lulo nuk pranoi të jepte intervistë apo të përgjigjet me shkrim në pyetjet lidhur me pasuritë e tij.
 
Dhuratat dhe kreditë
 
Çdo vit në fakultetet juridike në Shqipëri regjistrohen mijëra studentë. Ndonëse është shtet i varfër me vetëm 2.8 milionë banorë, karriera në fushën e drejtësisë mund t’u ofrojë disave prej tyre mundësi të fitimit të një pasurie të konsiderueshme.
 
Lulo diplomoi në Kolegjin Juridik në Universitetin e Tiranës në fillim të viteve të tetëdhjetë dhe gjatë regjimit komunist ka shërbyer si jurist në Zyrën e Kryeministrit, Adil Çarçani, dhe në Ministrinë e Punës.
 
Nga viti 1994 deri më 1999, ai hapi zyra private të avokatisë në Tiranë.
 
Sipas rezymesë së tij, më 1999 ka emigruar në Kanada, ku edhe punoi si jurist në Zyrën Kanadeze për Emigrim, para se të kthehej në Shqipëri më 2002 për ta rihapur zyrën e tij për shërbime ligjore.
 
Më 2003, ai u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit. Lulo vazhdoi karrierën e tij si avokat deri më 2006, kur iu bashkua radhëve të Gjykatës Supreme.
 
Si anëtar i administratës publike, Lulo ishte detyruar t’i deklarojë pasuritë dhe asetet e tij nga viti 2003 e tutje.
 
Në formularin e tij të deklarimit të pasurisë më 2004, Lulo deklaroi se kishte në pronësi një banesë në Tiranë në vlerë prej 9.3 milionë lekë (€68,000), të blerë nga kursimet personale dhe nga shitja e një shtëpie.
 
Gjithashtu, ai posedonte një banesë e cila ishte në ndërtim e sipër në Kanada në vlerë prej 14.2 milionë lekë (€100,000) dhe një zyrë në vlerë prej 13.5 milionë lekë (€95,000) të dyja të blera nga fitimet gjatë punës së tij si avokat.
 
Gjithashtu, Lulo kishte deklaruar se posedonte xhirollogari në Toronto në të cilën ishin të deponuara 400,000 dollarë kanadezë (324,000 €), të cilat, sipas tij, gjithashtu ishin fituar gjatë qëndrimit në Kanada.
 
Zyra e tij e avokatisë në Shqipëri, Zyra SCLF për ndihmë juridike, e regjistruar si biznes i vogël me më pak se 8 milionë lekë (58,000 €) të hyra në vit, i ka sjellë afro €195,000 fitim gjatë pesë viteve 1994-1999.
 
Problemi me këto shifra ishte se gjatë punës së tij si avokat, Lulo asnjëherë nuk kishte deklaruar të hyra prej më shumë se 1.2 milionë lekë (8,700 €) në vit, gjë që shtronte dyshime lidhur me pjesën e mbetur të parave.
 
Shqetësime ka ngritur edhe deklarata se gjatë tri viteve të punës për Shërbimin Kanadez të Emigrimit ka kursyer 400,000 dollarë kanadezë. Pagat e avokatëve publikë në Kanada janë mesatarisht 60,000 dollarë kanadezë në vit.
 
Më 2005, sa ishte ende avokat, Lulo deklaroi kthimin e një huaje motrës së tij, Dritës, në vlerë prej 480,000 $.
 
Ndërkohë, në vitin 2008, gjyqtari pranoi një dhuratë në vlerë prej 100,000 $ nga motra e tij dhe më 2009, ajo i dhuroi atij një zyrë prej 172 metrash katrorë në Tiranë, e cila ka vlerë tregu prej mbi 200,000 €.
 
Kur i është kërkuar t’i sqarojë mospërputhjet ndërmjet kursimeve të tij nga puna si avokat në Toronto dhe në Tiranë dhe fitimeve të deklaruara, si dhe arsyet e dhuratës prej motrës së tij, gjyqtari nuk pranoi të përgjigjet.
 
Motra e Lulos, Drita, është inxhiniere civile në kompaninë e ndërtimit “Teknoprojekt”. Mbetet e paqartë nëse motra e Lulos kishte burime të tjera të të ardhurave, përveç pagës së saj.
 
Ndërkohë, Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollimin e Pasurive tha se deklaratat e dhuratave dhe huave pa kamatë për zyrtarët publikë janë shqetësuese.
 
“Shumë zyrtarë, veçanërisht gjyqtarë dhe prokurorë, kanë deklaruar se kanë pranuar shuma të mëdha parash të gatshme në formë të huave, apo dhuratave të shtrenjta, nga të afërmit dhe anëtarët e familjes”, tha zëdhënësi i ILDKP-së, Albi Serani.
 
Serani nënvizoi se rreth 10 milionë €transferohen çdo vit te zyrtarët shqiptarë nga palët e treta, vetëm në formë të huave në para të gatshme.
 
“Këto lëvizje të kapitalit jashtë sistemit bankar dhe në formë pasurie, krijojnë dyshim të arsyeshëm se në disa raste ato janë mënyrë e shpëlarjes së parasë, të fituara përmes korrupsionit”, shtoi ai.
 
Vakumet ligjore
 
Sipas indeksit të korrupsionit, të publikuar nga organizata Transparency International në dhjetor 2011, shqiptarët e perceptojnë korrupsionin si shumë të përhapur në nivelet më të larta të autoriteteve.
 
Ky indeks e vë Shqipërinë në vendin e 95-të nga 183 shtete në raport. Radhitja e vitit 2011 është për tetë vende më e ulët, sesa ajo në vitin 2010, kur Shqipëria zinte vendin e 87-të në këtë indeks.
 
Përkundër niveleve të larta të korrupsionit të raportuar në këtë indeks dhe gjetiu, ILDKP-ja ka kryer një numër të kufizuar të hetimeve të suksesshme, gjatë më shumë se një dekade që kur është themeluar.
 
Vitin e kaluar ka dërguar vetëm 16 lëndë në prokurori për hetime penale, të cilat kryesisht përfshinin zyrtarë të nivelit të ulët dhe të mesëm.
 
Serani tha se një shkaktar i rezultateve të dobëta ishin vakumet ligjore që u lejonin zyrtarëve që t’iu ikin kontrollit më të thuktë.
 
“Parlamenti miratoi një varg amendamentesh në Kodin Penal në muajin mars, të cilat parashohin ndëshkime ligjore për individët që kanë lidhje me zyrtarët publikë që nuk pranojnë t’i deklarojnë pasuritë e tyre”, shtoi ai.
 
“Para se të miratoheshin këto amendamente, këta individë i refuzonin kërkesat e ILDKP-së dhe i pengonin hetimet”, përfundoi ai. /gazetajnk/


Ndaj Pukës Edhe Një Akuzë nga Prokuroria Speciale

Prishtinë, 23.07.2012 - Ish-gjykatësi nga Gjykata Komunale në Klinë, Kolë Puka, i cili më parë është dënuar në Gjykatën e Qarkut në Pejë, ndërsa tani po vazhdon gjykimi në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, është akuzuar sërish për një vepër tjetër penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare ose të autorizimit, ashtu që së bashku me të pandehuri tjetër avokatin Avdullah Robaj, kanë përfituar shumën prej 71 mijë eurosh. Ai, po ashtu, akuzohet për nxjerrje të kundërligjshme të vendimit.
 
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë për Kolë Pukën dhe avokatin Avdullah Robaj. Ish-gjykatësi Puka akuzohet për veprat penale shpërdorim i detyrës zyrtare, ose i autorizimit, dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimit gjyqësor. Kurse avokati Robaj akuzohet për veprat penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, ose autorizimit, si dhe për keqpërdorim të besimit.
 
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se kanë përfituar shumën prej 71 mijë euro, duke dëmtuar katër persona.
 
Në muajin maj në Gjykatën e Qarkut në Pejë, një kolegj gjyqësor i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe vendas, dënuan me 5 vjet burg ish-gjyqtarin e Gjykatës Komunale në Klinë, Kolë Puka për keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autorizimit.
 
Puka është dënuar me 5 vjet burgim dhe masa alternative ndalim i ushtrimit të detyrës zyrtare për 3 vjet për veprën penale shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i autorizimit. Ndërsa është liruar nga dy pika të tjera të aktakuzës, krim i organizuar dhe nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore.
 
Sipas aktakuzës nga Prokuroria Speciale Kolë Puka, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë po gjykohet se në kohën sa ishte gjykatës ka qenë i implikuar në krim të organizuar nga neni 274 paragrafët 1 dhe 3, e dënueshme me gjobë prej 500.000 euro dhe burgim deri në 20 vjet, për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit nga neni 339 paragrafi 1 dhe 3 e dënueshme deri në 8 vite burgim, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore nga neni 346 e dënueshme prej 6 muajve deri në 5 vjet burgim, mashtrim nga neni 261 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 e dënueshme me gjobë prej 15.000 euro ose me burg prej 6 muajsh deri në 5 vite, falsifikim të dokumenteve dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve nga neni 332 nga paragrafëve 1 dhe 3 e dënueshme me gjobë ose me burg deri në 3 vjet; shmangie nga tatimi nga neni 249 e dënueshme deri në 5 vite burgim dhe pastrim i parave sipas rregullores së UNMIK-ut 2004/02.
 
Nga gjykimi që po mbahet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i pandehuri Puka akuzohet se ka keqpërdorur qindra mira euro përmes kompanisë së sigurimit Kosova në likuidim.
 
Në këtë proces gjyqësor së bashku me Kolë Pukën akuzohen edhe dy avokatët nga Klina, Zef Marleku dhe Lon Palushaj.


Prokurorja në Pushime, Shtyhet Gjykimi

Prishtinë, 19.07.2012 - Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, të enjten trupi gjykues i kësaj gjykate kishte caktuar seancën për të pandehurit U. R., polic i Kosovës, si L. Xh. e S. R., të akuzuar për veprat penale të trafikimit me njerëz. Megjithëse ftesat janë dërguar para një muaji e gjysmë, prokurorja kishte shkuar në pushim dhe seanca u shty për në tetor.
 
Sipas aktakuzës, të pandehurit në bashkëkryerje kishin trafikuar dy viktima. I pandehuri U. R. duke shfrytëzuar pozitën e dobët materiale të viktimave dhe pozitën e tij si zyrtar policor, fillimisht viktimave i ka ofruar strehim në një motel në afërsi të Ferizajt, pronë e të pandehurit të dytë L. Xh., e më pas të njëjtat i ka strehuar në një banesë. Ai viktimave ua kishte marrë pasaportën dhe dokumentet personale, duke i detyruar më pas në prostitucion.
 
Gjatë kësaj kohe, i pandehuri kundër viktimave kishte ushtruar dhunë psikike dhe kanosje që të shkojnë në motel për prostitucion.
 
Dy të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, ishin marrë vesh paraprakisht për përfitim material. I pandehuri L. Xh ishte pronar i motelit, ndërsa i pandehuri S. R. ishte kamerier në motel. Këta dy kanë edhe lidhje familjare.
 
Sipas aktakuzës, viktimat pasi çdo akti seksual me klientët në motel, është dashur që paratë e fituara ti dorëzojnë ose të pandehurit L. Xh ose S. R.
 
Fillimisht seanca ishte caktuar të fillonte në ora 10, por ajo nuk filloi me kohë, pasi prokurorja nuk kishte ardhur me kohë. Trupi gjykues kishte bërë disa përpjekje që të kontaktohet dhe të ftohet një prokuror për të përfaqësuar lëndën, por nuk kishte gjetur asnjë.
 
Pas 20 minutash pritjeje, trupi gjykues erdhi në shqyrtim dhe hapi seancën. Në seancë ishin të pranishëm të gjitha palët, por në mungesë të prokurores Ikramije Bojaxhiu, kryetarja e trupit gjykues u desh të shtynte seancën për muajin tetor. Sipas kryetares së trupit gjykues, prokurorja ishte në pushim vjetor.
 
Mbrojtësit kërkuan shpjegim se si është e mundur të mos vinte askush nga prokuroria, kur ka një muaj e gjysmë që ftesat iu janë dërguar palëve. Por, kryetarja e trupit gjykues nuk pati një përgjigje për këtë.
 
Mbrojtësit e të pandehurve, po ashtu, kërkuan që dy të pandehurit e parë, që mbaheshin në paraburgim, të iu hiqet kjo masë meqë kishin përfunduar të gjitha kushtet për mbajtjen e paraburgim. Por trupi gjykues, pas këshillimit dhe votimit, e refuzoi kërkesën e mbrojtjes.
 
Seanca e radhës në këtë çështje do të mbahet më 4 tetor. /gazetajnk/


IKD: Ekzekutivi degradon pushtetin gjyqësor

Prishtinë, 17.07.2012 - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim rreth tendencave të vazhdueshme të pushtetit ekzekutiv për të degraduar pushtetin gjyqësor.

“Në vitin 2011, me hyrjen në fuqi të dispozitave të caktuara të Ligjit për Gjykata dhe Ligjit për Prokurorin e Shtetit, të cilat kanë mundësuar nivelizimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve me ato të ekzekutivit, u shënua një hap i madh drejt barazisë të pushteteve dhe jetësimit të ndarjes së pushteteve, ashtu siç garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Megjithatë, projektligji për pagat e funksionarëve publikë në mënyrën se si është përpiluar, kthen prapa progresin e arritur në krijimin e balancës ndërmjet pushteteve në Kosovë. Kategorizimi i ri i pagave, sipas këtij projektligji sërish zhvlerëson bartësit pushtetit gjyqësor ndaj pushteteve tjera, në kundërshtim me Parimet Themelore për Pavarësinë e Gjyqësorit të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara”, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

IKD përkrah fuqishëm Reagimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës ndaj Projektligjit të Ri për Pagat e Funksionarëve Publik, në të cilin theksohet se kategorizimi i tillë i të ardhurave shkel parimet e barazisë së pushteteve të garantuar me Kushtetutë, degradon pozitën dhe autoritetin e gjyqësorit dhe ul besimin publik ndaj administrimit të drejtësisë.

“Është e papranueshme që në vazhdimësi të krijohen politika dhe ligje pa konsultim dhe pa koordinim me organet e pushtetit gjyqësor, posaçërisht në rastet të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në këtë pushtet. Ndërmarrja e hapave të tillë nga ana e organeve qeveritare paraqet tendencë për të krijuar varësi dhe ndikime të tërthorta në pushtetin gjyqësor”.

Sipas IKD-së, tendenca për ta zhvlerësuar në tërësi pushtetin Gjyqësor është reflektuar në projektligjin i cili nuk e parasheh fare pozitën e të parit të pushtetit gjyqësor - atë të Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pozitë kjo ekuivalente me atë të Kryeministrit.

“Përpiluesit e këtij projektligji ose kanë qenë injorantë të fushës juridike dhe njohjes së sistemit të drejtësisë ose një gjë të tillë e kanë ndërmarrë qëllimisht, pasi që përveç kësaj pozite të pa përfshira kanë mbetur edhe disa pozita tjera tejet të rëndësishme përbrenda sistemit gjyqësor në Kosovë”.

IKD bën thirrje për riformulim të këtij kategorizimi ashtu që të pasqyrohet parimi i barazisë së pushteteve, i garantuar me Kushtetutë. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të përfshijnë në konsultime edhe pushtetin gjyqësor dhe të sigurojnë barazi të të gjitha pozitave ashtu siç janë edhe pushtetet.

“Në të kundërtën, tendencat e vazhdueshme do të formalizohen në degradim të skajshëm të pushtetit gjyqësor karshi dy pushteteve tjera. Në këtë mënyrë, edhe më tutje do të vazhdojë anatemimi i këtij pushteti i cili në vlugun e reformave do të përjetoj goditje të rëndë duke demotivuar bartësit e funksioneve gjyqësore”. /Telegrafi/
 


Keqkuptimi Gjykatës-Avokat Shtyn Gjykimin

Prishtinë, 16.07.2012 - Seanca e të hënës kundër Granit e Gentian Rexhepi dhe të tjerëve, u shty për shkak të një keqkuptimi ndërmjet kryetares së trupit gjykues dhe avokatit Ramë Gashi. Dikush nga palët në këtë çështje kishte kërcënuar ekspertët, e gjykatësja kishte menduar se kërcënuesi është avokati.

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, të hënën u mbajt shqyrtimi gjyqësor në rastin e djemve të ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, Granit e Gentian Rexhepi dhe të tjerëve.

Çështja penale që po gjykohet është për vrasje të rëndë, mbajtje në pronësi, në posedim, në kontroll ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve; vrasje e rëndë e mbetur në tentativë; shtytje në vrasje të rëndë dhe pjesëmarrja në rrahje.

Gentian Rexhepi akuzohet për vrasjen e Arben Gashit, e cila kishte ndodhur me 2 janar të vitit 2009 në afërsi të lokalit “Garden” në Prishtinë. Ndërsa Granit Rexhepi akuzohet për pjesëmarrje në rrahje. Në këtë rast ka mbetur i plagosur edhe i pandehuri Albert Isufi.

Kryetarja e trupit gjykues kishte caktuar që seanca të fillonte në orën 10, por të pandehurit që gjendeshin në paraburgim nuk ishin sjellë me kohë në gjykatë. Kjo bëri që seanca të fillojë me 20 minuta vonesë.

Në seancën e fundit të mbajtur në këtë çështje, ishte ndryshuar trupi gjykues, kjo pasi që anëtari profesionist i trupit gjykues ishte bërë kryetar i gjykatës. Çështja ka filluar nga e para, por veprimet e ndërmarra gjatë seancave të kaluara janë lexuar në seancë.

Kryetarja e trupit gjykues, Tomka Berishaj, fillimisht i kërkoj falje avokatit Ramë Gashit, pasi që kishin pasur një keqkuptim. Kryetarja e trupit gjykues tha se ajo i kishte ftuar mbrojtësit dhe prokurorin në zyrën e saj dhe i kishte njoftuar se dikush i kishte kërcënuar ekspertët e balistikës dhe të mjekësisë ligjore.

Berishaj e pranoi se e kishte keqkuptuar mbrojtjen dhe kishte menduar se vërejtjet po i drejtoheshin avokatit Ramë Gashi. Ajo shtoi se e di emrin e personit që e ka kërcënuar dhe se gjykata nuk do të lejojë që persona apo palë nga jashtë, të ndërmarrin veprime të cilat ndikojnë në punën e ekspertëve.

Avokati Ramë Gashi tha se nuk e ka kërcënuar askënd dhe as që do ta bënte ndonjëherë. “Etika, morali dhe profesionalizmi im nuk shitet me para dhe nuk ka para e as ar që mund ta blej atë”, u shpreh ai.

Avokati Gashi më pastaj tha se kishte disa pyetje për ekspertët dhe se do të propozonte një veprim procedural, por sipas tij, tani pas këtij keqkuptimi nuk mund t’i bënte këto pyetje dhe nuk mund të propozonte asgjë, pasi që trupi gjykues nuk mund të vendoste me “kokën e ftohtë”.

Në fund, ai propozoi që seanca të shtyhet në një afat më të gjatë, pasi që ai nuk mund të prezantonte në këtë lëndë menjëherë. Po ashtu, ai tha se nëse nuk shtyhet shqyrtimi ai do ta lërë seancën.

Pasi që kryetarja e trupit gjykues i konstatoi këto në procesverbal, avokati Ramë Gashi doli nga salla e gjykimit, duke mos e pritur vendimin e gjykatës.

Trupi gjykues e shtyri seancën për të nesërmen, kjo pasi që pas keqkuptimit as ekspertët nuk mund të deklaroheshin dhe t’i përmbushnin detyrat e tyre. Mbrojtja fillimisht e kundërshtoi shtyrjen, por më pas u pajtua që të shtyhet seanca. /gazetajnk/
 


USAID-i përfundon pogramin kosovar për sundim të ligjit

Prishtinë, 13.07.2012 - Programi i USAID-it mbi Sistemet për Zbatimin e Marrëveshjeve dhe Vendimeve – SEAD  ka përmbyllur punën e vet pas angazhimit që nga nëntori i vitit 2009, njoftoi misioni përmes një komunikate për media.
 

Ky program, në Kosovë, thuhet se është zbatuar me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës ligjore për të ngritur investimet vendëse dhe ato nga jashtë dhe për të krijuar ambient miqësor për biznese.
 
“Programi vuri në shënjestër tri fusha kryesore – ligjin ekonomik (komercial) dhe edukimin ligjorë të çështjeve ekonomike, reforma në sistemet për zbatimin e vlerësimeve dhe vendimeve gjyqësore, si dhe Rezolutën Alternative të Kontesteve, mekanizëm ky për zgjidhjen e kontesteve biznesore pa harxhuar kohë nëpër procedurat e kushtueshme gjyqësore”, thuhet në komunikatë.
 
Mësohet se programi zhvilloi nëntë forma standarde të kontratave, të cilat u janë shpërndarë më se 2000 bizneseve kosovare, me qëllim që t'u ofrohen dispozita për të përmirësuar shfrytëzimin dhe zbatimin e kontratave.
 
Programi thuhet se përfshiu edhe trajnime për më shumë se 1000 gjykatës, avokatë, dhe profesionistë të tjerë ligjorë duke trajtuar tema të ndryshme lidhur me ligjet ekonomike, si dhe përkrahu Univerzitetin e Prishtinës në krijimin e Programit Mastër në Juridik për Ligjet Ekonomike dhe Kontrata./evropaelire/
 


Mungesa e Avokatit Shtyn Shqyrtimin Kryesor

Prishtinë, 11.07.2012 - Në Gjykatën Ekonomike të Qarkut në Prishtinë, shqyrtimi kryesor në rastin Shpk “Pejtoni” kundër gazetës “Zëri” u shty për shkak të mungesës së avokatit Tomë Gashi, përfaqësues i palës së paditur - “Zëri”.

Avokati i palës së paditur Tomë Gashi nuk e kishte njoftuar gjykatën me kohë për pamundësinë e përfaqësimit në seancë ashtu siç kërkohet me ligjin për procedurën kontestimore, gjë që ka shtyrë shqyrtimin kryesor edhe për dy muaj.
 
Gashi e kishte njoftuar gjykatën vetëm të mërkurën, në ditën e seancës, përmes një shkrese. Tash gjykimi mbahet më 24 shtator.

Në seancën ishte caktuar për dëshmitare autorja e shkrimit “Baballarët e tenderëve në Kosovë” botuar në gazetën “Zëri” për të cilin pala paditëse shpk “Pejtoni”, përmes pronarit të saj Bejtush Zhugolli, pretendon se i është shkaktuar një dëm prej 700 mijë eurosh.

Përveç jorespektimit të afatit, kishte edhe ankesa në shkresën e avokatit drejtuar gjykatës.  Në bazë të shkresës, avokati nuk mund të përfaqësonte ditën e sotme për faktin se ishte në përfaqësim në një rast tjetër penal në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Përfaqësuesi i palës paditëse, Xhevat Bicaj, kishte vërejtje në mënyrën e arsyetimit të mungesës në shkresën e avokatit Tomë Gashi, i cili të paktën nuk kishte shkruar as numrin e lëndës që përfaqësonte në kohën kur do të duhej të ishte në gjykimin e sotëm. Për më shumë Bicaj shtoi se avokati ka mundur të angazhonte edhe të tjerë dhe të mos vinte deri tek shtyrja e seancës.

Në anën tjetër gjykatësja e çështjes Fetije Sadiku, nuk konstatoi fare në procesverbal faktin se prezente në seancë ishte edhe dëshmitarja - autorja e tekstit, duke bërë kështu shkelje të rregullave procedurale, ndonëse në aktvendimin e gjykatës për shtyrje të seancës konstatohet se “seanca shtyhet për arsye se në seancë ishte dashur të prezantojë dëshmitarja...”.

Gjykata gjithashtu nuk pranoi propozimin e palës paditëse për mbajtjen e seancës në mungesë të përfaqësuesit të palës së paditur. Kjo u bë më arsyetimin se nuk ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit kryesor dhe mundësinë që dëshmitarja të merret në pyetje nga të dyja palët.

Përveç tjerash, shqyrtimi u mbajt në zyrën e gjykatëses, ku kjo e fundit nuk kishte veshur fare uniformën dhe kishte telefona të pandalur në dhomë. /gazetajnk/
 


EULEX-i publikon Raportin e Programit të vitit 2012

Prishtinë, 05.07.2012 - EULEX-i sot publikon Raportin e Programit të ri me titull “EULEX-i: “Sundimi i Ligjit përtej Titujve”. Raporti është një përmbledhje e punës së kryer nga EULEX-i dhe homologët e Kosovës që nga fillimi i punës së Misionit në vitin 2008.
 
Përveç përmbledhjes së zhvillimeve të deritanishme, raporti është i orientuar edhe drejt së ardhmes, duke nënvizuar fushat strategjike në të cilat Misioni do të jetë i fokusuar. Në përgjithësi, EULEX-i do të angazhohet për plotësimin e agjendës së plotë të BE-së, duke përfshirë Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave, sikurse edhe për një partneritet të fortë me institucionet për Sundimin e Ligjit në Kosovë.
/http://www.eulex-kosovo.eu/al/pressreleases/0312.php/


Lirohet Idajet Beqiri

Prishtinë, 02.07.2012 - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) thotë se të hënën është liruar Idajet Beqiri, kryetar i Unitetit Kombëtar Shqiptar, pas kalimit 38 ditë në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
 

Beqiri ishte arrestuar më 24 maj në Vërmicë dhe i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditëve nga Gjykata e Qarkut në Prizren në bazë të fletarrestimit ndërkombëtar të lëshuar nga Belgjika më 8 maj 2012.
 
“Ai ka pasur një herë një gjykim nga gjithë shkallët, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë në Tiranë, me vendim të formës së prerë, që e ka shpallur atë, të pafajshëm, po për të njëjtën akuzë se: prej viti 2001 deri 2003 duke qenë udhëheqësi i politik i AKSH-së (FBKSH) ka bërë përpjekje të shumta për bashkimin e trojeve (Kosovës e Maqedonisë) me Shqipërinë, dhe me këtë rastë ka ka bërë nxitje të urrejtjes ndaj serbëve dhe maqedonasve”, thotë KMDLNJ, në një komunikatë.
 
Sipas organizatës, pas marrjes së pafajësisë nga ana e drejtësisë shqiptare, Belgjika sërish kishte dërguar flet-arrest të ri, në vitin 2004. “Atëherë Prokuroria e shtetit shqiptar dhe Ministria e drejtësisë i ishin përgjigjur se kjo çështje është gjykuar një herë, dhe s’mund të ketë gjykim të dytë për një çështje që ka pasur në gjykim”, shtoi KMDLNJ.
 
Beqiri, është cituar në këtë komunikatë, duke thënë se po mbahet padrejtësisht në paraburgim, pa asnjë bazë ligjore, “sepse flet-arresti i ri i Belgjikës i bërë më 8.05.2012 është i njëjtë me akuzat  të vitit 2001-2003 për çka ka vendime gjyqësore nga të gjithë instancat”.
 
“Vendimi është tërësisht politik dhe i pakuptimtë nga ana juridike, mbajtja ime këtu është e pajustifikueshme dhe është politike. Gjatë vitit 2011 e deri kur u arrestova në Vërmicë më 24 maj kam qenë në Kosovë 39 herë”, kishte thënë Idajet Beqiri, sipas KMDLNJ-së. /gazetajnk/


Mandati i Mbaruar Shtyn Provimin e Jurispodencës

Prishtinë, 24.06.2012 - Themelimi i Akademisë së Drejtësisë, që e zëvendëson Institutin Gjyqësor të Kosovës, nuk do të zëvendësojë edhe provimet e jurispodencës. Këto të fundit do të vazhdojnë të mbahen që nga afati i radhës, pasi Parlamenti pritet të emërojë komisionin e ri.
 
Ministria e Drejtёsisё e Kosovës ёshtё dashur të organizojë mbajtjen e provimit tё jurispodencёs në qershor, sikur çdo tre muaj më herët.
 
Mirëpo kandidatët të cilët ishin përgatitur t’i nënshtrohen këtij provimi janë hutuar nga mosorganizimi i tij dhe informacionet jozyrtare se së shpejti do të hapet një akademi përkatëse trevjeçare.
 
Mirlinda Bytyqi Rexhepi, kandidate pёr provim tё jurispodencёs, e cila ka magjistruar në juridik - drejtimi financiar, ka thёnё pёr Gazetёn JnK se nuk ka idenë se pse nuk po organizohet provimi.
 
“Kam dёgjuar se ёshtё duke u themeluar akademia trevjeçare dhe se mё nuk do tё ketё provim tё jurispodencёs. Unë jam pёrgatitur qё tё hyj nё afatin e qershorit sepse mё duhet sa mё parё ta kryej kёtё provim, ngase nё pozitat qё konkurroj pёr punё ёshtё kusht kryerja e provimit tё jurispodencёs”, tha Mirlinda Bytyqi-Rexhepi.
 
Po ashtu, Albina Varoshi, njё kandidate tjetёr e cila pret t’i nёnshtrohet kёtij provimi, tha se nuk ka asnjë informacion në lidhje me atë se ç’lidhje do të ketë mes akademisë që po përmendet dhe provimit të jurispodencës.
 
Astrit Kolaj, drejtor i Zyrës për Komunikim Publik në Ministrinë e Drejtёsisё tё Kosovёs, e cila ёshtё kompetente pёr organizimin e Provimit tё Jurispodencёs, i ka thёnё Gazetёs JnK se provimi nuk është mbajtur vetёm nё njё afat tё paraparë pasi komisionit pёr mbajtjen e provimit i ka skaduar mandati.
 
Kolaj ka shtuar se tani Ministria e Drejtёsisё i ka proceduar nё Kuvendin e Kosovёs emrat e kandidateve pёr Komisionin e Provimit tё Jurispodencёs dhe ata pritet tё emrohen (votohen) nga Kuvendi.
 
“Ne mendojmë se nё afatin vijues do tё mbahet provimi jurisprudences”, tha ai.
 
Flamur Ramadani, zёdhёnёs i Odёs sё Avokatёve, i ka thёnё Gazetёs JnK se zyrtarisht nuk janё tё njoftuar lidhur me mos mbajtjen e provimit.
 
Nё anёn tjetёr kryesuesi i KGJK-sё Enver Peci ka thёnё se akademia që po përmendet mё shumё ka tё bёjё me disa ndryshime strategjike.
 
Sipas tij, qёllimi i akademisё ёshtё qё të koncentrohet në shkollimin përkatës së gjeneratave të reja. Peci ka shtuar se Akademia e Drejtёsisё do tё luajë rolin qё sot ka Instituti Gjyqёsor i Kosovёs (IGJK).
 
Por, sipas Ministrisё sё Drejtёsisё dhe KGJK-sё, provimi i jurispodencёs do tё vazhdojë tё mbahet. /gazetajnk/
 


Përfitonte nga Aksidentet e Paraluftës

Prishtinë,  23.06.2012 - Disa dëshmitarë i treguan kolegjit të gjykatësve se si Kolë Puka kishte përfituar nga shumat që u ishin ndarë atyre pas aksidenteve të ndryshme në trafik.

Zagushia e fundqershorit ishte mbledhur edhe në sallën e madhe të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, aty ku do të mbahej gjykimi për Kolë Pukën, Zef Marlekun dhe Lon Palushajn. Për dallim nga seanca e kaluar, të premten seancë nuk pati shumë publik të interesuar për këtë rast.

Kolegji e kishte caktuar seancën që të fillonte në orën 9 e 30 por ajo nisi vetëm pas një ore e dhjetë minuta vonesë për shkak të vonesës të njësitit për transportin e të burgosurve që ishte nisur shumë vonë nga burgu i Dubravës për ta sjellur Kolë Pukën.

Kryetari i kolegjit që në fillim të seancës tha se kolegji do të kërkojë që i pandehuri të transferohet në burgun e Prishtinës, për kohën sa është duke u zhvilluar gjykimi, pasi që do të jetë më lehtë që i pandehuri të arrinte në kohë për gjykim.

I pandehuri Puka dhe avokati i tij, Tahir Rrecaj, e kundërshtuan një gjë të tillë me arsyetimin se në Burgun e Dubravës mund të takohen gjatë të dielave, gjë që në burgjet tjera nuk mund ta bëjnë. Kolegji mbeti ta vendosë këtë çështje në seancën e radhës.

Pas kësaj avokati Rrecaj pati disa çështje paraprake për të cilat kërkoi përgjigje nga kolegji. Fillimisht ai kërkoi nga prokurori që t’i sillte urdhrin që kishte dhënë për masat e fshehta. Pastaj ngriti çështjen e konfirmimit të aktakuzës, sidomos futjen e pikës me akuzën e mashtrimit nga ana gjykatësit. Sipas Rrecajt kjo është një shkelje procedurale nga ana e gjykatësit. Në fund tha se provat e dorëzuara nga prokurori janë vetëm fotokopje e kjo e ngritë çështjen e besueshmërisë së tyre.

Kryetari i kolegjit iu përgjigj shpejt, fillimisht i kërkoi prokurorit që ta sjellë dokumentin, pastaj tregoi se provat në gjykatë janë të dorëzuara në origjinal, ndërsa sa i përket pikës së aktakuzës tha se gjykatësi i konfirmimit e ka arsyetuar dhe se kolegji mirëpret çdo ndryshim nga ana e prokurorit.
I pari për të dhënë dëshmi u ftua dëshmitari dhe njëkohësisht i dëmtuari Besim Berisha. Ai dëshminë e tij e filloi duke treguar për aksidentin që ai dhe disa familjarë të tij e kishin pësuar në vitin 1997 në vendin e quajtur Dush të Klinës.

“Në këtë aksident pësoi gruaja e vëllait, dy fëmijët e vëllait dhe shoferi i taksisë, unë kisha vetëm lëndime trupore”, tha dëshmitari. Ai shtoi se “para luftës nuk u kompensova, kompensimin e mora në vitin 2003 – 2004 në një procedurë jashtëgjyqësore”.

Dëshmitari tregoi se avokati i tij ishte Kolë Puka. “Ne e patëm avokat Kolën para e pas luftës...ai më ka thirr në telefon dhe mi dha ca para”, tha Berisha.

Në pyetjet e prokurorit se a i kishte kërkuar dokumentacion dhe sa ishte shuma që kishte marrë ai, dëshmitari tha se i pandehuri i kishte kërkuar dokumentet mjekësore të vëllait të tij por jo të tij, po ashtu ai i kishte dhënë fillimisht 9200 euro e pastaj i kishte dhënë 7500 euro. “Në 2004 për herë të parë i mora ca para”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se të pandehurin Kolë Puka e njihte si avokat edhe para edhe pas luftës e po ashtu deklaroi se i kishte qenë një herë në zyrën e tij në gjykatë, por se nuk i kujtohej të ketë qenë ai gjykatës.

Prokurori sqaroi se për rastin e dëshmitarit një herë kompania e sigurimeve kishte dhënë mbi 30 mijë euro e pastaj edhe mbi 70 mijë euro të tjera.

Vëllai i dëshmitarit që ishte pjesë e atij aksidenti kishte ndërruar jetë në vitin 1999, ndërsa autorizimet që i kishte gjykata dhe kompensimet që ishin bërë nga kompania e sigurimeve ishin për dëshmitarin dhe vëllain e tij.

Të gjithë deklaratën e dëshmitarit e kundërshtoi i pandehuri Kolë Puka. Ai tha se puna kishte qenë ndryshe dhe se ai nuk e kishte ditur që vëllai i dëshmitarit kishte vdekur në vitin 1999, kjo pasi që dëshmitari pas luftës i kishte sjell të pandehurit certifikatat e lindjes.

Lidhur me autorizimin e nënshkruar dëshmitari tha “unë kam nënshkruar autorizimin tim, por atë të vëllait Kola e din më mirë”.

Pas këtij dëshmitari, u ftua Aziz Zogaj, dikur mësues e tani pensioner, në moshën 70 vjeçare. Dëshmitari Zogaj ishte babai i gruas së vëllait të dëshmitarit Besnik Berisha, e cila kishte vdekur në aksidentin e vitit 1997.

Në këtë aksident dëshmitari i kishte humbur vajzën e tij dhe dy nipërit. Ai tregoi se ngjarja kishte ndodhur teksa taksia po tentonte të kalonte trenin, por që nuk ja kishte arritur.
“Kolë Puka nuk ka ardhur tek unë por ka shkuar tek djali i tretë dhe i ka kërkuar disa dokumente për me ja nxjerr ca para”, tha Zogaj para kolegjit.

“Në vitin 2002, nuk kam ditur asgjë kur Kola mi ka sjell në shtëpi 2000 euro, për këtë gjest ku e kam parë e kam falenderuar pasi që në atë kohë isha në gjendje të vështirë ekonomike”, tregon Zogaj. Ai shtoi se në vitin 2009 e kishte thirr policia e Kosovës për ta pyetur lidhur me aksidentin e vajzës dhe nëse kishte marrë para. Sipas dëshmitarit, ai fillimisht kishte hezituar të tregonte se kishte marrë para por më vonë i kishte treguar policisë.

Më vonë dëshmitari tha se Kolë Puka e kishte thirr në telefon dhe i kishte thënë se ishte bërë një gabim dhe se i takojnë edhe 2000 euro, e dëshmitari e kishte refuzuar një shumë të tillë duke dyshuar se ka mashtrim. Në ndërkohë Kolë Puka i kishte dërguar disa njerëz që t’i merrte edhe 2000 euro të tjera, e në fund përmes Gani Zogajt, dëshmitari i kishte pranuar ato para.

“Kur kam shkuar tek prokurori mësova se shuma që është kompensuar nga kompania e sigurimeve ishte 114 mijë euro”, shtoi dëshmitari Zogaj.

Edhe për këtë dëshmitar, i pandehuri Kolë Puka tha se nuk po e thotë të vërtetën dhe se ai atij i kishte dhënë dy herë nga 4000 euro, ndërsa dëshmitari e refuzoi duke thënë se i kishte marrë vetëm 4000 euro.

Pas Zogajt, si dëshmitar u ftua Nuhi Gumcati, bujk nga Kijeva, i cili në vitin 1996 kishte pësuar një aksident, ku derisa ai ishte me traktor një makinë e tipit Audi e kishte goditur dhe i kishte shkaktuar lëndime trupore.

“Kolë Pukën e kam angazhuar para luftës. Pas luftës kam menduar se lënda është humbur dhe deri sa më ka intervistuar policia për këtë rast nuk kam ditur asgjë, ishte viti 2009 kur mësova për lëndën”, dëshmoi Gumcati.

Gumcati nuk kishte marrë asnjë kompensim për këtë dëm ndërsa kompania e sigurimeve Kosova për dëmet e tij i kishte lëshuar 59 mijë euro.

Në radhë u ftua dëshmitari Istref Kryeziu nga fshati Bubavec, ku edhe në vitin 1995 i kishte ndodhur aksidenti. Në aksident kishte vdekur gruaja e vëllait ndërsa vajza e vëllait kishte pësuar lëndime.

Për dëshmitarin kompania e sigurimeve i kishte lëshuar 6125 euro e nga to dëshmitari nuk kishte marrë asnjë cent.

“Kolë Puka ka ardhur tek ne për të biseduar dhe më ka ofruar një letër për ta nënshkruar, kjo ndodhi në vitin 2009, atëherë kur edhe filloi procedurën prokuroria”, tregoi dëshmitari Kryeziu.

Ai shtoi se dëshmitari më pas kishte tentuar t’i jepte tërë shumën e tërhequr, por që dëshmitari nuk e kishte pranuar.

Dëshmitarit ju paraqit edhe autorizimi, ndërsa ai tha se nënshkrimi aty ishte i vëllait të tij kurse koha kur ishte nënshkruar vëllai i tij ishte me punë në Zvicër.

Në fund dëshmitari tha se “nuk desha me i marrë parat pasi që e pashë falsifikimet që janë bërë nga njeriu i shtetit”.

Dëshmitari i fundit që u dëgjua ishte Fran Ndrecaj, i cili tani punonte si drejtues trenash në Kosovë, e në vitin 1989 kishte pësuar një aksident të rëndë derisa po ngiste një biçikletë ai ishte goditur nga një makinë.

Dëshmitari tregoi se si mezi kishte mbetur gjallë pas këtij aksidenti dhe se si ai ishte kompensuar në Slloveni ku avokat i tij kishte qenë Kolë Puka, më pas ai tregoi se si e kishte kuptuar se nga 71 mijë euro që i kishte dhënë kompania e sigurimeve, ai i kishte marrë vetëm 49 mijë ndërsa 17 mijë i kishte marrë Kolë Puka, po ashtu 8 mijë të tjera një avokat nga Sllovenia. Ndërsa dëshmitari tha se në Kosovë nuk kishte marrë asnjë cent. 

Seanca e radhës do të vazhdojë me datën 25 qershor në ora 10. /gazetajnk/


Kuçi jep dorëheqje nga të dy postet qeveritare

Prishtinë, 22.06.2012 - Hajredin Kuçi ka dhënë dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, pasi që deputetët e Kuvendit të Kosovës të premten votuan kundër heqjes së neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal, nene këto që cenojnë lirinë e shtypit.
 
Kuçi ka thënë se e ka ndërmarrë këtë hap për të mbajtur fjalën që e kishte dhënë me parë, se nëse miratohen në Kuvendin e Kosovës dy nenet (37 e 38) të Kodit Penal të kontestuara nga shoqëria civile dhe asociacionet ndërkombëtare, ai do të japë dorëheqje.
 
Ministria e Drejtësisë është sponsorizuese e Projekt Kodit Penal të Kosovës. Në një takim të zhvilluar me 3 shkurt, në mes të Ministrit Hajredin Kuçi dhe përfaqësuesve të Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, palët janë pajtuar që këto dy nene të largohen nga Projekt Kodi Penal.
 
Kuçi pati paralajmëruar dorëheqjen e tij në rast se nuk do të hiqen nga Kodi i ri Penal, neni 37 dhe 38.
 
Ai ishte zotuar se do ta amendamentojë Kodin, nëse Jahjaga, nuk ndërmerr asgjë edhe pak kërkesës së tij. “Do të loboj në Kuvendin e Kosovës, që ato dy nene të mos miratohen. Nëse edhe përkundër përpjekjeve të mia, ato dy nene më 1 janar hyjnë në fuqi, hyn në fuqi edhe dorëheqja ime”, pati thënë Kuçi.
 
Pasi Kodi Penal ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nuk e pati nënshkruar, duke marrë vendim kështu më 8 maj, që Kodin Penal t’ia kthejë Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim.
 
Megjithatë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, sërish të premten votuan kundër heqjes së nenit 37 dhe 38 nga Kodi Penal.
 
Pas kësaj, Kuçi në një konferencë për media njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë.
 
Edhe organizatat e huaja janë shprehur kundër nenit 37 dhe 38 të Kodit Penal, pasi cenojnë lirinë e shtypit. /telegrafi/


QPA: Gjykatat dhe agjencitë e pavarura institucionet më jotransparente

Prishtinë, 21.06.2012 - Gjykatat dhe agjencitë e pavarura të themeluara nga Kuvendi i Kosovës rezultojnë si institucionet më jotransparente në vend. Ky konstatim është vlerësim i dalë pas monitorimit për zbatimin e Ligjit për qasje në dokumente publike, që e ka realizuar Qendra për Politika dhe Avokim, e të cilin e ka publikuar të mërkurën.
 
“Agjencitë e pavarura janë treguar më pak transparentë nga 57.14, sa ishte në periudhën e parë të monitorimit në 50 për qind. Ndërsa gjykatat janë treguar për më pak transparente në këtë periudhë të monitorimit nga 22.22 për qind në fazën e parë në 26.7 në fazën e dytë. Dhe kur analizohen  këto statistika shihet qartë se niveli i transparencës mbetet pothuajse i njëjtë me atë të periudhës paraprake të raportimit, me një rritje prej 4.09 për qind”, theksohet në hulumtimin e publikuar nga QPA-ja.
 
Hartuesi i këtij raporti, Milaim Morina, ka bërë me dije se monitorimi i zbatimit të ligjit përkatës është realizuar në dy faza prej 15 dhjetorit 2011 deri në 15 shkurt 2012.
 
“QPA-ja ka dërguar 128 kërkesa për qasje në dokumente publike në institucionet publike të Kosovës, në ministri, komuna dhe institucione të pavarura. Nga këto 128 kërkesa, QPA-ja ka marrë përgjigje pozitive në 55 prej tyre, që në përqindje i bie rreth 42.96 për qind në krahasim me raportin e fundit monitorues që është bërë nga QPA-ja në bashkëpunim me AGPK-në, ka një përmirësim të dukshëm”, ka theksuar Morina.
 
Ndërsa në raport tregohet se institucionet që kanë qenë më përgjegjëse dhe janë përgjigjur në pajtim me Ligjin për qasje në dokumente publike janë kryesisht institucionet e pavarura si Administrata Tatimore, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Agjencia e Pronës, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, Këshilli Mbikëqyrës i Medieve, “Termokosi”, Akademia e Shkencave etj. Po sipas raportit, një përmirësim është vërejtur tek institucionet qeveritare të nivelit qendror, gjegjësisht ministritë.
 
“Nga 42 kërkesa të dërguara kemi marrë përgjigje në 21 prej tyre në përqindje 50 për qind. Kurse gjykatat janë ato që nuk e zbatojnë LQDP-në. Ndërsa në 73 ose në 77.04 për qind të kërkesave nuk është kthyer fare përgjigje, qoftë edhe negative. Në këtë fazë kërkesa të refuzuara nuk ka pasur”, ceket në raport.
 
Kurse në fazën e dytë, respektivisht në periudhën kohore nga 1 mars deri më 16 maj, sipas raportit të QPA-së, janë dërguar 119 kërkesa në të gjitha institucionet publike në Presidencë, Kuvendin e Kosovës, Zyrën e Kryeministrit, ministritë, gjykatat, kompanitë publike, komuna, agjenci të pavarura të themeluara nga institucionet e Kosovës.
 
“Në 56 prej tyre është kthyer përgjigje që në përqindje i bie 47.05 për qind, pra trendi është pothuajse i njëjtë me periudhën e parë”. Aty shtohet se “niveli i zbatimit të LQDO-së nëse e bëjmë krahasimin me të dhënat e mëhershme del se institucionet publike me përjashtim të Presidencës dhe Kuvendit të Kosovës, të cilat kanë lejuar qasje në të gjitha kërkesat, kanë shënuar ngritje të konsiderueshme nga 50 për qind sa ishte në periudhën dhjetor 2011-shkurt 2012 në 60 për qind mars-maj 2012”. Sipas monitorimit, rritje sa i përket transparencës kanë shënuar edhe komunat nga 35 për qind, sa ishte më parë, në 43.13 për qind në fazën e dytë. Ky monitorim është mirëpritur nga anëtari i Komisionit parlamentar për arsim, kulturë, rini, sport, administratë publike, qeverisje lokale dhe media, Sadri Ferati. Por, ky i fundit ka pranuar se komisioni nuk ka ndonjë informatë se çfarë ndodh tutje, pasi që institucionet refuzojnë t’iu ofrojnë qasje në dokumente publike qytetarëve.
 
“Me keqardhje po them se  edhe tash një vit ne nuk kemi informacione se ndonjë palë që i është mohuar e drejta për qasje në dokumente publike ka proceduar më tutje për të sanksionuar personin përgjegjës, sepse ligji është shumë decidiv”, ka deklaruar ish- ministri Ferati.
 
Sipas tij, ndëshkimi i institucionit që nuk përfill kërkesat e qytetarëve për qasje në dokumente publike do të ndikonte në vetëdijesimin për zbatimin e ligjit përkatës.
 
“Do të ishte një shembull i mirë se kur të ishin proceduar disa prej kërkesave dhe të kishte kuptuar zyrtari apo institucioni se po gjobitet ashtu siç e parasheh ligji,  situata do të ishte ndryshe”, është shprehur Ferati.
 
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Avokatit të Popullit, Majlinda Lulaj, ka kujtuar se në këtë institucion për vitin 2012 janë dorëzuar katër ankesa për moszbatim të Ligjit për qasje në dokumente publike. Ajo ka thënë se “janë vetëm dy raste që kanë përfunduar në gjykatë dhe bazuar në lëndët nëpër gjykata do të thotë se do të kalojnë vite të tëra për të marrë një përgjigje që në momentin kur të jepet mund të mos jetë pozitive”.
 
Zbatimin e ligjit përkatës e ka vlerësuar të domosdoshëm edhe kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti. Mirëpo ai e ka kuptuar faktin se Qeveria e Kosovës vazhdon të mos ketë zëdhënës e që sipas tij është më se i nevojshëm për të lehtësuar punën e gazetarëve.
 
“Vendimi i mosemërimit të zëdhënësit na tregon mënyrën sesi institucionet i shohin mediet. Ato nuk i shohin si instrument për dhënie të përgjegjësisë, por kishin pas qejf me i pa vetëm si instrument për dhënien e informacioneve që ata i dëshirojnë”, ka  vlerësuar Ahmeti. Ky i fundit gjithashtu ka kujtuar se qytetarët nuk e dinë as sa zv. ministria ka Qeveria e Kosovës, pasi që vendimet për emërimin e tyre nuk bëhen publik fare.
 
“Nuk dihet se sa zv.ministra ka Qeveria e Kosovës, e vetmja mënyrë është me i shiku faqet e ministrive veç e veç. Kjo është e pamundur të dihet, sepse kryeministri merr vendime të cilat nuk publikohen askund dhe ti si gazetar e ke të pamundur të kërkosh një informatë të tillë, sepse nuk e di se në çfarë lloj vendimi duhet të thirret gazetari, pasi që ai nuk publikohet askund”, është shprehur Ahmeti.
 
Kurse hartuesja e raportit të monitorimit, Shqipe Pantina, ka përmendur se institucionet publike kanë krijuar legjislacion të avancuar për sa i përket qasjes në dokumente publike, por ato nuk e kanë bërë klasifikimin e dokumenteve se cilat janë të qasshme për publikun, edhe pse kjo precizohet me ligjin përkatës. /Koha/


Kosova po punon të ketë sistem modern të drejtësisë

Prishtinë, 19.06.2012 - Kosova është e interesuar të ketë të ndërtuar një sistem të drejtësisë modern të bazuar në demokraci, rend dhe ligj, tha të martën ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuç, gjatë promovimit të katërt të serive të botimeve ligjore, të publikuar nga Qendra Juridike e Kosovës.

Sipas ministrit Kuçi, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryeministër, puna që po bënë Qendra Juridike e Kosovës, është pjesë e punës që është duke u bërë në reformimin e sistemit të drejtësisë, si dhe informim për studiuesit dhe për qytetarët për këtë sistem.

Kuçi tha së në botimet e publikuar sot ka vërejtur dy lloj burimesh (ligjesh), atë që kanë të bëjnë me burimet e brendshme dhe atë që ka të bëj me burimet ndërkombëtare dhe shtoi së qëllimi është që këto dy lloj burimesh të harmonizohen dhe të jenë në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe me atë që e bënë bota demokratike.

Po ashtu, Kuçi tha së Qendra Juridike e Kosovës mund ta bëjë botimin e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale, Ligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar nga vepra penale etj., dhe për këtë ofroi mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë. /Telegrafi/
 


Kushtetuesja refuzon ankesën e të dënuarve në “Rastin Kiçina”

Prishtinë, 19.06.2012 - Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës përmes një njoftimi për medie bëri sot të ditur se hodhi poshtë kërkesat për prishjen e dënimeve të Gjykatës së Qarkut në lidhje me “Rastin Kiçina”.  
 
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot nxori aktvendimet e veta për papranueshmëri në rastet KI-46/10, KI-52/10, KI-43/11, KI-78/11, KI-81/11, të njohura si ‘Rastet Kiçina’, thuhet në njoftim.
 
Këto kërkesa u bashkuan dhe u shqyrtuan së bashku për shkak të objektit të çështjes dhe personave të përfshirë në to.
 
Të gjitha këto kërkesa kishin të bënin me përpjekjen për prishjen e dënimeve të shqiptuara nga Gjykatat e Qarkut, për vrasje dhe vepra të tjera të rënda kundër personave, që burojnë nga ngjarjet e vitit 2001.
 
Kjo Gjykatë i hodhi poshtë kërkesat duke u bazuar në dispozitat kushtetuese, praktikën dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
 
Aktvendimet për papranueshmëri do t’u dorëzohen palëve, do të jenë në dispozicion në uebfaqen e Gjykatës dhe do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftim.
 
Arsim e Burim Ramadani dhe Jeton e Arben Kiçina po vuajnë dënimin prej 106 vjetësh burg, të shpallur fajtorë për vrasjen e familjes Hajra nga Baica, në vitin 2001 në Drenas. /Telegrafi/
 


Sistemi i drejtësisë, i ndikuar nga politika

Prishtinë, 16.06.2012 - Njëri nga kriteret që duhet të përmbush Kosova në rrugën drejt BE-së është edhe pavarësia e sistemin të drejtësisë. Mirëpo, disa nga subjektet politike opozitare konsiderojnë se Qeveria e Kosovës i ka futur duart hapur në sistemin e drejtësisë. Sipas tyre, kjo vërehet edhe atëherë kur trajtohen rastet korruptive. Ndërkaq, drejtues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës vlerësojnë se në këtë drejtim ka përmirësime, ndërsa konsiderojnë se nevojiten disa ndryshime, në mënyrë që gjyqësori të jetë i pavarur.
 
Albulena Haxhiu nga Lëvizja “Vetëvendosje” mendon se sistemi i drejtësisë është i ndikuar drejtpërdrejt nga politika për faktin se problemi fillon prej emërimit të gjyqtarëve, i cili sipas saj, bëhet në baza politike dhe bën që sistemi i drejtësisë të mos jetë i pavarur, por i ndikuar direkt nga politika.
 
“Në një mënyrë apo tjetër shumicën e gjyqtarëve i zgjedh ose presidenca, ose ekzekutivi ose Kuvendi. Pra këtu fillon problemi pasi që ata do të varen në një mënyrë apo tjetër nga ata që edhe i emëronin. Ne themi se sistemi i drejtësisë është shumë i ndikuar politikisht, pra qeveria i ka futur duart hapur në sistemin e drejtësisë. Kjo vërehet për shkak të trajtimit të rasteve korruptive ne Kosovë. Ju e dini që në njërën anë kemi korrupsionin në nivelin me të lartë, ndërsa në realitet nuk kemi asgjë konkrete nga gjyqtarët apo prokurorët. Pra gjyqtarët apo prokurorët i trajtojnë rastet sipas preferencave të tyre që i kanë”, ka thënë Haxhiu për Kosovapress.
 
Ajo si fakte ka përmendur edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe mënyrat se si janë trajtuar nga prokurorëtrastet e vjedhjes së votave.
 
Sipas Haxhiut, me këtë është degraduar komplet sistemi gjyqësor në Kosovë.
 
Ajo konsideron se me Qeverinë aktuale është e pamundur që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, ngase siç shprehet ai, kjo Qeveri ka interes ta mbaj nën kontroll sistemin e drejtësisë, për shkak të korrupsionit të lartë dhe veprave të tjera negative.
 
Sipas saj, për të pasur një sistem të pavarur kjo qeveri duhet të shkoj në shtëpi.
 
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thekson se që nga koha sa është në krye të këtij institucioni, dalëngadalë janë eliminuaredhe ato ndikimet e mundshme politike në sistemin e drejtësisë, sidomos në procesin e emërimit të gjyqtarëve edhe interferimet e presidentëve të kaluar, të cilët kanë ardhur nga një parti politike.
 
“Unë prej që jam në Këshillin Gjyqësor, që nga viti 2010, dalëngadalë edhe ato ndikimet e mundshme politike, ato problemet që kanë ekzistuar sa i përket procesit, sidomos te disa çështje që në dukje shihen që munden me ndiku, sa i përket anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ngase tendenca është që pjesa dërmuese e anëtarëve ta zgjedhin gjyqësorët e jo Kuvendi, siç është me Kushtetutën tetë anëtarë. Kështu që edhe këto çështje kanë me has në mirëkuptim, edhe faktori ndërkombëtar dhe politika aktuale e ka pranuar që duhet të behet ky ndryshim, në mënyrë që në të ardhmen me të vërtet gjyqësori me qenë i pavarur”, ka thënë Peci.
 
Sipas tij, për të hequr dilemat dhe mundësitë e ndikimeve politike në sistemin e drejtësisë nevojiten patjetër të bëhen këto ndryshime, qoftë në procesin e përzgjedhjes së presidentëve, qoftë në sigurimin e buxhetit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
 
Përndryshe, Organizata Freedom House në raportin vjetor "Vendet në tranzicion 2012", ku analizohen zhvillimet demokratike në Evropën Qendrore, Lindore dhe ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, vlerëson se në Kosovë sistemi drejtësisë ka pësuar përmirësime, duke u vlerësuar me notën 5,50. /kosovapress/


Hajdari: AKK-ja bën fushatë kundër Prokurorisë

Kritikat e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion për punën e Prokurorisë nuk janë aspak korrekte dhe në esencë mendoj që kanë për qëllim ekzagjerimin e rezultateve të AKK-së për rolin dhe kontributin e kësaj agjencie në luftimin e korrupsionit në dëm të Prokurorisë, të cilën e paraqet si një organ të painteresuar dhe joefikas në përmbushjen e detyrave që i takojnë, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Drita Hajdari, k oordinatore Kombëtare Kundër Korrupsionit .

RADIO EVROPA E LIRË
Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë i kritikuar për mosangazhim të duhur në luftën kundër korrupsionit. Çfarë, në fakt, jeni duke bërë kundër kësaj dukurie?


DRITA HAJDARI
Sa i përket angazhimit në sistemin prokurorial të Kosovës, dua të kthehem në vitin 2010, konkretisht në mesin e vitit 2010, kur pas emërimit, unë dhe disa kolegë kemi ardhur në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë dhe prokuroritë e tjera, me ç’rast kemi trashëguar një numër të madh të lëndëve, në mesin e tyre ishte edhe një numër i madh i lëndëve të korrupsionit.

Ndërkohë, kanë arritur edhe lëndët e reja, kështu që këta prokurorë dhe unë kemi startuar me një bagazh të rëndë të lëndëve, por edhe të kërkesave të publikut për transparencë. Në një situatë të tillë, është vendosur që në secilën prokurori të Kosovës të caktohet nga një prokuror, i cili merret ekskluzivisht me lëndë të korrupsionit.

Në të njëjtën kohë, në kuadër të Policisë së Kosovës, saktësisht në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsion janë caktuar policët hetues, të cilët punojnë drejtpërdrejt nën udhëheqjen e prokurorëve kundër korrupsionit. Detyrën e koordinatorit e ushtroj unë nga niveli i Prokurorisë së Qarkut, në Prishtinë, ku aktualisht punoj.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është rezultati i punës prej asaj kohe? Ju përmendët vitin 2010...


DRITA HAJDARI
Ky grup i prokurorëve dhe policëve paraqet një task-forcë të re në luftimin e korrupsionit padyshim dhe puna e këtij grupi ka rezultuar me shënime me kryerjen e lëndëve konkrete.

Statistikat tregojnë se në vitin 2011 janë kryer 70 për qind më tepër lëndë të korrupsionit, në krahasim me vitin paraprak 2010. Përndryshe, statistikat për këto lëndë janë transparente dhe unë, si koordinatore, kujdesem për grumbullimin e shënimeve në baza 3mujore dhe pastaj pas grumbullimit të statistikave, ne i publikojmë ato në media dhe në ueb-faqen e Prokurorisë së shtetit.

Konsideroj se vullneti dhe angazhimi i prokurorëve për luftimin e korrupsionit nuk mungon, mirëpo kjo nuk do të thotë se çdo gjë është në rregull. Ende nuk kemi numër të mjaftueshëm të prokurorëve të specializuar për lëndët e korrupsionit. Me siguri nevojitet numër më i madh prokurorësh dhe staf mbështetës profesional.

Për të proceduar një lëndë të korrupsionit, vërtet nevojitet shumë punë juridike dhe teknike. Dëshiroj të theksoj se veprat penale të korrupsionit, përveç formës klasike të marrjes dhe dhënies së ryshfetit, në kohën e sotme më së shumti paraqiten në formën e shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit dhe, si të tilla, kërkojnë kohë për t’u proceduar. Kjo nga fakti se në këto lëndë zakonisht duhet të sigurohen dokumente të shumta se natyra e këtyre lëndëve është asisoj - duhet të analizohen ligje të ndryshme.

Ne që punojmë korrupsionin, nuk punojmë vetëm në bazë të Kodit Penal, por neve na nevojiten edhe ligjet shtesë për ta ndriçuar një rast, si dhe pastaj bëhen intervistimet e personave të dyshuar, dëshmitarëve dhe sigurimi i të gjitha provave relevante për ndriçimin e ndonjë rasti. Me një fjalë, këto lëndë zakonisht janë voluminoze dhe kërkojnë kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri më tash, siç thuhet, nuk është dënuar asnjë nga zyrtarët e lartë që janë të dyshuar për korrupsion. Ju si mendoni, pse nuk po dalin para drejtësisë këta persona?


DRITA HAJDARI
Në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë janë akuzuar dy ish-ministra, disa menaxherë të prokurimit, zyrtarë të lartë të komunave dhe institucioneve të tjera. Tash është vetëm pyetja se a i konsideroni ju këta si zyrtarë të lartë apo jo? !

Nga aspekti i Prokurorisë, ata janë zyrtarë të lartë. Këto lëndë përndryshe presin procedimin nëpër gjykata, presin radhën për gjykime dhe mendoj se ata, së shpejti, do të ballafaqohen me drejtësinë në gjykata, të cilat përfundimisht marrin vendim lidhur me rastin e caktuar.

Po ashtu, dëshiroj të theksoj se secili vendim i Prokurorisë duhet të jetë i bazuar në ligj, e jo në dëshirën e dikujt, që dikush të gjykohet. Nga aspekti i Prokurorisë, ndërmarrja e ndjekjes penale paraqet vërtet akt serioz, për të cilin prokurori mban përgjegjësi.
Kështu, në rast se kallëzimi penal nuk paraqet bazë të mjaftueshme për hapjen e hetimit, prokurori atë kallëzim penal e hedh.

Në rastin tjetër, kur pas përfundimit të hetimit vlerësohet se nuk ka bazë të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës, prokurori vendos për pushimin e hetimit - opsioni tjetër është ngritja e aktakuzës. Andaj suksesi i Prokurorisë konsideroj se nuk mund të matet vetëm me numrin e aktakuzave të ngritura, sepse sukses paraqet edhe vendimi për mbylljen e hetimit kur nuk ka prova se ndonjë person ka kryer vepër penale. Në këtë mënyrë krijohet sigurimi juridik i qytetarëve që askush të mos akuzohet në mënyrë të padrejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Thuhet se shkalla e korrupsionet është në nivel të lartë. Pse nuk ka ende një  seriozitet të duhur në luftën ndaj kësaj dukurie, ku qëndron problemi? 


DRITA HAJDARI
Dihet se korrupsioni paraqitet në forma të ndryshme. Unë si prokurore mund të flas për korrupsionin vetëm në raste kur ky fenomen paraqitet në formën e veprës penale. Për zbulimin dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, Prokurorisë i nevojitet bashkëpunimi me qytetarë. Andaj, krijimi i besimit të qytetarëve është një çështje tejet e rëndësishme, sepse pa besimin dhe përkrahjen e qytetarëve puna jonë s’mund të jetë e suksesshme. Nuk mundet që barra e luftës kundër korrupsionit të jetë vetëm mbi Prokurorinë, por nevojitet në radhë të parë, qëllimi i mirë dhe i sinqertë si dhe angazhimi i të gjitha subjekteve të shoqërisë sonë, duke përfshirë edhe ata që kanë për detyrë të na kritikojnë vazhdimisht, duke mos dëshiruar që të pranojnë asnjë progres të Prokurorisë në këtë drejtim.

Kështu ndodh që qytetarët të ftohen nga organizatat qeveritare, nga mediat që ta raportojnë korrupsionin, dhe në të njëjtën kohë atyre u thuhet se prokuroritë dhe gjykatat nuk punojnë, se prokurorët dhe gjyqtarët janë korruptuar etj.

Atëherë shtrohet pyetja, si mund të pritet bashkëpunimi i qytetarëve me organet e ndjekjes për t’i raportuar rastet e korrupsionit, kur u thuhet se prokuroritë dhe gjykatat nuk punojnë?

RADIO EVROPA E LIRË
Raportet Prokurori - Agjenci Kundër Korrupsionit, për shkak të hedhjes poshtë të disa lëndëve dhe mosshqyrtimit të disa të tjerave, vërehet se nuk janë në nivelin e duhur. Pse po ndodh kjo?


DRITA HAJDARI
Prokuroria duhet të jetë partner me Agjencinë Kundër Korrupsionit, si dhe me agjenci tjera të zbatimit të ligjit në luftimin e korrupsionit. Mirëpo, konsideroj se paraqitjet e drejtorit të AKK-së kanë krijuar një konfrontim ndërmjet Prokurorisë dhe Agjencisë.

Unë theksoj se sa i përket Agjencisë Kundër Korrupsion, Prokuroria e konsideron këtë agjenci si burim të rëndësishëm për pranimin e informatave për korrupsion, mirëpo rrethana se AKK-ja ka paraqitur një numër të kallëzimeve penale, nuk do të thotë se ato kallëzime penale automatikisht përmbajnë prova të mjaftueshme për Prokurorinë për ekzistimin e veprës penale, kallëzimi penal nuk është akt-akuzë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kallëzime penale deri tash janë dorëzuar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prokurori, që prej themelimit të saj?


DRITA HAJDARI
Siç kam dëgjuar në media, zoti Preteni ka dalë me numra bombastikë sa i përket numrit të kallëzimeve penale të paraqitura në prokuroritë e Kosovës. Mirëpo, unë disponoj një listë të këtyre kallëzimeve penale dhe numri i tyre është gjithsej 91 kallëzime penale që nga themelimi i agjencisë, deri në vitin 2012.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse raportet ndërmjet Prokurorisë dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit janë të acaruara, nëse mund të themi?


DRITA HAJDARI
Unë s’do t’i quaja të acaruar. Unë vetëm mendoj se nga ana e Prokurorisë mungon informimi i duhur. Derisa zoti Preteni është duke zhvilluar një kampanjë agresive duke paraqitur punën e agjencisë si të suksesshme, në anën tjetër e paraqet punën e Prokurorisë si të pamjaftueshme dhe si një mungesë të angazhimit të Prokurorisë për procedimin e rasteve dhe luftimin e korrupsionit. Unë më herët e shpjegova se secila informatë për korrupsion e pranuar, qoftë nga AKK-ja, apo ndonjë institucion tjetër, qoftë nga policia, apo qytetari, i nënshtrohet verifikimit dhe hetimit nga ana e Prokurorisë me ç’rast ndodh që në mungesë të provave, ato kallëzime penale të hidhen.

Duhet mbledhur shumë prova të sigurta për ta ngritur aktakuzën, për ta  bindur gjykatën se një person zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ka kryer vepër penale. Kjo punë nuk është aspak e lehtë dhe përmban përgjegjësinë dhe obligimin e prokurorit që të kujdeset që askush të mos i nënshtrohet ndjekjes penale në mënyrë kundërligjore.

Kur grumbullohen prova të mjaftueshme për ekzistimin e veprës penale, kur prokurori siguron prova relevante të sigurta, atëherë e ngrit aktakuzën - në të kundërtën jo.

Kritikat e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion për punën e Prokurorisë nuk janë aspak korrekte dhe në esencë mendoj që kanë për qëllim ekzagjerimin e rezultateve të AKK-së për rolin dhe kontributin e kësaj agjencie në luftimin e korrupsionit në dëm të Prokurorisë, të cilën e paraqet si një organ të painteresuar dhe joefikas në përmbushjen e detyrave që i takojnë.

Në këtë rast, unë prapë do të pyes përse përfaqësuesi i AKK-së , disa përfaqësues të OJQ-ve, disa përfaqësues të mediave, e konsiderojnë veten si persona më kompetentë dhe më të interesuar për luftimin e korrupsionit sesa që është Prokuroria, e cila këtë e ka për detyrë dhe përgjegjësi themelore dhe fundi i fundit, kohëve të fundit ka treguar rezultate ekzakte.

Mendoj se në këtë pyetje ata duhet të japin përgjigje. /evropaelire/
 


EULEX-i heton masakrën e Krushës së Vogël

Prishtinë, 13.06.2012 - Një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria e Qarkut në Prizren ka filluar zyrtarisht hetimet për krime të luftës, të kryera në fshatin Krushë e Vogël, më 25 dhe 26 mars të vitit 1999.

“Deri tani, prokuroria ka identifikuar 56 të pandehur të mundshëm, të cilët do të përballen me akuza për krime lufte kundër popullatës civile, duke përfshirë vrasjen e gjithsej 113 fshatarëve, dëbimin e të gjitha grave dhe fëmijëve nga fshati, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronës”, thuhet në komunikatën e misionit evropian për sundimin e ligjit.

Masakra në Krushë të Vogël pretendohet të jetë një nga vrasjet më masive që ka ndodhur gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. /Koha.net/
 


Jahjaga dekreton emërimin e disa gjyqtarëve

Prishtinë, 08.06.2012 - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dekretuar sot emërimin e një numri gjyqtarësh në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe në gjykatat komunale
Dekretimi i tyre është bërë në bazë të neneve përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.


Bazuar në njoftimin e Presidencës, betimin para Jahjagës e kanë dhënë këta të dekretuar: Behxhet Muçiqi, gjyqtar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, Fikri Shishko, gjyqtar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, Hysen Gashi, gjyqtar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, Bujar Muzaqi, gjyqtar në Gjykatën Komunale në Podujevë, Gazmend Bahtiri, gjyqtar në Gjykatën Komunale në Podujevë, Minir Hoti, gjyqtar në Gjykatën Komunale në Podujevë, Elife Uka, gjyqtare në Gjykatën Komunale në Lipjan, Avdi Haxhaj, gjyqtar në Gjykatën Komunale në Gllogoc, Skender Zariqi, gjyqtar në Gjykatën Komunale në Gllogoc, Shabi Idrizi, gjyqtar në Gjykatën Komunale në Kaçanik, Zajrete Muhaxheri, gjyqtare në Gjykatën Komunale në Kaçanik, Adem Shabani, gjyqtar në Gjykatën Komunale në Ferizaj. /Lajmonline/


Gjykata Komunale e Prishtinës Instalon Kamera

Prishtinë, 23.05.2012 - Realizimi i një projekti nga ana e Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka mundësuar që nga kjo javë, gjykata më e madhe komunale në vend të pajiset me 15 kamera, të cilat janë vendosur në korridore, pjesën e jashtme dhe në parkingun e gjykatës.
 
Kamerat janë të vendosura për të incizuar çdo lëvizje në këto ambiente, ndërsa monitorohen nga zyrtarët e sigurimit të objektit të gjykatës.
 
Administratori i gjykatës i tha Gazetës JnK se qëllimi i pajisjes me sistemin e kamerave është rritja e sigurisë brenda dhe përreth objektit të gjykatës.
 
Sipas zyrtarëve të Sekretariatit të KGJK-së, Gjykata komunale në Prishtinë është gjykata e fundit në të cilën është instaluar ky sistem dhe tani të gjitha objektet e gjykatave të Kosovës kanë sistem të monitorimit me kamera. Gjykata e Prishtinës ishte lënë e fundit, pasi renovimi i ndërtesës së kësaj gjykate, ka përfunduar vetëm para disa muajsh. /Gazetajnk/


Arrestohet në Kosovë avokati nga Shqipëria, Idajet Beqiri

Tiranë, 25.05.2012 - Arrestohet në Kosovë kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar, Idajet Beqiri. Ndalimi i 61-vjeçarit është bërë pas një urdhër ndalimi të nxjerrë nga drejtësia belge, e cila e ka skhpallur në kërkim për akuzën e “nxitjes të urrejtjes ndëretnie”. Prej shumë vitesh avokat në Tiranë, Idajet Beqiri u prangos paraditen e së enjtes teksa ka qenë duke kaluar në pikën e kalimit kufitar të Vermicës, duke hyrë në shtetin kosovar.

61-vjeçari ka qenë sekretar politik i Armatës Kombëtare Shqiptare dhe mendohet se ka vepruar në Belgjikë, ku nga qyteti i Namurit ka lëshuar thirrje që sipas autoriteteve belge nxisnin thirrje ekstremiste ndëretnike. Të tjera burime të besueshme policore bëjnë të ditur se Beqiri e ka pritur i habitur ndalimin në pikën e kalimit kufitar, i cili fillimisht ka ngjasuar me një kontroll në rutinë, e më pas ka përfunduar me prangosjen e tij.

9 vite më parë, Idajet Beqiri u arrestua nga policia gjermane me të njëjtën akuzë. Nga hetimet e kryera nga drejtësia belge rezulton se kryetari i Unitetit Kombëtar nëpërmjet mjeteve të ndryshme informuese dhe veprimeve te tij, ka nxitur urrejtje ndërmjet popullit shqiptar dhe atij maqedonas në Maqedoni. Së bashku me Gafur Adilin dhe Taip Mustafain. Idajet Beqiri u gjykua dhe nga drejtësia shqiptare vite më parë. /E.L/

Zëdhënësi i Idajet Beqirit: Arrestimi politik, ja arsyet
 
Tiranë, 26.05.2012 - Zëdhënësi për mediat i studios ligjore të Avokat Idajet Beqirit, Harbi Aliaj bën me dije se arrestimi i Beqirit bëhet për arsye politike.

Ditën e enjte në pikën e kalimit kufitar të Vermicës, duke hyrë në Republikën e Kosovës është arrestuar Avokat Idajet Beqiri, kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar. Ky veprim është bërë pas një urdhri ndalimi te nxjerrë nga drejtësia belge, e cila e ka shpallur në kërkim për akuzën e “nxitje të urrejtjes ndëretnike”.

“Ndalimi i zotit Idajet Beqiri,  bëhet për motive të pastra politike, dhe është i lidhur me veprimtarinë e tij politike si Kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar, që nga regjistrimi i kësaj partie në 10 janar 1991 e deri më sot, si dhe me vete programin e kësaj partie, Bashkimin Kombëtar Shqiptar”, thuhet në komunikatën e Aliaj.

Komunikata e plotë e zëdhënësit të Avokat Beqirit:  

Këto veprime janë të lidhura njëkohësisht me angazhimin që kanë marrë autoritetet policore të Mbretërisë së Belgjikës para shtetit të Serbisë dhe të Maqedonisë.

Që nga koha kur Idajet Beqiri ka jetuar në Belgjikë me familjen e tij, dhuna dhe lincimi që i bënë në vitin 2003, duke e arrestuar dhe duke e mbajtur në burgun e Kostancës, Gjermani, për një vit rresht u pasua me aktin tjetër të heqjes pa të drejtë të azilit politik nga autoritetet Belge. Megjithëse pas ekstradimit nga Gjermania në vitin 2004 ju nënshtrua hetimeve dhe gjykimeve në të treja shkallët e gjykimit në Shqipëri, pasi këto vendime morën edhe formën e prerë, autoritetet Belge ngritën ndaj tij të njëjtën akuzë dhe renditën të njëjtat “fakte” të cilat, në vështrim të legjislacionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, quhen “GJË E GJYKUAR”. Këtë e vërtetojnë : vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tirane Nr 793 , date 14/07/2004, Vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, Nr 865, date 21/12.2004 si dhe vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë Nr 629 date 16/09/2005.

Autoritetet Belge, të pakënaqura nga vendimet gjyqësore të formës së prerë që morën gjykatat në Shqipëri, filluan përsëritjen e të njëjtave akuza. Pas kësaj Z. Beqiri ka kërkuar zyrtarisht dhe disponon dokumentacionin shkresor të plotë dhe të shumtë, përmes ambasadës së Mbretërisë së Belgjikës në Tiranë dhe në Sofje, si dhe përmes një studio ligjore në Belgjikë, qe t’i mundësohej dhënia e një vize hyrëse për në Mbretërinë e Belgjikës, me qëllim që të asistonte me çdo lloj pozite proceduriale në hetimet dhe gjykimet e çështjes së tij. Një gjë e tillë nuk ju mundësua nga ana e ambasadës së Mbretërisë së Belgjikës në Tiranë dhe në Sofje, dhe për këtëe ai disponon përgjigjet zyrtare negative nga ana e tyre. Gjykimi i çështjes kundër tij dhe vendimi gjyqësor nga ana e Gjykatës Komunale në Namur, si dhe gjykimi i çështjes në Apel në Liege, në Belgjikë janë  zhvilluar në mungesë të tij duke shkelur nenin 6 të Konventës Europiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Për të gjitha këto shkelje të ligjit dhe KMDLNJ Idajet Beqiri  ju drejtua me një kërkesë ankimore Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Belgjikës.

Autoritetet gjyqësore dhe policore të Mbretërisë së Belgjikës , ju ka paraqitur të gjitha provat, faktet si dhe vendimet gjyqësore të formës së prerë të gjykatave në Shqipëri me anë të të cilave provohet se jemi “PARA GJËSË SË GJYKUAR”.

Idajet Beqiri i është përgjigjur 52 pyetjeve që atij ju drejtuan para Gjykatës së Krimeve të Rënda të Republikës së Shqipërisë ku ishin të pranishëm dhe përfaqësues edhe akuzes, të Prokurorisë së Mbretërisë së Belgjikës në vitin 2005.

Atëherë, përpara autoriteteve gjyqësore shqiptare dhe përfaqësueve të Prokurorisë Belge, Idajet Beqiri deklaroi se, në rast se akuzat do të ishin konkrete, me episode konkrete, ishte i gatshëm t’ia shpjegonte me hollësi gjithçka që ishte e vërtetë, siç kishte bërë përpara drejtësisë së vendit të tij, ku ishin dhënë tre vendime gjyqësore, deri në Kolegjin Penal të Gjykatës së Larte të Republikës së Shqipërisë.

Në atë hetim apo ballafaqim, Idajet Beqiri edhe një herë nënvizoi faktin se roli i tij si kryetar i PUK dhe si sekretar politik i FBKSH kishte qenë tepër konstruktiv, me synimin e vetëm, luftën pa kompromis kundër elementeve me prirje terroriste në të ashtëquajturën AKSH, mënjanimin e këtyre elementeve, deri  duke ju dhënë për ndjekje penale drejtësisë në Kosovë dhe në Maqedoni. Ai pati deklaruar se as ka ndalur dhe nuk do të ndalte veprimtarinë e tij për përmbushjen me mjete demokratike, politike dhe diplomatike të objektivit madhor të Partisë së Unitetit Kombëtar, partisë që udhëheq, për bashkimin e të gjithë shqiptarëve brenda trojeve të tyre etnike në një shtet të vetëm shqiptar.

Ai vetë ka deklaruar në shtyp që për veprimtarinë që ka kryer në FBKSH , herë pas here ka qenë në kontakte të vazhdueshme me ambasadat e Shqipërisë në Gjermani, Austri, në Zvicër dhe në Belgjikë, të cilat kanë qenë në dijeni të plotë të veprimtarive të tij  konstruktive, në futjen e lëvizjes në rrugën e normalitetit demokratik dhe përdorimit të mjeteve paqësore duke qenë kundër çdo lloj akti apo insinuate propagandistike me elemente terroriste dhe dhunë brenda.

I vetmi fakt që policia Belge ka, ishte një kompjuter i cili nuk ishte vetëm i Idajetit por edhe i udhëheqësve të tjerë të FBKSH-së të cilët e kishin përdorur atë para vitit 2002, para se ai të angazhohej me rolin e tij tepër konstruktiv dhe paqësor, në luftën e tij kundër çdo lloj ekstremiteti në lëvizjen për Bashkimin Kombëtar të Shqiptarëve, në luftën kundër atyre krimineleve që udhëhiqnin në atë kohe AKSH-në, por që për fatin e keq jetojnë të lirë, pa i prekur askush, “në atë botën e lirë të perëndimit”.

Veprimtaria e Idajet Beqirit ka qenë legale, me takime zyrtare me ndërkombëtarët, duke filluar nga NATO me seli në Bruksel, me personalitete të larta në Parlamentin dhe Senatin Belg, në Bundestangun Gjerman dhe Austriak, me Grupin Ndërkombëtar të Krizave etj.

Ai vetë ka deklaruar, por më e rëndësishmja,  e konfirmuar nga organet hetimore dhe gjyqësore të Mbretërise Belge, që në asnjë rast dhe në asnjë rrethane, nuk ka marrë pjesë, nuk ka urdhëruar, dhe nuk ka patur dijeni për ngjarje që kanë pasur brenda sadopak dhunë dhe veprime të tjera kundër lirisë, jetës dhe shëndetit të individëve të ndryshëm, qofshin ata serbe, maqedonas, greke etj.

Për të gjithë ka qenë e qartë në ato vite, 2002-2003 , se lufta e AKSH-se ishte vetëm “luftë virtuale”, “luftë vetëm me internet”. Si lider i FBKSH-së Idajeti e vuri nën kontroll AKSH-në duke paqtuar lëvizjen kombëtare, duke e bërë atë të arsyeshme, duke e larguar nga aktet ekstremiste, duke e vënë nën kontroll, duke i dhënë mundësi drejtësisë në Kosovë dhe në Maqedoni, që të vinte përpara përgjegjësisë kriminelët qe donin të përfitonin në emër të bashkimit kombëtar shqiptar. Në kohën që Idajet Beqiri udhëhiqte FBKSH-në, faktori ndërkombëtar dhe shteti shqiptar që ndiqte situatat politike në Kosovë dhe Maqedoni u bindën që roli i Idajetit ishte shumë konstruktiv, situata u qetësua, konfliktet ndëretnike gjetën rrugën konstruktive për zgjidhje, elementet ekstremiste dhe abuzues dolën jashtë nga radhët e FBKSH-së dhe u përgjigjën përpara drejtësisë.

Në fund të fundit i vetmi veprim që ka bërë Idajeti në Belgjikë, ka qenë përdorimi i kompjuterit në të cilin i hidhnin materiale të shumta që shkruanin edhe persona të tjerë, ndonjëhere edhe në emailin e tij, ndonjëherë edhe duke hyrë edhe me pasuorde të vjedhura. Asnjë veprim tjetër konkret abuzues, shpërdorues, nxitës, provokativ dhunë, insinuatë dhune, etj nuk ka kryer. Faktikisht edhe drejtësia Belge nuk ka arritur dot të gjejë prova konkrete që mundet të ngarkojnë me përgjegjësi Idajet Beqirin.

Në vitin 2005 autoritetet policore Belge tentuan që ta arrestojnë Idajet Beqirin por drejtësia shqiptare nuk u bind kurrë që kishte fakte që provonin fajësinë e Idajet Beqirit si udhëheqës i FBKSH-së në vitin 2002-2003. Shteti Shqiptar, drejtësia shqiptare duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke respektuar Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut “PËR GJËNË E GJYKUAR” , duke vlerësuar në mënyre atdhetare kontributin e veçantë të Idajet Beqirit si Kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar, në interes të programit të Bashkimit Kombëtar Shqiptar, duke vlerësuar kontributin e tij intelektual në trajtimin me kurajo, me inteligjencë, me guxim, të problemeve që ka vendi ynë, duke vlerësuar profesionalizmin e tij si avokat, si Kryetar i Forumit të Avokatëve të Shqipërisë, si Nënkryetar i Lëvizjes Intelektuale për Çështjen Kombëtare, nuk pranoi ta arrestonte dhe ta vinte në dispozicion të Drejtësisë së Mbretërisë së Belgjikës. / NOA/
 
 


"Çaka Nuk e Njeh Vajzën që Po e Akuzon"

Këngëtari i njohur kosovar, Besnik Çaka, është paraqitur sot në seancën për konfirmimin e aktakuzës kundër tij dhe shtatë personave të tjerë, për keqpërdorim seksual të një të miture, në një motel afër Lipjanit. Por, seanca është shtyrë për 3 korrik, pasi në gjykatë nuk janë paraqitur gjashtë nga të pandehurit. Avokati thotë se Çaka as nuk e njeh vajzën dhe natën kritike nuk ka qenë në këtë hotel. Ai pretendon se vajza është shtyrë të akuzojë këngëtarin nga një polic hetues nga Ferizaj.

Besnik Çaka, pjesëtar i grupit të njohur muzikor NRG Band, është paraqitur sot paradite në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Me syza të zeza, idhulli i shumë të rinjve kosovarë, dukej i qetë teksa dilte prej gjykatës, megjithëse mbi të rëndon një aktakuzë, që mund ta dërgojë në burg nga 1 deri në 10 vjet.

Seanca kundër Çakës dhe shtatë të pandehurve të tjerë është shtyrë për 3 korrik, pasi gjashtë nga të akuzuarit nuk janë paraqitur në seancë.

Ndaj njëri nga të pandehurit u veçua procedura, pasi policia e ka njoftuar gjykatën se ai është i pakapshëm për policinë dhe besohet se ndodhet jashtë vendit.

Avokati mbrojtës i Çakës, Arianit Koci, bëri të ditur për Gazetës Jeta në Kosovë se një seancë e jashtëzakonshme hetimore, do të mbahet sot pasdite, me kërkesë të prokurorit, për ta ballafaquar viktimën me pyetjet e avokatëve mbrojtjes, pasi ajo do të udhëtojë në SHBA.

Koci i tha gazetës se klienti i tij absolutisht e mohon se ka pasur farë marrëdhëniesh seksuale me vajzën që po e akuzon. “Ai as nuk e njeh të dëmtuarën”, u shpreh ai.

Ai pretendon se vajza është shtyrë të akuzojë këngëtarin nga një polic hetues nga Ferizaj.

“Ky proces është i çuditshëm, për shkak se e dëmtuara, viktima, ka deklaruar para prokurorit që ka qenë i shtyrë nga një polic hetues në Ferizaj t’i inkriminojë rrejshëm njerëzit. Dhe nuk është hetuar në atë drejtim”, tha avokati Koci.

Vajza, e cila në kohën kur dyshohet se është kryer vepra, ka qenë e mitur, sipas Kocit, ka dhënë katër deklarata para policisë. “Në dy nuk e përmend fare Besnikun dhe deklaratat janë kundërthënëse me njëra – tjetrën. Nuk ka asnjë provë materiale në raport me Besnikun”.

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, në fillim të vitit 2012, ka dorëzuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, aktakuzën kundër Besnik Çakës, pjesëtar të grupit të njohur muzikor NRG Band dhe shtatë personave të tjerë, për ta konfirmuar.

Ata akuzohen se në fund të tetorit 2008, në Prishtinë, përkatësisht në motelin “Rama Petrol”, rrugës për Lipjan, ka keqpërdorur seksualisht një të mitur nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare.

Sipas aktakuzës, që e ka parë Gazeta Jeta në Kosovë, Çaka me dashje ka kryer veprën penale të keqpërdorimit seksual të personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, vepër e dënueshme nga 1 deri në 10 vjet burgim.

Koci, njëri nga dy avokatët mbrojtës të këngëtarit, tha se prokuroria nuk iu ka prezantuar asnjë fakt se Besniku në natën kritike në hotelin “Rama Petrol”. “Zakonisht kur një mysafir shkon në hotel, emrat regjistrohen”, ka shtuar ai.

Besnik Çaka ishte dashur të paraqitet në gjykatë edhe më 30 prill të këtij. Madje, kishte një urdhëresë për t’u sjellë me forcë nga policia. Por, sipas organeve të drejtësisë, policia kishte dështuar ta sjellë atë, e për pasojë seanca ishte shtyrë.

Aktakuza përfaqësohet nga prokurori Haxhi Dërguti dhe personat e akuzuar nuk dyshohen për bashkëkryerje të veprave me të cilat ngarkohen, por bëhet fjalë për të njëjtën të mitur që dyshohet se ka qenë viktimë mes viteve 2007 dhe 2008. /gazetajnk/
 


Hamdi Ibrahimi, Kryetar i Qarkut në Prishtinë

Prishtinë, 16.05.2012 - Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të martën në mbledhjen e tij në rregullt, me shumicë votash ka caktuar për kryetar të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, gjykatësin e deritashëm të kësaj gjykate, Hamdi Ibrahimi.
 
Gjykata e Qarkut në Prishtinë, njëherit gjykata më e madhe në vend, për dy javë mbeti vetëm me ushtrues detyre, punë të cilën e kryente nënkryetarja dhe gjykatësja Tonka Berishaj.
 
Nga burime të Gazetës Jeta në Kosovë, merret vesh se gjykatëses Berishaj i ishte ofruar posti i kryetares, por kjo e fundit nuk e kishte pranuar për shkak të angazhimeve që kishte brenda gjykatës.
 
Kryetari i deritashëm i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Isak Ademi, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pasi ka vendosur të bëhet noter.
 
Para dy javësh ishte afati i fundit për të gjithë ata që kishin kaluar testin për noter, që të përgjigjeshin nëse do të merreshin me noteri.
 
Vetëm një ditë para përfundimit të afatit për të dhënë përgjigje lidhur me noterinë, ai dha dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe e gjykatësit, për të pranuar pozitën e re të noterit, e cila konsiderohet se do të jetë më fitimprurëse financiarisht për të. /gazetajnk/
 


13 Prokurorë të Rinj Japin Betimin

Prishtinë, 15.05.2012 - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dekretoi sot emërimin e 13 prokurorëve të rinj, të cilët do të shërbejnë në prokuroritë komunale të vendit.

Dekretimi u bë duke u bazuar në nenin 84, pika 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 19, paragrafi 1 të Ligjit nr.03/L-224, për Këshillin Prokurorial, si dhe duke u bazuar në vendimin nr. 52/2012, të datës 17 prill 2012 të Këshillit Prokurorial të Kosovës, thuhet n[ nj[ njoftim të Zyrës së Presidentes.

Të shoqëruar nga kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi, betimin para Presidentes Jahjaga e dhanë këta të dekretuar: Sebahate Hoxha, prokurore në Prokurorinë Komunale në Prishtinë; Valdet Gashi, prokuror në Prokurorinë Komunale në Prishtinë; Raze Loshaj, prokurore në Prokurorinë Komunale në Prishtinë; Florije Saliju-Shamolli, prokurore në Prokurorinë Komunale në Ferizaj; Bahri Salihu, prokuror në Prokurorinë Komunale në Ferizaj; Visar Musa, prokuror në Prokurorinë Komunale në Ferizaj; Rasim Maloku, prokuror ne Prokurorinë Komunale në Ferizaj; Ismet Ukshini, prokuror në Prokurorinë Komunale në Gjilan; Arben Ismajli, prokuror në Prokurorinë Komunale në Gjilan; Esat Ademi, prokuror në Prokurorinë Komunale në Gjilan; Ardita Beqiraj, prokurore në Prokurorinë Komunale në Pejë; Ismet Tofaj, prokuror në Prokurorinë Komunale në Gjakovë dhe Fetije Bajrami-Shala, prokurore në Prokurorinë Komunale në Mitrovicë. /Gazetajnk/


Marty Mund të Mos Dëshmojë Shkaku i Imunitetit

Imuniteti diplomatik mund ta pengojë Dick Martyn të paraqitet në procedurat ligjore si ish-anëtar i Parlamentit Europian dhe raportues i Këshillit të Evropës, të dëshmojë në rastin Medicus.

(E plotësuar) Misioni i BE-së për Zbatimin e Ligjit në Kosovë thotë se po pret sqarime nga Këshilli i Evropës nëse rregullat nënkuptojnë se ish i dërguari, Dick Marty, nuk është i detyruar të paraqitet në gjykatë në Kosovë, si dëshmitar në rastin Medicus. 

Marty është thirrur të shfaqet, por udhëzimet e Këshillit të Europës, thonë se të gjithë përfaqësuesit kanë imunitetet nga “arrestimi dhe të gjitha procedurat në territoret e të gjithë shteteve anëtare, në lidhje me fjalët e thëna dhe votat e hedhura në debatet e Asamblesë, ose komisionet dhe komitetet e saj”. 

Rasti përqendrohet në dyshimet se klinika me bazë në Kosovë organizoi, bëri shitjen dhe transplantin e veshkave nga donatorë të varfër te klientë të pasur. 

Sipas aktpadisë, 30 operacione që përfshinë transplante të paligjshme veshkash u bënë në klinikë, duke tërhequr njerëz të varfër nga Stambolli, Moska, Moldavia dhe Kazakistani me premtimin fals se do të merrnin deri në 15,000 për organet e tyre. 

Nëntë persona janë akuzuar për trafikim qeniesh njerëzore, krim të organizuar dhe ushtrim të paligjshëm të aktiviteteve  mjekësore, duke përfshirë profesorin e universitetit Lutfi Dervishi, i cili akuzohet si organizator i grupit. 

Dervishi, pronar i Klinikës Medicus, ka akuzuar EULEX-in për shpifje dhe tha se padia kundër tij dhe bashkëpunëtorëve të tij është e motivuar politikisht. 

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, tha se Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka dërguar kërkesë për Martyn të dëshmojë “përmes kanaleve diplomatike”. 

“Gjyqtarët po presin vendimin e autoriteteve kompetente për imunitetin e tij”, i tha ai, Gazetës Jeta në Kosovë, duke shtuar se vendimi duhet të vijë nga Këshilli i Europës.

Prokurori i EULEX-it në rastin Medicus, Jonathan Ratel, më 23 mars, i kërkoi gjykatës të thërrasë Martyn si dëshmitar, që u miratua më pas nga gjyqtari kryesues, Arkadiusz Sedek. 

“Marty thotë se ka informacione të rëndësishme për këtë çështje, kështu që do ta pyesim se çfarë lloj informacioni ka dhe se cilat janë burimet për këtë informacion”, tha Sedek. 

Në dhjetor të vitit 2010, Këshilli i Europës miratoi një raport nga Marty, e cili hodhi dyshime se një rrjet kriminal i lidhur me kryeministrin e tanishëm të Kosovës, Hashim Thaçi, ka ekzekutuar civilë të marrë peng dhe shiti organet e tyre pas luftës në Kosovë, në vitin 1999. 

Raporti tha se “tregues të shumtë konkretë dhe konvergjente konfirmojnë se disa serbë dhe kosovarë u mbajtën të burgosur në vende sekrete në vende burgimi nën kontrollin e UÇK-së në veri të Shqipërisë dhe iu nënshtruan një trajtimi çnjerëzor dhe degradues, para se të zhdukeshin”. 

Kosova dhe Shqipëria kanë dënuar akuzat për trafikim dhe marrje të organeve si të pabaza, por janë zotuar të mbështesin hetimin. 

Në raportin e tij, Marty tha se ka gjetur “tregues të besueshëm dhe konvergjentë” se trafikimi i organeve gjatë kohës së luftës “ishte i lidhur ngushtësisht me rastin e tanishëm të klinikës Medicus”. 

Departamenti i Komunikimit i Këshillit të Evropës i tha Balkan Insightit se nuk mund të specifikonte nëse dhe si do të veprojë për kërkesën e EULEX-it për të thirrur Martyn si dëshmitar. 

Burime të EULEX-it thotë se “mund t’i propozojë Martyt të dëshmojë përmes një video-linku”.
Ish-senatori zviceran, Marty, është ftuar të japë dëshminë e tij për rastin “Medikus” më 18 qershor, u njoftua në seancën e sotme në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Dick Marty Ndoshta Vjen Në Qershor

Kolegji i Gjykatësve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, sot kishin planifikuar që të merrte në pyetje dëshmitarët nga Izraeli, por kjo nuk u realizua pasi që shteti i Izraelit i ishte përgjigjur gjykatës në kërkesën e saj për ndihmë juridike, se marrja në pyetje mund të bëhet në fillim të muajit qershor. 

Prokurori i çështjes, po ashtu, i konfirmoi gjykatës se eksperti dr. Stojan Stojev, ish-punëtor i EULEX-it, nuk mund të sillet në gjykatë meqë ka dalë në pension dhe tani nuk mund të gjendej adresa e tij e saktë. 

Për shpjegimin e raporti të dr. Stojevit, prokurori i propozoi kolegjit që në gjykatë të vijë Allen Robinson, shef i Forensikës në EULEX dhe një mjek nga kjo njësi, që të shpjegojnë atë raport për gjykatën. Pra qëllimi i prokurorisë ishte elaborimi i raportit të përgatitur nga dr. Stojev. 

Prokurori propozoi që si dëshmitar të dëgjohet edhe eksperti i teknologjisë informative në Forensikën e EULEX-it, Kristian Jugoveri, në mënyrë që të shpjegojë e-mailat e shkëmbyer nga të pandehurit nëpërmes adresave në Yahoo dhe Hotmail, të cilët prokuroria kohë më parë i kishte nxjerrë nga serverët e këtyre dy kompanive. 

E-mailat ishin shkëmbimet ndërmjet mjekëve Lutfi Dervishi, Manfred Ber dhe Yousuf Somnez, si dhe disa e-mailë të tjera. Eksperti i EULEX-it do të përgatisin një raport paraprak, e pastaj të dëshmojë. 

Prokurori në fund propozoi dëgjimin e dr. Menana, doktoreshë në misionin e OSBE-së në Kosovë, e cila kishte punuar së bashku me të pandehurin Driton Jilta. 

Mbrojtja kërkoi që të dihet se cilat ishin arsyet e thirrjes së këtyre ekspertëve, arsye të cilat prokuroi i dha menjëherë. 

Mbrojtja, po ashtu, kërkoi që ekspertët e propozuar të jenë ekspertë të cilët janë të pavarur, e jo që punojnë në EULEX dhe për të. 

Prokurori kësaj iu përgjigj me atë se gjykata mund të vendosë të caktojë ekspert të pavarur për vlerësimin e këtyre provave, por këtë mund ta bëjë pasi ta ketë dëgjuar atë që deklarojnë ekspertët e propozuar nga prokuroria. 

Shqyrtimi u shty për datën 18 maj, kur do të dëgjohet dr. Menana dhe eksperti i IT-së, ndërsa kolegji lajmëroi seancat e tjera tregoi se me datën 18 qershor është ftuar dëshmitari Dick Marty, por që ende gjykata nuk e di nëse do ta pranojë ftesën për të dëshmuar Marty. /gazetajnk/
 


Jahjaga ia Kthen Kuvendit Kodin Penal

Prishtinë, 08.05.2012 - Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, ka marrë vendim sot që t’ia kthejë Kuvendit Kosovës për rishqyrtim Kodin Penal të Republikës së Kosovës, pasi ka vlerësuar se nenet 37 dhe 38 janë në kundërshtim me nenet e Kushtetutës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, si dhe në kundërshtim me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.


Pamje nga takimi i mëhershëm i përfaqësuesve të mediave me presidenten Jahjaga 

Kodi i ri Penal i Republikës së Kosovës ishte miratuar në seancën plenare të Kuvendit, më 20 prill 2012, ndërsa ishte pranuar në Zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës më 4 maj 2012.

“Bazuar në kompetencat e Presidentes së Republikës së Kosovës, sipas nenit 84 pika 6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, vendimi për rishqyrtimin e Kodit Penal u mor pasi u vlerësua se Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve si dhe me Nenin 22, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj”, thuhet në një komunikatë shtypi të Zyrës së Presidentes.

AGPK-ja Mirëpret Vendimin e Presidentes

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka mirëpritur vendimin e presidentes Atifete Jahjaga që të kthejë Kodin e Ri Penal në Parlamentin e Kosovës, duke vlerësuar se me një vendim të tillë është shpëtuar liria e shtypit në Kosovë, e cila rrezikohej seriozisht nga përmbajtja e kodit aktual.

Asociacioni falënderon gazetarët dhe mediet për unifikimin e jashtëzakonshëm në mbrojte të Lirisë së Shtypit, pa të cilin unifikim nuk do të mundësohej kjo mbrojtje.

“AGPK-ja falënderon partnerët vendës e ndërkombëtarë, organizatat, Zyrën e BE-së në Kosovë dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë për mbështetjen e kërkesave të drejta të gazetarëve”, thuhet në një komunikatë shtypi, pas çaste pasi Presidenca njoftoi kthimin mbrapsht të Kodit.

AGPK-ja i bënë thirrje Parlamentit të Kosovës që të pranojë kërkesat e komunitetit të gazetarëve. Kurse subjektet politike në pushtet dhe opozitë, i fton që të mbështesin kërkesat e gazetarëve.

Shoqata që mbledh gazetarët kosovarë thotë se do të jetë në funksion të arsyetimit ligjor të kërkesave të komunitetit. “Liria e Shtypit nuk negociohet”, thuhet në fund të komunikatës. /gazetajnk/


Haga liron Ramush Haradinajn deri në vendim të aktakuzën

Prishtinë, 08.05.2012 - Gjykata për krime lufte në ish-Jugosllavi, ka marrë vendim që ta liroj Ramush Haradinajn, nga paraburgimi deri në vendimin lidhur me aktakuzën ndaj tij.

Lajmin për Klan Kosovën e kanë bërë të ditur burime të sigurta, sipas të cilave prokuroria nuk ka bërë ankesë ndaj këtij vendimi.

Procesi i rigjykimit ndaj ish-eprorit të UCK-së dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, pritet të përfundoj diku kah fillimi i gushtit. /klankosova/


Limaj shpallet i pafajshëm

Prishtinë, 02.05.2012 Kolegji i gjykatësve në Rastin Kleçka ka shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn dhe tre të pandehurit e këtij rasti, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi. “Ky vendim tregon edhe një herë qartë se lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë dhe e pastër”, u shpreh Limaj, pas shpalljes së vendimit.
 
(E plotësuar) Vapa në sallën e madhe në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, sot ishte më e pranishme se kurrë më parë gjatë gjykimit, por ajo ishte mbushur plot, pasi po pritej shpallja e aktgjykimit në Rastin Kleçka.
 
Të pandehurit kishin ardhur më herët, së bashku me mbrojtësit e tyre. Fatmir Limaj, i veshur me rroba “solemne” u ul prapa mbrojtësve të tij, duke pritur vendimin e gjykatës lidhur me akuzat.
 
Kryetari i kolegjit, pasi që e hapi seancën dhe konstatoi palët, pyeti në kishte dikush ndonjë kërkesë ose parashtresë lidhur me çështjen.
 
Karim Khan, avokati i Fatmir Limajt, pyeti kolegjin nëse kishin nevojë për ndihmën e tij për të sqaruar përgjegjësin komanduese të Limajt dhe nëse kolegji dëshironte të dëgjonte argumentet e mbrojtjes lidhur me këtë çështje.
 
Kryetari i kolegjit e ndërpreu duke i thënë: “Zotëri Khan, unë kam përparësinë në atë se e di çfarë përmban vendimi dhe ju nuk keni nevojë që ta bëni një gjë të tillë”.
 
Kolegji me aktgjykim shpalli të pafajshëm, në të gjitha pikat e aktakuzës, të gjithë të pandehurit, kjo për shkak të mungesës së provave.
 
Edhe gjatë dhënies së arsyetimit të shkurtër, kolegji tregoi se lidhur me Nexhmi Krasniqin ka pasur dëshmi për përgjegjësin e tij komanduese, por kujtoi edhe një herë se prokurori nuk e kishte ndryshuar aktakuzën dhe nuk thirri dëshmitarë.
 
Kolegji në fund i ofroi mundësi palëve që të paraqesin ankesa në aktgjykim. Por ankesë paralajmëroi vetëm prokurori Maurizio Salustro, i cili tha se “do të paraqesim ankesë për të gjithë të pandehurit”.
 
Gjatë shpalljes së aktgjykimit nuk munguan zilet e telefonit që lajmëronin mesazhet e ardhura në telefonat e të pandehurve dhe të publikut.
 
Por, edhe jashtë të pandehurit u pritën me duartrokitje, sidomos kur jashtë u shfaq Limaj, ish-komandant i UÇK-së, i njohur me emrin e luftës Çeliku.
 
“Kjo ditë e sodit dhe ky vendim tregon edhe një herë qartë se lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë dhe e pastër, një luftë në shërbim të ndërtimit, jo vetëm të kombit tonë, një luftë e cila e ka hap perspektivën e rajonit... Unë jam krenar që kam qenë pjesëmarrës i asaj lufte... Jam krenar për atë çka kam bërë për vendin tim, për qytetarin tim, e po ashtu jam krenar për kontributin që ka dhënë Ushtria e Çlirimtare e Kosovës”, tha Limaj, para gazetarëve.
 
Ai ka shtuar se tani pas zbardhjes së akuzave kundër tij e meriton të ketë pak qetësi dhe të qëndrojë me fëmijët dhe familjen e tij, ngaqë prej vitit 2009, kur edhe u ngritën proceset ndaj tij, ka humbur tre anëtarë të ngushtë të familjes, dy prindërit dhe gruan.
 
 
Më 30 mars, kolegji i përbërë nga gjykatës të EULEX-it dhe vendas, vendosi që rasti kundër Fatmir Limajt, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit dhe Naser Shalës, të veçohet dhe të vazhdojë gjykimi kundër tyre.
 
Të pandehurit Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, me 30 mars u shpallën të pafajshëm në të gjitha pikat që ata akuzoheshin.
 
Edhe pse kolegji, në këtë seancë, kishte kërkuar hapjen e seancës dhe i kishte kërkuar prokurorit që të ndryshojë aktakuzën lidhur me të pandehurit e mbetur si dhe të sjellë listën e dëshmitarëve që do të dëgjoheshin, prokurori nuk e kishte përfillur këtë urdhër, duke kërkuar që të merret vendim për të gjithë të pandehurit.
 
Kjo përgjigje e prokurorit kishte bërë që kolegji i gjykatësve të shpallë aktgjykimin në Rastin Kleçka.
 
Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Naser Shala akuzoheshin se kishin kryer krime të luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, në fshatin Kleçkë të komunës së Lipjanit. /gazetajnk/


Serbia Dënon Lirimin e “Turpshëm” të Limajt

Prishtinë, 03.05.2012 - Pasi Gjykata e Qarkut në Prishtinë e liroi Fatmir Limajn dhe tre ish-anëtarë të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte, prokurori i Serbisë për Krime Lufte kritikon vendimin.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë deklaroi më 2 maj, Fatmir Limajn, nënkryetar i Partisë Demokratike në Kosovë, dhe tre ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Naser Shala - se nuk janë fajtorë për krime lufte ndaj civilëve dhe të burgosurve të luftës, në kampin Kleçka, në vitin 1999. 

Prokurori i EULEX-it për rastin, Maurizio Salustro, i kishte bazuar pothuajse të gjitha akuzat në dëshminë e Agim Zogajt, i njohur si Dëshmitari X, i cili u vetëvra shtatorin e shkuar në Gjermani, para se të fillonte gjyqi. 

Zogaj kishte qenë roje burgu në Kleçkë dhe ditari i tij për ngjarjet atje ishte kyç për rastin e prokurorisë kundër komandantit të Zogajt në atë kohë, Limaj, dhe nëntë luftëtarëve të tjerë të UÇK-së. 

Gjykata e Qarkut në Prishtinë i liroi gjashtë të pandehurit nga të gjitha akuzat më 21 mars, pasi vendosi se ditarët e Zogajt ishin të papranueshëm si evidencë. 

Limaj dhe tre të pandehurit e tjerë mbetën për rigjykim. Prokuroria nuk prezantoi prova të tjera, sidoqoftë, shpjegoi se “Dosja e rastit Klecka” përmban “prova më se të mjaftueshme për të lejuar panelin e gjyqtarëve të marrë një vendim përfundimtar dhe të drejtë”. 

Ndërsa të pandehurit festuan vendimin e gjykatës, Zyra e Prokurorisë për Krime Lufte në Serbi tha se vendimi ngre “çështjen nëse ndokush në Kosovë dhe Metohi do të dënohet ndonjëherë për krime të kryera ndaj serbëve”. 

Vendimi ishte “i turpshëm dhe i padrejtë, veçanërisht për të gjithë viktimat që kërkojnë drejtësi”, shton kjo zyrë.

Prokurorët serbë, aktualisht, po kryejnë hetimet e tyre për krime të luftës të kryera në Kosovë, dhe thonë se dyshojnë se Limaj bashkë me 28 ish-luftëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në trafikimin e organeve dhe krime të tjera ndaj civilëve. 

Ata dyshojnë burrat se kanë dërguar disa serbë dhe joshqiptarë nga kampi i Llapushnikut në Kosovë në kampet në veri të Shqipërisë, ku janë bërë transplanto të paligjshme organesh. 

Autoritetet serbe lëshuan një urdhërarrest ndërkombëtar për Limajn në vitin 2009 dhe thonë se presin arrestimin e tij, nëse përpiqet të largohet nga Kosova. /gazetajnk/

Ky artikull u botua fillimisht nga Drejtësia Tranzicionale në Ballkan, një program rajonal i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).
 


Digjitalizohen gjykatat e Kosovës

Prishtinë, 1.05.2012 - Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka digjitalizuar gjykatat e Kosovës. Duke përjashtuar gjykatat e Mitrovicës, të cilat nuk janë funksionale, në të gjitha gjykatat e vendit është instaluar sistemi elektronik i publikimit të orareve të seancave.
 
Kjo gjë është mirëpritur nga qytetarët, ngase pos që u kursen atyre kohën, nëpërmjet tabelave elektronike, të vendosura në hollët e gjykatave, ata mësojnë gjithçka për seancën e tyre gjyqësore, duke nisur nga orari deri te gjyqtarët që do të udhëheqin rastin, shkruan “Koha”.
 
Përveç sistemit elektronik të publikimit të seancave gjyqësore, KGJK-ja ka vënë në zbatim edhe sistemin për menaxhimin e të hyrave në gjyqësor.
 
Me këtë sistem, qytetarët bëjnë pagesat dhe taksat nëpërmjet bankës, duke rritur në këtë formë transparencën dhe duke ulur mundësinë e mitmarrjes. /Koha/


Avokatët Kontestojnë Akuzat Ndaj Serbëve

Gjilan, 19.04.2012 - Tre zyrtarëve serbë të komunës paralele të Vitisë iu është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak, prej dy muajsh. Avokatët kanë bërë ankesë pasi e konsiderojnë këtë masë të panevojshme dhe tani po presin vendimin e Gjykatës Supreme. Avokati Elmi Qerimi, madje konteston edhe kualifikimin e veprës penale “nxitje e urrejtjes ose e mosdurimit kombëtar, racor fetar a etnik”, pasi, sipas tij, ajo ka mbetur në tentativë. Të tre të pandehurit kanë angazhuar avokatë shqiptarë.

Megjithëse në Odën e Avokatëve të Kosovës janë të licencuar edhe 30 avokatë serbë, kryetari dhe dy punëtorët e komunës paralele të Vitisë, të arrestuar më 27 mars, nga policia e Kosovës, për shkak se në veturë iu ishte gjetur material zgjedhor i Serbisë, kanë zgjedhur që t’i mbrojnë tre avokatë shqiptarë.

Dhe këta të fundit i thanë Gazetës Jeta në Kosovë se ndoshta ndryshe nga trajtimi që po iu bëhet të arrestuarve shqiptarë në Serbi, të cilët u arrestuan së fundi duket me motive politike, policia dhe gjykatat kosovare kanë qenë shumë të kujdesshëm që të respektojnë të gjitha procedurat dhe të drejtat e garantuara me ligj.

Megjithatë, ata kontestojnë akuzat e organeve të vendit ndaj të mbrojturve të tyre. Ata thonë se vepra penale ka qenë vetëm në tentativë, pasi materiali zgjedhor u ishte kapur nga policia.

Avokati Avdylaziz Sadiku, i cili e mbron të akuzuarin Sreçko Spasiq, kryetar i komunës paralele të Vitisë, tha se gjatë marrjes në pyetje të klientit të tij, nga ana e policisë janë respektuar të gjitha të drejtat e garantuara me ligj. “Tre të akuzuarit janë pyetur në gjuhën e tyre amtare - serbe; pas intervistimit dhe para nënshkrimit, iu është lexuar procesverbali, e më pas e kanë nënshkruar”, i tha Sadiku, gazetës.

Edhe avokati Mustafë Musa, i cili e mbron të akuzuarin Ivica Nojkiq, vozitës në komunën paralele të Vitisë, tha se klienti i tij nuk ka kurrfarë vërejtjeje me sjelljen e policisë dhe procedurat e ndjekura. “Atij i është mundësuar kontakti me familje dhe i është dhënë mundësia që sipas dëshirës ta zgjedhë avokatin. Në rastin konkret, me rastin e zhvillimit të procedurës, nuk ka pasur shkelje të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut”, tha Musa.

Kurse i akuzuari Aleksandër  Stoiljkoviq, zyrtar në komunën paralele të Vitisë, deklaratën në polici e ka dhënë në prani të mbrojtësit, avokatit Elmi Qerimi, i angazhuar privatisht, dhe kjo deklaratë i plotëson të gjitha kushtet që të përdoret si provë në procedurën e mëtutjeshme.

“Sa i përket të mbrojturit tim, janë respektuar të gjitha rregullat e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës”, tha Qerimi.

“Edhe gjyqtari i procedurës paraprake në Kamenicë, kur ka vendosur sipas kërkesës së prokurorit publik, në tërësi i ka respektuar rregullat e përcaktuara për vendosje, kështu që edhe mbrojtjes i ka mundësuar që t’i paraqesë kundërshtimet sa i përket kërkesës së prokurorit”, shtoi avokati i Stoiljkoviqit.
Tre të akuzuarit janë pyetur në gjuhën e tyre amtare - serbe; pas intervistimit dhe para nënshkrimit, iu është lexuar procesverbali, e më pas e kanë nënshkruar”, tha Avdylaziz Sadiku.
Yll Zekaj, drejtor ekzekutiv i administratës në Odën e Avokatëve të Kosovës, ka treguar se janë 30 avokatë serbë të licencuar, 6 prej tyre në rajonin e Gjilanit. Sidoqoftë, tre të akuzuarit serbë kanë vendosur të angazhojnë avokatë shqiptarë.

Prokuroria Komunale në Gjilan i ngarkon Spasiqin, Nojkiqin dhe Stoiljkoviqin për veprën penale në bashkëkryerje “nxitje e urrejtjes ose e mosdurimit kombëtar, racor fetar a etnik”, pasi janë përpjekur të organizojnë në Kosovë zgjedhje të një shteti tjetër.

Të tre punonjësit e komunës paralele të Vitisë, u arrestuan më 27 mars, nga Policia e Kosovës, në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, në afërsi të Kamenicës. Policia kishte njoftuar se në veturën e tyre ishte gjetur material zgjedhor të Republikës së Serbisë, me qëllim të organizimit të zgjedhjeve komunale dhe parlamentare të këtij shteti në Republikën e Kosovës.

Atyre iu është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak, prej dy muajsh. Vendimi është marrë nga Gjykata e Qarkut në Gjilan, në mungesë të kolegjit penal në Gjykatën Komunale në Kamenicë.
Avokatët kanë bërë ankesë në këtë vendim, pasi e konsiderojnë të paarsyeshëm arrestin shtëpiak.

“I mbrojturi im jeton në Kosovë me familje, ka shtëpinë dhe pasurinë këtu dhe zhvillon veprimtari biznesi”, tha avokati i Spasiqit, Avdylaziz Sadiku. “Jemi në pritje të vendimit nga Gjykata Supreme, lidhur me masën e arrestit shtëpiak”.

Në aktakuzën e përpiluar nga prokurori i Prokurorisë Komunale në Gjilan, Shqipdon Fazliu, thuhet se Spasiqi, në cilësinë e kryetarit të komunës paralele serbe në Viti, së bashku me Stoiljkoviqin, në cilësinë e zyrtarit dhe Nojkiqin, në cilësinë e vozitësit të kësaj komune, më 27 mars kishin shkuar në Vranjë, ku nga autoritetet e Serbisë, kanë marrë materialin zgjedhor (tri lista me votues), dhe me veturën e tyre “Opel Astra” janë nisur për në Kosovë, me synimin që materialet t’i dërgojnë në Viti, ku për datën 6 maj 2012, është planifikuar mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë.

“Këto zgjedhje janë shpallur nga një shtet tjetër, respektivisht shteti i Serbisë pa pasur asnjë leje nga autoritetet e republikës së Kosovës, respektivisht nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor, si organi i vetëm që mund të zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën, të cilën e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.

Nga aktakuza shihet se i mbrojturi im, Sreçko, akuzohet edhe për veprën penale ‘raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve’. E gjatë intervistimit në polici nuk i është bërë me dije se është duke u dyshuar edhe për këtë vepër penale”.

“Kështu, të pandehurit, edhe pse të vetëdijshëm se veprimet e tilla paraqesin vepër penale, nuk abstenojnë nga një gjë e tillë, por me vendosmëri tentojnë që materialet e tilla t’i dërgojnë në Viti për mbajtjen e zgjedhjeve të kundërligjshme, të cilat do të ndikonin në nxitjen publike të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit kombëtar-etnik, me faktin se tashmë qytetarët e Kosovës, dhe ata të Vitisë, kanë dhënë votën e tyre dhe rrjedhimisht edhe vullnetin e tyre”, theksohet më tutje në aktakuzë.

Sipas prokurorit Fazliu, po të realizohej plani për mbajtjen e zgjedhjeve, kjo do të ndikonte në nxitjen publike të urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar – etnik, duke pasur parasysh se tashmë janë mbajtur zgjedhjet legjitime në Kosovë dhe Viti. Madje, sipas prokurorisë, mbajtja e këtyre zgjedhjeve do të mund të nxiste reagime zinxhirore nga komunitetet e tjera, dhe do të mund të nxiste eskalimin e gjendjes, me pasojë prishjen e rendit publik dhe shkaktimin e incidenteve shumë më të mëdha.

Përveç veprës penale "Nxitja e urrejtjes , e përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar a etnik", për të cilën parashihet dënimi me gjobë, ose me burgim deri në pesë vjet, Spasiqi akuzohet edhe për veprën penale "Raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve", e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tri vjet.

Avokati Sadiku ka thënë se prokuroria është dashur të zhvillojë hetime, e jo të ngrisë aktakuzë direkt. “Nga aktakuza shihet se i mbrojturi im, Sreçko, akuzohet edhe për veprën penale ‘raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve’. E gjatë intervistimit në polici nuk i është bërë me dije se është duke u dyshuar edhe për këtë vepër penale”. 
Konsideroj se kualifikimi është i rëndë, sepse vepra penale për të cilën dyshohet se është kryer, ka mbetur në tentativë, dhe materiali që është gjetur te të pandehurit është sekuestruar nga policia", tha Elmi Qerimi.

Asnjëri nga tre të pandehurit nuk i kanë pranuar veprat për të cilat ngarkohen. Ata kanë thënë se lista me 120 emra, që iu është kapur nga policia, nuk është listë zgjedhore, porse numrat amë nevojiten për realizimin e të drejtave në pension, shërbime sociale etj.

Avokati Qerimi, madje konteston edhe kualifikimin e veprës penale. Sipas tij, vepra penale  ka mbetur në tentativë. “Konsideroj se kualifikimi është i rëndë, sepse vepra penale për të cilën dyshohet se është kryer, ka mbetur në tentativë, dhe materiali që është gjetur te të pandehurit është sekuestruar nga policia”, u shpreh ky avokat.
 
Arrestimi i tre zyrtarëve të strukturave paralele kishte nxitur reagimin e ashpër të autoriteteve të Serbisë. Vetë ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, kishte paralajmëruar “hakmarrje”. Dhe, qysh të nesërmen ishte arrestuar Hasan Abazi, sindikalist kosovar, nën akuza për "krime kundër Kushtetutës dhe sigurisë së Republikës së Serbisë", si dhe Arben Murseli, nga Llashtica e Gjilanit, sikur ishte thënë fillimisht nën dyshime për shitje të drogës. Por familja e tij ka thënë se “kanë dëgjuar” se Murseli është pyetur për aktivitete të UÇK-së.

Familjarët e të arrestuarve janë ankuar se nuk janë lejuar t’i shohin të afërmit e tyre në burgjet e Serbisë. Sindikalisti Abazi, për 48 orë pas arrestimit, ishte mbajtur në izolim, madje nuk ishte lejuar ta takonte as avokatin.

Kurse më 31 mars, ndodhi dhe arrestimi “spektakolar” i dy policëve kosovarë, të cilët u tha se kishin hyrë në territorin e Serbisë.

Arrestimi më i fundit ndodhi këtë fundjavë. Mark Koshnjeti nga Prizreni u arrestua nga policia e Serbisë, në Merdar, derisa po udhëtonte me autobus për në Beograd. Ministri e Brendshëm serb ka thënë se shqiptari kosovar “dyshohet për krime lufte kundër serbëve, të kryera në vitet 1990 në Kosovë”. Ai ka mohuar se ky arrestim  ka të bëjë me përkatësinë etnike.

Organizata të njohura ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë dënuar arrestimet "revanshuese" dhe kanë shprehur shqetësimin në lidhje me arrestimet të cilat duket se janë të motivuara politikisht. /gazetajnk/


Puna e prokurorisë vlerësohet e shkëlqyeshme!

Prishtinë, 18.04.2012 - Prokuroritë e Republikës së Kosovës, në vitin 2011 kanë ngritur dhe avancuar punën e tyre në të gjitha aspektet, atë të efikasitetit, azhuri tetit dhe kualitetit. Ato kanë punuar me 61% të kapaciteteve të prokurorëve dhe me mungesë të theksuar dhe adekuat të stafit mbështetës.
 Kështu tha të mërkurën kryeprokurori i Shtetit, njëherësh kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi, në ceremoninë e prezantimit të raportit të punës së prokurorive të Republikës së Kosovës për vitin 2011.

 
“Rezultatet sa i përket efikasitetit të punës janë të shkëlqyera. Çdo prokuror komunal mesatarisht ka zgjidhur 647 kallëzime penale, ndërsa ata të qarkut mesatarisht nga 119 kallëzime penale. Duhet të veçoj se prokuroritë me efikase të shkallës së parë janë ajo komunale e Gjilanit me 997 kallëzime mesatarisht për një prokuror dhe ajo e qarkut në Prishtinë me 175 kallëzime për një prokuror”, ka thënë Kabashi duke shtuar se Prokurorët në Zyrën e Prokurorit të Shtetit kanë kryer 99% të lëndëve të pranuara në punë.
 
“Rezultatet e punës sa i përket kualitetit janë po ashtu të shkëlqyera. Gjatë vitit raportues prokuroritë kanë akuzuar 25.865 persona. Lidhur me këto dhe akuzat nga vitet e më parme gjykatat kanë marrë vendime të shkallës së parë kundër 20.705 personave prej të cilave vetëm 286 persona apo 1,6% të personave ndaj së cilëve kanë marrë vendime të shkallës së parë, kanë liruar nga aktakuza”.
 
Kabashi tha se për kualitetin e shkëlqyer të akuzimeve tregon edhe procedura që zbatohet pran gjykatës për konfirmimin e akuzues. Ai tha se nga të gjitha akuzuat e parashtruara, që i nënshtrohen procedurës së konfirmimit, nuk janë konfirmuar vetëm akuzuat kundër 83 personave, që është vetëm 1.5%, nga numri i personave të akuzuar me akte të tilla akuzuese.
 
Gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Prokurorive të Kosovës, kryeprokurorja e EULEX-it, Jaroslava Novotna, theksoi se puna prokuroriale në Kosovë ka shënuar progres të dukshëm, siç edhe është thënë në raportin vjetor. Ajo, gjithashtu, shtoi se EULEX-i është këtu për të kontribuar në avancimin e mëtejmë të këtij progresi. “Prokurorët e EULEX-it do të japin ndihmën e tyre edhe për dy vite të tjera dhe do të punojnë me juve në realizimin e objektivave të reja të misionit përmes mentorimit, monitorimit dhe këshillimit, si dhe mandatit tonë ekzekutiv”, tha Novotna. /Telegrafi/


Akademia e Drejtësisë e rëndësishme për drejtësinë në Kosovë

Prishtinë, 17.04.2012 - Themelimi i Akademisë së Drejtësisë është mjaftë i rëndësishëm për drejtësinë në Kosovë. Kështu vlerësuan përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare që merren më drejtësi, në një takim konsultativ që mbajtën për themelimin e akademisë....

Me themelimin e akademisë së drejtësisë synohet që të shkrihen të gjitha trupat joformale ekzistuese të trajtimit të vazhdueshëm ligjor, dhe të ngritën kapacitetet në nivel akademik. Kështu tha Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, gjatë një takimi konsultativ që u mbajt lidhur me themelimin e Akademisë së Drejtësisë në Kosovë.

Sipas Kuçit, qëllimet kryesore të kësaj akademie do të jenë definomi i proceseve të edukimit të vazhdueshëm ligjor ngritja e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Ndonëse me kompetenca tejet të kufizuara në këtë drejtim Ministria e Drejtësisë është përpjekur që të ndihmojë sa më shumë gjyqësorin dhe prokurorinë e vendit. Ministria e Drejtësisë tashmë ka shfaqur idenë për themelimin e akademisë së drejtësisë e cila në të ardhmen e afërt do të jetë qendra kryesore e arsimimit të vazhdueshëm ligjor”, tha Kuçi.

Ndërsa, kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, tha se ndërtimi i një akademie të si kjo, do të ketë rëndësi të madhe për drejtësinë në Kosovë.

“Gjyqësori i Kosovës ka ndërtuar një reputacion të punës së tij të deritashme që tejkalon mënyrën e organizimit të deritashëm. Prandaj, konsideroj se është e domosdoshme që të ndërtojmë një akademi të drejtësisë sikurse janë ato në vende të tjera”, theksoi ai.

Themelimi i Akademisë së drejtësisë është mbështetur nga organizata gjermane GIZ.
Përfaqësuesi i kësaj organizate, Volkmar Theobald, tha se kjo akademi juridike do të jetë e rëndësishme për drejtësinë në shtetin e Kosovës dhe transformimit potencial të sistemit gjyqësor.

Akademia e Drejtësisë do të ofrojë shërbime të edukimit të vazhdueshëm ligjor për prokurorë, gjyqtarë dhe praktikues të tjerë të ligjit. /rtklive/


Prokurorët pa mbrojtje

Prishtinë, 16.04.2012 - Disa nga prokurorët që kanë në duar raste të rënda, kanë afër vetes edhe policë të Njësisë së Mbrojtjes së Afërt. Reshat Millaku është njëri prej tyre. Të tillë kishte edhe Nazmi Mustafi. Tash së fundi, truprojat i shkojnë prapa edhe Mauricio Salustros. Por, shumica e prokurorëve mbesin pa mbrojtje. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Qeveria është e gatshme t’i ofrojë mbrojtje secilit që mendon se ka nevojë.
 
Reshat Millaku, prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka më shumë se tri vjet që nuk udhëton vetëm. Prapa gjithnjë i ka dy pjesëtarë të Njësisë për Mbrojtje të Afërt të Policisë së Kosovës.
 
Dy policë i shkojnë prapa gjithnjë. Madje edhe kur ka vizita private, e edhe në ditët e fundjavës.
 
Edhe kur shkon për të vizituar ndonjë të afërt apo edhe kur shkon në fshatin e tij, Ujmir të Klinës, ata gjithmonë i shkojnë prapa. Madje Millakut i gjenden pranë edhe nëpër seanca gjyqësore. Së paku njëri polic i kësaj njësie i qëndron gjithnjë afër këtij prokurorit, shkruan Express.
 
Kjo siguri fizike, Millakut i është ofruar prej se ka qenë prokuror në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza. Siguri njëzet e katër orë, prokurorit Millaku i është ofruar edhe në shtëpi, por një gjë të tillë thotë të mos e ketë pranuar.
 
“Në shtëpi nuk kam pranuar, për shkak të familjes, por nëse dua të shkoj diku, i thërras dhe ata vijnë më marrin dhe më çojnë në vendin e caktuar“, thotë prokurori Millaku. /Gazeta Express/
                                                                                                                                                                                            


Shakaja e Prokurorit Salustro

Prishtinë, 13.04.2012 - Edhe mbrojta në rastin Bllaca II, ka ngritur çështjen e papranueshmërisë së dëshmitarit Nazim Bllaca pasi, sipas saj, të gjitha dëshmitë i ka dhënë në cilësi të dyshuarit dhe jo në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues. Prokurori Maurizio Salustro u përgjigj me një që ai e quajti shaka. “Bllaca është gjallë dhe nuk është njëjtë si tek rasti tjetër ‘Kleçka’, edhe pse dikush mund të ketë plane të tjera për të”, tha ai, në gjykatë.

Prishtina u zgjua të enjten nga sirenat e automjeteve të policisë së EULEX-it, Shërbimit Korrektues dhe policisë së Kosovës. Në ora 9, makina të blinduara të EULEX-it po e dërgonin Nazim Bllacën në Gjykatën e Qarkut pasi që ai ishte ftuar për të dhënë dëshmi në rastin e njohur në publik si Bllaca 2. 

Edhe të pandehurit që gjenden në paraburgim erdhën nën shoqërimin e shërbimit korrektues, ndërsa ata që gjendeshin në arrest shtëpiak nën shoqërimin e policisë. 

Gjykata e Qarkut në Prishtinë ishte nën mbikëqyrjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës. Numri i tyre ishte i madh si në hyrje ashtu edhe brenda objektit. Brenda gjykatës ishte edhe njësia e policisë së EULEX-it për mbrojtjen e Nazim Bllacës. 

Çdokush që futej në sallë kontrollohej, duke mos u përjashtuar as avokatët e të pandehurit. 

Seanca filloi me 1 orë e 10 minuta vonesë me arsyetimin e kryetarit të kolegjit se seanca është vonuar vetëm për shkak të disa punëve që kishte pasur prokurori special Maurizio Salustro. 

Që në fillim të seancës kryetari i kolegjit tregoi se kishte pranuar një raport preliminar për gjendjen shëndetësore të pandehurit Fahredin Gashi. Sipas raportit, Gashi ishte i aftë të përcillte gjykimin. 

Avokati Tahir Rrecaj u pajtua me raportin, por shtoi se gjendja shëndetësore e të mbrojturit të tij duhet të përcillet vazhdimisht. I njëjti propozoi që kolegji ta ndajë procedurën për Fahredin Gashin ose ta shtyjë seancën deri në raportin përfundimtar. 

Pas këtij deklarimi, kolegji mori vendim që të vazhdohet me seancën, pasi që edhe ekspertët kishin deklaruar se i pandehuri ishte në gjendje të merrte pjesë në seancë. 

Por prokuroi Salustro duket se nuk u kënaq me vendimin e gjykatës. Ai menjëherë pas vendimit komentoi vlerësimin e ekspertëve, të cilët i quajti “të ashtuquajturit ekspertë”. 

Prokurori shtroi pyetjen që kishte shtruar edhe kolegji ekspertit, “se a është i gatshëm të përcjell seancën dhe se a e di i pandehuri se çfarë ndodhë në seancë dhe rreth tij” tha prokurori Salustro. 

Ai vazhdoi “nëse unë i kërkoj një eksperti një mendim atëherë ai në mendim duhet të më tregojë se ku e ka të bazuar atë mendim, cilat janë veprimet që i ka marrë, çfarë eksperimenti ka bërë, cila është metoda që ka ndjekur dhe në fund cilat janë rezultatet që i ka arritur?”. 

“Të gjitha këto të dhëna i mungojnë raportit që e kemi përpara...ky raport është kontradiktor dhe paraqet shumë paqartësi”, shtoi prokurori. 

Prokurori special Salustro kërkoi nga gjykata që ekspertët të sillen në seancë që të pyeten për raportin që e kanë nxjerrë. 

Avokati Rrecaj përkrahu në tërësi prokurorin duke u pajtuar me ato çështje që ngriti ai duke shtuar se “vetëm prezenca e Fahredin Gashit nuk është e rëndësishme nëse ai nuk e kupton atë çfarë po ndodhë këtu”. 

Kolegji pasi e pleqëroi këtë çështje mori vendim që seanca të vazhdohet dhe të mos prishet vendimi i mëparshëm, kjo për arsye se të dy raportet, ai i burgut dhe i QKUK-së, thonë se i pandehuri është në gjendje ta ndjekë gjykimin. 

Para se të ftohej dëshmitari bashkëpunues Nazim Bllaca, për të dëshmuar, prokurori i dha mbrojtjes të gjitha procesverbalet e rastit Bllaca I. Avokati Rrecaj u pajtua që ato pjesë të konstatohen si të lexuara, por që më vonë ra në kundërshtim me vetveten duke i kundërshtuar ato si prova. 

Avokati Rrecaj ngriti para kolegjit çështjen e pranueshmërisë së deklaratave të Bllacës të dhëna në prokurori, në cilësinë e të dyshuarit - të pandehurit. Por u ndërpre nga kryetari i kolegjit, me arsyen se për këtë çështje do diskutohej në seancat e ardhshme. 

Avokati Haxhi Millaku kërkoi nga kolegji që prokurorit t’i ndalohet që t’i referohet deklaratave të Bllacës me që ende nuk ishin prova të pranueshme dhe të prezantuara nga prokurori. 

Pasi që u ftua Nazim Bllaca, atë e sollën 6 policë të EULEX-it të armatosur mirë. Kjo e pengoi avokatin Millaku i cili i kërkoi kolegjit të largojë ata nga salla ose do të largohej ai. 

Kryetari i kolegjit i uli policët në karrige dhe dha urdhër që të vazhdohet me seancën duke i marrë të dhënat e dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllaca. 

Pas formaliteteve ligjore, pyetjet për Bllacën i filloi prokurori Salustro, por vetëm pas disa pyetjeve u ndërpre nga kryetari i kolegjit. Prokurori u ndërpre për shkak se përdori deklaratën e Bllacës të dhënë në prokurori me datën 29 prill 2010, e cila ende nuk ishte provë në lëndë. 

Pasi që prokurori nuk kishte se si ta ballafaqonte dëshmitarin me atë që kishte deklaruar më parë, propozoi që të merren me çështjen e pranueshmërisë së dëshmive të Bllacës. 

Kolegji duke parë gjendjen e krijuar lejoj palët që të argumentojnë pranueshmërinë e dëshmive të Bllacës. 

Avokati Tahir Rrecaj në emër të mbrojtjes deklaroi se Nazim Bllaca të gjitha dëshmitë i ka dhënë në cilësi të dyshuarit dhe jo në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues, çka i bënë ato deklarata të papranueshme sipas ligjit. I njëjti për më shumë se 30 minuta argumentoi se pse kolegji duhet t’i veçonte nga shkresat e lëndës ato deklarata. 

Prokurori në përgjigje ishte shumë i shkurtër. Ai tha se “çfarë do të ndodhte nëse deklaratat shpallet të papranueshme, si dhe me çka do ta ballafaqoni atë nëse ai ka thënë në deklaratë zi e tani në seancë thotë bardh”. 

“Bllaca është gjallë dhe nuk është njëjtë si tek rasti tjetër ‘Kleçka’, edhe pse dikush mund të ketë plane të tjera për të” tha prokurori, duke shtuar se ishte shaka.

Kolegji prite që të vendos të premten, nëse deklaratat e dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllaca, të dhëna në prokurori gjatë kohës sa ishte i dyshuar, do të jenë të pranueshme ose të papranueshme. /gazetajnk/
 


Prokurori trason rrugën e “Kleçkës” për Gjykatë Supreme

Prishtinë, 07.04.2012 – Prokuroria Speciale po përgatitet për një ballafaqim “të fortë” në Gjykatën Supreme të Kosovës në rastin “Kleçka”. Prej që Gjykata hodhi poshtë dëshmitë dhe ditarët e Agim Zogajt, prokurori i rastit, Maorizio Salustro nuk ka përfillur asnjë kërkesë të trupit gjykues, për të grumbulluar material për ankesë në shkallën e dytë, pohojnë njohës të procesit.
 
Fakti që prokurori nuk ka dhënë asnjë argument në fjalën përfundimtare dhe nuk e ka ndryshuar aktakuzën, sipas njërit prej avokatëve në këtë proces dhe njohësve të procedurës penale, tregon vendosmërinë dhe bindjen e prokurorit që pas ankesës në Gjykatën Supreme aktgjykimi të prishet dhe të kthehet në rigjykim.
 
“Nëse prokurori do ta ndryshonte aktakuzën, do të nënkuptohej se ai tashmë është pajtuar me vendimin e trupit gjykues për hedhjen poshtë të dëshmive të Agim Zogajt dhe shpalljen të pafajshëm të gjashtë të pandehurve. Ai po thotë se vendimi i gjykatës ka qenë i gabuar dhe kësisoj pritet të bëjë një ankesë të fuqishme në Gjykatën Supreme, e cila mund ta prishë aktgjykimin dhe ta kthejë rastin në rigjykim”, ka thënë njëri prej avokatëve që nuk dëshiron të identifikohet. /kohaditore/


Certifikohen 56 kandidatët me Provim Jurisprudence

Prishtinë, 06.04.2012 - Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se provimi i Jurisprudencës është pjesë e projektuar si arkitekturë e drejtësisë në Kosovë dhe si pjesë e standardeve të domosdoshme në ndërtimin e sistemit të drejtësisë.
                                                   
Kuçi këto komente i bëri në ceremoninë e organizuar me rastin e ndarjes së certifikatave për 56 kandidatë që kanë dhënë Provimin e Jurisprudencës.
 
“Ne së bashku me partnerët ndërkombëtarë po e ndërtojmë sistemin e drejtësisë me ambicie të mëdha dhe me synime që të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë, për një sistem që ofron drejtësi për të gjithë, që respekton të drejtat e liritë e njeriut dhe që drejtësia vendoset me përgjegjësi, profesionalizëm dhe guxim”, theksoi Kuçi.
 
Sipas ministrit Kuçi, 56 juristë të certifikuar sot me provim të dhënë të jurisprudencës, do ta kenë barrën dhe privilegjin për t’i mundësuar Kosovës një aspiratë më të madhe drejt fuqizimit të drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, qoftë si gjyqtar, prokuror, avokat, noter apo ndërmjetësues dhe shtoi se bashkërisht me partnerët vendës dhe ndërkombëtar, kanë paraparë edhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për provimin e jurisprudencës, i cili do të jetë edhe me efektiv dhe më pragmatik për juristët e rinj.
 
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, Rexhep Haxhimusa tha se certifikatat e marra sot nga kandidatët, dëshmojnë se ata janë të përgatitur për të qenë gjyqtar, prokurorë dhe avokatë të nesërme të Kosovës. /Telegrafi/


Ikën prokurori Salustro, vjen Hardway?

Prishtinë, 06.04.2012 - Prokurori italian Maorizio Salustro, siç duket ka hequr dorë nga rasti “Kleçka”, pasi që në vend të tij prokuroria e EULEX-it ka caktuar prokurorin amerikan, Charls Hardway. Mirëpo, sipas Tahir Rrecaj, avokati mbrojtës i deputetit Fatmir Limaj, një gjë e tillë ende nuk është e sigurt, edhe pse të enjten tha se ka marrë një parashtresë nga një prokuror tjetër, amerikani Hardway.


“Nuk e dimë ne a është tërhequr Salustro apo jo, por, nga dita kur është shpallur aktgjykimi, kërkesën për masat e sigurisë, arrest, etj, dhe një parashtresë sot që e kemi marrë ka qenë nga prokurori amerikan”, ka thënë Rrecaj për “Tribuna Shqiptare”.
 
Sipas tij, nuk dihet arsyeja e këtij ndryshimi. “Nuk e di a janë arsyet personale, ndonjë sëmundje apo ndonjë gjë tjetër, por, kryesisht ai nuk ka marrë pjesë në këto aktivitete. Është çështje e prokurorisë se si do të organizojnë punën, a do ta ngarkojë edhe më tutje Salustron më rastin, apo dikë tjetër. Kjo është çështje e kryeprokurorit të EULEX-it”, ka thënë Rrecaj. / Tribuna Shqiptare/
 
PROKURORIA REFUZOI NDRYSHIMIN E AKTAKUZËS NDAJ LIMAJT
 
Prokuroria e EULEX-it nuk ka pranuar të rihapet gjykimi ndaj Fatmir Limajt dhe tre të tjerëve, duke e vënë në pozitë të vështirë trupin gjykues.
 
Sië raporton RTK, prokurori në letër thotë se nuk do të paraqes prova shtesë dhe ka kërkuar që të merret një vendim për Fatmir Limajn dhe tre të tjerët ashtu siç e ka bërë me gjashtë të akuzuarit e tjerë tashmë të liruar.
 
Në tri faqe dokument prokurori i kërkon gjykatës ta revokojë vendimin për deklaratat e dëshmitarit “X”, Agim Zogajt, por nëse vendimi merret në bazë të provave, atëherë të sillet njëjtë sikurse me gjithë të tjerët që u liruan. /RTK/
 


Limaj, sërish në arrest shtëpie?

Prishtinë, 04.04.2012 - Kërkohet sërish masa e arrestit shtëpiak për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj.
 
Avokati i tij Tahir Rrecaj tha nëpërpmjet telefonit se rikthimi i kësaj mase është kërkuar nga prokurori i çështjes, Maurisio Salustro, pas vendimit të gjykatës për vazhdimin e proçesit gjyqësor për njësitet komanduese të UÇK-së.

 
Rrecaj tha se ka proçeduar menjëherë me një kërkesë në gjykatë se shqiptimi i masës së arrestit është i panevojshëm dhe nuk ka bazë ligjore për këtë. Në ditët në vijim pritet të mbahet seanca e radhës gjyqësore në të cilën do të vendoset edhe për këtë çështje.
 
Limaj ishte liruar nga arresti shtëpiak pas vendimit të gjykatës së qarkut në Prishtinë për t’i shpallur të papranueshme dëshmitë e dëshmitarit të vdekur Agim Zogaj. /Tch/


Gjykata e Pranon Dick Martyn si Dëshmitar

Prishtinë, 04.04.2012 - Kolegji i Gjyqtarëve në rastin Medicus ka pranuar kërkesën e prokurorisë që të thirret si dëshmitar Dick Marty, ish-senatori nga Zvicra.
 
Ish-senatori Dick Marty, i njohur për raportin e tij që ngre dyshime për trafikim organesh në Kosovë, i paraqitur në Këshillin e Evropës, pritet të dëshmojë në rastin Medicus, i cili po gjykohet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Marty do të kontaktohet nëse e pranon kërkesën për t'u paraqitur si dëshmitar.


Në seancën e 23 marsit, prokurori Jonathan Rathel propozoi si dëshmitar ish-seantorin Marty, me pretendimin se ai ka informata, dokumente dhe deklarata të cilat ende nuk janë prezantuar në publik, por që janë të rëndësishme të prezantohen në këtë gjykim.
 
Marty është bërë i njohur pasi që përpiloi një raport që ngriti dyshime për transplantim organesh nga ana e pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë drejtues të lartë të saj. Në qershor 2011, Bashkimi Evropian e ka caktuar një prokuror special i cili do të udhëheq task forcën e krijuar në kuadër të EULEX-it, e cila do të hetojë akuzat e dala nga raporti i Martyt.
 
Sipas prokurorit Rathel, ekziston një lidhje në mes të asaj që dëshmon raporti i Martyt dhe ajo që ka ndodhur në Medicus, pasi që besohet që janë përdorur “kanale të njëjta”.
 
Mbrojtja e kishte kundërshtuar këtë propozim. Avokati Ismet Shufta tha se nëse vjen për të dëshmuar Dick Marty, ky gjykim do të bëhet “gjykim politik”. /Gazetajnk/


Rikonfigurimi i EULEX-it fuqizon gjyqësorin

Prishtinë, 03.04.2012 - Rikonfigurimi i misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit do të përfshijë fuqi më të mëdha ekzekutive në procedimin lëndëve, krijimin e Odës së Veçantë Penale për krime lufte si dhe një strukturë të veçantë të gjykatësve dhe prokurorëve, që do të punojnë në Prokurorinë dhe Gjykatën e Qarkut në veri. Kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci ka thënë se për këto, autoritetet kosovare kanë pasur pajtim të gjithanshëm në Bruksel.
 
Reduktimi i EULEX-it në qershor të këtij viti do të sjellë shtim të përgjegjësive të gjykatësve dhe prokurorëve vendorë. Peci pret që pas ristrukturimit të EULEX-it të fillojë një fazë më intensive e koordinimit të veprimeve me komponentin e drejtësisë të këtij misioni.
 
Këto ndryshime, sipas Pecit, përfshijnë krijimin e trupave të tjerë në të cilat do të kenë përgjegjësi të shtuara gjykatësit dhe prokurorët kosovarë.
 
“Duhet të koordinohen më tepër veprimet dhe një funksionalizim më efikas i veprimeve sidomos në rastet e krimeve të luftës dhe krimit të organizuar. Do të krijohet një dhomë e veçantë penale në kuadër të departamentit për krime të rënda. Në të do të fokusohen të dyja palët ”, i ka thënë Peci, Radio Kosovës.
 
Ndërkaq zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi thotë se ende po shqyrtohet çështja e ristrukturimit të misionit dhe komponentët e saj.
“EULEX-i po hyn në një fazë të re të ristrukturimit. Ende nuk mund të flasim për shifra ose detyrat e reja, por mund të them se prioritet mbetet forcimi i gjykatave në veri”, ka thënë Krasniqi.
 
Por, sa i përket gjykatave në veri kreu i gjyqësorit në Kosovë, Enver Peci, ende është shumë skeptik. “Është vështirë të them se sa është serioze kjo tani. Prej fillimit kemi qenë këmbëngulës se mosfunksionimi i gjykatave atje ka shkaktuar anarki”, ka thënë ai.
 
Ristrukturimi i misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit gjithashtu pritet të përfshij edhe mbetjen e EULEX-it pa strukturën e gjykatësve dhe prokurorëve që kanë punuar më herët si staf i misionit të OKB-së në Kosovë. /Telegrafi/


Kryeprokurori: Hetimet për Mustafin i vazhdon EULEX-i

Prishtinë, 03.04.2012 - Kryeprokurori i Shtetit, njëherësh kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi ka reaguar lidhur me rastin e arrestimit të prokurorit Nazmi Mustafi, duke shprehur indinjatë të thellë për këtë rast.

Kabashi vlerësoi se kjo është një goditje për sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, por gjithashtu shprehu bindjen se për këtë sistem do të ishte goditje edhe më e rëndë sikur të mos e merrnim me seriozitet dhe përkushtim të plotë hetimin e këtij rasti që nga momenti kur kanë pranuar informatën e parë.

 
“Me anë të kësaj deklarate shpreh indinjatën e thellë, për faktin se një prokuror i sistemit prokurorial dhe njëherësh udhëheqës i task forcës antikorupcion, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka rënë në kundërshtim me ligjin dhe dyshohet të ketë kryer vepra penale, për luftimin e së cilave vepra kishte pozitë kyçe në sistemin prokuroria”, shprehet Kabashi.
 
Ai bëri të ditur se me kërkesën e tij hetimin e rastit e ka filluar një prokuror vendës i Prokurorisë së Qarkut në Pejë, në bazë të informacioneve të marra nga Policia e Republikës së Kosovës.
 
Mirëpo, pasi hetimet kanë rezultuar me të dhënat, se në këtë rast i dyshuari është prokuror, janë pajtuar me kryeprokuroren e EULEX-it që këto hetime t’i vazhdojnë prokurorët e EULEX-it në Prokurorinë e Qarkut në Pejë.
 
Prokurori i Shtetit ka shprehur vendosmërinë dhe përkushtimin e tij të pakompromis për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe atë në radhët e prokurorëve dhe të punësuarve në sistemin prokurorial.
 
“Kam informata se ekzistojnë edhe raste të tjera të natyrës së njëjtë, me të njëjtin prokuror, andaj i ftoj publikisht të gjithë ata që kanë prova apo informata lidhur me këtë rast, që të na ndihmojnë duke i paraqitur informatat që i kanë tek kryeprokurori i Shtetit, prokurori i rastit në Prokurorinë Publike të Qarkut në Pejë apo në Policinë e Kosovës”, thuhet në deklaratë.
 
Kryeprokurori i shtetit duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, ka kërkuar nga Zyra e Inspektoratit Gjyqësor dhe Prokurorial dhe nga Komisioni Disiplinor i Këshillit Prokurorial të Kosovës që menjëherë të fillojnë procedurën disiplinore kundër prokurorit Nazmi Mustafi, si dhe ta trajtojnë këtë rast me prioritet absolut, sepse veprimet e prokurorit paraqesin në të njëjtën kohë edhe shkelje të Kodit të Etikës për Prokurorë, që mund ta vë në pikëpyetje integritetin e sistemit prokurorial të vendit. /Telegrafi/


Bosi i antikorrupsionit në burg

Prishtinë, 02.04.2012 - Shefit të Task-forcës kundër korrupsioni në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafit i mbeti birra në gjysmë. Derisa ai ishte në njërin nga restorantet e kryeqytetit, një thirrje telefonike nga sekretaria ia prish “rahatllëkun”, ku e njofton prokurorin Mustafi se në zyrën e tij po e prisnin disa policë, të cilët e arrestojnë atë me të arritur në zyrën e tij.

Udhëheqësi i Task-forcës së themeluar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi për luftimin e korrupsioni është arrestuar të hënën pasdite në lidhje me një hetim për korrupsion, të cilin po e zhvillojnë prokurorë të EULEX-it që veprojnë në Prizren dhe Pejë.

Në ditën e arrestimit të prokurorit Mustafi, i cili në Prokurorinë Speciale ka hetuar krimet ekonomike, është arrestuar edhe Reshat Zherka, nga Gjakova, i cili së bashku me vëllanë e tij, Xhelalin, janë miq të shefit të Task-forcës, të cilët dyshohen se janë deleguar nga prokurori Mustafi tek persona të ndryshëm që po hetonte prokurori, për të kërkuar dhe marrë shuma të majme parash në këmbim të mosakuzimit të tyre.

Lajmi për arrestimin e tyre është konfirmuar nga burime të “Zërit” brenda EULEX-it. Po ashtu edhe zyra për informim e këtij misioni ka raportuar për arrestimin e dy personave nën dyshimin për korrupsion, por pa dhënë detaje të mëtutjeshme. /Gazeta Zeri/


Rasti Kleçka Vazhdon Pjesërisht

Prishtinë, 30.03.2012 - Kolegji i përbërë nga gjykatës të EULEX-it dhe vendas, te premten vendosi që rasti kundër Fatmir Limajt, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit dhe Naser Shalës, të veçohet dhe të vazhdojë gjykimi kundër tyre. Të pandehurit e tjerë u liruan të pafajshëm.

Në prani të publikut dhe gjithë të pandehurve me mbrojtësit e tyre, por në mungesë të prokurorit Maurizio Salustro, i cili kishte udhëtuar jashtë vendit dhe po përfaqësohej nga prokurori tjetër, kolegji i gjykatësve shpalli aktgjykimin e pjesshëm për 6 të pandehurit në Rastin Kleçka.

Të pandehurit: Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, u shpallën të pafajshëm në të gjitha pikat që ata akuzoheshin. Pikat me të cilat prokuroria i kishte ngarkuar ishin, krime të luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës.

Në anën tjetër procedura kundër Fatmir Limajt, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit dhe Naser Shalës do të rihapet dhe kolegji do të vazhdojë me seancat.

Ky vendim ishte marrë me arsyen se prokurori nuk e ka arsyetuar veç e veç se për çka ata akuzohen dhe për çka ata duhet të dënohen. Kolegji ka vlerësuar se ekzistojnë prova që procesi të vazhdojë dhe që për këto prova mbrojtja mund të ketë mundësi t’i ballafaqojë. /gazetajnk.com/


Vazhdon Gjykimi për Vrasjen në “Kështjellë”

Prizren, 29.03.2012 - Në Gjykatën e Qarkut në Prizren, të mërkurën, vazhdoi shqyrtimi kryesor, kundër pesë të akuzuarve nga familja Krasniqi e Malishevës, të cilët akuzohen se më 1 janar 2011 në fshatin Banjë të Malishevës kishin vrarë Skender Limajn dhe kishin plagosur anëtar tjerë të kësaj familjeje.


  Foto ilustrim

Shqyrtimi vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit Riza Berisha, i cili punonte si kamerier në restorantin “Kështjella”, ku ka ndodhur vrasja. Ai ka përshkruar ngjarje në ditën kritike.

Dëshmitarit iu ofrua skica e vendit të ngjarjes, në bazë të së cilës ai identifikoi tavolinat ku ishin të ulur mysafirët e lokalit ditën kritike. Ai është pyetur për një person, i cili dyshohej se ishte informator në ditën kritike. “I kam shërbyer një birrë; pas 15 minutave i kam shërbyer edhe një picë. Disa herë ka shkuar në tualet dhe është kthyer sërish në tavolinë... Ka pasur problem me dërgimin e një mesazhi telefonik, ka kërkuar ndihmë nga unë, mirëpo edhe unë nuk kam arritur që ta dërgoj sms- in, në të cilin shkruhej: ‘A po shkojmë në muzikë sonte’”, tha dëshmitari.

Në pyetjen e prokurores, ai u përgjigj, se edhe po ta shihte nuk do ta njihte këtë person.

Më tutje, Berisha ka treguar se kanë ardhur 3-4 persona, të cilët kishin pasur shkopinj druri në duar, kurse njëri nga ta ka pasur një automatik kallashnikov. “Këta persona fillimisht me shufra dhe drunj e kanë sulmuar Skenderin, i cili së bashku me fëmijët e tij dhe të Azemit, ka qenë duke shikuar TV. Më kujtohet reagimi i tij i fundit kur e ka ngritur dorën për t’u mbrojtur, dhe më nuk kam parë asgjë, sepse kam ikur drejt kuzhinës...Aty kam qëndruar 10 minuta dhe pastaj sërish kam dalë në sallë të restorantit... Aty i kam parë Azemin dhe Skenderin të shtrirë për tokë dhe të përgjakur, së bashku me Ragip Limajn. E kemi marrë Skenderin, e kemi futë në makinë dhe kemi dërguar në spital”, ka rrëfyer ky dëshmitar.
Në seancën e të mërkurës u dëgjuan edhe dëshmitarët Avni Krasniqi dhe Rexhep Morina.

Policia Avni Krasniqi ka treguar se komandanti i policisë në Malishevë i ka kërkuar që t’i thërras për intervistë Durim dhe Berat Krasniqin, pasi që e ka afër shtëpinë me të akuzuarit.

“Kam shkuar në odën e Gani Krasniqit, mirëpo djemtë nuk kanë qenë aty. Më vonë kur janë kthyer, vetë më kanë thirrë dhe vullnetarisht kanë dhënë intervistë. Më kujtohet se para që të shkoj në stacion, të dy e kanë pranuar se e kanë kryer veprën penale. Për më tutje nuk e di, sepse nuk kam qenë gjatë marrjes së hetimeve”.

Ndërsa dëshmitari Morina nuk pati çka të dëshmojë tjetër, përveç faktit, se ditën kritike dy nga të akuzuarit kishin pirë në lokalin e tij të quajtur “Oda” në Malishevë.

Qysh në fillim të seancës, avokati Durmish Koqinaj, kërkoi procesverbalet e seancave të kaluara, mirëpo kryetarja e trupit gjykues Anne Maria Meister, i njoftoi mbrojtësit që seancat gjyqësore nuk janë përkthyer ende në gjuhën shqipe.

Në mes të gjykimit, avokati Haxhi Millaku, pasi që mori në pyetje dëshmitarin, doli nga salla e gjykimit. Pas 10 minutash, prokurorja reagoi te trupi gjykues që seanca gjyqësore të ndërpritet, për faktin se njëri nga të akuzuarit nuk ka mbrojtës. Mirëpo në ndërkohë u paraqit avokati Rasim Hoti, i cili e zëvendësoi avokatin Millaku. E në fakt, edhe avokati Millaku ishte duke e zëvendësuar avokatin Fazli Balaj.

Në këtë seancë, po ashtu zëvendësime të avokatëve, pati dy-tre herë, mes avokates Myrvete Çollaku dhe avokatit Brahim Sopa.

Seanca e radhës do të vazhdojë të enjten, kur do të dëgjohet dëshmitari Haxhi Hazrolli.
Kryetarja e trupit gjykues paralajmëroi palët se do të kenë nevojë edhe për disa ditë në muajin maj dhe qershor.
Aktakuza:
Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkon Emin, Durim, Berat, Astrit dhe Hazir Krasniqin se më 1 janar 2011 në fshatin Banjë të Malishevës, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake me familjen Limaj, duket për shkak të përkatësive të ndryshme politike, në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore. Sipas aktakuzës dyshohet se Emin dhe Durim Krasniqi, kishin shkuar në restorantin "Kështjella", ku Skender Limaj po shikonte TV-në me të afërmit, me ç'rast Emini me shufër e godet disa herë në kokë e trup tani të ndjerin Skender Limaj, derisa Durimi shtie me armë zjarri dhe e qëllon atë për vdekje. Të dy Krasniqët akuzohen për bashkëkryerje të vrasjes së rëndë.

Ndërsa Berat Krasniqi sipas aktakuzës ngarkohet për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor, për gjuajtje me armë zjarri në drejtim të Ilir Limajt, i cili ishte plagosur në këmbë.

E, Astrit dhe Hazir Krasniqi, akuzohen se kanë ndihmuar të pandehurit tjerë, duke i dërguar me veturë në vendin e ngjarjes, duke bërë roje dhe udhëzuar përmes telefonave.

Më herët, trupi gjykues pat marrë vendim që lënda ndaj dy të akuzuarve të tjerë, Andi dhe Mehdi Krasniqi, të veçohet  pasi që armët e tyre ishin gjetur shumë kohë pas ndodhisë.  /www.gazetajnk.com/
 


Kryeprokurori Aleksandër Lumezi: Kosova lufton me drogat

Prishtinë, 26.03.2012 - Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, organet e rendit në Kosovë kanë goditur dymbëdhjetë grupe kriminale që në lokacione të ndryshme në Kosovë janë marrë me shitje, blerje, posedim e shpërndarje të substancave narkotike. Nga dhjetëra aksione të ndara, kryeprokurori i Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë, Aleksandër Lumezi, konfirmon se janë vënë prapa grilave gjithsej 65 persona.

Tërë këto aksione, që janë zhvilluar në bashkëpunim mes policisë dhe prokurorisë, të cilat Lumezi i vlerëson si sukses, sipas tij, janë arritur falë punës së prokurorëve, të cilët, duke e zbatuar Kodin e Procedurës Penale, kanë arritur që mes tyre dhe avokatëve të të dyshuarve të bëjnë marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Marrëveshja për pranimin e fajësisë, e cila ka nisur të implementohet në Kosovë pas disa trajnimeve që kanë mbajtur prokurorët e Kosovës në Karolinën e Veriut të Shteteve e Bashkuara të Amerikës, sipas Lumezit, ndihmon në zbardhjen më të lehtë të rasteve. Personi që bashkëpunon me drejtësinë, sipas tij, edhe nëse është i implikuar në rast por që tregon për veprimtarinë e grupit kriminal, mund të marrë dënimin më të lehtë të lejueshëm për veprën e caktuar penale.

 “Marrëveshja për pranimin e fajësisë bëhet nga prokurori publik dhe mbrojtësi i të dyshuarit të cilët negociojnë kushtet për pranimin e fajësisë. Mirëpo, gjatë negocimit të këtyre kushteve për pranimin e fajësisë, personat të cilët janë të involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale, duhet që prokurorisë t’i ofrojnë prova dhe fakte të vërteta të cilat shpiejnë në zbulimin e kryesve të veprave të tjera penale që kanë të bëjnë me substanca narkotike”, bën me dije Lumezi.
Duke e zbatuar këtë marrëveshje, Lumezi konfirmon se janë bërë edhe dhjetëra arrestime dhe janë konfiskuar dhjetëra kilogramë substanca narkotike.

“Kemi një rast ku pos të arrestuarve janë konfiskuar edhe 50 kilogramë marihuanë, rasti tjetër me 11, një tjetër me 4, por kemi edhe dy raste të ndara kur në njërin janë kapur 17 kilogramë e në tjetrin 5 kilogramë drogë të llojit heroinë”, thotë Lumezi.
Nga dymbëdhjetë rastet me më shumë se 2 kilogramë substanca narkotike, Lumezi konfirmon se dy nga to kanë kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, por mohon se mbrapa këtyre rasteve që cilësohen si krim i organizuar, qëndron ndonjë person i njohur në skenën e Kosovës.

“Në bazë të informacioneve, nuk kemi ardhur në përfundim që qëndrojnë emra të përveçëm të pushtetarëve”, thotë ai, duke konfirmuar ekzistimin e hetimeve edhe për raste të tjera të dyshimit për posedim të substancave narkotike.

FBI në Kosovë
Për arrestimet që janë bërë që nga fillimi i këtij viti, kryeprokurori Lumezi një pjesë të meritës ua dedikon edhe dy prokurorëve amerikanë dhe një hetuesi nga Karolina e Veriut të cilët për një javë të qëndrimit të tyre kanë rekomanduar hetuesit dhe prokurorët vendorë se si bëhen marrëveshjet për pranimin e fajësisë të cilat janë mënyrë më e lehtë për zbardhjen e krimeve.

 “Kontribut të madh në zbulimin e kryesve të këtyre veprave penale kanë dhënë edhe SHBA-të, sidomos prokurorët e Karolinës Veriore, të cilët kanë qenë fizikisht këtu në Prokurorinë e Qarkut dhe kemi pasur me ta një bashkëpunim të ngushtë së bashku me policinë. Ardhja e tyre në Kosovë ka rezultuar pas një vizite që ne kishim atje ku jemi njoftuar me punën dhe teknikën e policisë dhe prokurorisë në rastet që kanë të bëjnë me trafikimin me substanca narkotike”, thotë Lumezi.

Prokurorët amerikanë, sipas tij, nuk kanë qenë të inkuadruar direkt në raste por kanë sugjeruar se si të veprohet në rastet konkrete.

“Ata nuk kanë punuar direkt në raste, por ata thjesht kanë shikuar punën tonë dhe na kanë sugjeruar se si bëhen marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Këto marrëveshje për pranimin e fajësisë na kanë ndihmuar që të zëmë grupe të mëdha të cilat merren me substanca narkotike. Përpos marrëveshjeve dhe negocimit me personat që kanë qenë të involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale, i kemi përdorur edhe masat e fshehta të përgjimit, të shikimit, të fotografimit në vende publike”, thotë Lumezi.

Duke parë nga afër se prokurorët kanë qëndruar në zyre të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë dhe kanë sugjeruar vetëm se si të veprohet, Lumezi, këtë sukses që e quan ai, ua dedikon prokurorëve që punojnë nën ombrellën e tij, policëve të Kosovës por edhe zyrtarëve nga Shërbimi i Inteligjencës së Kosovës të cilët thotë se kanë ndihmuar me informacionet e siguruara.

Detyrë e të gjithëve
Kryeprokurori i Prokurorisë Publike të Qarkut, Aleksandër Lumezi, nuk e mohon faktin e Kosova është një vend transit për bartjen e substancave narkotike, por thotë se nuk është në nivelin e asaj që prezantohet nga institucione dhe organizata ndërkombëtare.

“Kosova është vend transit por nuk kalon droga nëpërmjet Kosovës në sasi aq të mëdha sa përflitet, por të gjitha shtetet e rajonit kanë pasur qëllime të caktuara për të treguar në ato takime se vend transiti është Kosova, ndërsa ne e dimë që droga, shumica e drogës, përmes Afganistanit e Turqisë, kalon në Bullgari e nga aty në vendet e Evropës ndërsa një sasi e vogël e drogës përmes Kosovës”, thotë Lumezi.

Shtetet e rajonit, sipas Lumezit, kanë pasur tendenca të përfitimit të donacioneve, ndërsa për të përfituar ato janë thirrur në Kosovën si vend transit i mijëra kilogramëve substanca narkotike.
Por një reputacion i tillë çfarë i është dhënë Kosovës dhe një luftë më e madhe kundër këtyre dukurive, sipas Lumezit, mund të bëhet vetëm me një bashkëpunim më të madh të qytetarëve me policinë dhe me prokurorinë.

“Në këto dy mileniume, njerëzit kanë ndërtuar sistemin e vlerave ku krimi duhet të ndëshkohet dhe për këtë arsye nëse ne dëshirojmë të ndëshkojmë krimin, atëherë edhe qytetarët e këtij vendi duhet të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë. Prokurorët kanë detyrim ndaj popullit, ndaj institucioneve të vendit, ndaj gjithçkaje që mban emrin drejtësi dhe duhet luftuar barbarizmat dhe poshtërimet që bëhen nga mafia popullit dhe qytetarëve të Kosovës”, thotë Lumezi.

Lufta kundër krimit nuk është vetëm detyrë e organeve të hetuesisë por, sipas tij, e të gjitha institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi.
“Barra kryesore i bie prokurorisë, sepse ata janë shërbëtorët e shtetit dhe paguhen nga shteti për të ndjekur penalisht kryesit e veprave penale. Nuk mund të heshtet përballë shkatërrimit të të rinjve kosovarë dhe familjeve të tyre”, përfundon ai. /www.zeri.info/


Gjyqësori përballë rrymave politike

Prishtinë, 27.2012 - Gjyqësori në Kosovë nuk ka arritur të pavarësohet nga ndikimet politike, dhe indikacionet tregojnë se mungon vullneti politik që një gjë e tillë të arrihet, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike në vend.

Ish-ministri i drejtësisë, Haki Demolli thotë se ekziston një perceptim se politika e ushtron ndikimin në gjyqësor, ndërkohë që për një gjë të tillë kanë sinjalizuar edhe raportet e organizatave relevante ndërkombëtare.
Ekziston një ndjenjë, një perceptim i përgjithshëm, që gjyqësori ende nuk është i pavarur plotësisht, nuk do të thosha vetëm nga politika, por edhe nga faktorët tjerë që ndikojnë. 

Ekziston një ndjenjë, një perceptim i përgjithshëm, që gjyqësori ende nuk është i pavarur plotësisht, nuk do të thosha vetëm nga politika, por edhe nga faktorët tjerë që ndikojnë. Pavarësisht se me legjislacion dhe me dispozita ligjore i garantohet pavarësia gjyqësorit, por  praktika dhe rastet praktike tregojnë se herë-herë disa nga gjykatësit nuk veprojnë në mënyrë të pavarur, por janë nën ndikime të caktuara”, shprehet Demolli.

Mendim të ngjashëm ka edhe eksperti tjetër për çështje juridike, Ismet Salihu.

Sipas tij, gjyqësori sot nuk i nënshtrohet presionit dhe ndikimit vetëm nga një rrymë politike, por më shumë.

Për të qenë situata edhe më e keqe, është ndikimi i politikave të partive politike. Kjo është edhe më e keqe, më e rrezikshme dhe më e dëmshme se sa ndikimi i një politike. Edhe me rastin e emërimeve dhe riemërimeve të gjyqtarëve, ka tendenca, por edhe veprime të drejtë për drejta që partitë politike, përkatësisht politika, ti ketë njerëzit e vet  në gjyqësor-gjykatësit, prokurorët, etj. Madje, i di rastet, që kanë qenë shuam të interesuar që në krye të gjykatave të caktuara të jenë njerëzit e partive, partizanët”, thotë Salihu.

Ai  thekson se EULEX-i, pavarësisht të metave, që sipas tij i ka dhe vërejtjeve që i bëhen, ka arritur ti amortizojë dhe mos lejojë këto tentime, sepse e gjithë situata , siç thotë ai, do të bëhej edhe më keq se sa që është.

Ndryshe, të dy këta ekspertë të çështjeve juridike, vlerësojnë se për të arritur një shkallë të lartë të pavarësisë së gjyqësorit nga politika, është i nevojshëm vullneti politik i faktorëve politik.

Demolli thotë, se një vullnet i tillë, deri më tash nuk ka qenë i dukshëm.
Sistemi gjyqësor i pavarur dhe profesional do të ndihmonte në zhvillimin e gjithanshëm të një shoqërie të caktuar.
 
Sa i përket angazhimit apo iniciativës, ose punës së një subjektit politik, apo vet politikës në përgjithësi që të pavarësohet (gjyqësia), unë nuk e kam vërejtur këtë, ndonëse në parim apo formalisht, e kemi gojën demokraci dhe pavarësi për gjyqësorin. Për mendimin tim, një prej shtyllave kryesore, përveç shtyllës ekonomike, është sistemi gjyqësor i një vendi. Sistemi gjyqësor i pavarur dhe profesional do të ndihmonte në zhvillimin e gjithanshëm të një shoqërie të caktuar”, thekson ai.

Por, Salihu vlerëson se pavarësia e gjyqësorit, mund të sigurohet vetëm nëse ekziston vullneti politik për një gjë të tillë, ndërkaq, që nëse kjo arrihet, sipas tij, megjithatë nevojitet monitorim i punës së gjyqësorit.

Është fakt se duhet të pavarësohet gjyqësori. Gjyqtari duhet ta kryej punën e tij në mënyrë autonome, të pavarur. Jo ashtu siç i teket atij, por në bazë të ligjit. Këtë po e theksoj për shkak se edhe ndaj gjyqësorit, ndaj gjyqtarëve, duhet të ndërtohen mekanizma jashtë-politik, jashtë-partiak, të cilët do ta mbikëqyrnin punën e gjyqtarit dhe prokurorit, sepse, prej qindra gjyqtarëve del një ose dy, apo një përqindje që bëjnë çfarë të duan, interpretojnë si të duan ose nuk punojnë”.

Sido që të jetë, ekspertët e çështjeve juridike, vlerësojnë se pavarësimi i gjyqësorit nga politika, jo vetëm tash, por as në dhjetë vitet e ardhshme,  nuk do të mund të bëhet pa ndihmën e ndërkombëtarëve. /www.evropaelire.org/


Sfidat e sistemit të drejtësisë penale







Shkruan: Prof. dr. Azem Hajdari


Sistemi i drejtësisë penale përfshinë tërësinë e mekanizmave shtetëror të krijuar në një shoqëri me qëllim të mbrojtjes së vlerave shoqërore e individuale, nga sjelljet e dukuritë e ndryshme kriminale. Ndonëse në shoqëritë bashkëkohore vërehet një tendencë në rritje e mekanizmave të tillë, është më se e qartë se barra kryesore, sa i përket mbrojtjes së këtyre vlerave, u takon institucioneve shtetërore klasike penale - policisë, prokurorive publike, gjykatave dhe institucioneve penitensiare. Ky sistem organesh, në përmbushjen e përgjegjësive të përcaktuara me ligj, në çdo shtet përballet me probleme, vështirësi e sfida. Sidoqoftë, janë vendet në tranzicion dhe ato që ndeshen me kriza ekonomike, politike e shoqërore, çfarë është edhe Kosova, në të cilat sfidat dhe problemet në funksionimin e këtij sistemi janë më se të theksuara. Rrjedhimisht, sfidat kryesore me të cilat aktualisht përballet sistemi i drejtësisë penale të Kosovës janë:

I. Reformimi
Reformimi paraqet grumbullin e veprimeve (masave, metodave etj.) përmes të cilave ndryshohet organizimi dhe drejtimi i një fushe të veprimtarisë shtetërore apo shoqërore. Në rastin konkret, fjala është për veprime që ndryshojnë organizimin dhe drejtimin e sistemit të drejtësisë penale. Vlerësoj se në gjendjen si aktualisht funksionon, ky sistem ka nevojë imediate që të përfshihet nga reforma të thella dhe të gjithanshme. Rrjedhimisht, si segmente kyçe në të cilat duhej shtrirë reformat e këtij sistemi konsiderohen:

1. Legjislacioni
Reforma do duhej fokusuar në drejtim të krijimit të një legjislacioni gjithëpërfshirës që siguron pavarësi në vendimmarrje, përgjegjësi dhe profesionalizëm në punë të të gjithë akterëve përgjegjës të gjykatave, prokurorive, policisë, institucioneve penitensiare dhe agjencive tjera të autorizuara për të zhvilluar veprimtari në çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e krimit.
Pavarësisht faktit se Kosova ka një legjislacion bazik që mëton të sigurojë ekzistencën e postulateve që u theksuan më lart, prapë se prapë konsideroj se ky legjislacion duhet domosdoshmërish t’i nënshtrohet një procesi ndryshimi e plotësimi në mënyrë që të evitohen zbrazësitë jo të pakta që aktualisht e përcjellin funksionimin e sistemit të drejtësisë penale në vend.
Konsideroj se një rishikim i domosdoshëm profesional, i guximshëm dhe pa paragjykime duhet bërë edhe sa i përket Kodit penal, Kodit të procedurës penale, Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, por edhe të Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ligjeve tjera që adresojnë çështje penale materiale, procedurale e të ekzekutimit.

2. Mënyra e fitimit të pozitave në gjykata, prokurori, polici e institucionet penitensiare
Reforma do të duhej të sigurojë përzgjedhje të gjyqtarëve, prokurorëve, përgjegjësve të policisë dhe udhëheqësve të institucioneve penitensiare mbi bazën e kriterit të meritokracisë, Në opinionin publik, sidomos atë profesional, aktualisht mbretëron mendimi se janë të paktë prokurorët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë publik në kuadër të Policisë së Kosovës dhe institucioneve penitensiare që janë emëruar në pozicionet e tyre mbi bazën e këtij kriteri. Për më tepër konsiderohet se pjesa dërmuese e zyrtarëve publikë të këtyre institucioneve janë emëruar sipas preferencave politike. Pasojë e kësaj vlerësohet të jetë fakti që vë në dukje punën me shumë mangësi të këtyre organeve - punë që vazhdon të hasë në kritika serioze të akterëve të shumtë relevantë ndërkombëtar.
Së këndejmi, shtrohet detyrë imediate që procesi i përzgjedhjes së këtyre nëpunësve publik të pësojë ndryshime radikale. Në kuadër të kësaj përzgjedhje sigurisht do duhej dhënë më shumë hapësirë gjeneratave të reja (qoftë edhe përmes ndryshimeve konkrete në ligjet përkatëse bazike që do të fokusoheshin në uljen e përvojës së punës që kërkohet për pozita përkatëse) dhe duhet ecur drejt mbylljes së kapitullit të përzgjedhjes së nëpunësve publik (gjyqtarëve, prokurorëve, udhëheqësve të policisë dhe të institucioneve penitensiare) që u treguan në vazhdimësi të pasuksesshëm dhe që para vitit 1999 dënuan shqiptarët që në demonstratat paqësore kërkonin të drejta e liri dhe krijimin e shtetit të tyre.

3. Aspektet teknike të funksionimit të veprimtarisë së gjykatave, prokurorive publike, policisë e institucioneve penitensiare
Reforma do të duhej të ofroj krijimin e kushteve optimale teknike që u sigurojnë gjyqtarëve, prokurorëve, policëve etj., veprimtari efikase në punë. Pavarësisht përpjekjeve të vogla që janë bërë, konsiderohet se e tërë periudha e pasluftës karakterizohet me probleme të shumta të kësaj natyre. Shumë prokurori, gjykata, burgje e polici akoma punojnë në objekte të papërshtatshme dhe shumë zyrtarë të këtyre organeve vazhdojnë të kërcënohen për punën e tyre që bëjnë. Së këndejmi, me qëllim që të sigurohet punë efikase në këto organe është koha e fundit që atyre t’u sigurohen kushte të duhura teknike (hapësirë e mjaftueshme) dhe mbrojtje adekuate, dhe në mënyrë të veçantë të futet në aplikim sistemi i përgjegjësisë për punë të pasuksesshme.

4. Modelet e funksionimit të gjykatave, prokurorive e ndoshta dhe të policisë:
Në fakt, kur janë në pyetje gjykatat dhe prokuroritë, sa i përket kësaj çështje, është bërë një hap të thuash tejet i rëndësishëm. Ky hap është konkretizuar me miratimin e Ligjit për gjykatat dhe Ligjit për prokurorin e shtetit. Këto dy ligje që, sa i përket çështjes së shtruar, pritet të hyjnë në fuqi më 1 janar të vitit 2013, kanë vënë bazat e një sistemi gjyqësor e prokurorial të ri, të përshtatur modeleve të vendeve të përparuara, që pritet të ketë efekte edhe në uljen e shpenzimeve të gjyqësorit dhe prokurorisë (sidomos në pjesën që ka të bëj me administratën).
Natyrisht, akoma është shumë herët të dilet me ndonjë konkluzionin se si dhe sa do të avancohet puna e këtyre dy organeve që janë përfshirë në kuadër të këtij reformimi struktural, pasi me gjasë punët përgatitore që reflektojnë angazhimin për të lehtësuar këtë transformim duken akoma larg drejt diçkaje konkrete dhe të dukshme. Të shpresohet se zbatimi i këtyre dy ligjeve nuk do ta kenë fatin e shumë ligjeve të tjera që në fakt ekzistojnë vetëm në letër, por jo edhe në zbatim.
Ndërsa, sa i përket policisë, përveç shumë aspekteve tjera, dihet se çalimet më të mëdha kanë të bëjnë me mosfunksionalizimin e punës së policisë gjyqësore, e cila, përkundër përcaktimeve ligjore, de fakto nuk ekziston. Çalimet në punën e institucioneve penitensiare po ashtu janë evidente dhe ato kryesisht shtrihen në segmentin e sigurisë.

5. Aspektet e mënyrës së zbatimit të trajnimeve
Reforma do duhej të sigurojë trajnim të vazhdueshëm të gjyqtarëve, prokurorëve, policëve, zyrtarëve penitensiar etj., të atillë që u përshtatet nevojave të kohës etj. Në opinionin publik mendohet se Kosova deri më tash ka ndjekur një politikë jo adekuate të trajnimit të këtyre zyrtarëve publikë. Kjo për faktin se në trajnime kryesisht janë përfshirë gjyqtarë, prokuror e polic e personel i burgjeve që janë para pensionit, në vend që në to të përfshiheshin kuadrat e reja dhe me perspektivë që në studimet e tyre brenda e jashtë vendit kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme.

II. Përballja me elementet kriminale
Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dukuritë të cilat në mënyrën më të vrazhdë po e sfidojnë të ardhmen e Kosovës. Jo shumë larg tyre janë edhe format tjera të kriminalitetit. Aktualisht konsiderohet se organet e sistemit të drejtësisë penale të Kosovës janë larg realizimit të përgjegjësive të tyre në çështjen e përballjes me elementet kriminale. Për këtë dëshmojnë raportet e organizatave të shumta respektive ndërkombëtare dhe prononcimet e zyrtarëve me ndikim në skenën politike ndërkombëtare.
Është për çdo kritikë fakti se aktualisht në sirtarët e gjykatave presin për tu zgjidhur edhe rreth 100 mijë lëndë gjyqësore, shumë nga to të natyrës penale që presin me vite për tu zgjidhur. Në këtë linjë gjithsesi shkon edhe fakti se, përkundër prioriteteit që i është dhënë nga Prokuroria e Shtetit dhe gjyqësia e Kosovës procedimit dhe zgjidhjes së lëndëve penale që kanë për objekt veprat penale që ndërlidhen me zgjedhjet, deri më tash kanë arritur të zgjidhen një numër simbolik i tyre. Për më tepër, për këto vepra penale gjykatat kanë shqiptuar kryesisht dënime me gjobë dhe kusht gjë që flet për një politikë ndëshkuese jo adekuate që kanë aplikuar ato, politikë që aspak nuk korrespondon me peshën e tyre.
Nuk konsideroj që kjo është mënyra ideale e përballjes me krimin. Për më tepër kjo qasje e gjyqësorit trimëron kryesitë për të vazhduar me veprimtaritë e tyre kriminale. Si rrjedhojë, është detyrë ligjore e akterëve kryesorë institucionalë që të ndërmarrin çdo masë të lejuar me ligj dhe kështu të marrin mbi vete përgjegjësinë që kanë për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe të gjitha formave të tjera të kriminalitetit në Kosovë, në mënyrë që vendit t’i hapen perspektivat e sundimit të ligjit, zhvillimit të demokracisë dhe integrimit rajonal e ndërkombëtar të saj.

III. Depolitizimi
Depolitizimi në këtë rast ka të bëj me eliminimin e ndikimit të politikës në punën e organeve që sajojnë sistemin e drejtësisë penale. Opinioni publik, sidomos ai profesional në Kosovë dhe jashtë saj konsideron se në punën e organeve që përbëjnë sistemin e drejtësisë penale të Kosovës vërehet ndikimi i fuqishëm nga jashtë, sidomos i ekzekutivit dhe politikës. Në vendet e Evropës Perëndimore kjo situatë as që mund të imagjinohet se mund të ndodhë. Kjo gjendje, në fakt, nuk duhet të ndodhë as në Kosovë, dhe në asnjë vend tjetër që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian e organizma tjerë ndërkombëtarë. Është shumë i saktë fakti se Bashkimi Evropianë nuk do të lejoj hyrjen në gjirin e vet të asnjë shteti që e ka sistemin e drejtësisë penale të politizuar dhe të ndikuar nga ekzekutivi. Së këndejmi, akterët përgjegjës institucional duhet jo vetëm të fillojnë t’i eliminojnë praktikat e ndërhyrjeve të tyre në punën e këtyre organeve, por edhe të ndërmarrin masat ligjore ndaj të tjerëve të cilët duke shfrytëzuar pozitat politike apo tjera vazhdojnë të ushtrojnë ndërhyrje të tilla.

IV. Bashkëpunimi regjional dhe ndërkombëtar
Kosova aktualisht ndodhet para obligimeve të vendosura ndërkombëtare dhe trysnisë së shtuar për të shënuar zhvillime konkrete drejt shtimit të nivelit të bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar. Njëri prej segmenteve kyçe të këtij bashkëpunimi padyshim përbën avancimi i bashkëpunimit të autoriteteve kompetente të sigurisë dhe luftimit të krimit me autoritetet homologe të vendeve tjera në rajon dhe më gjerë. Së këndejmi, shtrohet detyrë imediate sidomos avancimi i nivelit të bashkëpunimit të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës për zbatim të ligjit me EULEX-in, Interpolin, Evropolin dhe autoritetet homologe të vendeve tjera.

Ndonëse aktualisht ka disa shenja se në çështjet e trajtuara në Kosovë, më në fund, do të mund të lëvizet për së mbari, është akoma herët që të krijohet një përshtypje shpresëdhënëse për këtë. Kjo për faktin se procesin e emërimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe udhëheqësve të lartë policorë e penitensiar po e përcjellin shumë probleme dhe parregullsi; se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera kriminale akoma vazhdon të jetë shumë e brishtë; se akoma vazhdon të jetë evident ndikimi i politikës në punën e gjykatave, prokurorisë, policisë së shtetit etj. 
/ www.telegrafi.com / 


Gjyqtarët e Huaj e Kryejnë Punën në Bosnjë

Shkruan: Marija Tausan

Sarajevë

Ndërsa stafi i fundit i huaj gjyqësor bëhet gati për t’u larguar nga Bosnja, avokatët vendas kanë opinione të ndara nëse kanë bërë punë të mirë, apo jo. Disa prokurorë ndërkombëtare nuk kanë ngritur asnjë padi të vetme.

Avokatët në Bosnjë kanë opinione të ndara mbi vlerën e kontributit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë në Bosnjë, pjesëmarrja e të cilëve në vend, përfundon këtë  vit.

Kryetari i Gjykatës së Shtetit në Bosnjë, Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, thotë se gjyqtarët
  Foto ilustrim

e huaj me përvojë e ndihmuan gjyqësorin vendas të arrijë standarde më të mira dhe rritën njohurinë e tyre në ligjin ndërkombëtar.

Por jo të gjithë janë dakord, dhe disa avokatë thonë se prisnin më shumë nga pjesëmarrja e kolegëve ndërkombëtarë.

Ndërsa opinionet ndryshojnë, është e padiskutueshme se disa prokurorë ndërkombëtare nuk kanë ngritur asnjë padi të vetme.

Që nga viti 2003, më shumë se 70 gjyqtarë dhe prokurorë, shumica nga Europa Perëndimore dhe Amerika, janë emëruar në Gjykatën e Shtetit dhe në Zyrën e Prokurorit.

Mandatet e tre gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë të fundit në këto institucione përfundojnë në fund të këtij viti.

“Kjo gjykatë [e shtetit], dhe gjyqtarët tanë vendas janë të privilegjuar të kenë pasur në radhët e tyre gjyqtarët ndërkombëtarë”, thotë Meddzida Kreso, kryetare e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Ky privilegj është në lidhje me kontributin e tyre në forcimin e rendit të ligjit dhe prezantimin e normave dhe standardeve ndërkombëtare në gjyqet e krimeve të luftës, ku kanë sjellë standarde të larta”, shton ajo.

Ajo beson se prania e kolegëve ndërkombëtarë në gjyqësor ka ndihmuar gjithashtu në shmangien e rrezikut të anshmërisë kombëtare/etnike në punën e gjykatave.

Hilmo Vucinic, një gjyqtar në Gjykatën e Shteti, i cili ka punuar me dhjetëra gjyqtarë të huaj, është dakord.

Kanë bërë një kontribut të madh në ndihmesën që u kanë dhënë vendorëve të fitojnë dijë në ligjin Anglo-Sakson, dhe të bëhen më sistematikë në shkrimin e aktgjykimeve dhe çështje të tjera, thotë ai.

“Shumë nga këta gjyqtarë kanë qenë nga vendet e Bashkimit Europian, të cilat kanë pasur praktikën më të mirë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut”, thotë ai.

“Disa kanë qenë gjyqtarë të Tribunalit të Hagës me një përvojë të pasur në gjykimin e krimeve të luftës, përvojë e cila u mirëprit nga ne, ndërkohë që filluam të merreshim me koncepte të tilla të reja si ‘përgjegjësi komanduese’, dhe ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’”, vazhdon Vucinic.

Jo të gjithë kanë qenë të shkëlqyer
Kreso dhe Vucinic pranojnë se jo të gjithë gjyqtarët e emëruar kanë arritur rezultate të mëdha.

 “Nuk mund të them se të gjithë kanë qenë të mirë, ose se kanë dhënë një kontribut të barabartë; ashtu si edhe me gjyqtarët vendas, jo të gjithë kanë kapacitet të barabartë”, thotë Kreso.

 “Është e njëjta gjë me gjyqtarët ndërkombëtarë. Kishte nga ata që nuk kanë lënë asnjë gjurmë kuptimplotë”, shton ajo.

Nga viti 2003 deri më 2006, ishte detyrë e Përfaqësuesit  të Lartë për të emëruar gjyqtarët ndërkombëtarë dhe prokurorët. Në vitin 2007, sistemi i emërimit i kaloi  Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, VSTV, të Bosnjës, ku një nga kushtet për emërim  ishin tetë vite përvojë në rastet komplekse.

“Nëse e shikoni punën e tyre në mënyrë kritike, dy fazat mund të krahasohen”, thotë Vucinic.

“Në fazën e parë nga viti 2003 deri më 2006, çështja ishte që gjyqtarët  emëroheshin nga qeveritë e tyre përkatëse dhe mandatet e tyre ishte shumë më të shkurtra.

Kjo u vërtetua se ishte praktikë e gabuar, meqë një periudhe e shkurtër kohore nuk ishte e mjaftueshme që ata të merreshin siç duhej me të gjitha sfidat”.

Ndërkohë avokatja në Sarajevë, Senka Nozica, është shumë më pak pozitive në gjykimin e saj.

Ajo thotë se nga gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë pritej më shumë, dhe se në përgjithësi performanca e tyre ishte e ulët.

“Në lidhje me prokurorinë, pritej se do të ndihmonin në edukimin e prokurorëve vendas. Por kanë qenë tërësisht të veçuar nga prokurorët ndërkombëtarë, kështu që patën pak mundësi për t’i edukuar kolegët e tyre”, thotë ajo.

“Kam dëgjuar gjithashtu se para se të vinin, disa prej tyre nuk kanë qenë prokurorë, kështu që nuk kishin baza të edukonin askënd, por po mësonin vetë duke punuar”, shtoi ajo. “Ishte e njëjtë me gjyqtarët ndërkombëtarë”.

Ndërsa shumica e padive të ngritura nga prokurorët e huaj që punojnë në Departamentin e Prokurorit të Shtetit për Krim të Organizuar kundër zyrtarëve të lartë zakonisht përfunduan në lirim, prokurorët ndërkombëtarë të krimeve të luftës kanë pasur një numër shumë herë më të lartë dënimesh.

Prokurori Filipinas, Jude Romano, ishte njëri nga ata të përfshirë në raste komplekse, duke ngritur padi për krime të kryera në kampe burgimi në Mostar dhe Dretelj dhe i ka prezantuar para Gjykatës së Shtetit.

Erik Larson dhe Kwai Hong Ip, nga SHBA-ja, kanë punuar në raste të mëdha gjenocidi dhe krime të tjera të lidhura me masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë.

Por sipas të dhënave të marra nga paditë dhe gjykimet, prokurorë të shumtë nuk kanë hedhur asnjë padi të vetme për krime lufte dhe as kanë përfaqësuar një rast të vetëm para gjykatës.

Zyra e Prokurorit të Shtetit refuzon të komentojë për punën e atyre prokurorëve dhe thotë se Zyra e Regjistrit të Gjykatës së Shtetit është përgjegjëse për to.

Por Senka Nozica thotë se disa prokurorë ndërkombëtarë - si Romano - kanë qenë më shumë se thjesht neglizhentë.

Ajo thotë se disa prej tyre kanë shkaktuar dëm pozitiv në gjykatat në Bosnje, si në rastin e sulmit në kolonën e Ushtrisë Popullore Jugosllave, JNA, në rrugën Dobrovoljacka, në Sarajevë më 1992.

“Pa thënë nëse ka pasur ose jo krim, ose se kush është përfshirë në të, lëvizja e prokurorit ishte një humbje e madhe për Bosnjën dhe Hercegovinën”, tha jo, duke iu referuar vendimit të Jude Romanos për të hequr dorë nga hetimet për 14 burrat e dyshuar për pjesëmarrje në sulmin mbi ushtarët e JNA-së, në maj të vitit 1992.

“Në fillim tha se kishte pezulluar hetimet, pastaj dy ditë më vonë tha se disa krime kishin ndodhur, porse janë kryer nga persona të tjerë”.

“Ishte e papërgjegjshme, joprofesionale dhe inkompetente… Dhe ka shkaktuar një shqetësim publik”, tha Nozica.

Prokurori Romano pezulloi hetimin e 14 të dyshuarve në rastin e Rrugës Dobrovoljacka, menjëherë pasi i mbaroi mandati.

Lëvizja zemëroi opinionin publik midis serbëve të Bosnjës, ashtu si kur ish-kolegu i tij, David Schëendiman, mbrëmjen para se të nisej nga Bosnja, mbylli hetimin për dyshimet në sulmin mbi automjetin e JNA-së në Tuzla dhe krimet kundër serbëve në Konjic.

Edhe pse e konsideron punën e prokurorëve të huaj në përgjithësi si dështim, Nozica pranon se disa prej tyre ishin të shkëlqyer.

“Jonathan Schmidt e udhëhoqi një hetim në mënyrë të shkëlqyer, tregoi se si një procedurë duhet të udhëhiqet, në rastin e të cilit, fatkeqësisht për të dhe për mua, përfundoi me lirim të të dyshuarve”, kujtoi ajo, duke iu referuar ish-prokurorit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ka punuar në rastet e krimit të organizuar.

Gjyqtarët dhe avokatët me të cilët folëm kanë rënë dakord se gjyqësori i Bosnjës është tani vetë i aftë të punojë në mënyrë të pavarur.

Avokati nga Banjalluka, Krstan Smic, beson gjithashtu se gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë nuk duhet të luajnë asnjë rol të mëtutjeshëm në gjyqësorin e Bosnjës, duke thënë se besueshmëria e tyre është e dyshimtë kur u shikon rezymetë.

“Përshtypja mbetet të jetë se kanë qenë figura të padobishme, të cilët ndoshta vijnë këtu për të realizuar qëllimet politike të dikujt”, tha ai.

“Vetëm ata që kanë punuar me krimet e luftës qëndruan, por nuk besoj se edhe ata kanë dhënë shumë kontribut. Është mirë për Bosnjën që të largohen”. /www.gazetajnk.com/

(Ky artikull fillimisht është publikuar në "Drejtësia Tranzicionale në Ballkan")
 


Salustro Kërkon Dënim Maksimal për Limajn

Prishtinë, 26.03.2012 - Prokurori i EULEX-it, Maurizio Salustro, i ka kërkuar Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, t’i deklarojë Limajn dhe nëntë ish-luftëtarët e tjerë të UÇK-së, fajtorë në rastin Kleçka dhe të japë dënimin maksimal.

Maurizio Salustro, prokurori Special në rastin Kleçka, në deklaratën e tij përfundimtare të dorëzuar pranë panelit të gjyqtarëve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ka shkruar se edhe pse dëshmitë dhe ditarët e dëshmitarit
  Foto Arkiv

të vdekur, Agim Zogaj, u gjykuan si të papranueshme, prokuroria ka vërtetuar se të dyshuarit janë fajtorë për krime lufte, për të gjitha akuzat.

Deklarata përfundimtare e Salustros, e parë nga BIRN, u dorëzua të enjten e shkuar, më 22 mars, një ditë pasi gjykata i liroi dhjetë ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, duke përfshirë komandantin e tyre, Fatmir Limaj, nënkryetar i tanishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK.

Gjykata vendosi se prokuroria dështoi të plotësonte disa standarde procedurale, dhe për këtë arsye provat e Zogajt nuk qenë të pranueshme.

Aktpadia akuzon Limajn dhe të pandehurit e tjerë se kanë kryer krime lufte të ndryshme në një qendër të improvizuar burgimi në fshatin Kleçka, në rajonin e Drenicës, në Kosovë.

Zogaj ishte roje burgu në kampin Kleçka në Kosovë, në vitin 1999, dhe ditarët e tij për ngjarjet që ndodhën atje ishin kyç për rastin e ngritur nga prokurori.

Salustro, në deklaratën e tij përfundimtare, argumenton se ishte për shkak të dëshmive të Zogajt që në fshatin Kleçka  u gjetën pesë trupa.

“Më 24 mars 2009, Zogaj u tregoi hetuesve për një varr të mundshëm. Më shtator të 2009 u ndërmor një zhvarrosje dhe eshtrat e pesë të vdekurve u gjetën”, i shkruajti Salustro gjykatës.

Avokatët mbrojtës kanë thënë se zhvarrosja dhe provat e mbledhura ishin gjithashtu të papranueshme, duke qenë se avokatët nuk qenë të pranishëm.

Sidoqoftë, Salustro argumenton se avokatët mbrojtës nuk mund të thirreshin në atë kohë, sepse procedurat penale nuk kishin nisur ende.

Një ekip mjeko-ligjor i Misionit për të Sundim të Ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, gjatë zhvarrosjeve në Kleçkë gjeti gjithashtu një kosë, e cila besohet se është përdorur për të vrarë njërën nga pesë viktimat.

Në një nga seancat e mëparshme dëgjimore, avokati mbrojtës Agim Vertrpoi e akuzoi prokurorinë se ka vënë  mjete në vendin e zhvarrosjes.

Prokurori Special Salustro thotë se argumenti mbrojtës nuk duhet të merret parasysh, dhe e thirri gjykatën të konsiderojë provat e hedhura për rastin Kleçka si të pranueshme.

 “Prokuroria beson se këto evidenca, të kombinuara me pjesën tjetër, mjaftojnë për të vërtetuar përgjegjësinë penale të të gjithë të akuzuarve. Për këtë arsye, prokuroria i kërkon Kolegjit Ligjor t’i deklarojë të gjithë të pandehurit fajtorë, dhe t’i dënojë sipas ligjit”, thotë prokuroria në deklaratën përfundimtare.

Limaj, figurë e njohur në Kosovë, është përballur me gjyq për krime lufte para Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në-ish Jugosllavi, ICTY. Tribunali i Hagës e liroi nga të gjitha akuzat në lidhje me dyshimin për përfshirje të tij në krimet e kryera në kampin burg në Lapushnik më 1998.

Ekipet mbrojtëse kanë kohë deri të martën, më 27 mars, për të dorëzuar deklaratat përfundimtare në gjykatë. www.gazetajnk.com/

(Ky artikull fillimisht është publikuar në "Drejtësia Tranzicionale në Ballkan")


FOL: Ligji i Prokurimit Publik pamundëson transparencën

Prishtinë, 26.03.2012 - Lëvizja FOL ka publikuar sot ‘Analizën për Ndryshimet në Ligjin e Prokurimit Publik - në kontekst të Parimit të Transparencës’. Qëllimi i kësaj analize ligjore është të vejë në pah se deri në çmasë ka arritur Ligji për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës të parashohë zbatimin e parimit të transparencës në procedurat e prokurimit publik.

Sipas koordinatorit të projektit, Armend Pajaziti, “versioni i ri i ligjit, i aprovuar në gusht të vitit 2011, përsëritë shumicën e të metave të ligjit të mëhershëm”. Më tej, ai ka shtuar se “ky ligj është ende larg standardeve të  BE-së në fushën e prokurimit publik, gjë që e konfirmon edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2011”.

Gjithashtu, sipas tij “ky ligj nuk përmbushë nevojat e kërkuara për procedura transparente, madje disa procedura të reja prokurimi janë rregulluar në atë mënyrë që edhe përjashtojnë mundësinë e informimit të publikut dhe lënë mundësi për përjashtimin nga konkurrenca të Operatorëve Ekonomikë”.

Ndërkaq, analisti ligjor në këtë lëvizje, Admir Salihu, duke vënë në pah dobësitë e shumta të këtij ligji, ka theksuar se “pothuajse asnjë nga rekomandimet e shoqërisë civile nuk është marrë parasysh nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës”. Sipas tij, “një nga çështjet problematike që e cenon drejtpërdrejt zbatimin e parimit të proklamuar të transparencës në aktivitetet e prokurimit është edhe pika që flet për përjashtimet e aktiviteteve të caktuara të prokurimit (neni 3,  paragrafi 1)”. Më tej, ai ka potencuar se “ky ligj i jep mundësinë Qeverisë që të përjashtojë nga fushëveprimi i këtij ligji aktivitetet e caktuara të prokurimit, me cka vihet në dyshim transparenca e shpenzimit të parasë publike të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, duke folur për paqartësitë e shumta që e karakterizojnë fushëveprimin e institucioneve kryesore të prokurimit, KRPP-së dhe OSHP-së, ai ka pohuar se “duhet të rishikohen kompetencat e institucioneve të prokurimit publik, duke qenë se ekziston një konfuzion i madh në mesin e KRPP-së dhe OSHP-së, se cili është interpretuesi përfundimtar.
Në fund të kësaj konference janë dhënë edhe rekomandime të shumta për ndryshimin e këtij ligji. / http://levizjafol.org/

Shkarkoni publikimin: Analizën për Ndryshimet në Ligjin e Prokurimit Publik - në kontekst të Parimit të Transparencës

 


Propozimet n’Gjykatë

Prishtinë, 25.03.2012 - Gjykata Kushtetuese ka pranuar pakon e ndryshimeve kushtetuese. Brenda dy muajsh pritet të ketë një përgjigje nëse propozimet janë në përputhje me liritë dhe të drejtat e njeriut. Është paralajmëruar se Gjykata mund të konstatojë se propozimi për shkurtimin e mandatit të presidentes aktuale mund të shpallet antikushtetues. Përgjigjja do të dihet më së largu më 22 maj.

Gjykata Kushtetuese e ka marrë të premten pakon e ndryshimeve kushtetuese, që janë propozuar nga partitë politike në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së presidentit dhe kompetencat e tij. “Pakoja e ndryshimeve kushtetuese tashmë është pranuar në Gjykatë”, thuhet në përgjigjen për Express, të Gjykatës Kushtetuese.

Në dhjetë propozimet për amendamentin e kushtetutës, më problematiku është i fundit.
Propozimi i dhjetë që flet për zgjedhjet e para presidenciale, nuk kërkon shkarkimin e Jahjagës, e as dorëheqjen, por aty thuhet se presidenti aktual qëndron në krye të shtetit derisa të betohet presidenti i ri.

Presidentja aktuale e ka marrë mandatin para një viti dhe në bazë të Kushtetutës, ajo mund të qëndrojë në krye të shtetit deri në prill të vitit 2016.
Pikërisht shkurtimi i mandatit kushtetues është paralajmëruar se mund të shpallet nga Gjykata si antikushtetues.

Këshilltari “pro-bono” i Jahjagës, Dastid Pallaska ka thënë se shkurtimi i mandatit demokratik të Presidentes aktuale bie ndesh me parime dhe liritë e njeriut, që në këtë rast është Presidentja.

Ai ka propozuar që t`i lihet në dorë presidentes të propozojë ndryshimet kushtetuese dhe të shpallë fundin e mandatit të saj.
Megjithëkëtë, Jahjaga kur ka ardhur në krye të shtetit, e ka ditur se nuk mund të qëndrojë deri në fund të mandatit, pasi marrëveshja politike mes PDK’së, LDK’së dhe AKR’së ka paraparë nisjen e reformave kushtetuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në një periudhë të caktuar.

Atifete Jahjaga ka ardhur në krye të shtetit si kompromis për të dalë nga kriza politike e vitit të kaluar, ku Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar dy presidentë.
Por, dilema se janë propozimet për ndryshimin e Kushtetutës në përputhje me liritë dhe të drejtat e njeriut do të dihej në pjesën e dytë të muajit maj.
Gjykata Kushtetuese ka afat prej 60 ditësh për të dhënë përgjigjen nëse ndryshimet janë në përputhje me Kapitullin e II të Kushtetutës së Kosovës.
Pikërisht 22 maji është afati i fundit kur Gjykata do të dalë me vlerësimin e saj për ndryshimet kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese do të respektoj të gjitha afatet e parashikuara me ligj”, thuhet në përgjigjet e Gjykatës. Presidentes aktuale i lejohet t`i hyjë garës dhe nëse nuk i fiton zgjedhjet, asaj i njihen të gjitha privilegjet që i ka ish-presidenti.
Ndryshimet e propozuara kanë paraparë kompetenca më pak për Shefin e Shtetit në fushën e diplomacisë, e më shumë në fushën e sigurisë.

Për dallim prej kompetencave aktuale, ku Presidenti është udhëheqës i diplomacisë, në amendamentet e reja, presidenti bashkëpunon me Qeverinë në lidhje me politikën e jashtme të vendit. Shefit të Shtetit i janë dhënë kompetenca për të udhëhequr Këshillin e Sigurisë të Kosovës.

Kreu i Shtetit do të emërojë dhe shkarkojë edhe Guvernatorin e Bankës Qendrore, sikurse Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Tash me ndryshimet kushtetuese, zgjedhjet presidenciale pritet t`i shpallë Kryetari i Kuvendit, ndërsa për zgjedhjet parlamentare i shpall Presidenti.

Në mungesë të Presidentit, postin e Shefit të Shtetit e merr kryeparlamentari, e në mungesë të këtij të fundit, ndryshimet kushtetuese kanë paraparë se kreun e vendit mund ta mbajë Nënkryetari i Kuvendit. /www.gazetaexpress.com/
 


Presidentja emëroi 11 gjyqtarë

Prishtinë, 23.03.2012 - Pas propozimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka emëruar njëmbëdhjetë gjyqtarë.

"Gjyqtarët e emëruar: Hasan Sadiku gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, Mursel Ahmeti gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, Zehra Vërbovci gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, Hashim Qollaku gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prizren, Naim Kurteshi gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prizren, Rasim Behluli gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prizren, Vahid Halili gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Driton Muharremi gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Hava Haliti gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Nenad Llaziq gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe Nexhmedin Sejdiu gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë" thuhet në një komunikatë të presidencës.

Gjyqtarët bënë betimin para Presidentes Jahjaga. /www.indeksonline.net/


Suspendohen dy gjyqtarë

Prishtinë, 23.03.2012 - Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), nën kryesinë e Kryesuesit Enver Peci, mbajti mbledhjen e radhës.
 
Ndër të tjera, siç theksohet në një komunikatë për medie, Komisioni Disiplinor i KGJK-së ka suspenduar dy gjyqtarë për shkak të, siç thuhet, sjelljeve të pahijshme, respektivisht shkeljeve të Kodit të Etikës.
 
“Suspendimi prodhon efekt juridik deri në përfundimin e procedurës disiplinore”, thuhet në komunikatën e KGJK-së.
 
Në këtë mbledhje, Këshilli gjithashtu diskutoi Raportin e Statistikës për punën e gjykatave për vitin 2011. Këshilli u njoftua edhe me disa çështje aktuale në gjyqësorin e Kosovës si dhe miratoi edhe disa vendime të tjera me rëndësi nga fushë kompetenca e vet. /Zëri/
 


Rasti ‘Kleçka’, EULEX-i urdhëron lirimin e të paraburgosurve

Prishtinë, 21.03.2012 - Gjykatësi kryesues në rastin “Kleçka” ka urdhëruar lirimin e të pandehurve nga paraburgimi. Ndërkohë që Qeveria dhe organizatat e luftës së UÇK-së, e kanë mirëpritur vendimin e Trupit Gjykues për shpalljen e pavlefshme të dëshmive kryesore në rastin “Kleçka”, ku akuzohej edhe deputeti Fatmir Limaj.
 
Gjykatësi kryesues në rastin “Kleçka” dha urdhër për lirimin e të paraburgosurve, pasi Trupi Gjykues të mërkurën paradite kishte marrë vendim që deklaratat dhe ditarët e Agim Zogajt, i njohur si Dëshmitari X, janë të papranueshme.

“Gjykatësit kanë vlerësuar se prokuroria nuk i ka përmbushur disa standarde të caktuara procedurale dhe për këtë arsye dëshmia e Agim Zogajt është e papranueshme”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.
Vendimit të Trupit Gjykues për shpalljen e pavlefshme të dëshmive kryesore në rastin “Kleçka”, e ka përshëndetur edhe Qeveria e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, siç raporton RTK, ka thënë pas mbledhjes së Qeverisë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë në përputhje me normal ndërkombëtare, duke shprehur bindjen për pafajësinë e deputetit Fatmir Limaj. Ai ka thënë se Limaj ka mbështetjen e plotë për t’iu kthyer jetës politike në vend.
Ndërkohë edhe organizatat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë mirëpritur vendimin për lirimin nga paraburgimi të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke potencuar se bëhej fjalë për një proces të montuar politikë dhe të porositur nga Beogradi.

Deputeti Fatmir Limaj, dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë akuzuar nga Prokuroria e EULEX-it për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si “rasti Kleçka”. Aktvendimi pritet të jepet brenda disa ditësh. /Telegrafi/
 


Të Humbur në Ndryshime Pafund

nga Genc Nimoni
 
Prishtinë, 21.03.2012

Viti 2013 do ta gjejë gjyqësorin e Republikës së Kosovës me organizim të ri strukturor në nivel të gjykatave dhe prokurorive. Është një model që është bërë aktual edhe në rajon. Por derisa të gjitha këto ndryshime të shpeshta ndodhin, pak gjëra ndryshojnë për qytetarin. Çdo i shtati kosovar ka një lëndë që pret t’i trajtohet.

Edhe pse bëhen 13 vjet nga lufta, tranzicionit institucional në Kosovë nuk po i shihet fundi derisa kualiteti i jetës që ato mbështetin nuk ndryshon. Përveç kalimit nga një demokraci virtuale në të vërtetë që përshkohet me ngërçe të shumta, nga një ekonomi e kooperativave drejt tregut të lirë që ngulfat edhe më tej ambientin e biznesit, edhe gjyqësori vazhdon me reforma duke synuar një drejtësi kompetente dhe të përshtatshme me kohën.  
Teksa planifikohet ndërrimi strukturor i gjykatave dhe prokurorive është ende i freskët procesi i tejzgjatur i emërimit dhe riemërimit të gjykatësve që përveç forcimit të kuadrove duhej, në mënyrë indirekte, të tejkalonte edhe disa nga telashet e ndërlidhura si ndikimet e natyrës politike, familjare dhe kriteret joprofesionale për aplikantët. 

Ndonëse rreth 100 vende janë ende duke u plotësuar, gjyqësori mori gjak të freskët pasi 60 për qind e të emëruarve ishin emra të rinj. Ky sektor nuk ka qenë fatlum me trashëgiminë që i është lënë, por këta emra duket se kanë sjell vullnet në punë dhe efektshmëri më të lartë. Është një hap në një rrugë të gjatë përpara.

Një lëvizje tjetër ishte plotësimi i ligjeve nga sfera gjyqësore gjatë dy viteve të fundit. Ndër të tjera është miratuar ligji për gjykatat, ligji për këshillin gjyqësor, ligjin për këshillin prokurorial dhe aktualisht gjendet në procedurat e ndryshimit edhe kodi penal. Ligjet e këtilla kanë krijuar një kornizë të mirë ligjore në të cilën vullneti i cekur më lartë mund të mirëpritet edhe më shumë.  
Tash gjyqësori përballet me futjen në funksion të strukturës së re organizative, duke nisur nga janari 2013.
Të gjitha gjykatat për kundërvajtje, ato komunale dhe të qarkut, do të shndërrohen në një të vetme, në atë Themelore. Do të kemi vetëm një gjykatë të Apelit më seli në Prishtinë dhe vetëm një Supreme. 

Janë bërë strategjitë e transferit dhe shpërndarjes së gjykatësve dhe lëndëve në sistemin e ri organizativ dhe përshtypjet e para sugjerojnë se gjyqësori do të përballet më një sfide jo të vogël në vitet në vijim. Do të ketë tema të shumta për adresim siç janë mungesa e objekteve për gjykatat, themelimi i degëve të reja të tyre, regjistrat e rinj etj.
Gjenden gjithsej 58 objekte të gjykatave për kundërvajtje, komunale dhe të qarkut, që do të shndërrohen në 7 objekte të gjykatave themelore. Këto të fundit pastaj ndahen në degë dhe departamente. 
Brenda gjykatës themelore do të ketë departamente për krime të rënda, departamentin e përgjithshëm, atë për të mitur, për çështje ekonomike dhe atë për çështje administrative. Do të ketë edhe degët e saja në komunat më të afërta gjeografikisht. 
Komisioni mbikëqyrës i përbërë nga gjykatës profesionistë dhe grupi punues i formuar nga ky komision, do të jenë trupat që do të bartin sfidën e këtij transferi. 

Problemi kryesor do të jetë me dy gjykatat themelore që do të formohen në Ferizaj dhe Gjakovë, ku përveç mungesës së objekteve adekuate do të ketë problem edhe më gjykatës të cilët do të gjykojnë veprat e krimeve të rënda, e këto territore nuk kanë gjykuar më parë këso krimesh. Të njëjtat do të përfshijnë edhe territoret në Shtërpcë, Kaçanik përkatësisht Malishevë dhe Rahovec. 
Problemin e njëjtë do ta ketë edhe Prishtina, gjykata themelore e së cilës do të jetë e shpërndarë në objekte të ndryshme në Prishtinë. Kjo situatë do të zgjasë të paktën deri në ndërtimin e pallatit të Drejtësisë. Prishtina, përveç tjerash, do të ketë edhe departamentin për çështje ekonomike dhe atë për çështje administrative. 
Marrë parasysh formimin e degëve të reja dhe kompetencat e tyre, natyrisht se do të shtrohet nevoja për staf të ri. 

Grupi Punues i krijuar nga komisioni për mbikëqyrje ka planifikuar që deri në muajin nëntor të bëjë bartjen e lëndëve në të gjitha nivelet, ndërsa në muajin dhjetor të përfundojë shpërndarjen e gjykatësve. Mirëpo i njëjti grup nuk ka paraparë fare nevojën e plotësimit të gjyqësorit me staf të ri administrativ i cili do të plotësonte nevojat në departamentet e degëve të reja.

Ekziston përshtypja se përsëri do të përballemi me sfida të mëhershme - ta mungesës së numrit të mjaftueshëm të gjykatësve dhe prokurorëve. 
Dhe derisa të gjitha këto ndryshime bëhen e janë të shpeshta, në ndërkohë, janë qytetarët të cilët dëmtohen pasi këto procese shpesh përdoren si arsyetime për vonesa e mostrajtime të lëndëve të tyre. 

Janë mbi 230 mijë lëndë që mbesin për tu trajtuar. Dhe janë jo më shumë se 1.7 milionë banorë në përgjithësi në Kosovë. I bie se gati çdo i shtati kosovar ka një lëndë që e pret.  
Kjo frikë forcohet edhe nga fakti që ky model i strukturimit të gjyqësorit, që tashmë aplikohet në disa vende të rajonit, nuk është treguar atje edhe aq i suksesshëm, sidomos në fazat e fillimit të tij.  www.gazetajnk.com


Dha dorëheqje prokurori Fahri Nuhiu

Prishtinë, 20.03.2012 - Prokurori i Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, Fahri Nuhiu, e ka ofruar dorëheqjen e tij në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Burime të gazetës brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë bërë të ditur se prokurori Nuhiu e ka ofruar dorëheqjen e tij në KPK më 5 mars të këtij viti.
 
Sipas të njëjtave burime, prokurori Nuhiu e ka ofruar dorëheqjen me arsyetimin për motive personale. Ndryshe, Zyra e Prokurorit Disiplinor të Kosovës më 6 janar 2012 i kishte paraqitur Komisionit Disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës kërkesën për suspendimin të përkohshëm të prokurorit Nuhiu, kërkesë kjo e cila ishte aprovuar nga KPK-ja më 31 janar.
 
Por, raporti përfundimtar i ZPD-së, i dërguar në Komisionin Disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës më 14 shkurt lidhur me të gjeturat dhe rekomandimet e kësaj zyre për prokurorin në fjalë, ka vlerësuar se faktet e gjetura janë të pakontestueshme që Komisioni Disiplinor i KPK-së ta shpallë prokurorin Nuhiu përgjegjës për kryerjen e sjelljes të pahijshme, sepse gjatë kohës sa ishte prokuror në Prokurorinë Publike komunale në Gjilan ka neglizhuar funksionin prokurorial, duke dështuar në hetimin e plotë të rastit penal PP .nr. 698/05 në formën, përmbajtjen dhe kohën e duhur ligjore që sanksionohet si sjellje e pahijshme nga neni 24 pika 1.2 të Ligjit mbi KPK-në. www.kosova-sot.info